Lajmi Shqip » Blog Archive » Premtimi i humbur - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Premtimi i humbur

anije-cisterneNga: Enton  BIDO

Një mëngjes të vranët, në një ujdhesë që s’dukej në asnjë hartë, një gjemi shkarkoi mall stok. Mirëpo, do ti, njëri nga udhëtarët, Premtim e kish emrin, ngaqë kish pirë gjithë natën e lume sa ishin detyruar ta nxirrnin me shkelma nga bari i gjemisë, kishte përfunduar në hambar. Aty, tapë siç qe, e kishte zënë gjumi top. Dhe kur anija kishte shkarkuar, shkarkoi edhe Premtimin tonë pijanec.
Detarët as që e kishin vënë re këtë gjë. Vetëm kur mbërritën në stere, panë që ai mungonte në apel. Kontrolluan mbarë e prapë gjer në nevojtore, se mos kish rënë gjë brenda qyqari, po asgjë. Atëherë lajmëruan dhe rojën kufitare të kontrollonte njëherë andej pari. Edhe roja s’e kish sosur dot kontrollin, se i kishte mbaruar karburanti. Atëherë i kishin ndërprerë kërkimet dhe Premtimi ynë u shpall i humbur.Në krahun tjetër, Premtimit ende s’i kishte dalë gjumi në ujdhesë.Ai u përmend vetëm aty nga ora dhjetë. Kur pa tërë atë pirg mallrash, që qelbeshin erë, heroi ynë vetmitar u çudit. Pastaj shkundi një herë kokën sa majtas-djathtas, si për të larguar gjumin. Kur u bind se ish ujdhesë, e zuri frika. Dhe çudi e madhe në fakt, se heronjtë tanë nëpër libra s’para tremben kollaj.Njëherë mendoi se mos ishte në ëndërr, prandaj mori një gaforre që gjeti aty dhe i tha ta pickonte. Pas pickimit të gaforres, ulëriti aq fort, sa u dëgjua në ujdhesën ngjitur. Vetëm atëherë Premtimi trimosh dhe i zgjuar kuptoi se gjendej në një ishull të panjohur. Kur e vrau mendjen mirë (dhe mejtimet atij i vinin shpejt, ngaqë e kishte mendjen të vogël dhe mejtimet s’duhej të bënin rrugë të gjatë), iu kujtua se një natë ose disa net më parë, kish qenë në një gjemi lundrimtare. Thirri me të madhe: “Ndihmë! Ndihmë!”

Mirëpo kush t’i vinte në ndihmë, galat, peshqit apo gaforet? Atëherë heroi ynë ia shkrepi të qarit me të madhe rrëzë një shkëmbi. Nga lotët u bë një përrua i madh. Atëherë, një dorë e butë dhe e ngrohtë nisi ta ledhatonte, si ledhatohen fëmijët e vegjël.
– Mos qaj, o trim! Këtu nuk je vetëm, më ke mua.
(Jam me ty si mish e thua / mos u tremb, se më ke mua!)
Premtimit iu shkri gjaku, mori zemër dhe ngriti kokën gjithë shpresë.Kur ç’të shihte! Një plakë gërmuqe, flokëshpupurisur, e shëmtuar për tmerr, që lëshonte jargë nga goja, po i buzëqeshte.
– Po ti, kush je?
– Jam ajo që ke ëndërruar prej kohësh. Me mua mund t’i realizosh të gjitha dëshirat. Kafshoje këtë mollë, bukuroshi im!
Premtimi e kafshoi dhe kaloi i lumtur portat e parajsës.

Shkruani nje pergjigje