Një botë soc-komuniste, plot spiunë me maska e makiazhe

ruci-kryesiaNga: Sejdi  PEKA

Kongresi i PS që u mbajt dje, tregoi edhe njëherë tjetër se e majta ish-komuniste është në krizën më të thellë të vetën. Mënyra e organizimit dhe e drejtimit të kongresit nga elementë me të kaluar thellësisht kriminale nga regjimi monist ishte një dukuri e trashëguar nga partia komuniste, e cila ishte fort kuptimplote. Duke shkelmuar elementët thelbësorë të demokracisë që janë toleranca dhe transparenca, PS po zhytet gjithnjë e më tepër në batakun enverist. Vendimi i Kryesisë nën diktatin e Ramës, që punimet e kongresit të zhvilloheshin me dyer të mbyllura ua kalonte edhe formave më antidemokratike të Partisë së Punës (komuniste). Një kongres me dyer të mbyllura pa praninë e mediave është një vendosje e diktaturës absolute në parti. Edhe disa zëra kundër, me qëllim transformimin e kësaj partie me të kaluar komuniste në një reformim në krah të demokracisë, po mbyten të izoluar nga diktatura e Edi Ramës dhe klani i tij mafioz. E majta ish-komuniste e drejtuar nga Rama po konfiguron në drejtimin e PS-së elementët me të kaluar kriminale dhe në rastin tjetër pinjollët më të thekur të byrosë politike dhe të Komitetit Qendrorë enverist. Drejtimi i punimeve të këtij kongresi nga Gramoz Ruçi, ish-ministri i sigurimit komunist të Ramiz Alisë, përgjegjësi kryesor i masakrës së 2 Prillit 1991, që përgjaku Shkodrën menjëherë pas zgjedhjeve pluraliste, është pamja e një partie që nuk po mundet të reformohet. Rreth këtij ish-sigurimsi janë mbështjellë të gjithë ish-spiunët e Partisë së Punës dhe të ish-Sigurimit. Në përpjekje për të fshehur të kaluarën e tyre kriminale me maska dhe makiazhe i janë vërsulur PS duke e bërë këtë parti strehën e tyre më të sigurtë. Kundërshtimi që i bëri PS dhe satelitët e saj në Parlament e në Gjykatën Kushtetuese “ligjit të lustracionit” për hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit, ishte një projekt i Ramiz Alisë, ishte projekti i vazhdimësisë së ideve komuniste dhe kundër demokracisë. Në këtë kuadër përsëri parlamenti është i mbushur me spiunë nga e majta ish-komuniste. Edi Rama, një pinjoll i njerit prej kriminelëve të diktaturës komuniste që firmosi pa hezitim varjen në litar të poetit disident antikomunist Havzi Nela me 10 Gusht 1988, u përkujdes që në listat e deputetëve të partisë ish-komuniste të ishin pikërisht gjymtyrët e vjetra të kësaj partie. Nuk duhet harruar fakti se kjo tragjedi ndodhi në pragun e lirisë, atëherë kur komunizmi po tronditej nga themelet në të gjitha vendet ish-komuniste. Ramiz Alia, ky kryekriminel i regjur dhe armik i betuar i demokracisë po luftonte me thonj e me dhëmbë të mbante në këmbë regjimin më barbar të Europës Lindore dhe i friksuar po kafshonte me tërbim trupin e Atdheut. Në këtë kohë Edi Rama nuk ishte një adoleshent, por një njeri i rritur që me pseudo-pikturat e veta i bënte elozhe regjimit, bile mjaft syresh zinin faqet e para të revistave të ish-Sigurimit.

Ai ngazëllehej që Babai i tij bënte pjesë në nomenklaturën e lartë të regjimit dhe prej andej dërgonte në litar “armiqt’ e partisë”. Ishte një piktor i keq por një sportist akoma më i keq, paçka se kishte përkrahjen e shtetit komunist, meqë spiunonte shokët e tij më të afërt në organet e ish-Sigurimit. Një njeri me vese, ai do të përpiqej të bënte diversion që në formimin e PD-së, për t’ju bashkuar kësaj force politike. Kur s’mundi, u largua nga sytë këmbët nga Shqipëria. Se si erdhi dhe u katapultua duke uzurpuar Partinë Socialiste tanimë e dinë të gjithë shqiptarët (edhe socialistët). Gjatë katër viteve në opozitë, PS në drejtimin e tij, ka kundërshtuar të gjitha reformat e inicuara nga mazhoranca e djathtë. Po vërtitemi në një rreth vicioz, gjithnjë në presionin e të majtës ish-komuniste, ligjet nuk po gjejnë zbatim dhe Parlamenti sa herë duan ata, kthehet në një arenë cirku. Ne ish-të përndjekurit politikë po përjetojmë imazhe si në sekuencat e filmit “Vdekja e kalit”, kur hetuesi kriminel i diktaturës është zgjedhur deputet dhe në shkallët e Kuvendit takon të burgosurin që e kish torturuar e denuar. I burgosuri që kishte humbur familjen dhe rininë – i varfër dhe drobitur – e shikon i habitur. -Duku andej nga zyra ime-i thotë krimineli, tani i zgjedhur deputet, – mbase do të bëjmë diçka për ty. Mënyra se si po mbahet kongresi i PS është një ogur i keq se përsëri Shqipëria do të ketë një opozitë destruktive.Në një pikë të rezolutës se Kuvendit të Shqipërisë, aprovuar vetëm nga mazhoranca e djathtë – pasi e majta ish komuniste e bojkotoi seancën – është e shkruar tekstualisht: “Parlamenti Shqiptar kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qendrore e vendore, si edhe mediave kombëtare audiovizive dhe të shkruara”. Nëse ish sigurimsat dhe kriminelët komunist do të lejohen të drejtojnë organet e pushtetit ligjvenës apo ekzekutiv edhe për një periudhë tjetër, kjo do të thotë se hapa prapa na presin. Përveçse vetja jonë, askush nuk na e ka fajin kur Europa na i mbyll dyert, kur nuk shkojmë andej nga është rruga për në Europë, por në presionin e ish-të majtës komuniste, devijojmë nga lindja bolshevike.

Shkruani nje pergjigje