SHQIPTARËT E MAQEDONISË NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE

xhemegostivari-ne mesNga: Jeton  AMETI

Ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i prof.dr. Vebi Xhemailit, ligjërues universitar në USHT, SHQIPTARËT E MAQEDONISË NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE (1941-1945).Historia e shqiptarëve të Maqedonisë është pjesë e pandarë e trashëgimisë historike të popullit shqiptar, kërkesat kombëtare që kanë mbetur sot e kësaj dite gjithnjë pezull, është tejet e dhimbshme me plot sakrifica gjatë historikut tonë. Shqiptarët si popull më i vjetër midis Ballkanit të parët çuan zërin kundër Perandorisë Romake, Bizantine dhe asaj Turke.
Shqiptarët të njohur në histori si liridashës shpeshherë kërkuan edhe aleatë Ballkanikë për çlirim të përbashkët nga betejat e lavdishme të Skënderbeut e deri më sot. Poashtu këtu kemi edhe dëshmi të reja që na i ofrojnë nacionalistët shqiptarë dhe bashkëluftëtarët e forcave vullnetare të Xhemë Hasës gjatë luftës së Dytë Botërore. Pra sot në mënyrë objektive ekziston mundësia ti paraqesim dëshmitë e të dy blloqeve, komunistëve dhe nacionalistëve, dhe mund ti vëmë në kandarë të dy anët e medaljes.Në këtë monografi kushtuar luftës së shqiptarëve të Maqedonisë gjatë luftës së Dytë Botërore 1941-1945, bëhen përpjekjet e para në historiografinë tonë më të re, të thuhet e vërteta historike “se kush luftoi për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare në Maqedoni”.Sipas autorit, pas luftërave ballkanike dhe okupimit të territoreve shqiptare nga ushtria serbe në vitin 1912, dhe rrënja e territoreve shqiptare nën sundimin e saj për 30 vjet, deri më 1941, pozita ekonomike dhe politike e shqiptarëve ishte tejet e vështirë. Në këtë kohë kishte filluar aplikimi i reformës agrare dhe kolonizimit, ku u merrej toka shqiptarëve dhe u jepej kolonistëve serbo-malazez. Populli përjetonte varfëri të pa parë deri në këtë kohë, duke marr rolin e lypësit, e cila çonte kah asgjësimi i plotë. Dita ditës shtoheshin kërkesa absurde të borgjezisë serbe kundrejt shqiptarëve si metodë më e sigurt e çrrënjosjes nga trojet e tyre etnike.Por, me këtë ndryshim të ngadalshëm të strukturës së popullsisë në territoret etnike shqiptare, nuk ishin të kënaqur ideologët e politikës borgjeze serbe. Prandaj ata në prag të fillimit të luftës Dytë Botërore ose më saktësisht në vitin 1938 aplikuan edhe projektet e akademikëve serb për shpërngulje masive të shqiptarëve për Turqi. Kjo marrëveshje për shpërngulje të shqiptarëve kinse ata janë turq, u nënshkrua midis dy qeverive, asaj serbe dhe turke. Me këtë marrëveshje tani më legalizohen presionet e pushtetit Jugosllav në të gjitha fushat kundrejt shqiptarëve, ata merrnin dimensione të paparashikuara.

Kjo monografi e pagëzuar “Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-1945”, me çka prof. dr. Vebi Xhemaili, dëshiron që para lexuesit shqiptar dhe atij maqedonas të parashtroj argumente bindëse për të vërtetën e luftës mbrojtëse që bëri populli shqiptar në krye me forcat nacionaliste, për të mirën e të gjithëve pa dallim feje dhe nacionaliteti. Sot e kësaj dite mbisundon bindja se kjo pjesë e historisë sonë kombëtare është më errët dhe më e hidhura, njerëzit e gjallë dhe pjesëmarrësit e kësaj historie tragjike të kombit tonë nuk duan fare të flasin për detaje.Është koha kur këto ngjarje duhet sistemuar dhe gjeneratat e ardhshme të kenë njohuri se çfarë skenarësh nga komunistët janë përgatitur dhe realizuar në këto troje etnike, ku pas mbarimit të luftës u krijuan kampe përqendrimi të stilit fashist pas mbarimit të luftës. Pra me ardhjen e komunistëve në pushtet, rasti i Monopolit të Tetovës, është një nga ata që duhet ndriçuar, derisa kjo mund të bëhet në mënyrë sa më autentike, derisa i kemi gjallë pjesëmarrësit direkt të këtij kampi të përqendrimit që për shqiptarët e kurdisën partizanët sllavo komunist të udhëhequr nga Tempoja dhe të tjerë në mes të Tetovës.Lufta e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë periudhës 1941-1945 e komanduar nga Xhemë Gostivari, është një ndër epopetë më të ndritura të luftës së Dytë Botërore në hapësirën shqiptare. Ky kolos deri në fund të lutës kori shumë fitore me vullnetarët e tij. Ky edhe në ditët më të vështira të vitit 1945, vendosi të qëndroj në shpatet e ftohta të malit Sharr. Por, i tradhtuar nga disa shokë, u vra prapa shpine në kështjellën e pa thyer të malit Sharr. U vra në besë nga njerëzit e vetë, Komandanti që korri aq shumë fitore kundër komunistëve dhe partizanëve jugosllav. Ushtria dhe OZN-a për të frikësuar popullin shqiptar, se më nuk ekziston prijësi i tyre, kokën e tij e vendosi në burgun e Tetovës, pastaj shëtiti nëpër Gostivar dhe më në fund e vendosi në Kalanë e Shkupit.

Kjo sjellje e komunistëve maqedonas ishte një tradhti e madhe, por edhe ofendim i rëndë për të gjitha forcat nacionaliste shqiptare. Pala komuniste diti ti shfrytëzoi vrasësit e Xhemë Hasës deri sa kishte nevojë. Ata i la të lirë për disa vite me radhë të bëjnë kërdi dhe plaçkitje mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Këta hajdutë ordinerë filluan të prekin, të dhunojnë edhe moralin e shqiptarit. Pas disa viteve u erdhi fundi edhe këtyre….?, disa nga ata vetë i likuidoi UDB-a, ndërsa disa i dënoi me burg të rëndë në Idrizovë, disa i dërgoi edhe nëpër burgje jugosllave.
Xhemë Hasë Gostivari si komandant i forcave vullnetare të shqiptarëve të Maqedonisë me veprën e tij heroike do të ngelë gjithmonë i gjallë, i dashur dhe i ledhatuar. Xhemë si komandant do të ngelë për jetë sinonim i rezistencës, dhe trimërisë shqiptare në trojet e veta etnike. Vepra e tij kombëtare do të jetoj brez pas brezi deri sa do të jetojë Shqipëria e Skënderbeut. Xhemë Hasa lindi dhe u rritë për të luftuar sunduesit sllav, për çlirimin e vendit të vetë dhe mbrojtjen e Shqipërisë Etnike. Lufta e shqiptarëve të Maqedonisë falë këtij kolosi, gjithmonë do të jetoj në shpirtin e çdo shqiptari, e shkruar në histori si ngadhënjimtare.Kjo vepër e shqiptarëve të Maqedonisë do të jetojë gjithmonë mbi shpatet e malit Sharr si luftërat e Skënderbeut.
Sipas të dhënave që na ofron historiografia maqedonase, forcat nacionaliste në luftë kundër partizanëve në shkurt të vitit 1944 formuan ushtrinë vullnetare, të përbërë nga atdhetarë dhe simpatizantë të bashkimit kombëtar. Udhëheqës të kësaj ushtrie vullnetare vepronin: në Dibër me komandantë Miftar Kaloshi, Ukë Cami etj, në Strugë Beqir Aga, në Rostushë Ali Maliqi, në Kërçovë Mefail Zajazi, në Gostivar Xhemë Hasa në Tetovë Arif kapiteni etj. Sipas këtyre të dhënave, forcat vullnetare shqiptare, duke shfrytëzuar ndihmën materiale nga komanda gjermane, nga dhjetori 1943-prilli 1944 u forcuan shumë. Sipas të dhënave të pakonfirmuara sllave, forcat e Xhemës dhe të Mefailit gjatë vitit 1944 u shtuan në 3 000 veta, duke ardhur edhe vullnetarë edhe nga vise të tjera shqiptare.Nga fundi i vitit 1944 numri i tyre u katërfishua. Kërkesat e mbrojtjes kombëtare pala sllave tentoi t’i paraqes si metoda të dhunshme të ballizmit”. Por ajo harron: Se Forcat Vullnetare nuk i takonin asnjë formacioni politikë, por vetë vullnetarisht aplikonin në luftë për të mbrojtur shtetin e bashkuar shqiptar dhe kufijtë e tij etnik.Por në fund duhet rikujtuar përkrahësit e kësaj ideje kombëtare, se ky Front nacionalist i udhëhequr nga patriotët më të shquar të kombit doli më vizionar, pasi kurrë nuk u gjunjëzuan para propagandës sllavo komuniste, në veçanti shqiptarët e Kosovë dhe Maqedonisë. Sot, pas shumë dekadave kur komunizmi ka nxi shumë fytyra kombëtare, është shumë vështirë të shkruash për këtë koncept të luftës, për bijtë më të zgjedhur të saj, është sa vështirë aq edhe nderë, duke përkujtuar heroizmin e tyre të pa shoq, që flijuan veten dhe familjet e tyre për kombin dhe Shqipërinë e Etnike.Por, në anën tjetër nuk do të jemi të rezervuar kundër atyre që e njollosën luftën heroike të shqiptarëve dhe forcave nacionaliste që devijuan nga programi Kombëtar. Të gjithë ata të cilët për interesa personale dhe ideologjike devijuan nga kauza kombëtare dhe në momente të caktuara harruan se lufta e shqiptarit për Shqipërinë e bashkuar është e shenjtë, ata fare nuk di ti përmendim në altarin e lirisë. Pra, të gjitha ato grupe, parti, apo individë, që devijuan nga ky program mbarëkombëtar nuk i kanë shërbyer me nderë as kombit, as Shqipërisë së bashkuar. Pra, nuk e kanë vendin në historikun e programit që e shpalli Lidhja e Parë dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit, të udhëhequr nga forcat më të shëndosha kombëtare në krye me Bedri Pejanin, në luftë për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar dhe demokratike midis popujve të lirë në Ballkan dhe Evropë.Trimëria e këtyre patriotëve që udhëhoqën Forcat Nacionaliste në Tetovë, Gostivar dhe më gjerë, së bashku me komandantin e tyre legjendar Xhemë Has Gostivarin, krijuan një histori me plotë lëvdatë kombëtare, jo vetëm në Maqedoninë shqiptare, por edhe në mbarë trojet etnike.Për fat të keq edhe kësaj radhe rrota historike veproi kundër të drejtës së shqiptarëve, të cilët edhe pse luftuan me vetëmohim nuk arritën të mbrojnë Shqipërinë e bashkuar pasi u tradhtuan nga komunistët shqiptar.Prof. dr. Vebi Xhemaili, deri më sot ka botuar shumë vepra dhe është pjesëmarrës nëpër shumë simpoziume kombëtare dhe ndërkomëtare, së shpejti do të dal në dritë edhe veprat “Mehmet Gega simboli i qëndresës kombëtare” dhe “E vërteta mbi Ballin Kombëtar”.

Shkruani nje pergjigje