Ku po shkon, familja shqiptare ?



Nga:Gezim TUSHI



Familja shqiptare dhe “qytetërimi kompleks”.
Nuk mund të mos konstatosh me lehtësi se edhe familja shqiptare si strukturë, formacion social dhe relacion intim është duke ndryshuar. Madje, në disa aspekte, ndryshimet janë tronditëse dhe radikale, të vështira për t’u parashikuar kohë më parë. Askush nuk besoj se do të ishte në gjendje të profetizonte se ajo do të ndryshonte me një intensitet të tillë, duke u shndërruar në një relacion të ri psikosocial dhe ekonomik dhe seksual. Ndryshimet e vrullshme që vazhdojnë të ndodhin kohët e fundit, në institucionin më të madh, më të qëndrueshëm e më konservativ të shoqërisë shqiptare,siç është familja, e bëjnë akoma më të vështirë prognozën për të ardhmen e mëtejshme të saj, e bëjnë të vështirë parashikimin social të evolucionit, masës së ndryshimit dhe të asaj që mund të mbetet konstante nga realiteti aktual.

Ky institucion i shenjtë, i qëndrueshëm, dikur konstant si tipologji dhe i mbyllur ndaj ndryshimeve që vijnë nga presioni i jashtëm dhe zhvillimet dhe transformimet e brendshme, i konsideruar tabu i paprekshëm si tipologji kryesore e marrëdhënieve intime, si formacion kryesor përbërës i shoqërisë, tani po pëson ndryshimet e veta të pandalshme, të natyrshme për shkak të evolucionit që ky institucion është duke pësuar nga vetja, nga imperativat e evolucionit social dhe e reflektimit si strukturë, funksion dhe përbërje. Në pamje të parë, duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar, por po të analizohet në thelb, duket se familja shqiptare është në mesin e një procesi të gjërë të rikonceptimit bashkëkohor, të ndryshimeve që vijnë, si dhe nga presionet e rrepta transformuese të realitetit të ndryshuar social, që vijnë nga jashtë familjes dhe që synojnë lehtësimin e tij nga konceptet dhe konceptimet e ngurta, duke e zhveshur atë, nga disa atribute dhe prerogativa të vjetra, tradicionale, të cilat duke dalë nga funksioni i tyre, duke qenë të panevojshme për një familje të re të tipit modern, janë bërë ambalazhe që qëndrojnë në mënyrë të panevojshme mbi të dhe që përdoren si maskë për të fshehur ato ndryshime imperative, që familja si institucion sado konservativ që të jetë, nuk mund t’i shpëtojë presionit për të ndryshuar dhe për t’u përshtatur me kërkesat imponuese të kohës.
Si çdo dukuri tjetër sociale, as ajo nuk do të mund t’u shpëtonte ndikimeve kontradiktore të modernitetit, të shoqërisë shqiptare, e cila gjithashtu, është bërë komplekse, duke sjellë ndryshime të dukshme në fizionomi, tipologji, funksione dhe përgjegjësitë sociale të saj. Institucioni më i qëndrueshëm dhe më konservator i shoqërisë shqiptare, tani po ndryshon. Madje me ritëm vërtet të shpejtë. Ai nuk mund të jetë më “institucion hermetikisht i mbyllur” që të mos ndiente dhe të mos ndikohej nga tërësia e ndryshimeve sociale që po pëson shoqëria në tërësi, sepse edhe familja konsiderohet si pjesë e rëndësishme e shoqërisë.
Natyrisht, evolucioni i saj, ndryshimi i funksioneve, i qëndrueshmërisë si dhe shfaqja e dukurive të modernitetit, të detyron të mendosh, se cila është rruga që po ndjek ajo. Po transformohet, përmirësohet dhe modernizohet apo po degradohet dhe po i humbet gradualisht funksionet e një strukture me funksione biologjike dhe sociale të njohura. Po liberalizohet, po bëhet e “hapur” apo po humbet karakterin e institucionit të mirëfilltë seksualisht monogam ? Deri ku këto ndryshime që po ndodhin, duke ndryshuar disa parametra tradicionalë të saj, kanë kuptim për të ruajtur identitetin e saj ? Deri në cilat nivele do të qëndrojë privacia e marrëdhënieve në çift, e drejta për relacione të mbyllura bipolare seksuale ? Deri ku mund të shkojë dukuria e paqëndrueshmërisë së familjes shqiptare, e cila është duke u brejtur nga tendenca të fuqishme dhe eruptive të divorcit, shumica e të cilave vijnë nga shkelja e besnikërisë dhe e betimit bashkëshortor. Deri në ç’nivel kjo familje nuk do të ndikohet nga interferimet e lidhjeve të shumta seksuale jashtëmartesore, të cilat gati janë bërë një realitet që bashkëshoqëron martesën, duke e zhvlerësuar atë sipas një koncepti moral qarkullues të “familjes së hapur” që bashkëjeton pa kushtëzime të ekskluzivitetit seksual ?
Të gjitha këto dukuri që po ndodhin vrullshëm në “moralin”, strukturën dhe funksionet e saj, kanë krijuar një gjendje hutimi, paqartësie se çfarë është dhe cilat janë funksionet e familjes sot, cilat janë lidhjet, relacionet dhe korelacionet e pjesëtarëve të saj me të, mbi cilat parime ajo mund të qëndrojë dhe çfarë mund ta mbajë atë në këmbë, në kushtet e një shoqërie me prirje individualiste. Çfarë roli mund të luajë ajo në kushtet kur po kufizohet prirja për të patur një familje që të jetë e qëndrueshme, kur shpesh martesat realizohen duke u nisur nga parime të ekzibicionizmit të jashtëm, apo si një mjet i përkohshëm për të patur një fëmijë pa martesë, duke e zëvëndësuar gjithnjë e më shumë nevojën për familje, me individë të “izoluar”, asocialë dhe individualistë, që gjithnjë e më pak e ka dëshirë të jetojë nën tutelën sociale të familjes.
Në këtë pikëpamje, këto dukuri, të cilat nuk janë vetëm të familjes sonë, por dukuri universale, të bindin se familja shqiptare, është një nga dukuritë sociale problematike, që qëndron në “kapërxyell”, me një këmbë nga tradita dhe tjetrën nga ndryshimi, e paqartë në të gjithë përbërësit, rolet dhe funksionet e saj. Me fjalë të tjera, tipologjia e vjetër e “familjes së mbyllur” tradicionale, me unitet të brendshëm dhe autoritet paternalist jo vetëm që është tronditur, por dhe po kalon një krizë të fortë identiteti. Cila ishte, cila është dhe cila do të jetë familja shqiptare në të ardhmen ? Çfarë dhe sa do të ndryshojë, cilat funksione sociale do t’i mbeten, si do të jenë lidhjet biologjike dhe përgjegjësitë morale, sociale dhe relacionet ekonomike brenda saj ? Çfarë strukture kompozicionale dhe lidhje sociale do të ketë midis brezave, sa e madhe do të jetë dhe si do të ecë procesi modern i ristrukturimit të saj, si do të evolojë përgjegjësia e saj në raport me fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara ? Cila do të jetë tipologjia e ardhshme dhe çfarë do të ndryshojë në konceptin e dikurshëm të martesës dhe të familjes, si forma legale e lejimit të relacioneve seksuale bipolare. Çfarë do të mbetet private dhe çfarë do të vazhdojë të bëhet publike nga relacionet dhe prerogativat e mbyllura private të relacioneve të kondicionuara të së kaluarës si ekskluzivitete ?
Të gjitha këto probleme që janë dukuri të modernitetit, të qytetërimit kompleks, janë presione, të cilat realisht po i përball edhe familja shqiptare, e cila tashmë është në momentet më të vështira për t’i dhënë përgjigje e zgjidhje normale qytetëruese dilemave që po sjellin thyerje të skemave të vjetra tradicionale të familjes së vjetër të dikurshme shqiptare, e cila duke qenë e imponuar për të qenë e mbyllur, konservative dhe refraktare ndaj ndryshimeve me përmasa globale, u gjend pa pritur në një situatë të re vakum, e paaftë që të reflektonte ndaj presionit qytetërues. Në këto momente është akoma më e vështirë të thuash se çfarë po ndodh me familjen shqiptare, ku po shkon ajo sot dhe cila do të jetë e ardhmja e saj nesër ? Ka disa tregues sintetikë që nuk kërkojnë shumë vëmendje për të kuptuar kurbën e lëvizjes së saj. Ajo siç po duket do të ecë në rrugën e saj si “entitet social” më vete, pa llogaritur kostot që prodhon për shoqërinë shqiptare, të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen më të rënda, më komplekse dhe më të papërballueshme. Shoqëria ka filluar të kuptojë dhe të përgatitet për të qenë më fleksibile ndaj këtij evolucioni të familjes aktuale, e cila duke qenë më e paqëndrueshme se më parë, me nivele shumë të larta divorci, do të sjellë më shumë fëmijë të braktisur, më shumë nëna kryefamiljare, më shumë familje të varfëra, më shumë fëmijë me edukatë të dobët, më shumë fëmijë që braktisin shkollën, që bëjnë punë të këqija, që qëndrojnë në rrugë etj. Fragmentimi total i familjes tradicionale tipike shqiptare, do të sjellë më shumë pleq të vetmuar e pa përkrahje, që do të paguajnë për hir të “familjes moderne njëbërthamore” me prindër dhe fëmijë, por pa pleq, do të duhet të shtojë më shumë fonde sigurimesh sociale për fëmijët e martesave të shumta e të përsëritura, të çifteve në kërkim të lumturive të imagjinuara dhe të flirteve të shumta që vijnë nga intrigimet seksuale pa fund të njerëzve që e kanë këtë motiv si obsedim kryesor të personalitetit. Për të gjitha këto pasoja sociale të konceptimit anarkik të familjes moderne, shoqëria jonë duhet të përgatitet për të paguar haraçin e saj.

Nje koment

  1. Anila Dervishi says:

    Edhe pse tani mu dha rasti ta lexoj kete shkrim,pra gati pas 5-vjetesh,mendoj se eshte po kaq aktual edhe ne ditet e sotme,madje mendoj se familja dhe shoqerija shqiptare po fillon ti paguaj ato harace.Gjate viteve te fundit eshte shtuar numri i dhunes familjare,i keqtrajtimit dhe konsiderimit te femres si prone,i te ashtequajtures familje moderne,ku secili nga partneret merret me karrieren e vet,duke harruar detyrimet familjare.Te gjitha keto,dhe te tjera kane cuar ne rritjen e numrit te divorceve,ne rritjen e numrit te femijeve,te cilet per shkak te kapricove prindrore fiilojne te vuajne ndeshkimin e rritjes nga njeri prind ose nga gjysherit.Te gjithe duhet te pranojme ndryshimin qe kane ndodhur ne shoqerine dhe familjen shqiptare gjate ketyre 20-viteve,por kjo nuk do te thote qe nena ose babai te harrojne detyrat e tyre te shtepise ndaj familjes,njeri tjetrit dhe femijeve.Na vjen shume keq qe jemi deshmitare dhe bashkeudhetare te kasaj te keqeje te madhe qe eshte duke na ndodhur.Dhe ajo cka eshte me e rende,eshte fakti se nese dikush kerkon te jape nje keshille,apo te nderhyje per zbutje dhe permiresim te situatesh,jo vetem qe nuk degjohet,por madje ofendohet duke i thene se nuk i takon te ” fuse hundet ne punet e te tjereve”.Per te mos ju lodhur shume me komentin tim ,shpresoj shume qe shteti shqiptar te ktheje urgjentisht koken nga ky shkaterrim qe po i ndodh qelizes baze te shoqerise,familjes……..

Shkruani nje pergjigje