Një takim historik i dy personaliteteve të mëdha

geraldinaNga: Beqir  SINA
Takimi i Nënës Mbretëreshë, Xheraldinë, me Nënën Terezë, laureaten e Çmimit Nobel

Këto ditë një nga veteranët e Mbretërisë shqiptare në mërgim, veprimtari i shquar në Nju- Jork, Musli Mulosmani, dorëzoi një artikull të gazetës “Atdheu”, zëdhënëses së Monarkisë Shqiptare në mërgim, ku znj. Lume Musa Juka, rrëfen një takim të përzemërt të Nënës Mbretëreshë Xheraldinë me Nëna Terezën, laureaten e Çmimit Nobel për Paqe.

Znj. Juka, shkruan se ishte një kënaqësi e madhe me e pa Nënën Mbretëreshë Xheraldinë në Nju-Jork në qershorin e atij viti. Dinjiteti, me të cilin ka jetuar në mërgim, por sidomos përvujtëria, mirësia e besimi i Saj në Zotin – më kanë prekur përherë. ” Ky besim, thotë ajo, e ka ndihmuar me kalue halle e mërzi të shumta – pa e humbur buzëqeshjen e saj të ëmbël”.

Dëshira për t’u realizuar

Ajo tregon se në bisedim e sipër i rrëfen Nënës Mbretëreshë Xheraldinë, se kishte pasur rastin me u pa me Nënën Terezë, dhe se kishin kaluar së bashku më të, me shumë se dy orë. Por, në kujtimet e saj ajo shkruan sesa e përmenda këtë emër, sytë e Mbretëreshës Xheraldinë, shndritën – me një dritë të brendshme, me interesim e me kuriozitet të veçantë, ku ajo ka dashur me ditë për çka kishim folë. “I kallëzova, thotë znj Juka, dhe ajo dëgjoi çdo fjalë me vëmendje të madhe. “Sa dëshirë – tha – kam me e pa edhe unë! e këtë dëshirë e kam tash e sa vjet”.

Nuk u zgjata më shumë, por, me zemër iu luta Zotit, të më ndihmoj me ia dhanë këtë gëzim.

Ishte e martë, 23 qershor, mbas dite vonë. Koha shumë e shkurtër, sepse Mbretëresha Xheraldinë do të kthehej më datën 26 qershor në Madrid. Nëna Terezë vinte gjithnjë në Nju- Jork, për me iu lutë Zotit, vazhdimisht, për disa ditë ishte vendosur në një vend – ku s’kishte as telefon. Në kuvendin e saj, murgeshat i kishte porositur mos me i dërgue asnjë mesazh.

 Ndërmjetësimi

Duke sjellë kujtimet e saj për atë ditë, znj. Juka, thotë: “I shkrova me të shpejtë një letër të vogël, në të cilën i thosha edhe këto ” Dëshiroj që ta njihni Mbretëreshën Xheraldinë, sidomos edhe për besimin e mrekullueshëm që ka në Perëndinë. Jetoni në kontinente të ndryshme, por ja që gjendeni në Nju-Jork në të njëjtën kohë, pra ndoshta, është thanë që të shiheni?!”

Letrën time murgeshat ia kishin çue, sipas znj Lume M. Juka, e kishte lexuar. “Të mërkurën mbrëma, të asaj dite, më bëri me dije se na priste në mëngjesin e 25 qershorit. Sa mirënjohëse i isha ! Menjëherë i telefonova Mbretëreshës Xheralidinë. Kënaqësia e saj ishte e papërshkueshme.

Kur shkova me e marrë të nesërmen më përqafoi tue më thënë: “Jam shumë e gëzueshme që do ta takoj Nënën Terezë”.

Z. Abedin Mulosmani( zëdhënësi i Oborrit Mbretëror) na shoqëronte. Nuk ishte e lehtë me gjetë rrugën, në një lagje fort të pabukur të jugut të Bronxit. Mbretëresha Xheraldinë, me habi shikonte herë majtas e herë djathtas. Nuk mundte me iu besue syve të saj dhe pyeti:” A është e mundur të ketë kaq varfëri në këtë vend kaq të pasur? rrugët kësisoj, e shtëpia të shkatërruara?”

 Lutjet e Nënës

 Znj. Juka thotë se iu përgjigja: “Nëna Terezë kudo ku shkon – kërkon me gjetë plagët e vuajtjet e atij vendi, e si një mjek i mirë, me hirë të Zotit iu bie shpresë e shërim”.

Mbërrimë! Një murgeshë e re dhe e bukur si pranvera na çeli derën. Tue buzëqeshë na tha:” Nëna Tereza është duke ju pritur !” e na drejtoi me hapa të lehtë si me qenë tue fluturue.”

Nëna Terezë në gjunjë filloi me u lutë! U çue në këmbë, posa na pa, e me shume ngrohtësi na shtrëngonte duart dhe na përqafoi me shumë përzemërsi. Na futi në dhomën e vogël – e u ul krejt pranë Mbretëreshës Xheraldinë. Menjëherë, filluan të bisedojnë…

Nëna Tereza: “Unë nuk merrem me politikë, me buzëqeshjen time e dalloni”, na tha.

Prej ditës qysh se keni ikë prej Shqipërisë, i jam lutë Zotit, për Ju e për djalin Tuaj”.

Mbretëresha Xheraldinë: “Gjithmonë e kam ndier në zemër se dikush, shumë pranë Zotit! është duke u lutur për ne e djalin tim! Paskeni qenë Ju Nëna Terezë, tha Mbretëresha Xheraldinë”. Me gjithë zemër ju falënderoj! Zoti Ju bekoftë !”

Nëna Terezë:” Më vjen keq që nuk mundem me shkue në të gjitha vendet e botës, por më keq më vjen dhe u treta e tëra që nuk më lë me shkue në vendin tim në Shqipëri….Por Zoti thotë se asgjë në këtë botë nuk është e përgjithmonshme……

 Historia e Bojaxhinjve

Mbas një heshtjeje të vogël Nëna Terezë vazhdoi :” Kur u bëra murgeshë, prindët e mi bashkë me motrën dhe vëllanë tim, u kthyen në Shqipëri. Babai vdiq gjatë luftës. Vëllai – Lazër Bojaxhiu , i cili tash banon në Palermo – Itali, mundi me u arratisë, nëna me motrën mbetën atje. Unë tash jam nënshtetase indiane, në Indi kam kaluar gati gjithë jetën time. Qeveria indiane pati mirësinë me ndërhy pranë Qeverisë së Tiranës, duke iu lutur Tiranës, që të më lejonin me i vizitue. Kjo as qe e mundur… Nëna ime ndërroi jetë, pak më vonë edhe motra. Vetëm Zoti e di çka është bërë me ato në Shqipëri. Vetëm pranë Zotit ato duhet të jenë në paqe, të qeta, e të lumtura”, tha Nëna Terezë.

Vëllai im, e flet shqipen shumë mirë. Unë jam largue, e vogël nga familja. Më kujtohen disa fjalë, por vëllait i shkruaj shqip. Se si e shkruaj shqipen as unë nuk e di, por vëllai im duket se më kupton shumë mirë. Po ju madhëri a e keni perfeksionuar shqipen?

Ndërhyra me kënaqësi: “Po ! Nëna Mbretëreshë, Xheraldina, e flet dhe e shkruan shumë bukur shqipen – ëmbël e shumë këndshëm”. Biseda me Nanë Terezën u bë në anglisht, gjuha që është zgjedhur me folë në kuvendet e Misionarëve të Mëshirës.

 Idetë për bamirësinë

Mbretëresha Xheraldinë që fliste gjashtë gjuhë (hungarisht, anglisht, italisht, frëngjisht, shqip, spanjisht) i bëri shumë pyetje, për sa i përket punës së shenjtë që Nëna Terezë bënte, e po përhapte në vende të ndryshme të botës. Nëna Terezë, iu përgjigj pyetjeve duke dhënë edhe hollësirat e duhura. Njëra prej pyetjeve të Mbretëreshës Xheraldinë ishte: “Cilat janë problemet më të mëdha të SHBA-së?”

Nëna Terezë u përgjigj: “Nuk i di të gjitha, por me ç’kam pa e dëgjuar deri tani janë: vetmia, indiferenca e njerëzve, sidomos varfëria shpirtërore … kjo e fundit është shpesh herë edhe më tragjike sesa varfëria për bukë.. e kundërta e racës sonë shqiptare, që jemi shumë të varfër nga ekonomia – por jemi shumë të pasur nga shpirti”, tha Nëna Terezë.

Ajo tha se ndjehet nevoja të hapej një shtëpi bamirësie, edhe në Nju-Jork. Edhe, se atë ditë ishte dhënë edhe leja e hapjes së saj. Vizita juaj ka me qenë e paharrueshme, edhe për këtë gjë, është rasti i mirë sikur edhe Ju të kishit ndihmuar në themelimin e kësaj shtëpie. Tash është momenti të largohem pakëz sa t’i lutem edhe një herë Zotit”! tha Nëna Terezë.

Znj Lume Musa Juka, thotë: “Rrallë herë kam parë fytyra të tilla të ndriçuara me një dritë dashurie e shpirtërore, sa ç’pashë ato dy fytyra atë ditë – të këtyre dy grave të bekueme e të mrekullueshme”.

 Gjuha e zemrës!

 Disa minuta më vonë u ndamë nga ajo shtëpi, ku u takuam, duke ndarë të njëjtat ndjenja. “Duke mos i besuar zemrës se si po ndaheshim dhe po e linim njëri-tjetrin. I të njëjtit mendim me ne ishte edhe zëdhënësi i Oborrit Mbretëror, i ndjeri Abedin Mulosmani.

“U larguam sikur të ishim njohur përgjithmonë. Sepse, e njëjta jetë shpirtërore na frymëzonte, jetë që vjen vetëm për një besimi të plotë dhe të sinqertë. Me përvuajtjen që e dallonte Nëna Terezën, na përcolli deri jashtë shtëpisë, duke na dhënë me vete bekimin e Saj. : ” Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë, e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim – nga Perëndia”, shkruan rreth 3 dekada më parë për gazetën “Atdheu”, znj Lume Musa Juka.

Shkruani nje pergjigje