Gjakmarrja, vetëgjyqësi që vret e ngujon

Nga:Armand HALILI

Në Shqipëri, në mungesë të veprimit të ligjit, po vazhdon të jetë prezent dhe dominues përbalëe ligjit, “kushtetuta” zakonore shqiptare e mesjetës e zbatuar nëpërmjet grykës së pushkës, kod ky, sipas të cilit, kushdo ka të drejtën e plotë e të lirë, për t’u hakmarrë pa asnjë pengesë. Jeta shqiptare, megjithë pamjen e brishtë demokratike të këtyre 15 viteve pluralizëm, krahas problemeve sociale të periudhes së tranzicionit ekonomik që po përjeton, ka si dekor dhe një dukuri shoqërore, një atavizëm të së kaluares: GJAKMARRJEN, ligjëruar nga forca e zakonit kanunor.

Konfliktet: burim vrasjesh, serial gjakmarrjesh Konfliktet e gjakmarrjes, krijohen për shkaqe të ndryshme, ku bazë është prona, hyrja në kufijtë e tjetrit, cënimi i pronës, nderi i familjes, dinjiteti personal, prishja e krushqive, por edhe grindjet për shkaqe pune e tregtie. Raporti konfliktual mes palëve, nuk i drejtohet më ligjit dhe rrugës së zgjidhjes me ndërhyrjen e shtetit. Acarimi i konflikteve të krijuara, sjell përdorimin e dhunës, mandej, çështja percipiton në vetëgjyqësi, duke përdorur grykën e pushkës. Në këtë moment, shpallet gjakmarrja. Konfliktet që kalojnë në shpalljen e gjakut mes individeve e familjeve shqiptare, janë burim vrasjesh me serial të pafund mes palëve. Kjo gjakderdhje nuk ndalon, përkundrazi vazhdon pa mbarim e pa tolerancë në të gjithë brezat. Për këtë marrëzi zakonore, vritet vëllai, prindi, fëmija, i afërmi i familjes etj. Evidenca: vrasje, ngujime, largime nga atdheu, shkatërrime të pronës Në zonën verilindore të Shqipërisë, janë 260 familje dhe 214 individë në gjak. Gjithashtu, 450 fëmijë kanë braktisur shkollën, duke vuajtur pasojat traumatizuese të ngujimit. Vetëm në 15 vitet e fundit, sipas evidencave, gjakmarrja dhe hakmarrja kanunore, kanë vrarë 234 persona të të gjithë moshave e sekseve. Ndër viktimat, janë 158 adoleshentë e të rinj, 14 femra dhe 12 fëmijë. Për të shpëtuar nga pushka e gjakmarrjes, të izoluar brenda banesave pa asnjë mundësi për të mbijetuar nga mungesa e mjeteve financiare, 189 familje dhe 570 individë, janë larguar jashtë Shqipërisë, duke u strehuar në shtete të ndryshme, në kërkim të një vendi të sigurtë për të vazhduar të lirë jetën e tyre. Shembujt dëshmojnë, se në mungesë të mundësive për të marrë gjakun, në shenjë hakmarrjeje, bëhen sulme me forma të tjera, duke shpërthyer shtëpitë natën me tritol, u shkatërrohen pronat, u digjen makina, lokale e dyqane.

Shteti, i pafuqishëm për të vepruar

Situata e familjeve që sulmohen dhe e njerëzve që vriten e ngujohen për shkak të gjakmarrjes është tepër e rënduar. Përveç ndonjë interesimi protokollar, institucionet shtetërore, qeveritare e ligjore shqiptare, nuk kanë nisur asnjë aksion për të zbutur këtë zakon, të shkruar me jetët e mijëra njerëzve e me frikën e mijëra të tjerëve, në të gjithë vendin. Shteti, nxjerr përpara ligjit, vetëm ata vrasës e shkatërrues pronash, që arrin të prangosë. Ndërsa të tjerët, nuk i ndjek, nuk i ndëshkon, nuk punon për të krijuar atmosferën bllokuese të këtij fenomeni. Janë bërë disa seminare, në të cilat është kërkuar e është premtuar ndërhyrje e shpejtë dhe e fuqishme e ligjit, por krimi i gjakmarrjes po tregohet më i fortë, më i zgjeruar në jetën e shqiptarëve. Shteti e di, që ka familje të ngujuar, por nuk vepron për t’i nxjerrë ato në jetën e lirë. Shteti e di, që janë mijëra fëmijë të mbyllur, por nuk krijon asnjë kusht, që ata të jenë pjesë e shoqërisë. Shteti e di, që mijëra individë janë objekt krimi prej gjakmarrësve, por nuk i merr në mbrojtje, megjithëse ka thirrje nga shumë familje, individë e organizata shoqërore.

Shoqatat e Pajtimit të Gjaqeve: përpjekje, arritje, dështime

Misionin e pajtimit të familjeve të përfshira në gjak, këtë pozicion kaq të vështirë e kanë marrë përsipër shoqatat e pajtimit të gjaqeve. Me qëllimin e mirë, për të vendosur bashkëjetesën paqësore dhe marrveshjen mes njerëzve, për të ndaluar gjakderdhjen e për të respektuar ligjin, këto shoqata shkelin në çdo fshat e në çdo familje të ndodhur në gjak, duke negociuar. Sipas misionarëve të paqes e të pajtimit të gjaqeve, megjithë ngarkesën, vështiresitë dhe mentalitetin e vjetër, treguesit janë tepër optimistë. Por edhe këto zvëndësohen me hasmëri të reja të lindura në raportet e punës e të jetës shoqërore. Vështirësia e kësaj veprimtarie shoqërore, qëndron në faktin, që nuk mund të kontaktohet me personat që vendosin për pajtim, sepse jetojnë të fshehur në male, në zona të tjera, ose të larguar jashtë Shqipërisë. Ndaj, në shumë raste, nuk kanë arritur të jenë të suksesshëm në pajtimin e familjeve dhe individëve në hasmëri, ku pengesë e madhe bëhet edhe vendimi i pakthyeshëm i pjestarëve të shumë familjeve, për të vazhduar gjakmarrjen.

Shkruani nje pergjigje