Akademik Mark Krasniqi rizgjidhet kryetari i PSHDK-ës

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës mendon që me Serbinë nuk duhet të bisedohet për pavarësinë e Kosovës, as për decentralizimin e pushtetit qendror, sepse ajo nuk ka kurrfarë të drejte të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, tha sot kryetari i kësaj partie Mark Krasniqi në Kuvendin zgjedhor të PSHDK-së në Prishtinë .Delegatët e këtij kuvendi për kryetar të kësaj partie rizgjodhën akademik Mark Krasniqin.

131 delegatë në Kuvendin zgjedhor të PSHDK-s, zgjodhën njëzëri për kryetari të partisë, akademikun Mark Krasniq i cili nuk kishte asnjë kundër kandidat për këtë post. Pas zgjedhjes në postin e kryetarit të partisë, akademik Mark Krasniqi ka folur për të arriturat e PSHDK-së gjatë veprimtarisë 15 vjeçare. Duke u ndalur në zhvillimet e tashme politike në Kosovë, Krasniqi është shprehur kundër bisedimeve me Serbinë për të arritur deri tek pavarësia e Kosovës.

” Partia jonë është e mendimit që me Serbinë kurrsesi nuk duhet të bisedohet për pavarësinë e Kosovës, as për decentralizimin e pushtetit qendror, sepse ajo nuk ka kurrfarë të drejte të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, meqenëse politika e saj shekullore është ekspansioniste, shoviniste, antishqiptare “, nënvizoi Krasniqi.

PSHDK, tha Krasniqi dënon ashpër korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, por i përkrah institucionet shtetërore të dala nga vota e lirë e popullit, sepse kjo është në dobi të pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe kuvendi i sotëm zgjedhor është quajtur jovalid nga krahu i kësaj partie që drejtohet nga ish ministri, Zef Morina. Por kryetari i sapo zgjedhur Mark Krasniqi, tha se PSHDK është unike, ndërsa krahun e Morinës e quajti grup karrierist dhe ilegal.

”Ai grup i vogël më kot përpiqet ta uzurpoj emrin e PSHDK-s, sepse emri i tyre është i komprometuar dhe i injoruar në opinion. Ai grup ka dështuar, është ilegal dhe kartë e djegur, kështu që ne nuk do të merremi me shpifjet, gënjeshtrat, mashtrimet e marifetllëqet e llojllojshme të tyre “ , tha Mark Krasniqi.

Mirëpo ish ministri Zef Morina dje ka pohuar se i posedon të gjitha dokumentet valide ligjore që vërtetojnë se ata janë bartësit e vërtetë të PSHDK-së. Morina ka kërkuar nga OSBE-ja që të ngrisë një Komision të Arbitrazhit për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet krahëve të PSHDK-së.

Shkruani nje pergjigje