Reforma Agrare e vitit 1930 ishte nga më demokratiket

Shkruan:Dr. Teodor KARECO

-vazhdim-

Jo të gjithë do të bëheshin pronarë tokash

Kuptohet se një ndër qëllimet e reformës agrare ishte që tokën që do të shpronësohej, nga pronarët e mëdhenj të tokës si dhe pjesën më të madhe të tokës në pronësi të shtetit, (me përjashtim të tokave të fermave model dhe të tokave që kërkonin bonifikime me investime të mëdha) ta shpërndante në fshatarët pa ose me pak tokë.


Një ndër veçoritë e reformës, që dëshmon për largpamësinë e saj, është edhe fakti se
në mënyrë të prerë u sanksionua se jo të gjithë bujqit pa tokë do të bëheshin pronarë. Marrja e një vendimi të tillë nuk u diktua thjesht dhe vëtem nga kufizimi i tokës, nga domosdoshmëria e ruajtjes së pronës së madhe apo të mesme mbi tokën. Këto ishin arësye tepër të forta dhe me ndikim të madh. Por këtu ndikuan edhe faktorë të tjerë. Natyrisht kufizimi i tokës luajti rol përcaktues. Nga llogaritjet e kryera nga organizmat e Reformës Agrare del se për të garantuar me tokë bujqit pa tokë dhe për të plotësuar sipas normave të kohës nevojat e bujqve me pak tokë, do të duheshin mbi 225.000 ha tokë. Dihet se pronarët e mëdhenj të tokave me mbi 40 ha tokë, në fund të vitit 1938 zotëronin rreth 70.000 ha tokë. Ripërsërisim se konkretisht ne kushtet reale mund të shpronësohej diçka më shumë se 30.000 ha., duke përfshirë këtu si pronat private ashtu edhe ato shtetërore.

Kemi përmëndur se reforma agrare nuk u konceptua si një rrugë për ndarjen e fukarallëkut. Ajo kishte një synim më të madh që, në tokën e shpronësuar, të organizoheshin njësi ekonomike të pavarura, të cilat me punën e krahut të familjes, me veglat e kafshët që zotëronin, ta punonin tokën, të siguronin prodhimin për familje, në përgjithësi mos të kishin nevojë për punë suplementare jashtë ekonomisë së tyre bujqësore. Pra, ato do të ishin të pavarura. Ky konceptim që kërkonte harmonizimin e rritjes si të prodhimit dhe shpërndarrjen e pranueshmë të tokës, nuk ishtë i lehtë për t’u realizuar. Kjo kërkonte deri shpërnguljen e njerëzve dhe të familjeve, ndryshimin e organizimit ekzistues të bujqësisë.

Është e vërtetë se reforma agrare e zgjidhi disi në mënyre arbitrare caktimin e tokës për frymë (gjysëm hektar) dhe për të gjithë familjen bujqësore 5 hektarë. Kjo për arësye se toka nuk kishte të njëjtën pjellori, struktura e saj ndryshonte, një pjesë ishte mbi ujë, tjetra nën ujë, një pjesë e familjeve ishin patriarkale e të tjera të kësaj natyrë. Në kushtet dhe rrethanat e kohës, me gjithë variantet e dhëna në studim, nuk u gjënd zgjidhje tjetër, u pranua në një farë mase thyerja e parimit për të krijuar “ekonomi të pavarura ekonomikisht”. Pozitiv është fakti se këtyre ekonomive të reja u lejohej që të mbanin në kullotat komunale, përvec kafshëve të punës, edhe 15 krërë bagëti të imta dhe 4 krerë bagëti të trasha.

Nga llogaritjet e kryera në atë kohë vetëm rreth dy të tretat e bujqve pa tokë dhe me pak tokë do të përfitonin nga reforma agrare.
Nga pikëpamja ekonomike një arësyetim i tillë ishte i drejtë. Kjo pjesë e familjeve të bujqëve i kishte apo mund t’i krijonte kushtet për të blerë me lehtësirat që krijonte ligja, tokën e dhënë nga reforma agrare. I kishte njëherësh kushtet për të vënë në shfrytëzim relativisht mirë tokën e përfituar. Gjithmonë në ekonominë kapitaliste është e nevojshme një rezervë e bujqve pa tokë për të nxitur për punimin e mirë të tokës.

Pronari që përfitonte tokë, ishte i detyruar ta punonte atë dhe, në përputhje me kushtet, të përdorte metoda më të përparuara, të përmirësonte strukturën e mbjelljeve etj. Mosplotësimi i kushteve të caktuara bënte që toka të rimerej nga organizmat e reformës agrare për t’u rishpërndarë në bujqit pa tokë. Ligji krijonte kështu një nxitje për punimin më të mirë të tokës.

Profesorë, jemi në kohën e monarkisë, në kohën kur Shqipëria ecte në rrugën kapitaliste të zhvillimit, si rrjedhim, mos bëni pseudoshkencë duke u pezmatuar pse reforma agrare nuk bëri “shpronësimin e përgjithshëm të pronarëve të mëdhenj” apo pse nuk i bëri të gjithë bujqit e papronë apo me pak pronë toke “pronarë”. Këto janë koncepte të tejkaluara, që nuk mund të zënë vënd në këtë pjesë të historisë.

Çmimi i tokës së shpronësuar “simbolik”

Domosdo bujqit që do të përfitonin tokë, do të paguanin. Kjo ishte përvoja e vëndeve demokratike që ecnin në rrugën kapitaliste të zhvillimit. Natyrisht kishte dhe përvoja “revolucionare” të grabitjes pa shpërblim të tokës. Kjo rrugë ishte e papranueshmë në Shqipëri sepse vinte në kundërshtim me parimet kushtetuese të vëndit. Në artikullin 198 të Kushtetutës thuhej shprehimisht së “E drejta e pronsis, për ç’fardolloj pasunie që të jetë, asht e padhunueshme; pa mos qënë e vërtetueme rregullisht nevoja e interesit botnuer, dhe pa mos u pague vlefta e arsyeshme, si mbas ligjës së posacme, nuk mund të shpronësohet pasunija e kurkujt”. Ndërsa në artikullin 208 të së njëjtës kushtetutë thuhej se “Konfiskimi asht i ndaluem dhe s’mund të bëhet vecse mbas ligjës me vendim gjyqi”.

Me ligj u pa e domosdoshme shpronësimi, por ai nuk mund të bëhej pa shpërblim. Natyrisht, për të lehtësuar bujkun në rrugën e pronësimit, u studjuan shumë variante që nga ajo që shteti i varfër të bëjë pagesën, deri në sakrificën në shkallë të madhe të vetë pronarëve. Asnjë nga këto nuk mund të realizohej. Për më tepër që sipas kushtetutës duhej vendosur një shpërblim i “drejtë”. Ky ishte ndër problemet më të ndërlikuara kur dihet që çmimi i tokës, ashtu si i çdo malli tjetër, përcaktohet në treg, duke mbajtur parasysh cilësinë e tokës, pjellorinë, largësinë nga qendrat e banuara, strukturën etj. Çmimi mesatar në kohën që diskutojmë ishte rreth 100 – 160 franga ari për hektar. Përvoja tregonte se një hektar ishte shitur edhe me 600-700 franga ari hektarin.

Kështu rreth vitit 1926 gjysma e një prone të madhe në fshatin Mërtish të Lushnjës u shit me 610 fr. ari për ha parcela e parë prej 25 ha, 650 fr. ari per ha parcela e dytë me 20 ha dhe, 700 fr. ari për ha u shit parcela e tretë me 9 ha.
Këto çmime as që mund të viheshin në diskutim për pronarët pa tokë dhe me pak tokë, mundësitë financiare të tyre ishin shumë shumë të kufizuara.

Edhe në këtë rast Parlamenti shqiptar u ra shumë shkurt këtyre problemeve, miratoi një zgjidhje arbitrare. Në Nenin 45 të ligjës “Mbi Reformën Agrare, mbi krijimin e Bankës Bujqësore e mbi Kontratën Typ” u sanksionua së “Zyra Agrare mbasi të ketë krye regjistrimin e pronave si dhe shënimin e pjesës bujqësore, para se t’i dorëzojë tokat bujqvet dhe agronomve ban llogarit e tokave të çpronësueme për 20 (njizet) fr. ar. hektarin. Ky çmim merret prej bujqvet dhe derdhet në Bankën agrare m’emën të pronarit tue i dhanë kundrejt sasis në fjalë aksione nominale”.

Së pari, çmimi i shitblerjes ishte simbolik, disa herë më i vogël së vlera reale e tokës në treg. Bujku blerës përfitonte tokë me çmim shumë të ulët. Nga llogaritjet e kohës sillet një shëmbull. Një bujk i pronësuar, duke u liruar nga detyrimi për të tretën që ishte psh rrëth 4 kv drithë, me një kuintal me çmimin mesatar të kohës rreth 18-20 fr. ari shlyente detyrimin për një hektar tokë të blerë. Në këtë kuptim ky çmim i ulët i caktuar në mënyrë arbitrare nuk nxiste rritjen e prodhimit. Por do pranuar, se kishte dhe bujq që nuk ishin në gjëndje të bënin pagesat përkatëse. Ajo ishte pjesa më e prapambetur dhe reforma agrare u konceptua në mënyrë të tillë që ata të përjashtoheshin nga përfitimi. Këtu do mbajtur parasysh se në vitet e krizës ekonomike botërore, kur çmimet e produkteve me origjinë nga bujqësia pothuajse u përgjysmuan, këto raporte ndryshuan.

Së dyti, shitësi, dmth pronari i madh i tokave, nuk arkëtonte ndonjë të ardhur të drejtpërdrejtë. Ai merrte letra me vlerë që dëshmonin së ai ishte aksioner i Bankës Bujqësore. Në një farë kuptimi pronari i madh i tokës e falte tokën që shpronësohej nga reforma agrare.

Këto zgjidhje ligjore patën edhe një hap pozitiv: krijoheshin kushte për krijimin e tregut të letrave me vlerë dhe për gjetjen e burimeve të kreditimit të bujqësisë. Paratë bujku nuk ia jepte në mënyrë të drejtpërdrejtë pronarit: ato derdheshin në llogari të tij në Bankën Bujqësore.
Lexuesi, brezat e ardhshëm, do të duhen ta kënë të qartë se shteti, në krye të të cilit ishtë një Monark, krijoi lehtësi shumë të mëdha për dhënien me çmim minimal të tokës që përfituan bujqit pa ose me pak tokë.

,b>Reforma nuk u shty deri në “kalendrat greke”.Reforma Agrare u projektua të zgjasë në kohë.

Ideologjia enveriste nuk lë rast pa “nxirë” realitetin e periudhës që shqyrtojmë. Pa njohur realitetin, pa studjuar dokumentat, shpifet si në faqën 299, kur autori përmënd disa faktorë që “e shtynë reformën deri në “kalendrat greke””.
I themi jo akademikëve tanë, e përsëris JO. Vetë reforma për natyrën, përmasat, detyrat që mori përsipër, u projektua të zgjatë në kohë.
Për vetë gjerësinë dhe thellësinë e problemeve që rrokte reforma agrare, për të arritur ato qëllime që i kishte vënë vetes, nuk mund të ishte akt që realizohej menjëherë, sidomos në një kohë relativisht të shkurtër. Këto probleme diktonin nevojën që reforma agrare të zbatohej shkallë-shkallë, në një kohë relativisht të gjatë. Reforma Agrare përfytyrohej si një ndërtesë shumëkatëshe që do të ngrihej nga një kat në tjetrin me hapa të matura, duke ruajtur të gjitha rregullat e shkencës dhe artit të ndërtimit, me themele të forta e të sigurta. Reforma agrare nuk ishte akt që lejonte aventurizmin e subjektivizmin. Vërtet kushtet diktonin reformë agrare e ndryshime rrënjësore, por ato objektivisht nuk mund të arriheshin me “shkopin e dirigjentit”.

Për të garantuar ndërtesën e projektuar me aq mund te reformës agrare, që ajo të mos rrëzohej me erën e parë, u vendos që ajo të zgjasë disa vjet. Kjo jo vetëm se kishte të bënte me marrëdhënie të caktuara, me koncepte të reja, me krijimin e mundësive financiare përkatëse si të shtetit ashtu edhe të fshatarëve që do të përfitonin tokë, por edhe pse kishte disa kufij fizikë për zgjidhjet teknike. Sikur dhe gjysma e tokës pronë e shtetit apo e pronarëve të mëdhenj, pra rreth 150.000 ha t’i nënshtrohej matjeve të reformes agrare, do të donte në rastin më optimal, të realizohej në mbi 10 vjet. Këto llogaritje bëhen sikur të mateshin cdo vit sipas rregullavë teknikë të gjeodezisë 15.000 ha. Kjo sidomos në pesë vitet e para, në kushtet që ishte Shqipëria, pothuaj ishte e pamundur. Përvoja tregoi se këto parashikime ishin shumë optimiste në kushtet e mungesës së kadastrës, personelit teknik, kufizimit të tejskajshëm të burimeve financiare.

Afati relativisht i gjatë në zbatimin e reformës agrare, kushtëzohej edhe nga një rrethanë tjetër e natyrës ekonomike. Kapitali i investuar në bujqësi nuk e jep fitimin e kërkuar shpejt, ai do një kohë të gjatë. Kjo bën që investimet në bujqësi të jenë më të pakta, ngurimet më të mëdha, zgjatjet e afateve më të dukshmë. Pra kërkohen afate më të gjata. Këtu do mbajtur parasysh se ka edhe mjaft faktorë të tjerë që veprojnë në mënyrë të ndërsjellë, por që në fund të fundit, sjellin pengesa në zbatimin e reformës agrare, e frenojnë atë.

Ligjvënësi e kishte parasysh se në procesin e zbatimit do të lindnin mjaft probleme, mjaft kundërshti. Ky ishte një akt madhor që donte shumë kohë. Bindja ishte se edhe afatet e caktuara ishin jo të mjaftueshme për të zbatuar këtë ndërmarrje madhështore për nga qëllimi. Zbatimi i plotë i saj do të donte shumë më shumë kohë, duke thyer në mënyrë të dukshme afatet e caktuara. Por kjo nuk do të thotë se këto afate u shtynë në “kalendrat greëke”, një ndër kritikat e ideologjisë komuniste. Problemi numër një ishte se monarkia nuk pati kohën e mjaftueshme edhe brenda atyre caqeve kohorë të miratuar për të arritur në konkluzione nihiliste.

 

Gabim: Profesor – jepni kuptimin e drejtë ligjor të kontratës tip.
Kontrata tip është pjesë integrale Reformës Agrare tridimensionale.

Kur nuk e studjon me themel një dukuri historike, mbështetur në dokumenta, botime e të tjera të kësaj natyre, domosdo që, ose do të minimizohet apo nënvlerësohet një problem, ose do të paraqitet gabim. Por gabimet në këtë libër, nuk e kam thjeshtë për këtë paragraf, “gurë-gurë” po na bëjnë kalanë e gabimeve e të mashtrimeve.
Në libër pa përgjegjësi dhe pa logjikë, në faqën 299 autori përmënd se bashkë me reformën agrare u dekretua “dhe një kontratë tip për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet bujqve që do të përfitonin nga reforma dhe pronarëve çifligarë që do të vazhdonin t’i jepnin me qira tokat e mbetura”. Jo, profesor, bujqit që përfitonin tokë nga reforma agrare në përgjithësi nuk kishin marrëdhënie me ish pronarin e tyre, ata bëhen vetë pronarë.

Kontrata lidhet midis pronarit të tokës dhe atyre që nuk kanë tokë apo zotërojnë pak tokë, duke përfshirë edhe pronarët e rinj. Këto konceptime janë nga më elementaret, e kundërta e ul nivelin e librit të historisë që, edhe pa të, është përtokë, të paktën, për pjesën që ka shkruar Frashëri.
Unë kam një pyetje – pse e lini në harresë këtë komponent të rëndësishëm e pothuaj revolucionar të reformës agrare? Nuk bësoj të jetë padija, në fusha të caktuara ju jeni një profesionist e historian shumë i mirë. Më lind e drejta të gjykoj se për vëndin që i ka dhënë redaksia në tërësi problemit të reformës agrare, jeni treguar disi neglizhent.

Për sqarim të lexuesit.

Në konceptimin tredimensional të reformës agrare: 1.shpronësim të pronarëve të mëdhenj e të shtetit dhe pronësim të pronarëve pa ose me pak tokë; 2.krijimi i Bankës Bujqësore Kombëtare dhe 3.zbatimi i detyrueshëm i Kontratës Tip kjo e fundit është e treta nga radha, por, jo nga rëndësia. Të tre këto aspekte kanë rëndësi të vecantë për reformën agrare në Shqipëri, ato plotësojnë njëra-tjetrën në rrugën e përparimit të bujqësisë dhe ecjen e saj të sigurtë drejt kapitalizmit të pjekur.

Duhet qartësuar një moment i rëndësishëm – në ekonominë e tregut gjithmonë do të ketë një numër bujqish të papronë apo me pak pronë tokë, do të ketë edhe thjesht punëtorë fshati, apo sikundër i quajnë historianët tanë argatë, proletarë. Problemi u shtrua dhe u vu në proçesin e zgjidhjes se cilat do të ishin marrëdhëniet e reja me ngjyrë kaptaliste të kësaj kategorie me pronarët e mëdhenj të tokave.
Për të zgjidhur këtë problem themelor u bë një kapërcim jashtëzakonisht i madh në konceptimin e marrëdhënieve pronar-bujk. Kemi shpjeguar më parë se marrëdhëniet e pronarit me bujkun ishin anakronike, të trashëguara, nuk i përgjigjëshin marrëdhënieve të reja të krijuara. Bujku ishtë i lidhur me zotërinë, pronarin e tokës dhe nuk kishte të drejtë të lëvizte nga prona apo të vepronte i pavarur. Të ruaje këto marrdhënie do të thoshte të konservoje prapambetjen, t’u mbyllje rrugën elementëve të rinj e përparimtare të ecurisë së ekonomisë bujqësore.
Hapi revolucionar pa revolucion që bëri reforma agrare, ishte suprimimi i mbajtjes bujk. Ky ishte akt me rëndësinë e gurit të themëlit për transformimin e bujqësisë, për ngritjen e vazhdimin e ngritjes së ndërtesës së ëndërruar kapitaliste.

Vetëm duke suprimuar sistemin e mbajtes bujk mund të hidhej hapi i dytë – vendosja e marrëdhënieve të reja midis pronarëve dhe bujqve sipërmarrës, mbështetur në kontratën e konceptuar mbi bazat e drejtimit dhe organizimit kapitalist. Këto marrëdhënie të reja juridike dhe ekonomike i interesonin jo vetëm zhvillimit e përparimit të bujqësisë, por edhe palëve: pronarit dhe sipërmarrësit që merrte në përdorim me qira tokën.
Dukë vepruar kështu, po zgjidhej disi drejt raporti midis problemeve e synimeve të reformës agrare me ato të reformës në fushën e kontratavë. Këto janë probleme që shkojnë e zgjidhen së toku.

Më këtë reformë u sanksionuan mirë dy aspekte të rëndësishme:

Së pari, pronari i tokës të shndrohet dora-dorës nga “zotëri”, në fermer, në “bujk” me konceptin e atyre viteve. Shndrime të tilla, megjithse do të kryeshin me evolucion, dalngadalë, në të vërtetë janë revolucion në thyerjen e praktikave, koncepteve, marrëdhënieve të trashëguara. Për legjislatorin ishte e qartë se ky problem nuk do të zgjidhej shpejt dhe vetvetiu, ai hynte në vorbullën e atyre marrëdhënieve që ndrojnë me shumë vështirësi. Por vlera e reformës agrare demokratike të vitit 1930 rritet pikërisht se parashikon, vendos, sanksionon, ato dukuri që do të duhet objektivisht të zbatohen në bujqësinë e Shqipërisë në rrugën e nisur tashmë drejt kapitalizmit. Pa to as që mund të paramendohet kapërcimi i prapambetjes së bujqësisë, qoftë edhe duke bërë rindarje tërësore të tokës.
Fermëri pronar në këto kushte do të merrte përsipër të gjithë mbarëvajtjen e fermës në pronësi, të bënte drejtpëdrejt organizimin e drejtimin e saj sipas modelit kapitalist, të zgjidhte problemet teknike dhe ta miradministrojë atë.

Së dyti, “bujku” më parë i konceptuar me lidhje të panumërta e të pazgjidhshme me “zotërinë”, të shndërrohet në sipërmarrës për punimin e tokës. Në këtë rast sipas kontratës sipërmarrësi detyrohet të zbatojë të gjitha detyrat e vëna nga fermëri për mënyrën e punimit të tokës, për qarkullimet bujqësore, për llojin e prodhimit e të tjera të kësaj natyrë. Sipërmarrësi, në mbështetje të kontratës, detyrohet të punojë në mënyrë intensive tokën e marrë në sipërmarrje, të rrisë më tej tokën e punuar duke zvogëluar tokën e livadheve, çaireve, kullotave.

U kërkua kështu që palët në kontratë të ndërrojnë konceptet. Më e madhe është përgjegjësia e pronarit të tokës në përmbushjen e mandatit që u jepet si ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit. Një pronar i tillë i shndërruar në fermer kapitalist do të jetë ndër faktorët vendimtarë për përparimin e bujqësisë. Ai së bashku me sipërmarrësin e mveshur me detyrime e interesa të reja, do të jenë mbështetje e sigurt drejt progresit të synuar.
Është me interes fakti që brezat të dinë së, duke mos e konceptuar reformën thjesht si shpronësim dhe dhënie toke, ligjvënësi në të mirë të përparimit të bujqësisë, i dha një frymëmarrje më të gjërë asaj në fushën e marrëdhënieve.
Kemi të bëjmë me një element të ri që pothuaj nuk përmëndet nga historiografia jonë. Kontrata tip, pra marrëdhëniet midis fermerit pronar dhe sipërmarësit, bujkut pa ose me pak tokë do të zbatoheshin jo vetëm në tokat që do të prekeshin apo do përfitoheshin nga reforma agrare, por në gjithë bujqësinë e vëndit. Pra, kontrata tip do të zbatohej në të gjitha ato raste kur lindnin marrëdhënie midis pronarit të tokës dhe bujkut sipërmarrës për punimin e saj.
Me rëndësi është fakti se kontrata tip, pasi nënshkruhej, merrte fuqi ligjore, nuk mund të ndryshohej në mënyrë të njëanshme apo arbitrare.

Me reformën agrare dhe kontratën tip u zgjidhën edhe një varg problemesh të tjera që kishin të bënin me çrrënjosjen më tej të marrëdhënieve të sistemit të vjetër të trashëguara nga e kaluara. Ndër to përmëndim:

Së pari, u ndalua më ligj puna angari dhe dhuratat për pronarin.

Së dyti, në marrëdhëniet e huas midis pronarit dhe bujkut qiramarrës – hiqet kamata apo interesi. Kjo do të thotë që, kur bujku qiramarrës merr farë apo kafshë punë hua, nuk detyrohej të paguajë kamatë. Ai kthen në natyrë sasinë e farës së marrë hua apo e paguan me cmimin e periudhës që u mor huaja. Kjo ishtë lehtësi e madhe kur njihet fakti se huadhënësit merrnin kamata shumë të larta.

Së treti, pronari u detyrua të përballonte investimet që rridhnin nga kanalizimet dhe veprat hidraulike relativisht të mëdha.

Së katërti, pronari detyrohej t’i jepte pa qira bujkut sipërmarrës shtëpi, tokën rreth shtëpisë, hambarin, kashtoren, lemin dhe 1 dynim tokë ngjitur me shtëpinë. Interesant është të përmëndim se kërkohej që shtëpia të ishte në kushte të mira higjeno-sanitare, të plotësonte kërkesat e një banimi normal.

Së pesti, bujku sipërmarrës perdorte kullotat për një numër të caktuar bagëtish pa pagesë, priste dru në pyll.
Së gjashti, kur çel tokë të re bujku sipërmarrës të gjithë prodhimin e mban për familjen e tij duke mos paguar detyrimet kontraktore si për pjesën tjetër të tokës.
Në këtë rrugë u fiksuan edhe marrëdhëniet midis fermerit pronar të tokës dhe punëtorit me mëditje.
Këto janë kapërcime të rëndësishme që garantonin përsosjen e marrëdhënieve kapitaliste në bujqësi.

 

Reforma Agrare demokratike në Shqipëri ishte e plotë.
Ajo ishte nder më të mirat e kryera në Evropë.
U projektua ngritja e Bankës Kombëtare Agrare.

Reforma Agrare demokratike e vitit 1930 ishte ndër reformat më të plota, më komplekse, për shkak të detyrave e synimeve që i kishte vënë vetes. Në shumë drejtime po ta shqyrtosh problemin me kujdes, del se kjo reformë mund të renditet ndër ato më të mirat e më të përparuarat që u zbatuan në vëndet evropiane. Në këto kushte nuk ka baza shkencore dhe është krejtësisht me frymën e ideologjisë marksiste-leniniste thënia e autorit në faqën 299, kur shprehet se reforma agrare mbeti në fund të fundit “një masë e përciptë, e pjesshme agrare”. Gjithë sa argumentuam, flet në të kundërtën.
Dihet se propaganda komuniste përqëndroi të gjitha bateritë për ta mohuar reformën agrare të vitit 1930, për ta minimizuar dhe për të nxirë pasojat e saj. Nuk e kuptoj pse edhe në ditët e sotme historianët akademiste trumbetojnë të njëjta gjëra “bajate” apo të dala boje.

Në faqën 298 të librit që denoncojmë, “Historia e Popullit Shqiptar III”, gjen pohimin pa përgjegjësi se “A.Zogu nuk u tregua i vëndosur për të bërë një reformë të plotë agrare”. Historia që përpiqeni të shtrëmbëroni, tregon se Mbreti Zog I u trëgua dy herë i vendosur në problemin e reformës agrare:

Së pari, jashtëzakonisht i vendosur dhe burrë shteti që nuk lejoi të viheshin në jetë pretendimet e ideologjisë komuniste, pretendime që vazhdojnë të jenë në fuqi edhe nga historianët tanë për “shpronësimin e të gjithë pronarëve” për të bërë të gjithë të papronët me “pronë”. Kjo do të ishte vdekjeprurëse për vëndin.

Së dyti, i vendosur në projektimin, miratimin dhe zbatimin e një ndër reformave më demokratike që garantonte zhvillimin me ritme më të shpejta të vëndit nga më i prapambeturi në Evropë, në një vënd që ecte i sigurt në rrugën kapitaliste të zhvillimit.

Kësaj vendosmërie të dytë të Mbretit Zog I i shërbeu dhe pjesa e tretë e ligjit “Krijimi i Bankës Bujqësore”.
Nuk mund të kryhej si duhej reforma agrare në tërë gjerësinë e thellësinë e vet pa i hapur rrugë kreditit agrar, si një ndër çelësat themelorë për kapërcimin e prapambetjes së bujqësisë dhe për ecjen përpara të saj. Ishte guxim jashtëzakonisht i madh për kohën, në kushtet e prapambetjes së thellë të vëndit, të mungesës së burimeve financiare etj., të projektoje dhe miratoje një program kaq të gjerë shumëdimensional.

Në trinomin që pasqyronte ligja mbi Reformen Agrare: për tokën, marrëdhëniet kapitaliste nëpërmjet kontratës tip dhe krijimit të Bankës Bujqësore, nuk mund të shkëpusësh njerën nga tjetra. Ato nuk mund të sillnin dobinë e pritur pa u projektuar e zbatuar njëherësh, së toku, në harmoni.
Në histori është mirë të njihet fakti se kjo bankë u konceptua në radhë të parë si bankë vetëm me kapital shqiptar. Një tjetër parim i vendosur ishte se shteti do të ishte ndër aksionistët kryesorë të bankës dhe do të ndikonte direkt apo indirekt për të gjetur aksionistët dhe burimet financiare për të plotësuar kapitalin e bankës. Për vetë rrethanat, mungesën e burimeve financiare, kjo bankë do të jepte vetëm kredi afatshkurtër dhe afatmesëm për problemet korente të zhvillimit të bujqësisë.

Kaq e plotë është konceptuar Reforma Agrare demokratike e vitit 1930, sa, kur e studjon me vëmëndje, nuk mund të mos çuditesh me gamën e problemeve që rrok. Me gjithë kushtet e Shqipërisë së vitevë ’30, në ligjë iu hap dritë jeshile edhe organizimit të shoqatave, sindikatave dhe kooperativave, si element i ri i rrugës kapitaliste të zhvillimit.
Megjithse ishte herët të mendojë për ato organizime, përsëri ato u panë si element përparimi. Përvoja në disa dekada e vëndeve të Evropës ku Shqipëria synonte të ingranohej, si Gjermania, Hollanda, Çekosllovakia, Rumania, Greqia, tregonte se ato janë forma të drejtimit e të organizimit kapitalist në bujqësi, që mund të përdoren me efektivitet. Ato ndihmojnë që edhe prodhimi i vogël të kalojë dora dorës në elementë të veçantë të organizimeve më të mëdha që lejojnë dhe kushtëzojnë gjallërimin e prodhimit të vogël.

Është e çuditëshme, por historiografia jonë nuk i përmënd këto dukuri dhe elemente të përparuar, jo vetëm të ligjës por edhe të praktikës. Në gusht të vitit 1937, sipas dokumentave arkivorë (I.Fishta, T.Karëco, libër i cituar, faqë 51) ka pasur kooperativa bujqësore në Tiranë, Korçë, Kavajë, Vlorë, Berat, Elbasan, Shkodër, Lushnjë dhe Gjirokastër. Qysh në vitin 1933 u krijua një organizatë bujqësore në Korçë që merrej me blerjen dhe shitjen e prodhimeve bujqësore. U bënë edhe përpjekje të tjera për ngritjen e kooperativave bujqësore me karakter tregtar dhe industrial. Me sa duket çdo dukuri që nuk ka ngjyrën komuniste, nuk është e pranueshme për historianët tanë. Historianë, ju jeni thirrur të pasqyroni të vërtetën historike, mos i leni në “harresë” këto zhvillime të rëndësishme të vëndit. Ato dëshmojnë ndër të tjera se sa e plotë ishte tabloja e ligjëruar në Reformën Agrare dëmokratike të vitit 1930.

Me gjithë vështirësitë, pengesat, faktorët frenues -
Reforma Agrare demokratike e vitit 1930 arriti përfundime premtuese.

Nga historiografia komuniste flitet shumë si faktor negativ zgjatja e stërgjatja e zbatimit të reformës agrare të vitit 1930. Profesorë, mbani parasysh që ajo u projektua në përputhje me kushtet që kishte Shqipëria në vitët ’30 të zgjatëte 10 vjet, komponentë të vecantë të masave shumëdimensionale do të zgjasnin edhe më shumë. Sa tregoi koha, nga studimi që i kam bërë këtij problemi, ai afat ishte shumë i shkurtër, jeta nxori faktorë të rinj që vepronin në mënyrë të ndërthurur e me ndikim negativ duke frenuar më tej procesin e ndërlikuar të reformës agrare.
Profesorëve ju pëlqen t’ia veshin shtyrjen e zbatimit të reformës agrare faktorëve të tillë si rezistenca e pronarëve për dhënien e tokës fshatarëve, proceset e shitjeve fiktive të tokës, burokracisë e aparatit shtetëror e të tjera të kësaj natyre. Nuk mund t’i mënjanojmë dhe këto faktorë, por ato janë të fundit.
Janë të tjerë ata faktorë që ndikonin në zgjatjen e kohës së zbatimit të reformës. Ato kryesisht kanë natyre teknike e financiare.

Në radhë të parë me gjithë afatin dhjetëvjecar, përsëri nuk ishin studjuar mirë kushtet që përjetonte Shqipëria, burimet financiare të saj, mundësitë reale për ngritjen e Bankës Bujqësore Shqiptare. Ishte një dëshirë krijimi i kapitalit të bankës duke arkëtuar mjetet monetare të grumbulluara nga shitja e tokës nëpërmjet reformës agrare. Këto ishin dy procese që nuk mund të sinkronizoheshin në kohë. Është objektiv fakti që për disa vjet sa të kryeshin matjet, studimet, kadastrimet Reforma Agrare do të ecte me ritme të ngadalta, pra nuk do të ketë shpronësime tokash dhe rrjedhimisht vjelje të të ardhurave. Mos ngritja në kohë e Bankës Bujqësore ndikoi ndër të tjera edhe në frenimin në kohë të Reformës Agrare.

Për njohuri të lexuesit: problemet teknike të zbatimit të një reforme agrare sipas kërkesave të kohës ishin ne nivele tejet të ulëta. Kadastra pothuaj nuk ekzistonte, ishte në hapat e para, nuk kishte kufij teknikë në pronësinë e tokave, mungonin hartat përkatëse e të tjera.
Problemi teknik ishte jo i vogël në kushtet e financavë “bosh” të Shqipërisë. Puna e kryer nga teknikët e huaj kushtonte nga 2 deri në 5 herë më shumë. Kështu një hektar në plan kur e kryenin specialistet shqiptarë kushtontë 3 franga ari, kur po të njëjtën e kryenin specialistët e huaj kushtonte nga 6 deri në 16 fr. ari hektari.

Veçori e reformës agrare është se u vendos që punët teknike në përgjithësi të kryheshin me specialistë shqiptarë. Por edhe këtu lindi një problem – ata numëroheshin me gishta, duheshin përgatitur. Për organizimin e kursit specialistët italianë kërkuan 50.000 fr. ari. Këtë punë e morri përsipër dhe e kreu falas inxhinieri shqiptar Selim Zyma. Në vitin 1931-1932 u përgatitën me kurs gjeodezik 4 specialistët e parë; në vitin 1932-1933 u përgatitën 6 kursistë të tjerë.
Të bëjmë një llogari në përputhje me kushtet. Katër grupet e mundshmë teknike secili prej të cilëve mund të kryente jo më shumë se 1.500 ha në vit për hartimin e planit të sipërfaqeve dhe planin e instalimit deri në transkiptimin e tokave, për 10 vjet nuk mund të kryenin më shumë se 50.000 ha. Po të mbajmë parasysh se praktikisht në 2-3 vjetët e parë nuk u punua jo thjeshtë për mungesat teknike e financiare por edhe ato të karakterit organizativ për krijimin e organizmave të reformës agrare, të përpilimit të statistikave për tokën e të tjera, atëherë natyrshëm shpegohet fakti që reforma agrare do të zgjaste më shumë se 10 vjet po të merrej si vit nisës viti 1930. Në realitët u ngritën 5 grupe që drejtoheshin nga gjeometrat shqiptarë Veli Frashëri, Stiliano Doraci, Qerim Gjakja, Leonidha Papavangjeli dhe gjermani Theodor Ulbrich.

Natyrisht “financat” e shtetit ishin ndër faktorët vendimtarë për ngadalësimin më shumë të njërit ndër komponentëve të reformës agrare – atë të matjes, shpronësimit të pronarëve dhe dhënien e tokës fshatarëve pa ose me pak tokë. Kostoja e Reformës Agrare u rit tej parashikimeve, jo thjeshtë për problemet teknike por, edhe sepse lindën probleme të sistemimit të bujqve në toka, vecanërisht të emigrantëve. Kjo kosto kaloi edhe vlerën e shitjes në treg të tokës. Po japim disa shifra për koston e instalimit, llogaritur mbështetur në shpenzimet e kryera gjatë viteve 1930-1939:

Kostua e instalimit, në franga ari

1. Për një familje……………………………………………..392

2. Për një frymë………………………………………………. 77

3. Për një hektar të shpronësuar dhe të shpërndarë
për instalimin e fshatarëve pa tokë, me pak
tokë dhe të imigrantëve…………………………………117

Domosdo që kjo dukuri nuk mund të mos ishte me ndikim të ndjeshëm në tërë procesin e zbatimit të reformës agrare. Kësaj ju shtua edhe ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës botërore, që në Shqipëri, sikundër kemi përmendur ishte në përmasa më të mëdha në fushën financiare, në rritjen e defiçitit midis importit dhe eksportit, pakësimit të prurjeve nga emigracioni e të tjera.

Krahas këtyre faktorëve kishte dhe një varg faktorësh që ndikonin në procesin e frenimit disi të reformës. Kishte dhe nga ato me natyrë shoqërore e deri psikologjike. Por nuk mund të pranohen pohimet e librit që denoncojmë kur thuhet si në faqen 299 se “Çifligarët i bënë qëndresë të fortë asaj dhe ia dolën që ajo (reforma – shënimi im) të mos arrinte synimet e përvijuara nga qeveria dhe në fund të fundit të mbetej një masë e përciptë, e pjeseshme agrare”.

Jo zotërinj historianë. Vërtetë nga pronarët e tokave aty këtu u vrejt një lloj rezistence, u përdorën makinacione, ndikime. Por të gjitha ato nuk peshuan në balancën e përgjithëshme të faktorëve frenues. Ligja ishte ligj dhe ajo ishte në shtratin e sigurt të zbatimit. Vetëm faktori kohë do të bënte që ajo të shkonte deri në fund. Faktori “kohë” pikërisht u ndërpre nga një ndërhyrje e jashtme sikundër ishte pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste.
Në këtë mënyrë për të gjykuar për shkallën e realizimit të synimeve të Reformës Agrare demokratike të vitit 1930 duhet mbajtur parasysh se:

Së pari, afatet e përcaktuara nga vetë reforma mund të themi se ishin euforikë, jo fort të mbështetura. Thjesht duhej më shumë kohë.

Së dyti, koha e projektuar nuk u dha për shkak të ndërhyrjes që përmëndëm. Duke marrë parasysh se reforma nisi praktikisht pas vitit 1933, atëherë rezultati do të pritej pas vitit ’43.

Së treti, kur analizojmë rezultatet e reformës agrare nuk duhet të shkëputemi nga kompleksi i synimeve tërrësore të saj, të kapemi vetëm në një komponent, thjeshtë dhe vetëm në shpronësimin dhe shpërndarrjen e tokës. Një veprim i tillë është konceptim e reduktim i këtij problemi madhor në kërkesat mediokre të ideologjisë enveriste.

Synimi kryesor i Reformës Agrare demokratike të vitit 1930 ishte futja e sigurtë e bujqësisë shqiptare në hullinë e marrëdhënieve kapitaliste të zhvillimit dhe, mbi këtë bazë rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral. Dhe, do pranuar se në fushën e marrëdhënieve pronësore si dhe në aspekte të tjera të marrëdhënieve në prodhim kjo reformë bëri një kapërcim të rëndësishëm. Pikërisht këtë kapërcim që mund të themi se është edhe epokal përpiqet ta fshehë, mbulojë dhe denigrojë historiografia me rrënjë komuniste.
Ku i shoh unë disa nga arritjet e synimeve të reformës agrare demokratike të vitit 1930, që duhen mbajtur parasysh nga historiografia, duke u nisur nga shqyrtimi kompleks, tërësor, strategjik e taktik, si në fushën e marrëdhënieve pronësore edhe në tërësinë e marrëdhënieve kapitaliste në ekonominë bujqësore të vëndit:

1.Në ndryshimet sasiore e cilësore shumë të mëdha
të tokës së punueshme dhe, rrjedhimisht
në rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral.

Reforma Agrare nuk ishte qëllim në vetvehte, vetëm të shpronësonte apo pronësonte, ajo synonte në zhvillimin në tërësi të bujqësisë të vëndit. Dhe, në kushtet e kufizuar të tokës, vecanërisht asaj në shërbim të drejtpërdrejtë të kultivimit të bimëve të arrave, domosdo që rritja e tokës së punueshme është ndër treguësit më të rëndësishëm.
Ky është përfitimi në rafshin strategjik i pasojave të reformës agrare. Veprimi në mënyrë të ndërsjellë e kompleks i gjithë masave të dukëshme e të padukëshme të reformës çuan në rritjen sistematike e në përpjesëtime të mëdha të tokës së punueshmë. Në shkallë vëndi këtë dukuri e shohim nga të dhënat që vijojnë:


Ndryshimi i strukturës së tokës bujqësore në Shqipëri
për vitet 1929-1932, 1938 dhe 1945-1946, në hektar

Zërat e kadastrës Mesatarisht për vitet 1929-1932, ha

1938
në ha
Mesatarisht për vitet 1945-1946, ha

Toka bujqësore gjithsej 1.125.000 1.180.000 1.186.509

a.Toka nën kulturë 155.000 292.000 305.509

b.Livadhe 60.000 39.000 35.000

c.Kullota 910.000 849.000 845.000

Shifrat janë kokëfortë, historianët tanë nuk mund të mos i pasqyrojnë ato kur përpiqen të shkruajnë histori. Në të kundërtën bëjnë pseudohistori.
Megjithëse toka bujqësore në tërësi është ritur relativisht pak duke shfrytëzuar tokën për pyjet e degraduara dhe një pjesë të sipërfaqës së tokës jo produktive, ndryshimet më të rëndësishme janë bërë brënda saj. Pothuaj është dyfishuar toka nënkulturë – dukuri që shënon edhe arritjen më të madhe të Reformës Agrare demokratike të vitit 1930.

Në këtë proçes nuk ndikuan thjeshte dhe vetëm masat e shpronësimit apo të pronësimit. Ato ndikuan vetëm në një farë masë. Në këtë dukuri ndikoi në tërësi kompleksi i masave të projektuara dhe të zbatuara nga reforma agrare demokratike e vitit 1930. Ndër to edhe copëtimi i natyrshëm, me frymën e kësaj reformë, në përputhjë me kërkesat e Kodit Civil për ndarrjen e pronës së madhe midis bashkëpronarëve të shumtë, trashëgimeve etj. Gjithë këto janë procese të drejta dhe ekonomike. Duke u shtuar numri i pronave, çdo ekonomi ka synuar që të shtojë tokën e punueshme apo nën kulturë duke zvogëluar sipërfaqet e lëna për livadhe e kullota. Madje edhe këto të fundit duke i shfrytëzuar me efektivitet më të lartë, pasi gjatë kësaj periudhe kohore është shtuar edhe numëri i krerëve të bagëtisë.
Të dhënat që dhamë janë për vëndin në tërësi. Domethënë përfshinë gjithë livadhet e kullotat si ato privatë ashtu edhe ato të shtetit dhe komunale.

Për të gjykuar për ndikimin e reformës agrare në pronën individuale dhe atë që ishte në pronësi të shtetit në formën e atyre që quheshin “çifliqe” po sjell të dhënat që vijojnë:

 

Ndryshimi i tokës në pronësi në vitet 1945-1946
në krahasim me vitet 1929-1932, në ha

Struktura ë tokës Vitet 1929-1932, në ha Vitet 1945-1946, në ha

Tokë në pronësi gjithsej 380.000 393.355

Nga e cila:

1.Tokë arë 140.000 288.640

2.Pemishte e vreshta 5.000 7.869

3.Livadhe e kullota 145.000 63.365

4.Pyje e tokë joproduktive 90.000 33.481

Fitorja më e madhe është fakti se toka arë u dyfishua. Kjo u arrit duke përmirësuar në mënyrë rrënjësore strukturën e tokës në pronësi. Toka për livadhe e kullota, mund të themi me bindje toka që lihej së shumti djerrë, u zvogëlua në vitet 1945-1946 rreth 56 për qind në krahasim me vitet 1929-1932. Zvogëlim me përmasa më të mëdha u vërtetuan në pyjet dhe tokën e pafrytëshme në pronësi. Kjo kategori u zvogëlua për të njëjtën periudhë thuajse në një të tretën.

Ky është ndikim i drejtpërdrejtë i konceptimit në hullinë kapitaliste që u formulua dhe zbatua nga reforma e atyre viteve.

U arrit edhë një synim tjetër i Reformës Agrare demokratike: filluan të marrin përparësi kultura të tilla si gruri ndaj misrit brënda drithëravë të bukës, bimët industriale si pambuku e duhani, foragjeret.
Shtimi i dukshëm i sipërfaqës nën kulturë ishte garanci për rritjen e prodhimit. Sikundër kemi përmëndur ritmet e shtimit të prodhimit bujqësor u vërtetuan më të larta se ritmet e shtimit të popullsisë gjatë periudhës që shqyrtojmë. Nga ana tjetër përqëndrimi i vëmëndjes në bujqësi nëpërmjet zbatimit të reformës agrare dha dhe një dukuri të re – prodhimi me origjinë nga bujqësia, sikundër pritej u shtua me ritme më të shpejta se prodhimi me origjinë nga blegtoria. Në këtë periudhë historike këto ndryshime progresive u vërtetuan në rrugën ekstensive të zhvillimit. Ende Shqipëria ishte në hapat e para të dëshiruara të rrugës intensive. Kjo donte kohë, investime të mëdha në teknikë, në mënyrën e punimit të tokës, në shtimin e sipërfaqes nën ujë e të tjera. Është kjo arësyeja që ende rendimentet e kulturave bujqësore lëkundeshin, shumë herë shkonin edhe nën nivelet e arritura vite më parë. Këtë e kushtëzojë shtimi i madh i sipërfaqes i pa shoqëruar me faktorë të tjerë të domosdoshëm që kërkon një bujqësi e përparuar.

2. Në kapërcime historike në pronën e
madhe mbi tokën

Reforma Agrare demokratike ë vitit 1930 zgjidhi në mënyrë optimale problemet që shtroheshin për pronësinë e madhe mbi tokën. Sikundër kemi përmëndur u shpërbënë në mënyrë rrënjësorë pronat shumë të mëdha, apo ato që historiografia komuniste ka dëshirë t’i quajë “çifligje”. Duke u mbështetur në synimet e kësaj reforme që të rruheshin ekonomitë e mëdha në kufi optimalë, ato u çpërbënë.
Kjo dukuri nuk erdhi kaq nga shpronësimet sesa nga proceset normale të drejtimit dhe të organizimit të ekonomisë bujqësore sipas parimeve të ekonomisë së tregut. Nuk mund të drejtohej më ekonomia bujqësore, mbi bazën e organizimit patriarkal, kur kërkohej që ajo të kalonte në tipin e fermës kapitaliste. Nga e kaluara shumë prona ishin të trashëguara në bashkëpronësi.

Kjo ndarrje e madhe e ligjore e tokës ishte ekonomikisht e kërkueshme dhe e pranueshme. Ajo pati ndikim vendimtar. Nga ana tjetër ekonomia e tregut dhe levat e saj bënë që toka të shitej e blihej lirisht. Një pjesë e pronarëve të mëdhenj në kushtet e shterimit të burimeve financiare e shitën një pjesë të tokës për të jetuar. Por edhe pjësëtarët femra të familjes patriarkale synuan dhe morrën pjesën e vet të pronës së tokës.

Janë tejet anakronike pohimet e historianëve tanë kur shprehen si në faqen 299 për reformën agrare se “zgjatja e kohës së zbatimit të saj…..iu dha kohë pronarëve të bënin ndarje e tjetërsim fiktiv të pronave të tyre ndër kushërinjtë e njerëzit e tjerë të farefisit, për të ulur sa më shumë edhe atë pjesë që duhej të shpronësohej”. Vështirë është të gjesh pohime kaq absurde e jashtë logjikës më minimale shkencore. Në një shtet ligjor nuk mund të bëhen ndarje e tjetërsime fiktive. Prona e tokës nuk është “një grusht me arra” që tja japësh kushëririt apo njeriut të fisit t’a ruajë në xhep. Për ndryshimin e pronësisë bëhen dokumenta, tapi që vijojnë për periudha të gjata kohore. Me këto “çilimillëqe” të ideologjizuara ulet niveli i librit, shtrëmbërohet historia. Veprimet fiktive mund të vërtetohen në raste të ralla, por ato në rastin tonë nuk e ndrojne thelbin e problemit.

Shumë më tepër u thellua ky proces me zbatimin e kodeve ligjore të përparuara me natyrë evropiane, të cilat lejonin e nxisnin shpërbërjen e pronës së madhe. Natyrisht reforma agrare i dha një shtysë më të madhe, më të drejtperdrejtë, jo thjeshtë nëpërmjet shpronësimeve por, nëpërmjet frymës së marrëdhënieve kapitaliste që ajo diktonte.

Meqë shpërbërja e pronës së madhe është një proces i pandalshëm në kohë, diktuar nga tërësia e faktorëve që vepronin në mënyrë të ndërsjellë, po japim të dhënat për një diapazon më të gjërë, nga viti 1929 deri në vitin 1945. (Përpunuar sipas të dhënave të AQSH, Fondi 279, viti 1929 dhe AQSH, Fondi 895, dosja 15):

Grupimi i ekonomive të mëdha sipas madhësisë së pronës së tokës në vitet 1929 dhë 1945

Grupimi i pronës së madhe të tokës në ha

Numri i pronave të mëdha në vitet:

Toka në ha
në vitin 1929
Toka në ha
në vitin 1945
1929 1945
5.000 ha e lart 7 -

38.500 -
2.000 – 4.999 ha 9 – 28.500 -

1.000 – 1.999 ha 9 – 10.300 -

500 – 999 ha 6 – 3.700 -

300 – 499 ha 11 – 4.000 -

200 – 299 ha 9 – 1.900

Mbi 200 ha (vetëm për vitin 1945 se mungojnë të dhënat e detajuara) -

43
-
13.859

100 – 199 ha 19 60 2.493 7.446

50 – 99 ha 12 160 675 9.845

Shuma gjithsej 82 263 90.068 31.150

Të dhënat e përpunuara nga arkivat, me rezervat përkatëse, tregojnë se në fushën e pronësisë së madhe është bërë një kapërcim i rëndësishëm. Natyrisht këtë nuk ja atribuojmë thjeshtë dhe vëtëm reformës agrare, si në anët e dukëshme dhe të padukëshme të saj. Në këtë proces ndikim të madh e të pazëvëndësueshëm luajtën faktorët e rrëgullimit ligjor të pronës si dhe të shitblerjes. Por meqë krahasimin kohor e bëjmë deri në vitin 1945, domosdo, në vitet pas 1939-s, ndikoi edhe “gogoli” komunist, lufta vëllavrasëse që komunistët organizuan e të tjera.

Gjithsesi për periudhën që shqyrtojmë nga 90.068 ha që ishte toka në pronësi të pronarëve që zotëronin mbi 50 ha tokë në vitin 1929, në vitin 1945 arriti në 31.150 ha. Pra u zvogëlua rreth 3 herë.
Konkluzioni – procesi i pronësisë së madhe po ecte në hullinë që projektoi dhe zbatoi reforma agrare. Pronësitë shumë të mëdha, të pa manovrueshme nga ana ekonomike u mënjanuan nga skena e bujqësisë shqiptare. Ndërsa në vitin 1929 kishte 82 pronarë që i takonte mesatarisht 1.098 ha për një ekonomi, në vitin 1945 numri i tyre arriti në 263. Por madhësia mesatare e tokës në vitin 1945 ishte vetëm 118 ha, dmth rreth 10 herë më e vogël. Kështu prona e madhe u bë më optimale, i përgjigjej kërkesave për të ecur më e sigurt në rrugën e fermave kapitaliste. Kjo ecuri normale çonte edhe në një konkluzion tjetër. Duke përjashtuar tokën në pronësi të shtetit, ndër pronarët e mëdhenj të tokave nuk kish mbetur ndonjë sasi e madhe toke për t’u shpronësuar e për tja dhënë fshatarëve pa dhe me pak tokë.

3. Në konsolidimin e borgjezisë agrare si shtylla
e zhvillimit kapitalist të bujqësisë

Në procesin e përgjithshëm të shpërbërrjes e të tkurrjes së pronës së madhe e shumë të madhë për tokën, në përputhje me synimët e reformës agrare erdhi duke fituar më shumë terren prona e borgjezisë agrare, e fshatarëve të pasur dhe të mesëm. Kjo ishte shtylla e përparimit të bujqësisë, pjesa më e ndjeshme, konkuruese, që drejtonte ekonominë bujqësore në përgjithësi, sipas lojës dhe kërkesave të tregut. Ishte ajo masë ekonomish që mbante të gjallë edhe tregun, si të brëndëshëm ashtu edhe të jashtëm.
Statistikat për këtë kategori në vitin 1929 mungojnë. Nga vrojtimet e kryera për atë përiudhë më del se, për vetë kushtet borgjezia e pasur dhe e mesme ishte në numër të kufizuar.

Vetëm në procesin e zbatimit të reformës agrare, vecanërisht me shtrirjen në gjërësi e thellësi të proceseve të shit-blerjes së tokës, me shpërbërrjen e pronarëve të mëdhenj e shumë të mëdhenj të tokave me format që përmëndëm, lindi borgjezia agrare që forcohej cdo ditë e më shumë. Kjo kategori ishte ndër garancitë e përparimit të bujqësisë shqiptare.
Nga statistikat zyrtare të kohës, në vitin 1945, para se të kryhej reforma agrare komuniste, që ishte një krim tjetër që po i kryhej popullit shqiptar, borgjezia agrare sipas shkallëzimit të pronës paraqitej si vijon:

Grupimi i ekonomive të borgjezisë agrare sipas madhësisë së pronës së tokës në vitin 1945

Grupimi i pronës së madhe të tokës në ha

Numri i ekonomive të borgjezisë agrare Toka në ha,

5,01 – 10,00 ha 12.500 84.500

10,01 – 25,00 ha 3.893 55.344

25,01 – 50,00 ha 564 19.193

Gjithsej 16.957 159.037

Struktura në për qindje ndaj numrit të ekonomive dhe tokës gjithsej
11%
40%

Në duart e borgjezisë agrare u përqëndrua 40 për qind e tokës në pronësi në periudhën që shqyrtojmë. Ky është ndër hapat e suksesëshme të Reformës Agrare demokratike të vitit 1930. Po çelej traseja që ekonomia të ecte më mirë dhe më e sigurt në arritjen e qëllimit të madh të vënë në dobi të përparimit të bujqësisë në rrugën e ekonomisë së tregut.

4. Në hapat premtuese për rregullimin e raporteve
në familjet bujqësore pa apo me pak tokë.

Është e kuptueshmë që, në procesin e zbatimit të reformës agrare duke u zvogëluar në mënyrë të ndjeshmë numëri i pronave të mëdha dhe shumë të mëdha, u rrit me ritme më të shpejta numri i ekonomive të borgjezisë agrare. Jashtë dukurive pozitive e progresive nuk mund të qëndronte edhe kategoria e ekonomive bujqësore pa tokë dhe me pak tokë. Megjithëse kufizimi i tokës nënkulturë në pronësi në periudhën që shqyrtojmë nuk lejonte ndryshime thelbësore për këtë kategori të ekonomive bujqësore, përsëri u hodhën hapa të mira përpara. Në mënyrë të përmbledhur këtë e shohim në:

Së pari, zvogëlimin e fshatarëve pa tokë, apo të atyre që quheshin “çifcinj”. Megjithëse reforma agrare nuk mori dhe nuk kish si të merrte përsipër që këtë kategori ta bënte të gjithë “pronarë”, përsëri si numër pati ndryshime.

Kështu nga reforma agrare në vitet ’30 kjo kategori e bujqve pa tokë llogaritej në 18.063 ndërsa në vitin 1945 u zvogëlua në 13.862 familje. Ky është një hap inkurajues. Nuk bëhet fjalë këtu për ekonomitë që ishin transformuar në punëtorë me mëditje, apo argatë. Kjo kategori përfaqësonte punëtorët e bujqësisë, kaq të domosdoshëm në një ekonomi tregu. Një pjesë e tyre përfituan nga reforma agrare. Një pjesë tjetër u shndruan në pronarë në procesin e shitblerrjes së tokës. Kemi theksuar se kjo kategori, edhe pse pa pronë punonte për cdo familje mbi 3.5 ha tokë (duke mbajtur në konsideratë tokën që merrte në sipërmarrje).

Së dyti, në pronarët e vegjël po rritej ndikimi ekonomik i familjeve me më shumë tokë. Në vitin 1945 ndërsa familjet që zotëronin nga 3-5 ha secila zinin në totalin e familjeve 12 për qint, ato zotëronin rreth 18 për qind të tokës në pronësi.

Megjithatë për këtë kategori të pronarëve do të duhej të gjëndeshin zgjidhje më të favorëshme me ndikim në zhvillimin e bujqësisë. E ngrëmë këtë problem sepse ekonomitë e vogla bujqësore ndërsa zinin rreth 79 për qind të numrit të ekonomive bujqësore të vëndit, zotëronin vetëm 39 për qind të tokës në pronësi. Është një dukuri që kërkonte përsosje. Reforma Agrare mund ta zbuste diçka këtë dukuri, ashtu sikundër u projektua. Zgjidhja ishte shtimi i tokës në pronësi për qëllime bujqësore, duke kryer investime nëpërmjet ndryshimeve strukturore, duke kaluar një pjesë të tokës për kullota dhe kategori të tjera, sidomos ato të pafrytëshme, në tokë të punuar dhe në pronësi të kësaj kategorie. Kjo zgjidhje natyrisht kërkonte kohë. Në vitin 1945, të 116.471 ekonomite e vogla bujqësore zotëronin vetëm 1,32 ha secila. Duke mbajtur parasysh shkallëzimin midis tyre, dmth që një pjesë zotëronin më pak se 05 -1 ha, kuptohet se gjetja e rrugëvë për përsosje ishte shtruar për zgjidhje.

 

5. Në përpjekjet që, në përputhje me kushtet dhe faktorët
frenues, të bëhej relativisht mirë e me këmbëngulje
shpronësimi i pronarëve të mëdhenj dhe pronësimi
i fshatarëve pa ose me pak tokë.

Në librin “Historia e Popullit Shqiptar III” lexuesi krijon përfityrimin se reforma agrare nënkupton vetëm e vetëm shpronësimin e pronarëve të mëdhenj dhe pronësimin e të papronëve apo atyre që zotëronin tokë në sasi jo të mjaftueshme për mbarrëvajtjen e ekonomive të tyre bujqësore.
Natyrisht kjo është ndër detyrat themelore të cdo reforme me ngjyrë agrare. Por në kushtet e Shqipërisë, kur toka ishte dhënë nga natyra me “pikatore”, kur duhej objektivisht të ruheshin ekonomitë e mëdha që zotëroheshin nga pronarë të mëdhenj tokash, të ecte me ritme të shpejta ekonomia e borgjezisë së fshatit, të pasur apo të mesme, shpronësimi nuk ishte zgjidhja e vetme. Është kjo arësyeja që, sikundër kemi përmendur, reforma projektoi dhe nisi të zbatojë një varg masash të tjera që garantonin zhvillimin e bujqësisë në hullinë e rrugës kapitaliste. Dhe rezultatet ishin shumë të mëdha, disa i përmëndëm, disa nuk mund të shprehen thjeshtë dhe vetëm me shifra. Por përmbysja në raportet e pronësisë duke zvogëluar pronën shumë të madhe e duke rritur me shpejtësi pronën e borgjezisë së fshatit – është ndër treguësit sintetikë që na bind për arritjet e Reformës Agrare demokratike të vitit 1930.

Shndrimi i pronave të mëdha në ferma kapitaliste nisi të eci mbarë, shënjat ishin inkurajuese.
Për kohën në dispozicion, mungesat e theksuara teknike që rridhnin nga trashëgimi i kaluar, mungesa e burimeve financiare nga një buxhet shteti skeletik, kriza boterore etj., përsëri arritjet janë të mira.
Nga një dokument që disponojmë për vitet 1932-1938 dhe pjesërisht 1939, vetëm për Prefekturat Berat e Durrës janë bërë këto veprime nga organizmat e reformës agrare (AQSH, Fondi 894, Dosja 600, fleta 3 dhe Fondi 271, viti 1939, dosja IV/600, faqe 7):

 

Veprimet e Reformës Agrare për matjen dhe ndarrjen
e tokës në vitet 1932-1938

 

Zbatimi i reformës
agrare në: Sipërfaqja e tokës
së matur dhe hartuar plani teknik, ha Pjesa e shpronësuar
nga reforma agrare dhe dorrëzuar pronarit të ri të tokës, ha Numri i familjeve që përfituan
tokë nga
reforma agrare

1.Pronën private të pronarëve të mëdhenj
9.979,4
2.992,2 846

2.Pronën shtetërore 3.383,5 3.383,5 1.059

Gjithsej 13.062,9 6.375,7 1.905

Për vetë rrethanat deri në fund të vitit 1938 u arrit të kryeshin matjet teknike sipas të gjitha rregullave të vendosura, u bënë planet përkatëse dhe u zbatua reforma agrare në 13.062.9 ha në pronësi të pronarëve të mëdhenj të tokës dhe të shtetit. Nga kjo tokë duke zbatuar me rigorozitet kërkesat e ligjës u pronësuan 1.905 pronarë të rinj, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të emigrantëve. Gjithsej pronarët e rinj përfituan 6.375, 7 ha tokë.
Nuk di pse, por si gjithmonë historianët tanë gabojnë në shifra. Kur flitet për reformën agrare në libër thuhet se ajo “preku vetëm 8.109, 5 hektarë tokë, prej të cilave 3.411,5 hektarë u morën nga çifligjet e shtetit dhe 4.698 nga çifligjet private”. Statistika e kohës nuk ishte e saktë, kësisoj mund të ketë edhe ndryshime në shifra, sidomos po të jenë përdorur dokumenta të viteve 1945-1946. Megjithatë shifrat që dhamë janë nxjerrë nga dokumenti arkivor i kohës ku paraqiten pasqyrat e vërteta. Këto shifra i kemi ballafaquar edhe me dokumenta të tjera.

Nuk kuptoj një gjë: historianët që kanë punuar nën ombrellën e Akademisë së Shkencave, në të njëjtin Institut të Studimeve Historike nuk kanë të njëjtat standarte gjykimi, të njëjtat burime arkivore? E ngrë këtë problem sepse shkencëtarë të tjerë të po të njëjtit institucion mbështesin jo numrat e Prof. Kokës por ato që unë dhashë. Kështu në numrin 4 të revistës Studimë Historikë të vitit 1989 në faqen 96, reviste që botohet nga Instituti i Historisë në Akademinë e Shkencave autorët Iljaz Fishta dhe Mentar Belegu thonë se “Në bazë të dokumentit të vitit 1939, që trajton gjërësisht reformën agrare, rezulton se toka e shpronësuar nga kjo reformë ka qënë 2.992,3 ha tokë, në çifligje privatë dhe 3.383,5 ha tokë, në çifligjet shtetërore. Gjithsej: 6.375,8 ha tokë, në të cilat janë instaluar 1905 familje emigrantësh kosovarë dhe bujqish çifçinj me 8.763 frymë.”

Nëse autori nuk bindet kemi dokumentacionin e hollësishëm për të gjitha pronat private dhe shtetërore veç e veç ku është ushtruar reforma për treguesit që sollëm si përmbledhje më lart.
Citimi i mësipërm po nga burime të Akademisë së Shkencave hedh poshtë edhe një pohim që nuk qëndron në librin Historia e Popullit Shqiptar III, faqe 299 ku thuhet se “Këto toka iu dhanë 1.888 familjeve të emigrantëve kosovarë”. Nga reforma agrare nuk përfituan thjeshtë dhe vetëm emigrantët e ardhur nga Kosova. Ky është ndër veprimet më të drejta që bëri qeveria e kohës me Mbretin Zog I. Për këtë do të ndalemi herë tjetër më hollësisht. Problemi qëndron se nuk duhet shtrëmbëruar historia, nuk duhet mashtruar me pohime të tilla. Reforma agrare demokratike e vitit 1930 u krye në radhë të parë e kryesisht për të lëvizur bujqësinë e vëndit në rrugë kapitaliste, për të zgjidhur ndër to edhe disa probleme sociale. Natyrisht, vëllezërit kosovarë të dëbuar nga tokat autoktone shqiptare, nga pronat e tyre, nuk mund të liheshin në mëshirën e fatit. Edhe pa patur në proces një reformë agrare, emigrantët kosovarë, në mund të quhen kështu se ata janë Shqiptarë, do të sistemoheshin në atdheun e tyre amë. Prandaj historianët të kenë kujdes, kjo nuk është pika më e dobët e reformës që ata gjurmojnë të gjejnë. Kjo është ndër pikat më të forta. Edhe pse vetë fshatarët shqiptarë brënda kufijve ishin në gjëndje të keqe, me nivel ekonomik shumë të ulët, kur toka për t’u vënë nën kulturë mungonte – u tregua një akt i madh, u ndihmuan për aq sa ishin mundësitë shqiptarët që erdhën nga Kosova.

E vërteta është se në numër ishin më shumë familjet e fshatarëve shqiptarë që përfituan nga reforma agrare se ata kosovarë, gjë që ishtë krejt e logjikëshme. Sikundër dihet në dokumentat e kohës ka gjithmonë kontradikta. Megjithatë në përmbledhjen për veprimet e reformës agrare, në dokumentin e përmëndur dalin këto shifra për bujqit që janë instaluar në tokat që u shpronësuan nga reforma agrare:

1. Bujq-proletarë e pronarë……. 994 familje

2. Imigrante…………………………..881 familje

Gjithsej 1.875 familje

Nuk di si merret guximi nga historianët tanë që shumë herë të bëjnë pohime kategorike e të pambështetura. Natyrisht çdo reformë në procesin e zbatimit ka ecurinë e vet, zigzaket, lindin faktorë të rinj me natyrë përshpejtuese apo frenuese, kushtet, rrethanat ndryshojnë. Por nuk është e saktë shkencërisht që, vetëm për të mohuar të bëhet pohimi si ai i faqes 299 të librit ku thuhet se “Pas vitit 1935 reforma agrare u la në harresë”. Jo zoti Profesor, reforma vazhdoi, ka pasur momente frenimi jo vetëm lidhur me gjëndjen financiare te shtetit por edhe me gjëndjen ekonomike të fshatarësisë. Rrënia drastike e çmimeve të produkteve bujqësore nuk i bënte të interesuar shumë fshatarë pa tokë e me pak tokë të nxiteshin të merrnin tokë nga reforma agrare. Shëmbuj si këto ka shumë. Vetë organet e reformës agrare ishin të shqetësuar për këtë dukuri.

Po t’i hidhni një sy dokumentacionit të shumtë arkivor për reformën agrare do të shihni se puna vazhdonte. Duhet të vëmë në dukje se ishte bërë një punë shumë më e madhe nga organizmat e reformës agrare, punë që u ndërpre për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Përvec sa përmëndëm më sipër deri në korrik të vitit 1939 ishte bërë punë që mbeti në proces. Kështu përmëndim se pronat e marra në dorëzim, të matura, plani i sipërfaqës ishte hartuar zinin një vëllim të madh në punën e organizmave të reformës agrare. Për to nuk kishte arritur të bëhej puna e fundit – dorrëzimi i këtyre tokave në fshatarët pa tokë apo me pak tokë. Në dokumentat që cituam më lart del se në pronat private, ato që historianët tanë parapëlqejnë t’i quajnë çifliqe kishte përfunduar puna tërësisht në mbi 22 mijë hektarë. E njëjta ishte bërë për pronat shtetërore të tokës për rreth 5 mijë hektarë. U ndërpre procesi i dhënies së tokës për shkaqet madhore që përmëndëm. Këto të dhëna profesorët tanë mund t’i gjejnë jo vetëm në arkiva por edhe në artikullin e përmëndur të Iljaz Fishtës dhe Mentar Belegut, në faqen 98: “rezulton gjithashtu se qenë bërë matje dhe në çifligje të tjera private me një sipërfaqe prej 22.000,7 ha, në disa çifligje shtetërore me një sipërfaqe prej 3.109,5 ha si dhe në kullotën e Semanit me një sipërfaqe prej 1.794,4 ha. Pra, në një sipërfaqe të përgjithshme prej 26.904,6 ha”.
Pse nuk pasqyrohen këto të vërteta historike në një libër që pretendon se është Historia e Popullit Shqiptar? Përmëndim se puna e kryer nga reforma agrare që nuk del në asnjë vënd është sa dy të tretat e gjithë vëllimit të punës së kryer. Është kjo thjeshtë një haresë? Nuk e besoj. Gjithë puna është në minimizimin e dukurive pozitive që u vërtetuan kur Shqipëria ishte Monarki dhe në krye ishte Mbreti Zog I.

Të bëjmë disa llogari. Tokat që kishin përfunduar matjet dhe ishin marrë në dorrëzim nga reforma agrare mund tu jepeshin fshatarëve pa dhe me pak tokë. Ato zinin rreth 7.000 ha të pronave private dhe rreth 5.000 ha të pronave shtetërore, gjithsej 12.000 ha. Pra, në këtë mënyrë në vitet 1932-1939 u shpërndanë apo ishin tërësisht gati për t’u shpërndarrë mbi 18.000 ha tokë. Kjo do të bënte pronarë rreth 5-6 mijë fshatarë të tjërë.

Historiani do të duhet të bëjë edhe gjykime. Nga rreth 30.000 ha që ishin mundësitë e reformës agrare për t’i shpronësuar pronarët e mëdhenj dhe për të pronësuar fshatarët pa ose me pak tokë, ishin gati për tu shpërndarrë, sikundër përmëndëm 18.000 ha. Pra nga ana statistikore reforma ishte në praguan e realizimit rreth 60 për qind, në mund të shprehemi me shifra. Kjo na bën të kundërshtojmë me forcë autorin që shprehet në faqen 299 të librit se reforma agrare mbeti në fund të fundit “një masë e përciptë, e pjesshme agrare”. Tërësia e arritjeve, shifrat që dhamë e hedhin poshtë këtë pohim.

Këtu do mbajtur parasysh edhe një moment tjetër i rëndësishëm. Reforma agrare po ecte me shpëjtësi në shpërbërjen e pronës së madhe, format i përmëndëm. Në vitin 1945 statistikat dhe dokumentat e kohës thonë se kishte vetëm 82 ekonomi të atyre që i quajmë pronarë të mëdhenj që zotëronin mbi 50 hektarë tokë e që zotëronin gjithsej 31.150 ha. Pra, raporti u përmbys. Përveç pronave shtetërore që, në përgjithësi ishin larg kërkesave për shfrytëzimin për qëllime bujqësore për shkak se pjesa më e madhe nuk ishte nën kulturë, duheshin gjëndur rrugë të tjera për shtimin e sipërfaqeve dhe dhënien e tyre fshatarëve pa dhe me pak tokë.
Në përfundim mund të themi se megjithëse Reforma Agrare demokratike e vitit 1930 ishte e parakohëshme, disi euforike për afatet, ishte një reformë komplekse që i dha shtysë zhvillimit të bujqësisë, futjes së saj me hapa më të shpejta në hullinë e rrugës kapitaliste. Peshorja e gjykimit historik të reformës agrare anon gjithmonë nga arritjet, ndikimi pozitiv në proceset drejt ekonomisë së tregut. Kësaj reforme do t’i duhet t’i jepet vëndi që meriton në Historinë e Popullit Shqiptar.

Shqiptare! Sot më shume se kurrë kerkohet te jemi vigjilentë, t’u çjerrim maskën pseudohistorianëve që ende vazhdojnë ideologjizimin enverist edhe në shoqerinë postkomuniste. Si popull na takon të na thuhet e verteta, ngjarjet historike në rrjedhen e tyre të natyrëshme. Kështu do te ndihemi krenarë për historinë tonë. Të rrëzojmë autoritetet që na kanë mashtruar, gënjyer nëpërmjet shkrimit të falsifikuar të historisë.

Për “Historia e Popullit Shqiptar III”, është rezervuar një vënd – “koshi i plehrave”. Të kerkojme nga historianet e rinj ta shkruajnë nga e para historinë në menyrë objektive, me dokumenta, ashtu sikundër kanë qënë rrjedhat e ngjarjeve. Kështu do të edukohen jo vetëm brezat e rinj dhe ata që do vijnë por, pse jo, edhe brezi jonë që ende vazhdon të jetë i inkriminuar nga makina e stermadhe komuniste e propagandës me veprim shumëvjecar.

-fund-

Shkruani nje pergjigje