Reforma Agrare e vitit 1930 ishte nga më demokratiket

Shkruan:Dr. Teodor KARECO

Vazhdon vlerësimi sipas historiografisë enveriste i Reformës Agrare të vitit 1930.

Dëshiroj ta them që në fillim se në Kreun X-të me autor Prof. Dr. Viron Kokën, janë bërë përpjekje për një rishikim të botimit të vitit 1984. Pra, në këtë rast nuk kemi të bëjmë thjesht me një kopjim të botimit të “Historia e Shqipërisë III” në botimin e ri “Historia e Popullit Shqiptar III”, botim i vitit 2007. Shumë herë janë bërë riformulime, redaktime, ndreqje.

Për t’u shënuar është se në jo pak raste përdoret edhe terminologjia shkencore që e dikton shoqëria postkomuniste ku jetojmë. Kështu ndërsa në botimin e vitit 1984, autori fliste për “Reformat zogiste”, tani, më i moderuar, shkruan me të drejtë për “Reformat e Mbretit Zogu I”.

Por, duke bërë këto retushime apo ndreqje, në thelb mbetet trajtimi sipas historiografisë dhe ideologjisë marksiste-leniniste e enveriste të problemeve të reformave legjislative, përfshirë këtu edhe një ndër rëformat më demokratike të kryer në Shqipëri – atë për Reformën Agrare të vitit 1930.
Ende autori nuk është shkëputur nga ajo psikologjji e ideologji që përjetuam për dekada por që jeta e hodhi poshtë, e përmbysi duke kërkuar që të mos kthehet më pas.

Nuk mund të pajtohem kursesi me pohimin në faqën 296 të librit “Historia e Popullit Shqiptar III”, botim i vitit 2007 kur thotë për Mbretin Zog i I se “Krijimi i mbretërisë ia shtoi ambicien për një shtet të fortë”. Unë gjykoj se vetë kërkesa objektive për krijimin e një shteti të fortë shqiptar, një shteti ligjor, për të kapërcyër atë lëmsh politik të asaj periudhe, për të përmbushur aspiratat e popullit dhe vecanërisht për të plotësuar sugjerimet e shteteve Evropiane, diktuan krijimin e monarkisë. Monarku, ishte i detyruar që të merrte të gjitha masat ligjore e nënligjore për të vendosur shtetin modern shqiptar, një shtet të fortë që do të ishte i barabartë midis shteteve të barabarta të Evropës.

Po kështu nuk mund të pajtohem me thënien e autorit në të njëjtën faqe të librit se “Natyrisht, A.Zogu nuk ishte reformator i tipit evropian, se nuk kishte formim të tillë dhe as mjedisi i bejlerëve që e rrethonte nuk ishte i favorshëm për ta shpënë Shqipërinë përpara. Ai me një këmbë ishte në Lindje dhe me këmbën tjetër në Perëndim”. Jo zoti Profesor, këto konkluzione kanë dalë nga propaganda enveriste. Nuk do të thotë asgjë se ku e ka marrë ky apo ai burrë shteti formimin, në lindje apo në perëndim. Problemi është se cilat qëllime i vë vetes, cilën rrugë zgjedh, në cilën krahë anon. Mustafa Qemal Ataturku, babai i Turqisë moderne, shqiptar me origjinë, kishte arsim lindor, madje ushtarak. Kjo nuk e pëngoi atë që ta transformojë rrënjësisht Turqinë nga ai sistem obskurantist që trashëgoi nga perandoria osmane, në Turqi moderne.

Të njëjtën mund të themi për Enver Hoxhën, katilin që bëri përpjekje pa sukses të shkollohej në perëndim e që pretendonte se anonte nga Evropa, kur në fakt, me diktaturën e tij gjakatare, sistem i pashëmbullt në të gjitha drejtimet anoi gjithë jetën nga lindja me Rusinë e deri te Kina. Zbatoi si një nxënës shëmbullor sistemet e tyre të drejtimit e të organizimit, format e tyre të drejtimit të ekonomisë, deri te “daci-baot” e famshme kur njerëzit shkruanin nëpër mure ato që “gjoja” mendonin.
E kundërta, u vërtetua me Mbretin Zog I. Qysh në hapat e para të pushtetit projektoi, miratoi në organet legjislative dhe nisi të zbatonte një legjislacion modern, të adaptuar sipas kushteve të Shqipërisë nga legjislacioni frances napolonian, italian e të tjerë. Nisur nga viti 1927 e në vijim, nën ndikimin e mbretit reformator, hynë në fuqi Kodi Penal, Kodi Civil, Kodi Tregtar, ligji mbi Reformën Agrare, një varg ligjesh në fushën financiare e të doganave.

Ky legjislacion ishte tepër modern për kohën dhe synonte vetëm e vetëm evropianizimin e Shqipërisë. Do të thosha se ai legjislacion për nga cilësia dhe shkalla e veprimit do të duhet të kihet në një farë mënyre edhe “zili” nga shoqëria e sotme shqiptare. Vetë ju i hidhni poshtë thëniet e mësipërmë “për një kembë në lindje e një këmbë në perëndim”, thënie thjesht ideologjike. Ato të kujtojnë ditet e fundit në pushtet të dikatatorit të paaftë po dinak Alia kur thoshte “nuk jemi as lindje e as perendim”. Të vimë te problemi. Një faqë më tej, dmth në faqën 297, ju përmbysni konkluzionet e mëparshmë duke shkruar se ”Por ato që ndikuan më shumë në përparimin e Shqipërisë ishin reformat në fushën e legjislacionit, që e ndihmuan vëndin të krijonte një shoqëri qytetare me një ngjyrë të kohës dhe që i jepnin dorë zhvillimit kapitalist të tij…Këto kode ishin hartuar sipas modeleve të kodeve të botës perëndimorë.”

Autori është shumë kategorik në konkluzionin ideologjik enverist, kur, më tej, shprehet se “Kodi civil në vëndet e tjera mbështeste plotësisht marrëdhëniet borgjeze dhe nuk i njihte marrëdhëniet pronësore feudale e as mbeturinat e tyre. Kodi civil shqiptar, duke sanksionuar të drejtën e shënjtë të pronës së secilit që e zotëronte, njohu edhe pronat e çifligarëve të mëdhenj, që ishin siguruar me ndihmën e pushtetit osman, si dhe me grabitjen e tokave shtetërore e të fshatarëve.” Pse e çoroditni lexuesin me ideologjizma kur pretendoni se shkruani histori. Jo, si në kodin frances, të formuluar nën drejtimin e të famshmit Napoleon, ashtu edhe në kodet e vëndeve të tjera të Evropës, mbrohet prona, pavarësisht nga origjina. Edhe në Shqipëri, pse është dëshira e historianëve të quhet pronë çifligare, ajo në realitet ishte pronë, qoftë e madhe, e mesme apo e vogël. Në legjislacion nuk mbrohej asnjë marrëdhënie pronësore feudale. Në të kurndërtën, gjithë legjislacioni i kohës, i marrë së toku, pasqyronte qartë edhe rrugët, mënyrat sesi duheshin kapërcyer edhe ato prapambetje të trashëguara në marrëdhëniet nga e kaluara.

Një shtet modern, që pretendon se është pjesë e Evropës nuk mund të prekë, ashtu sikundër predikonte ideologjia enveriste, me “një të rënë të sëpatës” pronën e madhe që ju e kolegët tuaj e quani “çifligare”. Në periudhën që shqyrtojmë, Shqipëria ecte e sigurtë në rrugën e zhvillimeve kapitaliste. Ligji mbronte me fanatizëm të drejtën e shënjtë të pronës. Ideologjizime janë edhe mënyrat e sigurimit të pronës “më ndihmën e pushtetit osman” apo grabitjeve. Çdo pronë ka një origjinë.

Nëse është e vjedhur, e grabitur, shteti ligjor vepron. Mbreti Zog I i ka dhënë vëndit një ndër legjislacionet më të përparuara me Kodin civil, ku gjen pasqyrim me vërtetësi mbrojtja e shënjtërisë së pronës. Kur është puna për disa rregullime, ndreqje, në përputhje me detyrat e kohës, Mbreti Zog I nuk ka nguruar të kryejë reformat përkatëse. Një gjë është e qartë se në ditët e sotme nuk mund të pranohet të shkruhet historia sipas ideologjisë marksiste-leniniste e enveriste që pretendonte se toka e pronarëve legjitimë, qofshin ata pronarë të mëdhenj apo të mësëm, është “e grabitur”. Të gjitha këto nuk çojnë në vënd tjetër veçse në kërkesën themelore të revolucioneve me dhunë për “shpronësimin e shpronësuesve”. Kodet e Mbretit Zog I e kanë zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë problem në rrugë të drejtë, ligjore, demokratike në përputhje me të gjitha të drejtat themelore të lirisë së njeriut në shoqërinë e civilizuar.

Pikërisht duke shtrëmbëruar thelbin e marrëdhënieve pronësore në këtë të ashtuquajtur libër historie shtrëmbërohen problemet e mëdha të reformës agrare. Për këtë problem madhor, sidomos për Reformën Agrare të vitit 1930, që ishte ndër më demokratiket që ka pasur Shqipëria në historinë e saj, spekulohet me mënyra nga më të ndryshmet. Frashëri pothuaj e injoron atë reformë, duke pretenduar për reforma të tjera të karakterit komunisto-proletar, nëpërmjet revolucionit me dhunë. Autori i këtij kreu përpiqet të kufizojë përmasat e kësaj reforme deri sa arrin në mohimin apo në reduktimin “në fund të fundit të mbetej një masë e përciptë e pjesshme agrare”, sikundër shprehet në faqen 299. Vetë redaksia e këtij të ashtuquajturi libër e ngushton shkrimin e kësaj reforme në dy faqe, natyrisht duke synuar në paraqitjen e atyre problemeve që i vinë më për shtat ideologjisë enveriste, vetëm duke mohuar, mashtruar e shtrëmbëruar historinë.
Reforma Agrare – kërkesë objektive e kohës

Shqipëria kishte nisur rrugën e sigurt drejt zhvillimit në rrugë kapitaliste të ekonomisë dhe të shoqërisë. Ky ishte një proces i pandalshëm. Që të garantohej kjo rrugë, kërkoheshin objektivisht edhe reforma të thella jo vetëm në fushën e legjislacionit, por edhe në atë të ndikimit në ekonomi, për të krijuar ato faktorë nxitës që shpejtonin rrugën kapitaliste të prodhimit. Këtu nuk është fjala thjesht dhe vetëm në fushën e marrëdhënieve pronësore, që ishte njëra anë, ndonëse jo më e rëndësishmja. Problemi shtrohej që të gjëndeshin rrugë e drejtime që do të çonin në ecjen më të shpejtë të industrisë, bujqësisë dhe të gjitha degëve të ekonomisë duke përdorur me zhdërvjelltësi metodat e ekonomisë së tregut.

Nuk duhet ta thjeshtojmë problemin në thënien e autorit në faqën 298 se “Nevojën e një reforme agrare në vënd e kishte ndjerë edhe A.Zogu”. Kryerja e një reforme agrare nuk është thjesht një dëshirë, një shpirtmadhësi, një lëshim i një njeriu, qoftë edhe mbret. Kur je në krye të një shteti që ecën në rrugën kapitaliste, veçanërisht kur drejton si Monark, je i detyruar të mbash në konsideratë faktorët që frenojnë apo nxisin prodhimin, të gjesh rrugën për kapërcimin e faktorëve frenues dhe të përkrahësh ato që nxisin, ndihmojnë që ekonomia të ecë përpara. Përvec diktatorit Hoxha që u përpoq me të gjitha mënyrat të ndrydhte prodhimin, duke “tufëzuar” jo vetëm bagëtinë por edhe shpendët, dukë bërë investime kolosale në armatime e në bunkerë, për ta mbajtur një popull të nënshtruar, të bindur e skllav të ideve të tij, të gjithë burrat e tjerë të shtetit kanë synuar prosperitetin dhë begatinë e vëndit. Një ndër ta ishte dhe Mbreti Zog I.

Nuk është e vërtetë historike zoti Profesor, pohimi i faqës 298, kur thoni për reformën agrare se “Në vitet ’20, në kohën e Republikës, qeveria e A. Zogut e njësonte problemin me “bolshevizmin” dhe nuk donte të dëgjonte për të”. Natyrisht ai nuk kishtë si të ishte i një mendimi me ata që kërkonin reforma të karakterit bolshevik duke nënkuptuar atë komunist, ai nuk mund të lejonte që gjaku të derdhej si lumë nga revolucionet proletare. Vetë eksperimenti i hidhur për shumë dekada e në shumë vënde të botës e tregoi këtë. Nuk e kuptoj këtu pse përmënden sot e kësaj dite ato ide të mbrapshta.

Këtu desha të rikujtoj se ideja për reformë agrare nuk lindi kur Ahmet Zogu u bë mbret. Ajo ishte ide e diktuar vite më parë dhe e ideuar vite më parë. Vetë Ahmet Zogu 2 vjet para se të bëhej Mbret i Shqiptarëve, kur ishte Prësident i Republikës, kishtë dhënë porosinë për të studjuar idenë e kryerjes së një reforme agrare në Shqipëri që do të garantonte kapërcimin e prapambetjes së theksuar të bujqësisë. Për këtë në mes të vitit 1929 u hartua një Projekt-Ligj për Reformën Agrare nga Mehdi Frashëri, Kryetar i Këshillit të Shtetit Shqiptar, Said Toptani e Maliq Bushati, deputetë të parlamentit, Agjah Libohova, Kryetar i degës Penale të Gjyqit të Diktimit dhe nga Dr. Vavako, Inspektor i pyjeve. Ky projekt-ligj ishte shtypur dhe përhapur në disa qindra kopje.

Qënia në krye të shtetit si Mbret i Shqiptarëve i Ahmët Zogut, nuk bëri tjetër, vecse të shpejtonte reformën agrare, të formulonte drejt qëllimet e saj, ta vinte mbi baza më shkencorë, demokratike dhe më të pranueshme për realizim. Në këtë kuptim, pavarësisht nga problemet e shumta që dolën në procesin e zbatimit, nuk mund të mos ketë një meritë të vecantë Mbreti Zog I. Historia është e tillë dhe të tillë duhet ta njohin lexuesit.

Me sa e kam studjuar unë këtë problem, në përiudhën që shqyrtojmë, ishte ende herët për të folur për një reformë agrare. Megjithatë shqyrtimi me gjakftohtësi i këtij problemi, se si u konceptua reforma agrare si në gjërësi, ashtu edhe vecanërisht në thellësi, objektivat e saj, jo vetëm të kufizuara në marrëdhëniet agrare, por me “qitje të largët” e të tjera të kësaj natyre, probleme që do t’i argumëntoj më poshtë, më bindin për drejtësinë e veprimeve të Mbretit Zog I. Hedhja e hapit të parë ishte me rëndësi jetike. Koha do të diktonte vazhdimin e mëtejshëm.

Ky veprim për atë që sundonte si monark, ishte në të mirë të popullit dhe të vëndit në mënyrë të pakrahasueshmë shumë herë më shumë në krahasim me aventurat e diktatorit Hoxha për shpronësimin e mandej shtetëzimin e tokës, jo vetëm të atyre që i quante “latifondistë”, “çifligarë” por dhe fshatarit të varfër e të mesëm. Nga parulla të gjithë “me tokë”, “tokën atij që e punon”, në realitët në “popull pa tokë”, toka i “takon shtetit komunist” për të arritur shfrytëzimin deri në palcë, jo vetëm të të papronëvë, por edhe ish pronarëve. E njëjta do thënë për veprimin kriminal ndaj ekonomisë dhe ndaj pronarëve legjitimë të origjinës që bënë mini diktatori Alia me bashkëpunëtorët e tij Nano e Berisha, mbështetur nga Kuvëndi Popullor komunist në vitin 1991. As më pak e as më shumë, me një të goditur të “shkopit të dirigjentit”, duke ia dhënë tokën si të ishin pronari-shtet atyre që do t’u jepnin votën nën parullën e ndarrjes “sipas frymëvë” të popullsisë që banon në fshat. U shkelën kështu dhe vazhdojnë të shkelen të gjitha parimet kushtetuese demokratike dhe të drejtat më elementare të njeriut.

Zotërinj që shkruani historinë, tregohuni më të kujdesshëm, pasqyroni realitetin. Kur doni të mbroni ideologji të caktuara bëni dhe paralelizma. Gjykimi shkencor kërkon që të jeni më objektivë në vlerësime, mos u diktoni brezave histori të gabuara dhe, për më shumë të ideologjizuara.
Është e vërtetë që ndër kushtet që diktonin shpejtimin e një reforme demokratike agrare, ishte prapambetja e thellë e ekonomisë në tërësi dhe e industrisë dhe bujqësisë në vecanti. Jo vetëm që nuk bindem unë, por nuk duhet t’u diktojmë lexuesve dhe brezave pohime të gabuara dhe jo shkencore si ajo e faqës 298 kur thoni së “plaga më e rëndë e vëndit në këtë përiudhë ishte gjëndja e keqe e bujqësisë, e cila sa vinte përkeqësohej më shumë për shkak të marrëdhënieve ekzistuese”.

Duke pranuar gjëndjen jo të mirë të bujqësisë për një shtet që aspironte përparimin, nuk mund të pranojmë se kjo gjëndje vinte duke u përkeqësuar. Kam paraqitur argumenta kur denoncoj Frashërin për të njëjtin qëndrim. Bujqësia shqiptarë, po e ritheksoj, ishte e prapambetur, me nivel të ulët zhvillimi, shkaku kryesor nuk janë thjesht dhe vetëm marrëdhëniet agrare, por ajo çka u trashëgua nga pesë shekuj nën perandorinë osmane, nga luftrat e shumta të zhvilluara në teritorin e Shqipërisë për vite të tëra, nga lëkundjet e theksuara në fushën politike, ndërrimi i qeverive, mungesa e investimit të kapitaleve, institucioneve të kreditit e të tjera të kësaj natyre. Pa stabilitet nuk mund të ketë zhvillim. Të ndalemi në dy momente kryesore:

Së pari, pse u diktoni regresin lexuesve dhe brezave? Edhe nëse ka ndodhur kështu, pse nuk jepni faktë, dokumenta? Gjykoj se nuk jeni munduar ta bëni këtë, sepse “prishen” standartet ideologjike të historiografisë. Bujqësia shqiptare ecte me ritme të ngadalta. Megjithatë duhet të theksojmë se në periudhën që shqyrtojmë, as në vitet e krizës ekonomike, nuk ka pasur “përkeqësim” që nënkupton rënie, frenim të prodhimit. Në ato vite, vërtet të vështira, fshatari shqiptar ka bërë përpjekje të stërmundimshme që të zbustë sa të mundej më shumë ndikimin e krizës që shfaqej më shumë në fushën financiare nëpërmjet uljës së çmimeve. Po japim disa shifra mbështetur në të dhënat e Arkivit Qëndror të Shtetit (Fondi 898, Dosja 20):

Sipërfaqa dhe prodhimi i grurit dhe misrit për
vitet 1929-1931 dhe vitët 1932, 1933 dhe 1934.

Viti Misër
Sipërfaqja, ha Grurë

Sipërfaqja, ha Misër
Prodhimi, ton Grurë

Prodhimi, ton
Mesatarisht

1929-1931

73.000

29.288

100.800

32.230

1932 74.514 36.692 107.611 42.221

1933 77.295 43.329 109.322 65.083

1934 94.637 38.947 147.578 44.300

Viti 1934 në krahasim me vitet 1929-1931 në %

129,64

132,98

146,41

137,45

Me gjithë ndonjë lëkundje, qe është e natyrshme për bujqësinë, prodhimet kryesore të bujqësisë, sidomos prodhimi i grurit dhe misrit, edhe në periudha krize, kanë ardhur duke u rritur. E njëjta ka ndodhur edhe me prodhimet blegtorale. Këto vite diktuan nevojën ë shtimit të sipërfaqes së mbjellë me bimë të arave e sidomos me misër e grurë.
Të dhënat e mesipërme hedhin poshtë edhe konkluzionin tjetër të Profesorit në të njëjtën faqe të librit që denoncojmë, kur thotë së “Për shkak të rendimenteve të ulëta dhe të konjukturës së çrregullt të çmimeve, çifligarët kishin më shumë interes t’ua jepnin si më parë tokat e tyre me qira blegtorëve si kullota, se sa çifcinjve për t’i punuar. Tani në Myzeqe siguroheshin të ardhura më shumë nga kullotat, se sa nga prodhimi bujqësor”.
Fakti që në Shqipëri janë siguruar më shumë të ardhura nga kullotat, se sa nga bujqësia, pra, nga tokat e mbjella me kultura bujqësore, nuk është dukuri e re.

Kjo për arësye se historikisht Shqipëria ishte një vënd blegtoral; fshatarët, para se të ishin bujq, ishin në radhë të parë blegtorë. Por me këtë pohim hidhni poshtë “historinë” që bën kolegu juaj që lë në harresë këtë degë të rëndësishmë të prodhimit material. Nga ana tjetër ju “zbuloni” punën e përciptë e pa përgjegjësi që profesorati kolektiv ka bërë në rolin e redaktimit, ku lejon që “njëri t’i bjerë gozhdës e tjetri patkoit”.

Por, Profesor, nuk është thjesht interesi i atyre që ju i quani “çifligarë” për të dhënë me qira tokat për kullota sepse kishin përfitim më të madh. Shifrat që dhamë për sipërfaqen e grurit dhe të misrit dëshmojnë të kundërtën. Si në mbarë Shqipërinë, ashtu edhe në Myzëqe, madje më shumë këtu, u dhanë më tepër toka për prodhim bujqësor; sipërfaqja me kullota erdhi duke u tkurrur. Domosdo, që të ardhurat nga kullotat në tërësi të ishin më të larta, sepse ato zinin ende një peshë të rëndësishme të tokës bujqësore. Për të bindur lexuesin, po japim të dhënat që vijojnë:

Struktura e tokës në Shqipëri mesatarisht për vitet 1929-1932

Kategoria e tokës Sipërfaqja në hektarë Struktura në
për qindje

-Sipërfaqja e tokës së Shqipërisë gjithsej: 2.875.000 100,00

I- Toka bujqësore: 1.125.000 39,1

1-Toka nën kulturë 155.000 5,4

2-Livadhe e kullota 970.000 33,7

II- Pyje 1.350.000 47,0

III-Tokë joproduktive 400.000 13,9

Shënim: llogaritjet janë bërë, mbështetur në të dhënat e kadastrës, botime dhe dokumënta të AQSH. Në llogaritje është përdorur edhe metoda e vlerësimit ekspert.

Në vitet që shqyrtojmë, natyrisht, si nga pronarët e mëdhenj, apo ata që profesorati i quan “çifligarë”, ashtu edhe nga borgjezia e fshatit dhe shteti do të jepeshin toka me qira për kullota, se ato në sipërfaqe zinin 6,26 herë më shumë tokë se ajo që ishte nën kulturë. Por kjo nuk mund t’ju çojë në konkluzionin se, meqë të ardhurat për shkak të rendimenteve të larta dhe konjukturës së çmimeve në bujqësi, ishin të ulëta, o burra t’i japim me qira për kullota. Ndërsa do pranuar për arësyen që shpjeguam se në tërësi të ardhurat nga prodhimi blegtoral, pra nga kullotat ishin më të mëdha, nuk mund të pranojmë se kjo dukuri vërtetohet edhe për një hektar kullotë. E kundërta është e vërtëtë. Megjithëse në prona të vecanta, për kushte e rrethana të caktuara, kur kullota është më produktive se toka nën kulturë, mund të jetë vërtetuar në të rrallë konkluzioni i mësipërm, në tërësi është shtrëmbërim i historisë. Edhe këtë po jua faktoj.

Nëse për një moment abstragojmë nga një tok faktorësh dhe supozojmë se të ardhurat nga bujqësia sigurohen nga toka nën kulturë dhe ato nga blegtoria nga shfrytëzimi i livadheve e kullotave, (këtu shfrytëzohen edhe burime të tjera si pyjet, tokat e pafrytshme, madje në pjesë të vitit edhe toka nën kulturë), do të kemi këto të dhëna për të ardhurat në franga ar për një hektar:

Prodhimi i përgjithshëm për një hektar tokë nën kulturë
dhe një hektar tokë livadhe e kullota,
mesatarisht në vitet 1929-1932, në franga ari
Bujqësia

Blegtoria Treguesit e blegtorisë ndaj
bujqësisë në përqindjë (%)

-Sipërfaqja, në hektarë (për bujqësinë sipërfaqja nën kulturë, për blëgtorinë sipërfaqja e zënë me livadhe ë kullota)

155.000 970.000 625,8
-Prodhimi i përgjithshëm bujqësor e blegtoral, në franga ari

27.000.000
41.000.000
151,9

-Prodhimi i përgjithshëm bujqësor e blegtoral për një hektar tokë të zënë me kulturat e arave e kullota e livadhe, në franga ar

174,2

42,3

0,24

Megjithëse blegtoria prodhonte 51,9 për qind më shumë në krahasim me prodhimin e bujqësisë, për shkak se në përdorim të saj kishtë mbi 6 herë më shumë tokë, domosdo prodhimi për një hektar ishte disa herë më i vogël. Shifrat dëshmojnë se prodhimi i siguruar nga shfrytëzimi i një hektari të livadheve e kullotave për blegtorinë ishte mbi 4 hëre më i vogël se prodhimi i siguruar nga një hektar tokë nën kulturë. Blegtoria kishte një karakter shumë më të theksuar ekstensiv se bujqësia. Shifrat janë të tilla që duhet t’i bëjë të mëndojnë profesorët autorë dhe redaktorë të librit, kur nxjerrin konkluzione.

Së dyti, nuk mund të pranohet që thjesht ndryshimi i marrëdhënieve në pronësinë e tokës, është “çelësi magjik për në botën e çudirave”, për kapërcimin e prapambetjes së theksuare të trashëguar. Më vjen për të buzëqëshur, kur lexoj në libër, tek thoni së “Për qarqet përparimtare të Shqipërisë zgjidhja e “problemit të bukës”…lidhej me çështjen themelore të përmirësimit të gjëndjes së ekonomisë bujqësore, duke e bërë bujkun pronar të tokës dhe duke ndihmuar me kredi”.

Buzëqesh me qesëndi, se më kujtohen parullat në male, kodra, ish kooperativat mjerane të bujqësisë, në çdo mur ku shkruhej së “lufta për bukën, luftë për socializmin”. Këto janë koncepte enveriste të neveritshme. Në një ekonomi që aspiron të ecë në rrugën e tregut, në një shoqëri të hapur me synime drejt Evropës nuk shtrohet problemi i bukës. Shtrohet problemi që të çojnë përpara ekonominë bujqësore duke prodhuar ato produkte që ka më shumë leverdi. Nëpërmjet këmbimit në import eksport, përballohen të gjitha nevojat, duke përfshirë edhe ato të bukës, një lloj si në të gjitha vëndet e tjera të botës. Natyrisht, kjo ndodh kur nuk synon të zbatosh “mbështetjen tërësisht në forcat e veta”, mbylljen në vetvehte që, natyrisht, dikton sigurimin e bukës.

Të vimë te problemi. Nuk mund të pranoj që për periudhën përkatëse historike që diskutojmë , bërja e “bujkut pronar” do të përmirësonte gjëndjen mjerane të bujqësisë. Nuk e mohoj, por ky problem nuk është ndër të parat nga radha. Është paraqitur kështu në libër për shkak të inercisë, të mënyrave si trajtohej ky problem në kohën e komunizmit. Nuk është bërë përpjekje që, me ribotimin, të gjënden shkaqet e rrugët reale për të shkuar përpara.

Problemi numër një, veç faktorëve të tjerë është mungesa e tokës së punueshme, tokës arë. Ky problem nuk zgjidhet thjesht me ndryshimin e pronësisë. Gjatë viteve që shqyrtojmë, fshatari shqiptar nuk kishte mjetet e nevojshme financiare e rrjedhimisht teknikë për të mbarështruar prodhimin në tokat ara, në tokat pjellore. Kaq më i mprehtë bëhej ky problem, po t’i vihej në dispozicion tokë jo e punueshme që kërkonte investime relativisht të mëdha.
Po sjell të dhënat e shkallëzuara sipas madhësisë së pronës që quhej e madhe në vitin 1929 (Përpunuar sipas dokumentave të:AQSH, Fondi 279, viti 1929):

Grupimi i pronave sipas madhësisë së tokës në vitin 1929

Grupimi i pronave, në hëktarë Numri i pronave Toka në hektarë Mesatarja në
hektarë për një pronë

5.000 ha ë lart 7 38.500 5.500

2.000 – 4.999 ha 9 28.500 3.167

1.000 – 1.999 ha 9 10.300 1.144

500 – 999 ha 6 3.700 617

300 – 799 ha 11 4.000 364

200 – 299 ha 9 1.900 211

100 – 199 ha 19 2.493 131

50 – 99 ha 12 675 56

10 – 49 ha 20 545 27

Nën 9 ha 13 85 6,5

Gjithesej 115 90.698 788

Dokumentat tregojnë se në vitin 1929, dmth në vitin kur po flitej për reformë agrare, por, pa u dekretuar, kishte ende pronarë të mëdhenj, që e drejtonin dhe organizonin ekonominë bujqësore jo si ekonomi të mëdha por nëpërmjët sistemit të bujqve dhe bujqve sipërmarrës. Natyrisht jo thjesht marrëdhëniet, por mungesa e investimeve në bujqësi, shfrytëzimi ekstensiv i tokës dhe, në shumë raste mungesa e krahëve të punës, ndikonin në ruajtjen e niveleve të ulëta të prodhimit. E theksuam këtë të fundit se në Shqipëri vërehej një paradoks, ndërsa pronat që përmëndëm, apo ato që quheshin çifliqe, ishin në përgjithësi të shtrira në zonën bregdetare, veçanërisht në Myzeqe, në ato zona jetonte një pjesë e vogël e popullsisë, madje e papërfillshme.

Dokumentat dëshmojnë se në këto prona në përgjithësi ishte nën kulturë 25-30 për qind e tokës. Në tokat në pronësi të shtetit toka nën kulturë arrinte në 21 për qind të totalit. Ka patur fshatra të tëra në pronësi të shtetit ku toka nën kulturë ishte shumë e vogël. Kështu në Gradishtë me 2.163 ha, toka nën kulturë zinte 3,8 për qind, në Ferras Naço me 4.225,5 ha zinte 1,6 për qind, në Irriqas me 918,8 ha zinte 4 për qind, në Kryëkuq me 2.422,6 ha zinte 7,3 përqind e kështu me radhë. Në fshatin Sheq i Madh nga 2.114 ha tokë në pronësi, rreth 2.000 ha ishin kënetë, etj. Po të bëjmë llogaritje, del se në pronat e mëdha private duke përfshirë edhe tokat në pronësi të shtetit, nuk kishte më shumë se 40 – 45.000 hektarë nën kulturë. Nga rreth 155 mijë hektarë që ishte në ato vite toka nën kulturë e vëndit, toka që pretendohet se do ti nënshtrohesh rishpërndarrjes përmes reformës agrare, nuk arrinte as 30 për qind. Ndal, edhe këtu do mbajtur parasysh se nëpërmjet reformës agrare do të bëhej detyrimisht një shpërndarrje e rishpërndarrje e pronës midis vetë pronarëve,
trashëgimtarëve, në hullinë e tregut një pjesë e tokës do shitej e blihej, një pjesë do të zotërohej përsëri nga pronarët ekzistues mbi bazën e fermave kapitaliste e të tjera si këto.

Atëherë natyrshëm lind pyetja: çfarë ndikimi ka në bujqësinë shqiptare bërja “pronarë” e të “papronëve” në periudhën që shqyrtojmë, a do të sjellë përmbysjë në nivelin e bujqësisë? Ndikimi është i papërfillshëm; bujqësia do të vazhdonte të lëngontë për shumë e shumë vjet. Ndryshimi i pronësisë së tokës në 15-20 për qind të tokës së punueshmë, në kushtet ekonomike të bujkut shqiptar, pothuaj se nuk do të sillte ndonjë ndryshim që do të ndihej, sado pak, në bujqësinë e vëndit.

Në fundin e viteve ’20 u gërshëtuan një varg faktorësh që arritën një shkallë të tillë pjekurie sa e bënë të pashmangshëm Reformën Agrare. Në vargun e këtyre faktorëve ato që lidhen me “pronësimin” e të “papronëve” – ishin më të fundit në renditje.
Na duken të papranueshme dhe shumë të politizuara e ideologjizuara mendimet e shfaqura në dekadat e fundit në shtypin zyrtar apo dhe “shkencor”, përfshirë edhe tekstin që denoncojmë se Ahmet Zogu si Mbret i Shqipëtarëve e dekretoi Reformën Agrare për të arritur qëllimet e tij politike, për të mashtruar popullin si Mbret “reformator”, për të trëmbur apo frikësuar kundërshtarët e tij politikë në radhët e shtresave të pronarëve të mëdhenj të tokave etj. Edhe autori i kreut që citojmë mban të njëjtin qëndrim.

Në faqen 298 të librit ai thotë se “Prandaj A.Zogu nga njëra anë donte të ushtronte presion mbi disa prej tyre (çifligarëve-shënimi imi) me anë të reformës, ndërsa nga ana tjetër donte të kënaqte disi kërkesat fshatare, në mënyrë që të mënjanonte konfliktet sociale”. Këto qëndrime ideologjike janë të papranueshme për një tekst që pretendon se pasqyron historinë e popullit shqiptar. Ato janë të ngjashme si “dy pika uji” me deklarimet e mashtrimet njëheresh të kriminelit diktator Hoxha kur në Raportin në Kongresin I të PKSH “Mbi punën e Komitetit Qëndror dhe detyrat e reja te Partisë” më 8 nëntor 1948 (Enver Hoxha, Vepra, vell. 5, f. 205). Ndër të tjera ai deklaronte se Zogu, duke shpallur se do të zbatonte reformën agrare, synonte:

Së pari, të mashtronte masat punonjese fshatare dhe kështu te zbuste zemërimin e tyre kundër klasave sunduese, kapitalit të huaj dhe regjimit në fuqi.

Së dyti, të mashtronte opinionin publik të brendshëm e të jashtëm, duke hequr veten si reformator, si njeri përparimtar. Dhe së treti, synonte të frikësonte disa bejlerë që ishin rivalë te tij dhe kështu t’i nënshtronte ata. Edhe njëherë më lind pyetja- a duhet të vazhdohet të abuzohet me perifrazimet e një monstre të popullit për te shkruar historinë? Natyrisht qe jo. Historianë jepini fund këtyre tragji-komedive.

Nuk e kam fjalën thjesht se mund të mënjanohen rastet që synime të caktuara politike të arrihen duke shfrytëzuar tërësinë e gjithë atyre faktorëve që diktonin reformën agrare. Por, është jo logjike dhe e pabazuar shkencërisht që të ngushtësosh, të përmbledhësh apo të lësh mënjanë një varg të tërë faktorësh të natyrës objektive, dhe t’ia atribosh ato një apo një grupi personash. Kushtet objektive nuk mund të barazohen me dëshirat, interesat apo veprimet e një njeriu, qoftë ky edhe Mbret.

Po, një njeri, një grup njerëzish në qeveri, parlament mund dhe duhet të ndikojnë që, në përputhje me kushtet që veprojnë objektivisht të marrin ato masa që dikton koha. Pikërisht këtë bëri edhe Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve. Jo vetëm se ishte Mbret Reformator, sikundër është cilësuar, por, ai pati nuhatjen, zgjuarsinë, intelektin ta njohë situatën, faktorët që ndikonin në mënyrë të ndërsjellë në gjëndjen ekonomike të Shqipërisë në tërësi dhe të bujqësisë në vecanti. Pikërisht duke u mbështetur në këtë shkallë njohjeje ai urdhëroi studimin mbi reformën agrare dhe mandej, kur erdhi koha edhe e dekretoi atë, të parën e këtij lloji në Shqipëri.

-vijon-

Shkruani nje pergjigje