Është rritur agresiviteti:Ku të shkarkojmë energjitë negative?!

Nga:Anila PRIFTI

Agresiviteti, inati, ndjenja e shkatërrimit, instinkti i vdekjes, e që Frojdi në librat e tij me një fjalë të vjetër greke e quante: Tanatos, po mbyt shoqërinë shqiptare. I shfaqur në format e tij të dhunshme individuale, në jetën e përditshme; vëllai urren ose vret vëllain, komshinjtë rrihen me njëri tjetrin, vritet shoferi për parkim, burri rreh gruan, prindërit dhunojnë fëmijët, kafepirësi urren kalimtarin, ekzekutohet për një dele etj.


Si një shoqëri e papërpunuar në institucionalizimin e hipokrizisë, në fshehjen e urrejtjes ndaj njeri tjetrit, niveli i agresivitetit shfaqet banal, deri në formën e urrejtjes sy më sy; është i drejtpërdrejtë; një person mund të nxjerrë armën e të vrasë tjetrin pse ai e shikon në sy. Numërohen me dhjetëra raste të tilla akte kriminale që ndodhen vitin e kaluar e që policia i motivoi “krim banal për shkak të konfliktit të çastit”. E lartë është dhe shifra e vrasjeve në familje për një fjalë, për një shikim jo normal pa shtuar këtu numrin e rasteve të dhunës pa pasojë vdekje, i cili disafishohet
Shoqëria duhet të shkarkohet edhe fizikisht

“Duhet të ndajmë agresivitetin si sëmundje dhe agresivitetin në nivel social. Të parët, të prekur nga sintomat psikike duhen mjekuar me çdo kusht, ndërsa pjesa tjetër agresive ku futet një numër më i madh i shoqërisë duhet të aktivizohen fizikisht, të punojnë, të gjejnë forma për të shkarkuar energjitë negative e të kthejë atë në energji pozitive, të ndërtojë diçka”, thotë profesor psikiatër Vuksan Kola. Për rrjedhojë të mendimit të psikiatrit sjellim faktet e mungesës së “fronteve”, ku shoqëria shqiptare mund të shkarkojë atë që cilësohet energji negative, që sipas filozofëve është e njëjtë kudo, por në vendin tonë forma e shfaqjes së saj në agresivitet është në tregues alarmant, aq sa shpesh edhe nga shtypi apo raportet ndërkombëtarëve etiketohemi “shoqëri agresive, e dhunshme”.

Afro gjysma e shoqërisë aktive është e papunë, nuk ka aktivitete fizike, një numër shumë i vogël merret me sportin, nuk ka luftë, s’ka punë vullnetare, nuk ka zbore e aksione të gjithë duan të fitojnë e të jetojnë në pasivitet dhe një numër i lartë i të prekurve nga sëmundjet mendore dhe ato emocionale nuk kurohen, ose nuk mundësohen ekonomikisht për një proces të tillë.
Agresiviteti që vjen nga politikanët në luftë për poste

Në Gjermani një qendër studimi me filozofë e psikiatër, kanë arritur në përfundimin se mbarë shoqëritë në botë kanë rënë në kurthin e mungesës së aktivitetit fizik dhe agresiviteti individual më pak formë (përpunim) mund të kalojë lehtësisht në agresivitet kolektiv – i shmangur deri diku për momentin – i cili drejtohet kundër qeverive, kundër shteteve e pjell luftëra, racizëm e masakra. Psikoanalistët mendojnë se shoqëria shqiptare ka shfaqur vetëm agresivitet individual social. Si rrjedhojë e tij; ka torturë në qeli, agresivitet në rrugë, çdo ditë një akt dhune, një vrasje në javë etj. Gjithashtu ata mendojnë se agresiviteti shfaqet nga drejtuesit e politikës me fjalorin e tyre e vazhdon deri tek shtresat më të vobekta të shoqërisë. Prifti anglez Maltus, kur në Angli sundonte varfëria (1789) tha se; ata (politikanët) grinden dhe urrehen sepse gjëja më e rrallë, më e paktë në botë, nuk është floriri, por pushteti. “Stresi është agresiviteti që kemi me veten e me të tjerët, ai kërkon të shkarkohet diku, ndaj ndodhin vatëvrasje dhe vrasje, psikanaliza e shpjegon mjaft mirë këtë proces. Shoqëria jonë lëviz në kaotizëm dhe agresiviteti është kudo”, thotë sociologu Edmont Dragoti. Statistikat e policisë treguan se vitin e kaluar një person në javë vrau veten, dy të tjerë tentuan të njëjtin akt, në gjykatën e Tiranës; çdo ditë u regjistrua një konflikt civil për arsye të paqarta.

Shkruani nje pergjigje