Feja kërkon vëmendje…

Nga:Artur NURA

Sipas mjaft studiuesve të njohur, feja ka marrë një rol shumë domethënës për mbarë globin dhe shoqërinë njerëzore pas ngjarjeve të 11 shtatorit, datë e cila forcoi më shumë ndarjen e zhvillimit shoqëror global në të krishterë dhe myslimanë. Në fakt, ky konfigurim fetar përkon respektivisht, me përjashtime të caktuara, edhe me harta territoresh gjeopolitikë më të pasura dhe më të varfra.


Personalisht, nuk di të them nëse ky konfiguracion gjeopolitik dhe demografiko-social vlen edhe për popullsinë shqiptare të shtetit amë, por edhe në Maqedoni, Kosovë e më gjerë! Por, pa dyshim që duhet thënë që ky dimension duhet konsideruar me kujdes ngado ku jetojnë bashkëkombasit tanë që përgjithësisht deri në ditët e sotme u kanë mbijetuar me sukses përplasjeve të ndryshme kulturore dhe fetare.

Personalisht, besoj se ky rezultat kaq pozitiv ka mundur të ndodhë vetëm sepse shqiptarët nuk kanë qenë kurrë fanatikë në raport me fetë e tyre! Sigurisht që ka arsye të ndryshme, të cilat kanë i shtyrë shqiptarët të mos jenë fanatikë. Dikush mund të thotë që kjo ka ndodhur sepse shqiptarët nuk kanë qenë kurrë besimtarë të mirëfilltë!

Por personalisht, besoj se shqiptarët kanë qenë as më shumë dhe as më pak besimtarë se fqinjët e tyre. Pa dyshim historia e tyre gjeopolitike midis interesave të ndryshme antagoniste si kulturorë, ekonomikë dhe sigurisht fetarë ka stimuluar një “shqisë” të efektshme antifanatike tek ta.

Këtë “shqisë” pa dyshim që e kanë ideuar dhe stimuluar mendjet e ndritura të shqiptarëve të mëdhenj, të cilët edhe me themelimin e shtetit të parë shqiptar e ngritën atë mbi baza laike dhe këto baza nuk u shterën kurrë edhe në historinë tonë moderne dhe të vështirë.

Në ditët e sotme në Shqipëri

Në Shqipëri, në ditët e sotme, autoritet e larta të shtetit mendojnë dhe impenjohen për fenë vetëm kur ka kremtime të festave të ndryshme ku dalin në TV dhe urojnë, sigurisht duke mos harruar me të drejtë të nënvijëzojnë harmoninë fetare tradicionale midis shqiptarëve.

Por, momentet e kremtimeve fetare prezantojnë vetëm anën sipërfaqësore të jetës shumëdimensionale të këtyre komuniteteve në Shqipëri dhe më gjerë. Ato janë krejt formale dhe nuk duhet të kenë shume të bëjnë me jetën komplekse të këtyre institucioneve dhe jo më të besimtarëve përkatës.

Personalisht, duke qenë mbështetës publik i filozofisë volteriane, e cila na mëson që edhe nëse Zoti nuk ekziston, duhet ta krijojmë vetë atë, dhe mbështetur në teorinë relative se individi i afrohet fesë përgjithësisht kur është në nevojë, gjykoj që pushteti politik të jep mjaft mundësi të zgjidhësh shumë nga problemet ekzistenciale, ndaj apriori, pjesa më e mirë e autoriteteve rezulton të mos jenë besimtarë.

Një e drejtë e tyre e pakundërshtueshme, por kjo pa dyshim që nuk e justifikon mosvëmendjen e tyre ndaj fesë dhe fenomeneve relative, komplekse të lidhura me të dhe shoqërinë. Kjo nuk mund të justifikojë kurrë faktin që komunitetet fetare të funksionojnë akoma në bazë të ligjit për OJF-të.

“Për fat të keq, feja është përdorur gjithmonë dhe historikisht nga politika”, – më ka thënë dikur shqiptari i mençur Mentor Çoku, në periudhën e fundit të jetës së tij si përfaqësues i fesë myslimane në Romë.

Me këtë dritë vështrimi logjik, më duhet të deklaroj bindjen time se institucionet publike të shtetit shqiptar nuk dinë asgjë se ç’bëhet në kishat dhe xhamitë e shumta të ndërtuara së fundi në territorin shqiptar! Bindje kjo personale dhe për hir të së vërtetës e pakonfirmuar me fakte, por absolutisht shumë e mundur.

Atëherë, nëse investues i tyre nuk është shteti shqiptar, a dihet cilët janë investitorët? Apriori, besoj se investitorët e tyre vijnë nga të gjitha anët e botës, e cila siç e thamë që në fillim të këtij shkrimi, ndodhet në një moment thelbësor midis kulturave, ekonomive dhe feve të ndryshme! Logjikë që të shtyn në nevojën pa dyshim të një kujdesi institucional serioz për rastin.

Në Kosovë dhe Maqedoni

“Ne e dimë se një nga arsyet që çamët janë ndëshkuar, ka qenë përkatësia e tyre fetare, por ne jemi po ashtu të bindur se kjo ka ndodhur sepse në atë botë, në mënyrë abuzive, të gjithë ortodoksët quheshin grekë dhe të gjithë myslimanët turq. Por, përtej gjithë kësaj, çamët kanë qenë dhe do të mbeten shqiptarë të pastër dhe patriotë, ndaj ne kemi zgjedhur shqiptarinë si mjetin më të fuqishëm të zgjidhjes së kësaj çështjeje”, – do të deklaronte z. Tahir Muhedini, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Integrim në marshimin tradicional të Qafë-Botës më 27 qershor në përkujtim të martirëve të Çamërisë.

Kjo filozofi e çamëve duhet bërë refren për të gjithë shqiptarët e Ballkanit. Po kështu, besoj që ky refren bëhet më i nevojshëm edhe për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, ku ata bashkëqeverisin me aktorë të tjerë: në Kosovë me ndërkombëtarët dhe Maqedoni me maqedonasit ortodoksë.

Deri më tani në këto troje, por edhe më gjerë, shqiptarëve u është dashur të jenë më shumë myslimanë edhe për të mbijetuar më lehtësisht në pikëpamjen kombëtare, e cila është ballafaquar tradicionalisht me strategji të ndryshme asimilimi nga fqinjët e tyre joshqiptarë dhe përgjithësisht ortodoksë.

Në ditët e sotme situata është pa dyshim krejt ndryshe dhe këtë e vërteton në mënyrën më inteligjente rasti i Kosovës, e cila sapo u shpall shtet i pavarur, pa dyshim edhe nën shembullin e Shqipërisë, aprovoi Kushtetutën e saj laike në mënyrë domethënëse dhe për t’u komplimentuar.

Pa dyshim, përtej problemeve që ajo mund të prezantojë në drejtime të tjera, mund të thuhet se një gjë e tillë ndodhi kur në pushtet janë forcat politike të cilat kanë dalë nga lufta për çlirim të Kosovës dhe mbi të cilat, në fillimet e tyre u hodhën akuza si fundamentalistë myslimanë.

Kujtoj këtu faktin që ish-kryeministri italian, Masimo d’Alema, ka deklaruar se qeveria e tij kishte mbështetur ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova dhe LDK-në, sepse kishte informacion se në radhët e UÇK-së kishte frymë fondamentaliste myslimane, e cila mund të mbizotëronte Kosovën e pasluftës.

Ditët e sotme i kanë dhënë një përgjigje serioze këtij supozimi i cili mund të ketë qenë edhe abuzim artificial. Por, edhe në Kosovë, ku probleme të ndryshme shfaqen herë pas here, nuk mund të mjaftohemi me kaq dhe duhet vazhdimisht vëmendje institucionale shtetërore dhe intelektuale me refrenin e shqiptarizmës.

Por, për të mos lodhur durimin e lexuesit, dua të them se i njëjti fenomen historik ka ndodhur dhe ndodh edhe në Maqedoni, ku herë pas here përdoren me keqdashje përkatësia myslimane e shqiptarëve.

Sot, besoj se në këto troje edhe më gjerë, shqiptarët duhet të mbajnë besimin fetar që kanë, por duke mos harruar kurrë se shqiptarizma është feja më afër Zotit për ta.

Shkruani nje pergjigje