Sfidat e Integrimit të Shqipërisë





Nga:Harilla GOGA



Kur shqiptarët dolën nga izolimi i gjatë, ata u përfshinë të gjithë si popull nga vrulli dhe dëshira e madhe për të parë, shijuar dhe jetuar atë që ua patën ndaluar me dhunë për dekada të tëra – botën perëndimore, demokracinë dhe zhvillimin e lirë të individit. Edhe gati 2 dekada më pas, ku Shqipëria ka përjetuar lirinë bashkë me sfidat për ta jetësuar atë në psikologjinë shqiptare apo edhe ka kapërcyer trauma sociale, ekonomike e politike të prodhuara sa nga vetvetja apo nga rrethanat rajonale, ata nuk e ulën asnjëherë evropianizmin e tyre.

Është bindje? Rikthim në rrugën e nisur të shqiptarit evropian ndërprerë me instalimin e sistemit komunist? Apo më tej, rikthim i natyrshëm në rrënjët e tij iliro-shqiptare evropiane?

Analiza mund të zgjerohet duke arritur në përfundime të ndryshme. Mendimi im është se evropianizmi shqiptar është më shumë natyrshmëri ku shpaloset një dëshirë dhe shpirt që buron nga rrënjët e largëta apo të afërta evropiane të tij sesa bindje. Kjo është e tillë, pasi bindja dhe ndërgjegjësimi për demokracinë dhe integrimi i shqiptarëve në strukturat euro-atlantike është dhe përbën në radhë të parë një proces edukimi, shkollimi dhe përvojë praktike të cilat shqiptarët sapo i kanë nisur.

Pikërisht, nën këtë kënd dhe dimension është, shquhet dhe testohet roli i politikës shqiptare.


* * *


Historia tregon se zhvillimi i kombeve shpesh ka qenë kushtëzuar nga faktorë jo të brendshëm. Shqipëria ndoshta mund të përbëjë shembullin unik të një rasti të tillë në Evropë ku historia e zhvillimit të saj ka qenë më shumë se dramatike, pikërisht nga influenca decizive e faktorëve të jashtëm.

Por, e tashmja dëshmon fuqishëm se ndoshta për herë të parë, kahja e historikes shqiptare nën këndin e faktorit të jashtëm është ndryshuar dhe ka marrë rrjedhën e fortdëshiruar thellësisht. Kështu, vektorët e zhvillimit dhe përparimit në ambientin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar në tërësi, kanë kahje shqiptare: krijimi i shtetit më të ri në botë, Kosova demokratike, Ballkani historikisht i trazuar ka kapërcyer përfundimisht ballkanizimin e tij drejt evropianizimit nëpërmjet një seri tryezash dhe formash bashkëpunimi dhe kooperimi rajonal të hapur dhe më miqësor; Bashkimi Evropian i cili, krahas përballjes me sfidat e brendshme, është i pandalshëm drejt zhvillimit duke përbërë polin më tërheqës të përparimit ekonomik, social dhe demokratik; NATO-ja përforcon dhe rrit natyrshëm besimin qytetar në demokraci dhe përparim.


Ky është ambienti politik, ekonomik, social dhe ai i sigurisë më i favorshëm që Shqipëria dhe shqiptarët kanë njohur ndonjëherë.Ky është fati ynë.



Influenca e një ambienti të tillë natyrshëm ndikon në forcimin e bindjeve evropiane të shqiptarëve, por që është proces dhe në proces. Nga ana tjetër, elementët dhe faktorët e brendshëm të forcimit të bindjeve të tilla dukshëm shfaqen më pranë shqiptarëve, rrjedhojë e zhvillimeve pozitive demokratike sidomos të viteve të fundit. Kështu, kanë përbërë dhe përbëjnë forcim të bindjes evropiane të shqiptarëve kur ata jetojnë një realitet shoqëror me zhvillim drejt normalitetit dhe parametrave demokratikë; kur njerëzit shikojnë një politikë në maturim dhe më të përgjegjshme për misionin që mbart; kur qeveria rrit transparencën e qeverisjes me qytetarin dhe kur ky i fundit forcon besimin duke e ndier qeverisjen brenda vetes; kur në qershor 2006 Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe kur pret tani të paraqesë kërkesën e vendit kandidat për anëtarësim; kur vendi ynë mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe ka vendin dhe zërin e vet në mjaft forume ndërkombëtare etj. Tërësia e këtyre zhvillimeve ka një rezultante: Shqipëri më e stabilizuar, e përparuar dhe qytetarët e saj, më evropianë.



Por, nga ana tjetër, edhe një Shqipëri që ka sfidat e saj të zhvillimit, një peshë dhe rol të dukshëm, më të rëndësishëm në rajon, i cili përkthehet me shumë përgjegjësi rajonale, më shumë angazhim në interes të bashkëkombësve tanë, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik. Me fjalë të tjera, në aspektin e brendshëm Shqipëria ndeshet me problemet e zhvillimit dhe përqasjes me parametrat dhe standardet demokratike dhe të jashtme, në atë të rolit të saj në rajon dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Këto janë sfidat që, sipas mendimit tim, kërkojnë katër elementë ose plotësimin e katër kushteve themelore: formim të qytetarit shqiptar, kontinuitetin e stabilitetit politik të brendshëm, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik-social dhe funksionimin e kapaciteteve efikase administrative.


“Më jepni një sistem edukimi… të ndryshoj Evropën mbarë”, – do të shprehej një filozof francez i shekullit XIX. Përveç aktivitetit të stafit burokratik që merret konkretisht me një seri dosjesh dhe programesh të zhvillimit të vendit dhe procesit të integrimit të tij në BE apo NATO, sfida bazë lidhet me arritjen e një formimi qytetar të shqiptarit, veçanërisht atij që lidhet drejtpërdrejt me politikën dhe vendimbërjen apo zbatimin e tyre si dhe administratën në tërësi duke synuar ndryshim të vazhdueshëm të formës së mendimit, gjykimit dhe metodës së veprimit. Përfundimi është forcimi i besimit dhe sjelljes qytetare në shoqëri dhe ndaj institucioneve. Kështu, mundësohet kapërcimi gradual i kontradiktës në marrëdhëniet qytetar – shtet dhe shtet – qytetar. Rëndësia e kësaj ndërmarrjeje dhe transformimi i mentalitetit shqiptar do të rezultojë jo në imitimin apo pranimin formal të vlerave të qytetarit evropian, por në fitimin e të drejtës evropiane të qytetarit shqiptar.


Unë kam bindjen se nuk mund të ketë shqiptar – brenda dhe jashtë vendit – që nuk ndihet i çliruar nga një barrë e rëndë disavjeçare kur shikon, ndjek dhe përjeton një atmosferë ndërpolitike ndryshe nga më parë. Si dhe shumë të tjerë, unë besoj gjithashtu se maturiteti i politikës shqiptare është në linjën e shpresës evropiane dhe do të vazhdojë pavarësisht se nuk do të jetë i lehtë, duke përbërë një sfidë të hapur për politikën shqiptare në raport me faktorin ndërkombëtar që do të jetë prezent, në një mënyrë apo tjetër, derisa ajo (politika jonë) të fitojë “pavarësinë” nga monitorimi qoftë edhe i pjesshëm ndërkombëtar.



Bashkë me dimensionin e brendshëm, emancipimi i politikës shqiptare kërkohet për efekt dhe domosdoshmëri të rolit të Shqipërisë në rajonin tonë, mbi të gjitha të mbështetjes që ajo jep dhe do të duhet të japë në ndërtimin e shtetit të Kosovës si dhe të vendit të merituar dhe rolit demokratik të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi Jugore. Pa diskutim, sfida kryesore lidhet me plotësimin e kushteve për anëtarësimin në NATO vitin tjetër dhe, mbi të gjitha, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.


Në rrugën e saj të zhvillimit demokratik, fatmirësisht Shqipëria nuk ecën në “rrugë të pashkelura”, gjë që lehtëson mjaft konsolidimin e demokracisë shqiptare në sferën ekonomike dhe sociale. Programe të tëra zhvillimi janë hedhur mbi tavolinë, të tjera janë në rrugën e zbatimit me synim përmbushjen e “Kritereve të famshme të Kopenhagenit” dhe MSA-së apo ato për anëtarësim në NATO. Në realitet, nxitimi në përmbushjen e kritereve apo kushteve të vendosura nuk përbën sfidë në vetvete. Sfida, duket, është angazhimi politik dhe qytetar mbarëshqiptar për të pasur një ngritje, konsolidim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social. Me një shqiptar qytetar që jeton dhe është pjesë e ndërgjegjshme e politikës në shërbim të tij, që vepron në një ambient normal zhvillimi ekonomik e social, me institucione dhe administratë përherë e më kompetente dhe të afta të krahasohen me simotrat e tyre në Evropë, sfidat janë të fituara dhe “integrimi dhe Evropa vjen vetë në Shqipëri”


* * *


Por, në planin konkret sfidat janë edhe më komplekse. Janë të tilla pasi, jeta shqiptare, vlerat tona materiale dhe shpirtërore, arritjet demokratike, roli në rritje i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë kërkohen të njihen, perceptohen dhe zënë vend në memorien e evropianit të sotëm. Përpjekjet pra, për të rrezatuar realitetin tonë brenda familjes evropiane, anëtarë të së cilës do të jemi shumë shpejt, përbën një betejë të madhe, ndoshta më të madhen në rrugën e integrimit euro-atlantik. Kështu, integrimi është lufta për të ndërtuar dhe zhvilluar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kontinentin tonë.

Intensiteti dhe shtrirja gjithmonë e më e gjerë e marrëdhënieve politike të Shqipërisë, prezenca e titullarëve të qeverisë dhe shtetit në jetën politike ndërkombëtare është një dimension madhor me impakt në forcimin e imazhit të vendit. Çdo njeri nga ne – qytetar, emigrant apo diplomat – që ka jetuar jashtë Shqipërisë në kohën kur Presidenti Bush vizitoi Tiranën, ka ndier, prekur dhe shijuar krenarinë e të qenit shqiptar. Ai ka përjetuar se si për ditë të tëra media dhe opinioni i atij apo këtij vendi flisnin për shqiptarët me nota mjaft pozitive.



Edhe programet e bashkëpunimit dy dhe shumëpalëshe mes shteteve të ndryshme, intensifikimi i marrëdhënieve diplomatike dhe shtrirja e aktivitetit të diplomacisë publike si komponent kryesor i punës së ambasadave shqiptare kanë pasur dhe kanë për pasojë edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm në Evropë. Ndërkaq, ajo që merr edhe këtu formën e një sfide apo angazhimi më profesional është vazhdimësia e prioritetit të rolit më publik të diplomatit shqiptar në përgjithësi dhe titullarit (ambasadorit) në veçanti në mënyrë që gradualisht të kapërcehen disa elementë aplikativë të diplomacisë klasike në favor të asaj publike.



Politikat e informacionit, audiovizuale dhe shkëmbimeve kulturore dhe turistike përbëjnë një tjetër dimension në funksion të ngritjes së imazhit tonë, implementimi i të cilave është një ndërmarrje në fokus të qeverisë shqiptare. Ato, së bashku me përkujdesjen në rritje që shoqëria dhe shteti shqiptar tregon për bashkëkombësit e tij në Evropë dhe botë, përbëjnë një ndër aktivitetet kryesore të përfaqësive diplomatike shqiptare në radhë të parë në Evropë.

Tërësia e sfidave të integrimit shqiptar vijnë e përbëjnë kështu edhe pasojën edhe shkakun e zhvillimeve demokratike, pikërisht, prandaj janë të tilla që duhen përballuar për të sotmen dhe nesërmen evropiane të Shqipërisë. E rëndësishme është që përballimi i tyre, me programe dhe projekte konkrete zhvillimi, është në rrugë të mbarë dhe të drejtë.

Nje koment

  1. astrit toku says:

    Faleminderit z.Goga per kete artikull interesant. Une, si lexues i zakonshem, shikoj nje gje qe ti ngre me aq te drejte: Integrimi eshte dhe duhet te ndodh ne vendin tone, mes shqiptareve. Sistemi i edukimit eshte ne radhe te pare struktura baze qe do te permiresoje dhe zhvilloje sjelljen tone, arsimimin dhe zhvillimin e kombit mbare.

    Edhe nje here, ju kam ndjekur me kujdes ne disa shkrime dhe libra tuaja, psh “Perplasjet e Medha te Botes se Sotme”, apo libri “diplomati”

    me respket
    astrit toku
    Danimarke

Shkruani nje pergjigje