Kushtetuta nuk është e pandryshueshme, por as një kameleone ideologjish





Nga:Agron LUKA



Bashkë me pranverën e sivjetshme, për popullin tonë, po hapet edhe një erë e re, një realitet i ri dhe një perspektivë e re.Por, këto evenimente madhore kërkojnë edhe një reformim e modernizim të mëtejshëm, duke filluar qysh nga Kushtetuta dhe në tërë shtrirjen në fushën e ligjshmërisë, nëqoftëse ato perspektiva nuk duam t’i sabotojmë, siç e kemi pasur si traditë.

Sa për pak kujtesë, jo fort larg por më 1998, Z. S. Berisha, si “kardiolog eksperti i kushtetutave moderne evropiane dhe i kanuneve feudale”, pretendonte për 100 e ca gabime në Kushtetutën e R.Sh! Sigurisht të deklaroheshe kështu, ishte dhe është një gafë madhore, që jo vetëm kthehet në të kundërtën e vet, por tregonte edhe metodë bllofizmin alla enverhoxhë, siç edhe trashamanizmin malok alla viqidol…
Me mjaft modesti, ne dëshirojmë të hapim vetëm një diskutim të vogël, vetëm për tetë copë rreshtat e Preambulës së Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Mendojmë se ai lloj formulimi i gabueshëm i vitit 1998, do të kishte nevojë për ndryshime dhe transparencë, aq më tepër sot në funksion të fazës së tanishme dhe të perspektivës në anëtarësimin dhe në integrimin evropian. Për t’ia rikujtuar dhe për t’i sqaruar lexuesit, po e citojmë formulimin se çdo me thënë dhe si interpretohej koncepti Preambulë, në mendimin kushtetucionalist shqiptar të vitit 1998: “Preambul, quhet pjesa hyrëse e tekstit kushtetues që përmban motivimin politik; shpreh gjithashtu objektiva, qëllime dhe parime që janë të vështira për t’u shprehur në nenet konçize të tekstit të Kushtetutës. Për shkak të përmbajtjes ideologjike, Preambula ka rëndësi veçanërisht në procesin e interpretimit të të gjithë tekstit kushtetues”. (“Kushtetuta dhe Materiale Shpjeguese”, QAKAPP, Dhjetor 1998, Fjalorth Termash, f 64).



Ta citojmë tashti edhe Preambulën:
“Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit”.(po aty, f 9) Le t’a themi haptazi dhe qysh në fillim: të shkruhet ende sot, kur po përparojmë drejtë shoqërisë moderne evropiane, se në Preambulën dhe në Kushtetutën e RSH-së, ka një përmbajtje ideologjike mbizotëruese, ka motivime politike, objektiva, parime, qëllime etj, etj, që na “qenkan të vështira për t’u shprehur haptazi”, atëherë kësaj i bie se paskemi të bëjmë me një konspiracion misterioz! Kështu do të rezultonte se këtyre formulimeve me përmbajtje mbizotëruese ideologjike (cilës ideologji ekzaktësisht?!) vetëm kasta politike dhe ligjvënësit që zotërojnë kodin e fshehtë të deshifrimit ideologjik preambulor, ia dinë kuptimin dhe interpretimin e vërtetë! Edhe ai më pak “eksperti”, që sadopak e fut në punë logjikën, do t’a shtronte çështjen dhe pyetjen: Janë të vështira për t’u shprehur, apo janë të pa dëshirueshme për t’u shprehur hapur e qartë?!
Gjithsesi, le të guxojmë sadopak të hyjmë në këtë “zonë të ndaluar/të minuar”, aq më tepër që kjo Kushtetutë pretendohet si “laike” dhe le t’i analizojmë e diskutojmë nga paksa.



Së pari: Formulimi “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë…”, mendoj se duhet të kishte më shumë gjatësi historike, plus edhe paksa traditë identitet nacional më tepër. Kështu, pra, mendoj se duhet edhe lidhja historike si populli alban/shqiptar, sepse vetëm me formulimin si “Populli i Shqipërisë”, do të pozicionoheshim kronologjikisht dhe me të gjitha parametrat e tjerë, kryesisht te koha, te koncepti dhe te përmbajtja fetare e kome/miletit (Kom/b= arab. trq. fis, rracë, milet), të cilën e imponuan dhe e kultivuan okupatorët turko-osmanë dhe më pas evolucioni ynë e riktheu dhe i a dha një fare barazvlefshmërie me konceptimin e modën evropianoperendimore të proçesit të nacionalitetit e nacionit, siç do e gjejmë edhe të sanksionuar te “Fjalori i Bashkimit”, në Shkodër.
Emri tradicional nacional Albania dhe formacioni i tij, që përdoren edhe sot gjithë ditën për vetëprezantimin me jashtë, në gjithë forumet internacionale, në përkthimet, pasaporta etj (edhe në Komisionin e Venecias edhe në UNO e NATO) duhet ligjëruar e futur në ligj kushtetues, për atë punë që ata e kryejnë realisht e jo të lihen si të dytë dhe si shërbyes të formacionit “Shqipëri, shqiptarë e gjuhë shqipe”! Tek e sheh ALBANIA, në prezantimin në NATO, e ndjen menjëherë artficialitetin, paradoksalitetin dhe imponimin me tendencë, kur menjëherë na vjen “përkthimi”: “Shqipëria, populli shqiptar i Shqipërisë”! Të dy formacionet tona nacionale, nuk janë thjeshtë si sinonime me barazueshmëri identike, por kanë kronologjinë, procesin historik, përmbajtjen e tyre etj. Praktika popullore, ose edhe letrare e thjeshtë, ku të dy formacionet i nënkuptojmë si të barazvlershme, ku me njërin formacion nënkuptojmë edhe tjetrin, nuk mund të adoptohet apriori edhe në fushat që kërkojnë preçizime korrekte! (Ja edhe disa nga paradokset tona, të konstatuara me kohë e të pa rregulluara: Çuditërisht flamuri nacional ende nuk përmban një formë nga të shqiponjave të kohës së Gj. K. Skënderbeut; himni nacional përbën një kopjim muzikor dhe të tekstit nga Himni i Transilvanisë me autor Çiprian Parumbeskun; Stema e Republikës, ka një Përkrenare me Skjap të Artë, një simbol i politeizmit dhe njeriut perëndi, dhe simbol i monarkisë autokratike mesjetare, pa folur për ata Dhuelkarnejnët e Kuvendit me pelerina të kuqe, me koka skjapi të artë e me openga…!)



Në një riformulim të Preambulës duhet të gjejnë prezantim dhe përfaqësim edhe pakicat etnike, edhe pakicat ballkanike të shqiptarizuara vonë, siç edhe pakicat e shqiptarizuara, që janë ende të dallueshme në origjinën e tyre etnike ose racore jo shqiptare e jo evropoide. A do prishej ndonjë gjë e madhe ta zëmë se Preambula korrekte do të kishte bie fjala nja njëzet, tridhjetë rreshta?!

Së dyti: formulimi “me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale”, pa diskutim se është nga më të domosdoshmit që duhet zbërthyer, deshifruar dhe udhëzuar se si duhet interpretuar i shprehur me ligje me fjalë të qarta e preçize. Në RSH, pavarësisht se si janë bërë dhe bëhen akoma disa llogaritje e ndarje besimesh e nën besimesh sektare, de facto ka tre ndarje shoqërore e ideologjike të mëdha: islam, kristian dhe ateistë. Të gjithë i dimë fallsifikimet e deformimet skandaloze të kohës së enverhoxhizmit, kur populli ynë prezantohej si 95% ateist puro natyral, si “pak besimtar dhe i paqëndrueshëm nëpër fetë e ndryshme” edhe historikisht etj! Por, gjithashtu do të ishte e pa justifikueshme dhe e pa tolerueshme, sot të bëhen veprime diplomatike nate e tinzare pa dijeni e aprovim parlamenti etj, siç u bë anëtarësimi në K.V. Islame, kur ai mund të bëhej ditën për diell, me ligjësitë e nevojshme për pjesën që e ndjen veten të përfaqësuar atje. Po kështu nuk janë normale edhe disa “korigjime” tinëzare të “Historisë së Shqipërisë”, kur realisht ato nuk përfaqësojnë të vërtetat e argumentuara historike.



Dy fetë e mëdha monoteiste të vendit tonë, feja islame dhe feja kristiane, është e vërtetë se e kanë një Zot si fe monoteiste që janë, por Zoti për to nuk është dhe nuk konceptohet si ai “identiku” i pretenduari i Kushtetutës së RSh! Dihet fort mirë se islamët kanë Zot All’llahun, ndërsa kristianët kanë Zotin Jezu Krisht. Dhe këta, duan ose nuk duan kushtetucionalistët shqiptarë, nuk janë i njëjti! Në këtë pikë themelore, sado “tolerantë” e të kamufluar të tregohen kushtetucionalistët tanë, “Kushtetutat Hyjnore”, respektive, nuk duket se lejojnë ndonjë lloj tolerance si të “Preambulës Ideologjike Shqiptare”!
Sa i përket grupit shoqëror ateist, Kushtetuta e RSh, nuk i përmend atë haptazi në Nenet e saj dhe nuk e garanton lirinë e ekzistencës së tij, madje ateizmi me mjaft vështirësi mund të hyjë edhe si i kamufluar te Preambula, me formulimin sofist e silogjist të “kushtetucionalistëve” si Islami, Imami, Meidani e Godo.



Akrobacia “me/ose te vlera të tjera universale”, shihet qartë se është bërë sa për të kaluar klasën, nën hundën e sytë e Komisionit Evropian të Venecias, por në të njëjtën kohë edhe për të mor prekur dhe kushtet e parametrat e anëtarësimit si “fakt i kryer” në “Vendet e Konferencës Islame”, i cili de facto, përderisa ka ndodhur edhe si kronologji kështu, duhet menduar edhe si “de jure” edhe si prioriteti i pare i RSH,dmth. shqip edhe përpara anëtarësimit në BE! Ky formulim “i vlerave të tjera universale” është mjaft mjaft i errët dhe lejon hapësira për keqinterpretime, e madje edhe për prova për ndëshkime të lirisë së fjalës dhe mendimit, si në mesjetën heretike e në shembujt e kohës aktuale. Ateizmi modern sigurisht ka evolucionin e tij dhe absolutisht nuk ka asgjë të përbashkët me ideologjinë perverse, terroriste e luftënxitëse të sektit komunist enverhoxhist. Preambula dhe Kushtetuta duhet të shprehen më shkoqur dhe hapur, se ka liri e mbrojtje të ligjëruar e të garantuar edhe për ateizmin, ndryshe kjo pjesë shoqërore mbetet e rrezikuar! “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut“ (Nenet 15-20) dhe “Liritë dhe të drejtat vetjake” (Nenet 22-24), realisht interpretohen vetëm për pjesën shoqërore fetare dhe nën sektet e tyre dhe nuk ka asnjë vend ku të preçizohet hapur edhe për ateizmin. Vetëm me ndonjë formulim si “vend laik”, “kushtetutë laike”, apo me ndonjë shprehje si “tolerancë” (si një mëshirë, si një shmangie formulimi me plus minus nga dimensioni nominal, pra me një taktikë në funksion të strategjisë), nuk mund të ketë një bashkëjetesë njerëzore normale moderne të garantuar me ligje. Duhet drejtësi e barazi, me të drejta të barabarta e jo “me toleranca” për sadaka e taktikë. Mendoj se kjo pikë e ky realitet nuk është brenda parametrave evropianë.



Së treti: me shpalljen e krahinës dhe popullit të Kosovës, si Republika e Kosovës si një shtet indipendent e sovran me (ose pa) forcën dhe proteksionizmin dhe mbikëqyrjen SHBA-BE, me rregullimet e çështjes shqiptare e kosovare në Maqedoni, me garancitë evropiane, amerikane, të NATO-s etj, aspirata dhe angazhimet e RSh, për ndonjë bashkim kombëtar, detyrimet për prosperitetin ekonomik të bashkëkombësve etj, nuk janë më përparësia imediate apo përparësia mbizotëruese e shtetit amë të RSH. Këndej, nuk do të ishte më aq e justifikueshme, sa që pjesa më e madhe e buxhetit, projekteve etj, të shkojë andej. Të gjitha këto ndryshime ia lehtësojnë RSH një barrë të mirë dhe/dmth shtetarët tanë duhet të fokusohen që të shohin dhe të rregullojnë ligjshmëritë dhe prosperitetin ekonomik me përparësi vetë RSh dhe qytetarët e saj. Mbas 17 vjetësh demokraci, normalisht nuk duhej të kishte më vend për justifikime për padrejtësitë e shkeljet jashtëzakonisht të rënda, në drejtim të pronës private. Shteti në RSh, aktualisht po kthehet në një shtet antipopullor, prepotent, diktatorial e ulrataksidar, që nuk respekton asnjë lloj kontrate e ligji me qytetarët, që rrit unilateralisht taksat e çmimet si ti teket, që absolutisht nuk i respekton e nuk i zbaton detyrimet e kontratat e tija ligjore, që nuk jep dorëheqje edhe kur bën muu e bauuu, ndërsa kërkon zbatim absolut nga qytetari e bizneset, ndonëse vetë është i zhytur komplet në borxh ndaj atyre! Këtij shteti nuk po i vjen kërkund era shtet social, së paku as në aspiratë, sikurse pretendohet te Preambula. Apo duhet mbyllur me çdo kushte goja, vetëm e vetëm se Shqipëria do të hyjë në NATO?
!


Së katërti: Kultura. Për çfarë kulture e arsimi modern aspiron RSh?! Në shtypin e në botimet shqiptare, në disa media e emisione fetare me kohë, por sidomos aktualisht është aktivizuar një fushatë anakronike: “për të korrigjuar historinë e okupacionit feudal e kolonizator turko-osman”, kundra teorive moderne të kozmogonisë, të studimit të Universit etj, kundra teorisë evolucioniste darviniste e me radhë, kundra çdo gjëje që i bie ndesh dogmave fetare! Mos dikush po kërkon të imponojë një shkollë dhe një shtet komplet teokratik mesjetar e oriental?! Shumë e pranueshme është liria e shprehjes, e diskutimit, e veshjes së moralshme etj, për cilindo besim, për të gjitha vlerat universale, përfshirë edhe ateizmin etj, por ama jo pabarazia ekstreme në shpalljen e propagandimin e ideologjive, jo imponimi, jo diktimi dhe aq më pak dhunimi e kërcënimi i personit, me Deklarata, kërcënime e përndjekje inkuizicioniste mesjetare! Të sjellim një shembull, mjaft domethënës. Në “Statutet” e Qytet Shtetit Republikan Mesjetar “Komuna e Shkodrës” (të shkruara), ndër më të rrallët si ligj progresist qytetar në Evropë, kleri, i cili deri atëherë sipas Kanonikëve fetarë dhe normave e dogmave Kanunike/Zakonike mesjetare duhej të përgjigjej vetëm para Papës dhe Legatëve/Nuncëve të tij, tashti duhej të përgjigjej së pari edhe para gjykatës civile të Komunës edhe kur atë e padiste edhe një laik çfarëdo dhe të merrte edhe fajësinë e ndëshkimin e caktuar, kur vërtetohej si i tillë. (“Statuti di Scutari”, L. Nadin, 2001, Kapitujt/Kreu 144,145 etj)
Berisha dhe shokët e tij “kushtetucionalista të lindur”, që aso kohe pretendonin një farë “tradite” nga “Kanuni i Lekës”, kishte dhe ka se ç’të vilte nga tradita e shkruar qytetare dhe jo nga ajo e mbledhura e maleve në shek XX! Një “pronë e zënë” aso kohe duhej të kalonte pa trazime rreth 40 vjet, që të legjitimohej e të regjistrohej me noter, me para etj, dhe jo si e bën sot Qatipi i Berishës, Shaban Memia! Kreu 149, f 206 shkruante shprehimisht: “Cilido person që qysh prej 40 vjetësh e zotëron një pronë të patundshme, si shtëpi, hajat, shkallare me themel, arë, vresht, kopsht, ullishtë, lajthishtë e çdo tokë tjetër dhe në rast se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë pretendim tjetër ndaj këtyre pronave, atëherë këto konsiderohen pronë e tij e përjetshme”.
Ja, se ku të merrnin plot shembuj, por shihet qartë se usta Berisha, siç edhe komunistohoxhisti Enver e konsiderojnë pronën dhe legjitimimin e saj, vetëm me “ligjin e shpatës, dmth të Zënies me forcë” dhe me asnjë lloj reforme progresiste tjetër! Mesjeta e shek XIV-XV më përparimtare se shek XXI, hajde paradoks hajde!



Shoqëria progresiste më në fund duhet t’a luajë rolin dhe t’a realizojë “politikën e re” që pretendon, duke filluar qysh te formulimet e fondamentet e shtetit republikan, përparimtar e laik. Edhe institucionet evropiane duhet t’a tregojnë modernitetin e arbitrazhin e tyre dhe mos të heshtin përpara këtij realiteti trishtues. Mjaft me fasada e bojatisje të rrejshme!

Nje koment

  1. Agron Luka says:

    Ky shkrim konstatim flet qartë dhe pa dorashka se çfarë ka bërë dhe çfarë të bën një kastë e papërgjegjshme politike hipokrite e memorizuar alla orientale islamike. Pasojat shihen qartë sot…

Shkruani nje pergjigje