Sistem presidencial a parlamentar?





Nga:Gani MEHMETAJ



Në organizimin e brendshëm, projektkushtetuta e Republikës së Kosovës, po ashtu lë shumë për t’u dëshiruar. Para një kohe kur e pyeta njërin nga pjesëmarrësit e këtij projekti pse po insistoni në sistemin parlamentar, që pjellë kriza, kur sistemi presidencial është shumë më efikas, madje kemi përvojë me këtë sistem, ai ma bëri me dije se janë ndërkombëtarët ata që po këmbëngulin në këtë rregullim!

Në fakt projekt Kushtetuta është në masë të konsiderueshme kopje e Kornizës Kushtetuese, me të cilën UNMIK-u ka qeverisur, ndërsa ne patëm shumë vërejtje dhe gati-gati e kemi konsideruar ngulfatëse e jetës politike e juridike në Kosovën, shtrat i Prokrustit etj. E kam të qartë pse ndërkombëtarët duan ta trajtojnë pakicën serbe më mirë se kudo tjetër në Evropë, e kam të qartë pse Kushtetuta – akti më i lartë juridik i një shteti kur ka paqartësi në interpretim, i nënshtrohet Pakos së Ahtisarit dhe udhëzimeve administrative ndërkombëtare (që është e papresedanë), mirëpo nuk e kam të qartë pse duhet të bëjmë një kushtetutë e cila ka rrezik të pjellë kriza të shpeshta. Pse nuk e “kopjuam” sistemin amerikan të presidentit? Një version të projektkushtetutës e kanë punuar para disa vjetësh ekspertë amerikanë, në bashkëpunim me ekspertët e Presidencës, që iu dorëzua atëbotë solemnisht Presidentit Rugova.



Çka mbeti nga ai projekt? Pse nuk u mor as përvoja e Kushtetutës së Kaçanikut? Me këtë Kushtetutë është qeverisur mbi tetë vjet në pushtetin paralel të Republikës së Kosovës.



Në vend se Presidenti i vendit të zgjidhej me vota të drejtpërdrejta të elektoratit ashtu sikurse zgjidhen deputetët, pra të shpalleshin zgjedhjet për President dhe për Parlament, ai propozohet me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës (neni 86, pika 4), që është krejtësisht e pamundshme të realizohet në dy votimet e para. Deri më tash asnjëri nga presidentët e vendit nuk është zgjedhur në dy raundet e para, por në raundin e tretë, sepse qëllimisht është projektuar ashtu që të mos zgjidhet pa pëlqimin e serbëve që përbëjnë 3-4 për qind të popullatës, por përbëjnë gati 20 për qind të deputetëve. Madje me vendet e rezervuara për deputetët serbë jo vetëm Presidenti, por edhe vendimet e tjera jetike për Kosovën, do të bllokohen (shpallja e kushtetutës së re, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme), që e bën Presidenti, por mund ta refuzojë Kuvendi me dy të tretat e deputetëve. Kështu, që në fillim autoriteti i Presidenti të vendit lëndohet me dy refuzime të njëpasnjëshme të deputetëve, sepse dikush është kujdesur që ai të refuzohet dy herë radhazi. Kjo do të bëhet vazhdimisht me dromcimin e tashëm të mozaikut politik dhe me privilegjet shtesë të pakicës serbe. Këtë gjë e parashikonte edhe Korniza kushtetuese. Do të ishte shumë më e arsyeshme që nëse nuk tumiret sistemi presidencial, atëherë të paktën Presidenti i vendit të zgjidhet me shumicën e anëtarëve të Kuvendit, ashtu sikurse që zgjidhet qeveria, përkatësisht Kryeministri. Pse nuk bëhet një analogji e këtillë?



Qysh tash ka përzierje në kompetencat e Presidentit dhe të Kryeministrit, në pranimin e letrave kredenciale dhe në marrëdhëniet me ambasadorët. Kjo ngatërresë u bë këto ditë, sepse supozojmë se nuk u lexua si duhet korniza kushtetuese, por kjo ngatërresë është e dukshme edhe në projektkushtetutë. Ka paqartësi e pasaktësi në kompetencat e Presidentit dhe në kompetencat e Kryeministrit. Neni 94, pika 5 (Kompetencat e kryeministrit) thuhet se Kryeministri kryeson Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në vijim të pikës 7 thuhet: “Këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës, sikurse edhe në pikën 8: “Në bashkëpunim me Presidentin emëron, drejtorin, zëvendësdrejtorin dhe inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”. Edhe në pikën 9 (neni) 94 ka paqartësi: “këshillohet me Presidentin mbi zbatimin e politikës së jashtme të vendit” etj. Po nuk u morën vesh Kryeministri e Presidenti, kush do ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje, sepse këto gjëra duhet të saktësohen e jo t’i lihet vullnetit politik, apo disponimit të individit. Ndërkaq, mosmarrëveshjet për Shërbimin Inteligjent dhe agjencitë e tjera me rëndësi, godet drejtpërdrejt stabilitetin e vendit.



Në Kushtetutën e Kaçanikut disa gjëra, sidomos në aspektin e organizmit të brendshëm ishin më të gjetura. Ishte një përpjekje e sinqertë, me ndikime të vogla, apo fare pa ndikim për përpilimin e Kushtetutës, pavarësisht faktit se atëherë përvoja e ekspertëve tanë ishte më e vogël, ndërsa atmosfera e punës ishte e rëndë – punonin dhe jetonin në një gjendje të jashtëzakonshme të dhunës, ishin të vetëdijshëm për rreziqet që u kanoseshin etj. Për dallim nga projektkushtetuta e tashmë që është Republikë Parlamentare, me Kushtetutën e Kaçanikut, Kosova ishte republikë presidenciale. Sikur të mos bëhej presion ndërkombëtar, që në këtë rast është i paarsyeshëm, sikur të kishin mundësi më të mëdha pune të pavarur, përpiluesit e kushtetutës dhe ata që kanë ndikuar në të, sigurisht do të përcaktoheshin për Republikën e Kosovës me sistem presidencial, sepse është më efikas, më praktikë dhe shmangë shumë here krizat qeveritare dhe krizat e shtetit. Presidenti zgjidhet me vota të drejtpërdrejta, sovraniteti i dorëzohet nga vota e popullit, përgjegjësi i jep atyre që e kanë votuar, duke pasur njëkohësisht edhe mundësi më të mëdha të qeverisjes.



Përpiluesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam përshtypjen se i kanë parasysh Presidentin dhe Kryeministrin e tashëm të Kosovës e jo Presidentin dhe Kryeministrin pa emër e mbiemër. Dhe kjo qasje është gabim i madh, sepse Kushtetuta bëhet për shtetin e jo për individët.

Shkruani nje pergjigje