Lajmi Shqip » Blog Archive » Judah: Kosova do ta shpallë së shpejti pavarësinë - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Judah: Kosova do ta shpallë së shpejti pavarësinë





Analisti britanik, Tim Judah, vlerëson se raporti i Treshes ndërmjetësuese do të përmbajë atë që realisht ka ndodhur gjatë bisedimeve, pra pamundësinë e gjetjes së një marrëveshje mes Prishtinë e Beogradit për statusin e Kosovës. Judah mendon se, pas 10 dhjetorit, Kosova së shpejti do ta shpallë pavarësinë.
“Mendoj se konkludimi i Treshes do të jetë se ata janë përpjekur ta bëjnë punën e tyre sa më mirë por nuk ka qenë e mundur të arrihet marrëveshje mes palëve, prandaj po e kthejnë problemin në Kombet e Bashkuara.

Pas kësaj, nëse nuk ndodh diçka e papritur, Kosova do të shpallë pavarësinë, besoj në fillim të vitit të ri”, ka thënë Judah për BBC.

Sipas Judah, shpallja e pavarësisë nga Kosova, tash për tash “duket si e vetmja gjë në agjendë mirëpo, deri në fillim të vitit të ardhshëm dikush mund të japë ndonjë propozim tjetër. Gjithsesi, tani për tani unë nuk di që të ketë propozime të tjera”.

Judah ka thënë se edhe vendet e BE-së do ta përkrahin, shumica e tyre, pavarësinë e Kosovës dhe se, pengesat që mund të sjellin disa vende si, Qiproja, Greqia apo ndonjë vend tjetër, si Rusia, nuk do ta pengojnë realizmin e pavarësisë së vendit.

“Duke thënë që plani i Ahtisaarit është diçka që ju e doni, por ne jo, Rusia i ka shtyrë shumë vende evropiane që kanë qenë me dy mendje për pavarësinë e Kosovës, të mendojnë se duhet të qëndrojnë bashkë dhe të mos lejojnë ndarjen e Bashkimit Evropian në sytë e Rusisë, e cila ‘po përpiqet të na thotë neve çka të bëjmë në mes të territorit tonë’”, ka thënë Judah.

Judah mendon se Kosova nuk mund të rrezikohet nga Serbia, as në aspektin ushtarak e as në atë ekonomik. “Humbësit më të mëdhenj do të jenë eksportuesit nga Serbia sepse Kosova nuk eksporton shumë në Serbi, ndërsa Serbia eksporton shumë në Kosovë, së paku 150 deri në 200 milionë euro në vit. Mendoj se biznesmenët serbë do të gjejnë mënyra për të eksportuar mallrat e tyre në Kosovë përmes Maqedonisë apo Malit të Zi.

Shkruani nje pergjigje