Koalicioni ekuacion me shumë të panjohura





Nga:Fadil ABAZI



Ethet e zgjedhjeve kaluan, tensionet e ngritura gjatë fushatës ranë, bashkë me temperaturat e motit. Rezultatet dihen dhe tani kanë filluar matematikat me numra për koalicionet eventuale.

Rezultatet ishin relativisht të pritshme edhe pse kishte befasi, rënia e LDK-se pritej por jo në shifrat që ka, ngritja e AKR-së dhe rënia e ORA-s ishte edhe një befasi tjetër, kjo ngritje-rënie, (AKR-ORA) është një koincidencë me logjikën time të perceptimit marrë nga fushata e bërë, deri sa e para bënte premtime në hava, e dyta ishte më pragmatike, që e ka vërtetuar edhe gjatë mandatit të kaluar kur zëri qytetar dhe interesi qytetar u mbrojt me dinjitet.


Elektorati kosovar që doli në zgjedhje dha verdiktin e tij për partitë politike, gjersa disa dënoi me votë, disa i shpërbleu, por çka ka të çuditshme në këtë (jo)shpërblim. Gjersa dy partitë nga koalicioni qeveritar LDK-AAK njëra pësoi një rënie drastike edhe për shkak të rrethanave të krijuara por edhe për shkak të qeverisjes, partneri tjetër i koalicionit ka një ngritje të ndjeshme. Njëjtë ndodhi edhe me dy partitë opozitare, njëra në këtë raste PDK mori një përqindje të konsiderueshme me një rritje po ashtu të ndjeshme, partia tjetër ORA nuk kaloi (shpresojmë të kaloj) pragun zgjedhor. Nëse me ORA-n masim nivelin e elektoratit kosovar dhe vlerave të demokracisë, atëherë mund të konstatoj se na është prishur sahati, vërtet elektorati kosovar din të befasoj.



Ekuacioni me të panjohurat për koalicionin e ardhshëm pritet të zbërthehet në javët ne vazhdim. Koalicioni i mundshëm, më e përfoluri sipas kuluareve të kryeqytetit është koalicioni PDK-LDK, që shikuar sipas programeve dhe platformës qeverisëse ky do të ishte koalicioni më i panatyrshëm i mundshëm. Ky koalicion do ishte i panatyrshëm për dy arsye; ndarja pozitë-opozitë (vijës së demarkacionit, pasi në historinë e re të Kosovës këto dy parti kanë qenë rivale) dhe arsye tjetër balotazhi në zgjedhjet lokale, pasi kemi një garë sfiduese mes këtyre dy partive.

Nëse nuk kemi një rreshtim të mirëfilltë të partive sipas profilizimit por edhe sipas verdiktit të votës. LDK ishte në pushtet dhe vota e popullit tregoi se ajo duhet shikuar programin e vet dhe kapacitetet menaxhuese të qeverisjes. Kjo votë duhet respektuar.
Shumë koalicione në nivelin komunal do të ishin nga kombinimet nga më të mundshmet pasi që do të diktonte situata e krijuar. Kjo do të pamundësonte një qeverisje efektive dhe do të bënte të pamundur edhe funksionimin në vijën vertikale nëpër parti për shkak të interesave të ndryshme dhe rreshtimeve pa ndonjë kriter apo vendim partiak sipas platformës qeverisëse në qendër dhe me të njëjtin të rreshtohen edhe partitë lokale nëpër komuna.

Koalicioni eventual do të determinonte edhe koalicionet lokale dhe do të rreshtonte drejt partitë nëpër komuna. LDK pas nokdaunit të mori në zgjedhje, po heshtë dhe tani po shfrytëzon sekondat e numërimit për t’u zgjuar apo për ta dorëzuar betejën, kjo varet nga PDK, se a do ti ofroj rastin për të vazhduar garën, apo do ta detyroj të dorëzohet. Gara do të vazhdohet në balotazhet e komunave, ku në 16 komuna direkt sfidohen PDK dhe LDK, një koalicion eventual do të bënte këtë garë të pandershme, do të bënte një xhurulldi koalicionesh nëpër komuna.



Koalicionin duhet bërë, qeveria duhet formuar, por PDK duhet të ketë parasysh se betejat për Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Mitrovicën, Ferizajn, Lipjanin do të vazhdojnë me 8 dhjetor dhe deri atëherë LDK mund të shfrytëzoj 8 sekondat e numërimit për këndellje.

Shikuar në planin afatgjatë PDK nuk duhet të jetë pranë LDK-së, edhe pse për momentin duket se kjo është e dobishme, për interesa të procesit, apo për interesa të dikujt, nga ata që monitorojnë demokracinë e brishtë në Kosovë. E ardhmja do të tregoj se këto dy parti duhet qenë në taborë të kundërt, sepse edhe janë, dhe kanë qenë rival të denjë politik.

Nëse PDK është fituese dhe në qeverisjen e ardhshme është edhe LDK, qytetari nuk ka ide se kujt t’i vejë epitetin e humbësit. Kush humbi në këto zgjedhje, kush fitoi dhe këtu ngrihet një çështje dhe pikëpyetje; nga po shkon demokracia e brishtë kosovare.

Pasi qeverisjen e ardhshme e presin sfida të shumta, në fjalimin pas rezultateve preliminare të 17 nëntorit, Hashim Thaçi lideri i opozitës, që doli fitues në këto zgjedhje, deklarohet për një qeveri me përfshirje të gjerë. Mbase i vetëdijshëm për sfidat ai u prononcua për qeveri funksionale dhe të qëndrueshme dhe ai e ka formulën e qeverisjes për të cilën po spekulohet aq shumë.



E dimë sa e vështirë është zgjedhja dhe formimi i koalicionit të ardhshëm, do të jetë një ekuacion me shumë të panjohura, dhe ndoshta prapa këtyre të panjohurave fshihet dikush i panjohur (ose i njohur) që do të ndikoj në këtë zgjidhje. Ndoshta zgjidhja e Hashim Thaqit dhe oferta e partive politike, nuk është në përpjesëtim të drejtë me rezultatin e dëshiruar nga PDK, apo me rezultatin që dëshirojnë zyrat e jashtme, por këto janë elementet e formulës,zgjidhja duhet kërkuar brenda këtyre numrave.

Cila është ajo formulë dhe cili është koalicioni i ardhshëm qeverisës që po fshihet prapa heshtjes pas zgjedhore në taborin fitues për momentin nuk dihet. Këtë dilemë e din vetëm Hashim Thaçi dhe shpresojmë që në ditë vijuese të na zbuloj. Por duhet besuar në atë formule qeverisëse , mbase e kërkon edhe e ardhmja sfiduese pasi që Thaçi ka ditur që të kaloj edhe në të kaluarën nëpër labirintet e kohës me sukses.

Nëse Hashim Thaçi angazhohet për një qeverisje të zgjeruar, pasi që procesi i pavarësisë kërkon një rreshtim të forcave relevante politike që veprojnë në Kosovë, pasi është shumë evidente se pavarësia do të shpallët njëanshëm dhe do të njihet nga aleatet tanë, sepse nga bisedimet marrëveshje për pavarësi nuk do të ketë. Shikuar pak në të kaluarën jo të largët në këto vite të pakta parlamentare, dhe kujtimin për rivalitetin e pasluftës mes PDK-së dhe LDK-së, si dhe gjenezën e këtyre dy partive, opozita konstruktive dhe e denjë kishte me qenë LDK-ja dhe LDD-ja e dalë jo fort moti na struktura e LDK-së.

Duket se PDK po i kthehet pushtetit aty ku e ka lënë, me problemet e njëjta, atë e presin sfidat të shumta si pavarësia e shtetit, bashkimi i Mitrovicës dhe integriteti territorial i vendit, pastaj zhvillimi ekonomik duke zvogëluar shkallën e papunësisë dhe luftuar dukuritë tjera si korrupsionin, burokracinë, nepotizmin dhe ndikimin e grupeve të interesit brenda institucioneve dhe shoqërisë kosovare.

PDK nuk duhet të harroj edhe disa statistika ,përqindja e mosdaljes në votime ishte alarmuese (rreth 55% e votuesve), problemet sociale janë shumë evidente dhe kupa e mllefit të popullit është mbushur durimi është para shpërthimit,duke shtuar këtu edhe premtimet shumë të guximshme të z.Thaçit gjatë fushatës parazgjedhore.

Shkruani nje pergjigje