Lajmi Shqip » Blog Archive » Të gënjesh dijen! - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Të gënjesh dijen!

Nuk ekziston dokumenti i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar!!! Dhe kjo nuk është ndonjë risi për sa u takon “çështjeve” tona historike mbresëlënëse. Ekziston vetëm një kopje e vetme e tij, që e ka ruajtur një akademik, për fat të mirë, për një kohë në gjatë në arkivin e vet familjar. Kuvendi i Shqipërisë dhe vetë kreu i tij, marrin përsipër si shpëtimtarë të vërtetë ta pajisin shtetin shqiptar “me letra”, duke botuar kopjen e panjohur të dokumentit dhe të tjera akte që dëshmojnë si u shpall pavarësia.


Vetëm dy javë më parë shqiptarëve iu përcoll ky lajm, dëshpërues e inkurajues njëherësh. Dëshpërues sepse nuk gjendej deklarata e shpalljes së pavarësisë me nënshkrimet e gjithë pjesëmarrësve. Inkurajues, sepse, lavdi Zotit, akademiku zbuloi kopjen e vetme të tij, dhe ajo tani do të botohej nën kujdesin e Kuvendit.

Gjatë dy javëve me radhë njerëzia shqiptare, me shqiptim e me heshtje, mori pjesë në këtë shqetësim. Paradoksale! Një vend që pas pesë vjetësh do të festojë 100-vjetorin, logjikisht duhet të gjendet para pyetjesh të tjera. Një prej tyre do të ishte: Si do të përligjet vlefta e pavarësisë nëse edhe në vitin 2012 Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi më i varfër e më i prapambetur i Evropës? Pa shtuar pyetje të tjera, që kanë të bëjnë me renditjen e saj në lista të tjera kritike.

Dy javë mjaftojnë që të interesuarit t‘ia përfitojnë të mirat “mungesës së dokumentit”. Por, në fakt, në këto dy javë u luajt me mendësinë shqiptare. Në mjediset e vendit u rikthye, kësaj radhe në mënyrë institucionale, fenomeni i zbuluesve të zbulimeve. Shqiptarëve ua ka disi qejfi t‘u thuash se kjo tani u zbulua, askush s‘e dinte më parë, kishte rrezik të mos mësohej kurrë, por ja që u gjendën dijetarë e personalitete të devotshëm dhe na shpëtuan. Por gjatë këtyre dy javëve “zbuluesit e zbulimeve”, ose fshehësit e së vërtetës, u dhanë shkas gjithfarë hamendjeve: S‘ka si të jetë ruajtur dokumenti i pavarësisë, komunistët e kanë zhdukur, sepse nuk mund të pranonin një pavarësi të shpallur nga Lef Nosi e Mithat Frashëri! Jo, është krejt ndryshe, komunistët ua dhuruan jugosllavëve këtë dokument, bashkë me vetë pavarësinë e shtetit!

E kam ndjekur me trishtim këtë diskutim, duke përfshirë dhe përmbylljen e tij me triumfalizmin e papërligjur të protagonistëve të nismës me paraqitjen ceremoniale publike të kopjes së zmadhuar të “dokumentit të gjetur”. Me atë rast, dikush shënoi edhe nënshkrimin e vet aty pranë emrave të themeluesve të shtetit shqiptar. Me trishtim, sepse po të kishte humbur vërtet ky dokument dhe të kishte mbetur vetëm një kopje e tij, kjo do të mbetej një pikë kritike dhe mjaft e errët përjetësisht për historinë e popullit shqiptar. Kjo do të thoshte se, së paku, s‘kishte kurrfarë vendi për t‘u mburrur dhe për të shitur krenari. Me trishtim po ashtu, sepse askujt s‘i shkoi në mendje të vërtetonte paraprakisht se ç‘kishte në arkiva. Për fakt, kjo nuk zgjati shumë.

Ende enigmë se ç‘ishte “komisioni i 25-vjetorit të vetëqeverimit”, çfarë botimesh u bënë me këtë rast, nëse edhe dokumenti i shpalljes së pavarësisë qenka botuar qysh më 1937, atëherë s‘ka se si të flitet për “një kopje të vetme të ruajtur” nga dikush, qoftë ky dhe akademik, sepse shtypshkrimet nuk janë në një apo dy kopje. Edhe një ftesë dasme shtypet në dhjetëra (tani dhe në qindra) kopje, jo më një koleksion dokumentesh në 25-vjetorin e shpalljes së pavarësisë!

Në fakt, kështu është. Dokumentet themelore të shpalljes së pavarësisë janë botuar qysh në vitin 1937, së bashku me tekstet e konkursit të shpallur nga ish-mbreti Zog për një himn të ri kombëtar. Por në Shqipëri mund të pretendosh se je zbulues edhe po të nxjerrësh para publikut diçka të botuar!

Të parët që e ndjenë se mashtrimi po u dilte duarsh, sidomos pas vënies në qarkullim elektronik të burimeve nga z. Saimir Lolja, ishin vetë protagonistët e nismës. Menjëherë nxituan të përshtatin diçka për të përligjur krenarinë e zbuluesit. Thanë se ky dokument paska qenë i ruajtur në origjinal deri në vitin 1962, vit kur u botua edhe një album fotografik kushtuar 50-vjetorit të pavarësisë pikërisht nga “zbuluesit” e sotëm të zbulimeve! Madje qenka një gjë e ditur se paska pasur një botim qysh në vitin 1937. Ja pra edhe njëherë, ashtu si shumë e shumë herë të tjera, ne vazhdojmë të mashtrojmë njëri-tjetrin, më keq akoma, shqiptari-shqiptarin, se mbi zbulimin e një farë “dosjeje” të tonës histori… Meqë jemi në këtë rrokopujë të hapjes së dosjeve, përse mos të hiqemi heronj dhe të bëjmë sikur po shpëtojmë kombin edhe tani pas 95 vjetësh, si plaku i urtë Ismail Qemali e bëri me shumë dashuri dhe pa asnjë çmim në vjeshtën e dytë të vitit 1912? Përse ndodh? Ndodh sepse “zbuluesit” e zbulimeve nxiten edhe prej vetë dëshirës që shqiptarët kanë që të mashtrohen. Dije të gënjeshtërta për dëshira të gënjeshtërta!

Shkruani nje pergjigje