Tirane-Athine dhe rruga me dafina




Shkruan:Rezear XHAXHIU



Në Presidencën shqiptare të thonë zyrtarisht se misioni grek i Bamir Topit konsiderohet tërësisht i suksesshëm. Pra, me një fjalë, “marrëdhënie shumë të mira”, “fqinjësi model” dhe “zgjidhje në mënyrë ligjore e problemeve, që nuk ndikojnë në frymën reciproke të fqinjësisë”. E njëjta klimë e ngrohtë u përcoll gjatë tri ditëve të vizitës së zotit Topit edhe nga shtypi helen, por edhe nga disa të përditshme shqiptare.

Dhe të mendosh se pakkush do të kishte menduar që Bamir Topi do të shkelte duke buzëqeshur majtas e djathtas mbi një rrugë të shtruar me dafina greke. Pasi diplomacia presidenciale këtë herë luajti tërësisht lojën greke për të fituar atë për të cilën u ngrit ky mision dhe kjo vizitë: një mbështetje greke për Shqipërinë në NATO. Dhe pasi arriti të sigurojë koncesionin e vështirë, fillimisht nga homologu i tij e më pas nga Kryeministri Karamanlis, Presidenti shqiptar gjeti zgjidhjen magjike: Komisionet dypalëshe.

Të famshmit komisione ekspertësh, të cilët që nga koha e Kryeministrit Meksi e më pas, gjatë qeverisjeve dhjetëvjeçare herë të majta e herë të djathta të Tiranës, nuk e hapën asnjëherë deri në fund kutinë e Pandorës, por çmontuan sipas mënyrës ballkanike, herë në Tiranë e herë në Athinë, elementët më pak të rrezikshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Sikundër të gjithë pararendësit e tij, edhe Bamir Topi la pas, pa i dhënë drejtim ligjit famëkeq të luftës, çështjen delikate të çamëve, pronat e minoritarëve grekë apo fatin social të 600 mijë bashkëqytetarëve të tij emigrantë në Greqi. E rëndësishme për të ishte të ruheshin dafinat. Ato që iu hodhën mbi krye në vjeshtën e vitit 2006 Kryeministrit Berisha në të parën vizitë zyrtare të tij pas ardhjes në krye të ekzekutivit shqiptar. Dhe Topi President shkeli në të njëjtën pistë si një vit më parë ish-shefi i tij. Duke lënë pas për një kohë tjetër dhe për nivele më të ulëta zgjidhjen e dy-tri çështjeve, që nuk do të duhej kurrsesi të zbehnin shkëlqimin e vizitës së tij të parë në shtetin fqinj.

Por përtej dëshirës së mirë të Presidentit Topi për të vënë një tullë më shumë se pararendësit e tij në raportet me Greqinë, në analizë të fundit, duke u bërë një radiografi marrëdhënieve dypalëshe në këto 7-8 vitet e fundit, vështirë se Presidenti aktual mund të shkonte më tej. Pasi më tej nuk arriti të shkonte edhe Berisha një vit më parë, edhe pse vizita e tij u cilësua si “e shkëlqyer” nga mediat afër Kryeministrit. Sot në Athinë janë shumë entuziastë për nivelin që gëzojnë disa prej sensibiliteteve greke në Shqipëri, të cilat për hir të së vërtetës u vendosën që gjatë qeverisjes “Nano”. Nga ana tjetër, edhe në kabinetin e djathtë të Karamanlisit dy mbeten çështjet ku diplomacia fqinje vijon të mbajë ndezur projektorët e saj: trajtimi i minoritetit grek në Shqipëri dhe konsolidimi dhe zgjerimi i prezencës ekonomike e financiare të biznesit vendas drejt fqinjit të varfër e të brishtë. Të tjerat për Athinën janë veçse çështje teknikisht të zgjidhshme, por që gjithsesi duhet të mbahen të tilla, pra të pazgjidhura, pasi vetëm kështu ato shërbejnë.

Të trashëguara që nga koha e socialistëve, ato duket se më shumë u shërbejnë strategjive diplomatike të të dy vendeve, që për arsye të brendshme herë u jepen zgjidhje në Tiranë e herë komplikohen në Athinë e anasjelltas. Kështu, në vizitën e fundit të zotit Topi, ridoli mbi tapet fati i varrezave të grekëve (tani mësuam se ata janë mbi 10 mijë!!!), me të cilat do të merret komisioni i ekspertëve. I njëjti komision duket se do të merret edhe me çështjen e pronave të minoritarëve grekë e shqiptarë apo për shkollat shqipe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Të gjitha këto, por edhe fati i depozitave greke në Durrës, apo ai i çamëve në Greqi, u klasifikuan si çështje të zgjidhshme, që nuk mund të cenojnë dot “nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe”, apo “frymën e mirëkuptimit mes Athinës e Tiranës”.

Burimet mediatike në Greqi bëjnë me dije se Papuliasi, por edhe Karamanlisi, i kanë kërkuar Presidentit shqiptar shtimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Kjo do të thotë se Athina kërkon të çimentojë edhe më pozicionin e privilegjuar tregtar në raport me vendet e tjera evropiane, si dhe të shkojë edhe më larg në pozicionin “partner strategjik tregtar” me Shqipërinë. Sipas gjuhës së statistikave zyrtare, fqinji ynë jugor renditet në vendin e dytë (pas Italisë me 47.9%) për sa u përket investimeve direkte në Shqipëri, që për grekët është 34.5%. Dhe jo më kot grekët u kujdesën të ngrinin një protokoll paralel me atë të Presidentit për ata 50 biznesmenë shqiptarë që shoqëruan kreun e shtetit, por që pak u interesonte nëse eshtrat do të varroseshin në Kosinë apo në një gërxh tjetër afër saj.

E rëndësishme për skalionin e dytë të superdelegacionit shqiptar ishte të vendoste formula të reja bashkëpunimi me homologët grekë. Për median greke, e cila duket se u është larguar tani pas 15 vitesh sensibiliteteve të saj nacionaliste, rëndësi merr ngrehina ekonomike greke për Shqipërinë, e cila në asnjë mënyrë nuk duhet cenuar, madje e gjithë diplomacia helene duhet të investojë në funksion të saj. Sepse në Athinë askush nuk mund të kërkojë më tepër. Me 500 milionët e eurove të investuara në vendin e vogël fqinj, biznesi dhe politika në kryeqytetin grek mbeten në delir. Ndoshta pikërisht për këto shifra e realitete Presidenti shqiptar u la i qetë e nuk u vu në siklet. Madje atij iu servir me bujari mbështetja greke për hyrjen e Shqipërisë në NATO, misioni kryesor ky i zotit Topi në vizitën e parë në Greqi. Duket pra se Presidenti arriti të marrë atë çka deshi dhe për të cilën shkoi në Athinë. Dhe kjo nuk ishte pak për provën e tij të parë greke.

Shkruani nje pergjigje