Gijotinë politike, apo shtet ligjor?!

Nga:Bashkim KOPLIKU

“Do të shpërndaj Kuvendin, nëse ai nuk amendon ligjin për të zvogëluar imunitetin e deputetëve”, kjo ishte afërsisht ajo që pati deklaruar me prepotencë kryeministri, në prag të heqjes së prokurorit/zgjedhjes së prokurores. Ndërkohë u hoq kryeprokurori që nuk e desh kryeministri, dhe u vu një tjetër, që nuk po e dimë tamam fare a e desh, apo bën sikur e desh! Gjithsesi, tani duket se gijotina politike e kryeministrit u krijua: gjykatë, prokurori, qeveri janë në xhep të një njeriu.

Vetëm Kuvendi ka mbetur pak si jashtë sundimit direkt. Po tani, a vërtetë do të do shpërndahet Kuvendi, po nuk ua hoqi imunitetin të gjithë deputetëve, pra “një heqje imuniteti me ligj”?! Për Shqipërinë, do të ishte mirë të shpërndahej ky kuvend, dhe të kalohej në zgjedhje të parakohshme, por kjo nuk duket se ka gjasa të ngjasë. Atëherë, a do të fillojë veprimin gijotina politike e krijuar me aq mund nga kryeministri?! Apo ka ndodhur çudia: kemi një prokurore që do të zbatojë ligjin, dhe vetëm ligjin?! Po presidenti?!

Hajde arsyetojmë një çikë me mendjen tonë. Sipas asaj që deklaronte kryeministri, i bie se paskemi një kryeministër që do të luftojë korrupsionin i cili qenka përqendruar në Kuvend. Deputetët qenkan aq të korruptuar, saqë edhe kur u vjen kërkesë nga prokuroria për t’i hequr imunitetin një kolegu të tyre deputet, ata u lidhkan “me krimin” dhe e mbrojtkan kolegun e tyre të korruptuar, duke mos miratuar, pra duke rrëzuar kërkesën e prokurorit. Kjo është edhe arsyeja e vetme që mbetet të jetë shkaku i kërkesës së kryeministrit—natyrisht duke arsyetuar me logjikën formale. Po të mos pandeheshin si të korruptuar shumica e deputetëve, nuk do të ishte fare e nevojshme “heqja me ligj e imunitetit”, sepse imuniteti do t’i hiqesh rast pas rasti çdo deputeti për të cilin bën kërkesë prokuroria. Kjo sepse një Kuvend i pa korruptuar, apo me shumicën e deputetëve të pakorruptuar, do të miratonte menjëherë heqjen e imunitetit të kërkuar nga prokuroria. Natyrisht, kjo logjikë, nuk ecën fare në këtë zullumhanen të shoqërisë sonë aktuale.

Gjithsesi, në një pikë jemi dakord me kryeministrin, se ky Kuvend është i korruptuar. Por ama ne nisemi nga një logjikë tjetër, nga një këndvështrim tjetër. Ne e kemi fjalën për korrupsion politik, pra ku ajo që merret në mënyrë të paligjshme dhe të pamoralshme, është pushteti politik, dhe jo thjeshtë paratë, siç është rasti në korrupsionin ekonomik. Nuk ka sesi të shpjegohen tjetërsoj votimet e këtij Kuvendi, ku arrihen shumica me blerje deputetësh nga krahu tjetër, duke marrë vendime që në radhë të parë drejtohen kundër Lirisë, nga e cila duhet të përfitonin edhe vetë deputetët e blerë. Natyrisht, një kuvend që korruptohet politikisht, pra blihet nga kryeministri, nuk ka sepse mos të korruptohet edhe ekonomikisht, duke u blerë nga mafja ekonomike. Prandaj dhe do të ishte mirë që ky kuvend të shpërndahet.

Po sikur jemi pak kontradiktor në të gjitha sa rreshtuam: edhe Kuvend i korruptuar, i manipulueshëm nga kryeministri, dhe nga ana tjetër, vetë kryeministri kërkon ta shpërndajë! Jo nuk jemi kontradiktorë, por puna është që nuk i dihet kurrë se ku e ka hallin ky kryeministër, sepse ky ta fut ujin nën rrogoz. Logjika realiste është si vijon. Ai nuk ka hiç ndër mend ta shpërndajë Kuvendin, por u bën presion deputetëve, që të mos bëjnë zë, kur i duhet të kalojë ndonjë hall që ka: më i fundit ishte heqja e prokurorit, ku votimi për prokuroren lidhej jo personalisht me atë zonjën e re, Rama, por me heqjen e atij zotërisë së vjetër, Sollakut. Sepse mosvotimi i prokurores, e fuste lojën e heqjes së prokurorit në qorrsokak: prokurori i shkarkuar nga Presidenti, e vendi pa prokuror; Evropa dhe Perëndimi të mashtruar nga Shqipëria, se gjoja do të zbatojë rregullat e lojës, duke pritur së paku formalisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese (për drejtësinë e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, që i rihapi “varrin” prokurorit, pasi ia kishte mbyllur presidenti Moisiu) etj. Duket se presioni i kryeministrit dha efektin e vet tek deputetët: fët e fët u sajuan votat, dhe u zgjodh prokurorja, pra u shkarkua përfundimisht prokurori. Sidoqoftë, për kryeministrin, nuk do të ishte keq edhe t’ua hiqte atë “imunitetin ligjor” që kanë këta deputetët, se edhe nuk lodhesh kaq shumë me ta xhanëm: do ta kishte më të lehtë t’i urdhëronte e t’i komandonte, kur i ka edhe pa imunitet.

Imuniteti i deputetëve ia vlen të mbrohet, në radhë të parë për ata deputetë të pakorruptuar politikisht, të cilët kanë qytetarinë t’i kundërvihen uzurpimit të shtetit. Janë këta deputetë që Shqipëria u ka borxhe shumë, që e kanë të domosdoshme atë imunitet ligjor, qofshin nga e djathta, qofshin nga e majta. Po t’u hiqet edhe ajo “copë imuniteti ligjor”, atëherë ata deputetë ose duhet të kthehen edhe ata në vegla të kryeministrit, apo siç i thonë amerikanët, yes-men, ose duhet të arratisen sa më parë nga vendi, sepse i pret ajo gijotina politike që thamë më lart. Çdo moment mund t’u sajohet ndonjë gjë, që t’i rrasin brenda, në duar të prokurorisë së re.

Por ia vlen të mbrohet imuniteti, edhe për ata deputetë që sot për sot janë të korruptuar politikisht. Shqipërisë i duhet të bëjë stan me lepuj: këta njerëz ka, këta deputetë, sepse “këtë popull ka”! Duhen mbrojtur edhe ata deputetë “nga heqja e imunitetit me ligj”, që t’u jepet mundësi të bëjnë edhe ata, ndonjë gjë të mirë. Po ua hoqën me ligj imunitetin, është zvogëluar shumë shansi që ata të mund të bëjnë ndonjë të mirë për ne, për secilin nga ne, për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Nganjëherë, veprimi kolektiv jep rezultate pozitive, edhe kur shumë nga anëtarët e kolektivit janë negativë!

E fundit, por mbase më e rëndësishmja: thuhet se zonja Rama, prokurorja e re, është person me integritet moral, një zbatuese e pakorruptuar e ligjit. Në qoftë kështu, i bie që një forcë e panjohur ta ketë detyruar kryeministrin “të gabojë në përzgjedhje”, pra që të mos arrijë dot të bëjë zgjidhjet që jemi mësuar të presim prej tij. Mos kjo forcë është presidenti Topi?! Në qoftë kështu—dhëntë zoti të bëhet zhgjëndërr—i bie që për çudi të kemi shpëtuar: gijotina politike të mos funksionojë, dhe në Shqipëri të kemi shanse të vendosim shtetin ligjor dhe të ecim realisht drejt Lirisë dhe Demokracisë.

Të shohim!

Shkruani nje pergjigje