Lajmi Shqip » Blog Archive » SHQIPTARI NGA AMERIKA - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

SHQIPTARI NGA AMERIKA

Nga:Albert ZHOLI

E takuam në hollin e hotelit “La Mirage”, në Athinë. Ishte një ditë tejet e nxehtë. Ditë kur ne Athinë lëvizja është mëse e kufizuar. E kisha me mëdyshje , por vetëm të qënit me nënshtetësi amerikane dhe shqiptar i mërguar hershëm, e shkelmuan dyzimin. Jam kureshtar ndaj njerëzve që vijnë nga kontinenti shembull i respektimit të fjalës së lirë dhe i mbrojtjes së paqes. Miku im e kishte kushëri nga nëna. Shqiptaro-amerikani S.K, rridhte nga një familje me tradita patriotike.

Dhe pse i lindur në Amerikë, ai e fliste shqipen si rilindës. Më solli ndër mend artistin e madh Sandër Prosi te “Udha e shkronjave”. Kish ardhur për punë tregëtie në Athinë (sheqeri), por kish interes të dinte për Shqipërinë, për emigrantët, shkollimin e fëmijëve . Fjala solli fjalën dhe biseda ndali te jeta e emigrantëve në Greqi.

-Jeni të organizuar këtu?-pyeti ai

-Kemi disa shoqata.

-Lëre, kuptova, si kudo ne shqiptarët, 6 ushtarë dhe 7 komandarë. Shoqata mbi baza bindjesh politike, krahinash…Por të paktën a e gjeni gjuhën për cështje me karakter kombëtar ?

E, herë e gjejmë, herë jo. Siç e thatë edhe vetë, kemi të gjithë dëshirën për të qenë kryetarë. Por kemi edhe njerëz që s’lenë fjalë pa thenë për të tjerët. Shpifin, trillojnë, hamendësojnë pa qenë prezent, duke diskutuar se pse janë prishur 2000 dhrahmi për një aktivitet me karakter kombëtar. Ata që s’afrohen mendojnë se aktivitetet bëhen me frymën e shenjtë.

Dëgjo mor djalë, të donim njëri-tjetrin dhe punën më shumë se llafet, Shqipëria na mjaftonte e na tepëronte për të jetuar mirë. Por ja që kështu jemi… ju jetoni në Greqi, grekët i kini inat por jepu hakun. Lobi grek në Amerikë, kur është puna për të ndihmuar atdheun nuk i kursen paratë dhe nuk i zenë në gojë. Puna atdhetare, patriotike në mërgim, nuk matet me para. Ajo është e tejçmueshme. Ai që përgojon çdo inisjativë atdhetare në mërgim është i dyshimtë si njeri i asaj rrace, e i atij vendi. Por sigurisht, duke respektuar rregullat e lojës… Flet ai që e ka mizën nën kësulë dhe xhelozinë kart indetiteti. Bëni sa të mundëni për atdheun pa ka se kush ua di për nder.

Ja dy citime:

“Ati ynë që je në qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”.-Faik Konica

“Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim”.
Sydney J. Harris

Shkruani nje pergjigje