Shteti nuk duhet të rindërtojë shtëpi!

Nga : Erald KAPRI

Shteti më duhet për të më garantuar, por deri aty! Shteti më duhet që me taksat e mia, nëse mbetem nën gërmadha, me urgjencë të më vijë e të më shpëtojë me fjalën e fundit të teknologjisë! Më duhet që nëse mbetem në mes të katër rrugëve, të më sjellë një çadër të strehohem, një batanije, pak ujë e pak bukë e ndonjë rrobë! E nëse shtëpia më shkatërrohet të më strehojë për pak kohë sa të rimarr veten! Kaq, kaq më duhet shteti e këtë duhet ta bëjë mirë!

S’më duhen për këtë as Elvisi, as Arbri, as Teatri e as Ramushi. Këta të fundit, si dhe unë, të dalim vullnetarë të strukturës shtetërore, por jo ta zëvendësojmë atë. Të më thotë shteti ku të dal vullnetar, çfarë të sjell me vete e ku të çoj ndihmat. Por unë, një ushtar i shtetit, vullnetar, nuk duhet e nuk mund të zgjedh vetë ku të shkoj e çfarë të bëj se ndaj paguaj taksa që të kem shtetin. Dhe ndihmat e huaja më duhen, por ama jo si lëmoshë e borxh politik që ma grryen shtetin, por si borxh humanitar që do ia kthejë ditën e parë që tjetrit i duhet!
Deri këtu ama! Shteti nuk më duhet të më ribëjë shtëpinë. Këtu shteti më duhet të koordinojë ndihma e dhurime nëse ka, të lobojë që të ketë, t’i çojë ato te më të varfrit e të tjerët t’i sigurojë me politikat e strehimit që ka! Kaq! Shteti të konfiskojë pasurinë e kompanisë që ka ndërtuar pallat jashtë kriterit dhe të koordinojë rindërtimin! Po e kam bërë pa leje e jam në nevojë ndaj kam fondacionet e solidaritetin. E nëse ai nuk është, ta kisha menduar e të isha siguruar! Se nëse për çdo fatkeqësi është shteti që rindërton, askush s’do sigurohet kurrë!
Taksat e mia të shkojnë për qentë e shpëtimit, për zjarrëfikëset, për kamerat termike, për infrastrukturën e shpëtimit; për atë që më duhet shteti! Se ai shtet që s’më ofron me taksat e mia atë për të cilën e paguaj dhe rend me taksa të ofrojë atë që nuk i takon s’ka për t’u bërë kurrë shtet!

Shkruani nje pergjigje