NDERIMET TONA SHQIPTARI I MADH!

Nga : Agim SHEHU

Si çdo atdhetar i shquar, Mit’hat Frashëri i ndiqte me vëmëndje tragjeditë e pandërprera mbi Shqipërinë. Ato ai i lidhte jo vetëm me armiqësinë e fqinjëve, por dhe me ndihmën, si në një pazar ku tregëtoheshin popujt, që u jepte atyre diplomacia europiane. Përshkrimet e ngjarjeve të tilla tingëllojnë dhe si elegji të cilat, më shumë se lotët thërrisnin përkushtimin për të mbrojtur veten.

“Cdo ditë lindëte një lajm i zi nga gjiri i atyre që peshonin dhe ndanin fatin e popujve–shënon Mit’hati – Traktati i Fshehtë i Londrës po rrinte kurdoherë varur si një shpatë mbi kryet e Shqipërisë, e ai Traktat donte të thoshte coptimi dhe çdukja jonë…Kryetari Vilson kish shpallur që nuk njihte, nuk pranonte marrëveshje të fshehta dhe nuk jepte leje që zihjet dhe rivalitetet mes Serbisë së re dhe Italisë të ndreqen mbi kurrizin e Shqipërisë”. Më tej shkruan: “Mbi kërkesën e Rusisë e të Francës u parashtrua coptimi i Shqipërisë në Traktatin e Londrës; por këtë coptim e ndaloi Vilsoni, kundër Lloyd Xhorxh e Klemansoit”. E më tej për masakrat e shovenëve: “Këto tmerre u injoruan, bile kaluan pa u vënë fare në dukje. Shumë pak persona të së ashtuquajturës botë e qytetëruar’ u shqetsuan për këtë. Disa syresh dhe i duartrokitën, duke u përpjekur t’i quajnë ato si një veprim civilizues të Greqisë…Kujdesi i të fortëve ishte vetëm për fqinjët më të mëdhenj! Shqipëria e vogëlsuar qe e dënuar të vogëlsohet edhe ca”.
Me pikëllimin e fqinjit të vërtetë fisnik e me një dhimbje të çiltër njerëzore, gjetkë ai shprehet: “Gjithë fqinjët, tërë shtetet që i kemi pranë na dualën armiq, keqdashës…dhe Fuqitë e Mëdha, pak a shumë të largshme, nuk na doli asnjë mik, asnjë ndihmës dhe dashamir”. Gjersa mbronte të drejtat e vëndit të tij, te diplomati Mit’hat Frashëri nuk kish ndjenjë përuljeje ndaj të mëdhenjve, i trëmbur se mos zemërimi i zyrtarëve europianë i hiqte kolltukun në Tiranë! Ai u foli qartë Fuqive të Mëdha: “Politika ka arsyet dhe të drejtat saj, të cilat nuk mund të rrëzojnë as tonat”! Ai qe i ndërgjegjshëm si personalitet kombëtar, e këtë e mbështeste në dy shtylla të sigurta, siç shprehej: “Ndërgjegja e kombit filloi të mbështetet në simbole flamuri dhe Mbreti…Por njeriu shumë herë çmimin e një së mire e ndjen vetëm kur i del nga dora”.
Gjykimet i lëvizin në strukturën e valëve të detit: aty me qetësi diplomatike, aty me zëmërim Shqiptarësh të fyer, e ai lëshon mendimin, sa të qetë dhe të vendosur: ”Duhet ndrequr një gabim i tillë, i shkaktuar nga dashamirësia e tepëruar ndaj Greqisë zhurmëmadhe”!
Më e keqja qe, se kjo dramë luhej si nga Jugu dhe nga Veriu. “Sllavët nuk bëjnë tjetër, plotsonte ai, veç kopjojnë proçedurat greke, kur ata me qëllim i marrin shqiptarët për turq, me synim për të hapur kështu mendimin se ata janë të huaj të ardhur nga Azia, vënd në të cilin duhet të kthehen përsëri”! Shpifja teorike nxjerr fytyrën e qëllimit praktik:
“Katër shtetet e Ballkanit e shihnin veten e tyre si trashëgimtarë të Turqisë, i të gjithë tokës turke bashkë me truallin qe e sundonte shqiptari prej mëse 40 shekujsh”.
Me logjikën e mbrapshtë fetare të tyre, Athina e para e Beogradi më pas i nisën dhjetra mijë shqiptarët në thellësi të Anadollit. Mit’hat Frashëri gjykon me ironi të mprehtë, e këtë ia drejton dhe Europës:
“Të çosh çamët në Turqi, është njësoj si të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët edhe polakët janë katolikë, e prandaj qënkan të një kombësie”!
Logjika e Mit’hat Frashërit edhe lojën shovene me letrën „turke“ e çvlerësoi bindshëm. Ai spjegon: “Shqiptarët muarën fenë e mundësve jo nga shtrëngimi e me pahir, po vetëm me qëllim që të bëhen dhe ata baraz e shokë me turqit…Disa prej zotërijve u bënë myslimanë që të mbeten me venome, të mos vuajnë nga madhështia dhe keqësia e zaptonjësit” (ka mundës të Shqipërisë, po jo mundës të shqiptarëve- thotë Fishta). Megjithatë, në tërësi shkrirje kombësie nuk ka dhe kufijtë, shpesh me lumenj gjaku, mbeten të dallueshme. “Autoritetet e Stambollit donin të na orientalizonin me fenë, me bindjet politike, me shkronjat e tyre; e ne kundërqëndronim, se e njihnim që nuk kishim gjë të përbashkët me Orientin”.
Me mllefin e tërë shqiptarëvë gjithësesi të dhunuar e të fyer prej të gjithëve, Mit’hat Frashëri gjykon: “Dihet mirë verbëria e turqve dhe kokëfortësia e marrë e tyre në zellin për të shtypur frymën kombëtare shqiptare…”, dhe pohon të vërtetën e njohur botërisht:
“Myslimanët e krishterët në Shqipëri mirëkuptohen e nderojnë njeri tjetrin se ata e dinë që rjedhin nga i njejti trung, flasin të njejtën gjuhë, kanë të njejtat zakone, ruajnë të njejtat kujtime nga e shkuara dhe kanë të njejtat aspirata e ideale”.
Te fqinjët fshihet e kundërta, siç e njihte mirë Mit’hati dhe e spjegonte në rrënjë: “Përveç klerit grek, u panë gjithashtu dhe sllavët të lidhen me autoritetet turke dhe të kërkojnë persekutimin e shqiptarëve…Ishin shqiptarët ata që e mundën Turqinë, dhe tani armiqtë e kësaj Shqipërie vrapuan ta coptojnë e iu hodhën atyre, që të ndajnë plaçkën pa pyetur hanxhinë…Lufta turko-ballkanike në fakt kish filluar jo në vjeshtën e v. 1912 por 3 vjet më parë, në v. 1909 kur filloi ekspedita e famëshme turke në Kosovë…Katër aleatët (Serbi, Greqi, Mal i Zi e Bullgari) arritën jo për të coptuar të mundurën, Turqinë e sëmurë të Carit, por fitimtarin e një dite më parë, Shqipërinë, me cilësinë e saj të dyfishtë – si kombi më i vjetër, si dhe për luftën që kish bërë”. Busull të diplomacisë së tij ai kish të drejtën. Asnjëherë nuk mbylli sytë as para ligësive të shtetarëve turq ndaj shqiptarëve. “Projekti për dëbimin e 5000 çamëve drejt Turqisë qe rezultat i pazarit mes Turqisë e grekëve, të cilët në këtë çështje kanë interes të përbashkët”- shkruan ai.
**
Trashëgues i familjes së shenjtë, Shqipërinë ai herë e shihte me gëzimin e nënës mbi fëmijën që ngrihet më këmbë, herë me shqetësimin e saj kur fëmia është i sëmurë. Në një vënd shkruan saktë e bukur:
“Pushtimet e huaja kishin qënë një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombiare…Një erë e re po fillon për shqiptarët, një erë me nacionalizëm të pastër, me një solidaritet më të ngushtë vëllazërimi, me dhëmbshuri”. Por ata nuk duhet të harronin se ç’kundërshtarë të jashtëm e ç’gjëndje të brëndëshme kishin, e për këtë Mit’hati këshillonte me mprehtësi: “Të lindur pa fuqi për mbojtjen e trashëgimit të stërgjyshëve, shqiptarëve s’u paraqitej veçse fuqia e drejtësisë…na shtrëngonin të ngrinim duart drejt të mëdhenjve! Mamitë që kryenin lindjen tonë kishin kujdes fare të kundërt, dhe jo kurdoherë kujdesin e gjallimit të foshnjës”. E më tej, po kaq bukur, si prozë arti e filozofie bashkë:
“Lufta e madhe për Shqipërinë mund të krahasohet me një dimër të gjatë dhe, sikundër fara mbin nën dëborën shterpë, ashtu dhe ideja patriotike pati kohë të lëshojë rrënjë e të forcohet…Vuajtjet janë jo vetëm një shkollë e mirë, por e vetmja shkollë. Shpesh herë duhet bekuar fatkeqësia! Dhe mund të themi se kështu ngjan me kombin tonë”!
Ai i pa me adhurim e si mrekulli shqiptare Kongresn e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës të cilat i turpëruan e i shpërbënë intrigat e fqinjëve e të Fuqive të Mëdha për t’i rëmbyer përfundimish Shqipërisë pavarësinë politike dhe tërësinë tokësore. Për këtë ai frymëzon më tej idenë se kombet janë si njerëzit, – ç’vlerë t’i vënë vetes, atë vlerë do kenë dhe nga të tjerët: “Pas atyre ngjarjeve, Konferenca e Paqes më nuk guxoi të verë në bisedim cënimin e këtyre dy të drejtave. Më 1912 ish shfaqur te shqiptarët një besim i rrezikshëm e fort i dëmshëm sipas të cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët por e bëri Europa(!)…Meqë na bënë të huajt, ahere ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë!…Gjykim i vdekshëm që vret e shkatërron çdo përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920 Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve po dhe kundër Europës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Simpatia nuk vonoi të vijë, kur bota pa se shqiptari përpiqet për veten e tij” (zëri flet dhe për Pavarësinë e Kosovës sot, fatin e së cilës në radhë të parë e përcakton vendosmëria e të zotëve, duke ia prerë shpresën çdo pazari pas krahësh që ka zënë të thuret me hamëndjen se nuk do kenë shumë kundërshtim, se në diplomaci trysnia i bëhet atij që lutet me gjysëm zëri). Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës Shqiptari i madh i koncepton si dy anë të një medaljeje shqiptare.
Mit’hat Frashëri shqetësohej kur kujtonte se me sa shumë zhurmë e mjete propagande e ushqenin fqinjët shovenizmin e tyre grabitës “me shtypin, me librat, broshurat, gazetat dhe revistat, me fotografi, piktura dhe harta të botuara me mijë-milionë ekzemplarë. Mjerisht ne këto mjete nuk i kemi njohur akoma mirë…”. Në banesë të tij, si dijetar i vërtetë ai kish mbi 18 mijë libra, bazë e një antikuari dhe albanologjie, ndër më të pasurat në Europë. Me to, donte të ngrinte për kombin e tij një Tempull albanologjik, Të parët që iu përgjegjën, qenë arsimtarët e Shkodrës (përsëritën penën prej floriri që dikur gratë e Shkodrës i dërguan dhuratë shqiptares së ndritur Elena Gjika). Mit’hat Frashëri, i prekur në shpirt iu përgjigj: “Falënderoj 57 arsimtarët që kanë nënëshkruar letrën mirënjohëse e cila më ka mallëngjyer tepër. Sa herë që kam menduar se ku do t’i gjenj shërbestarët e Tempullit që do ngrihet, mëndja më ka shkuar te ju, arsimtarët” (1929).
Është e habitëshme, por e qartë tanimë, se as “Qeveria Demokratike”( !) post komuniste ! nuk çau kokën që të paktën Bibliotekën Kombëtare ta pagëzonte në emrin e tij të ndritur. Ajo kish nevojë për të, jo ai. (Mark Tven thotë se një nderim më mirë ta meritosh pa e fituar se ta fitosh pa e merituar! Prapa më vjen historia – tha Ismail Qemali për gjithë të mëdhenjtë). Më tej Mit’hat Frashëri ngrë zërin (zë veçanërisht i domosdoshëm në kohën e sotme): “Do të dalë, vallë ndonjë i pasur, ndonjë i letrave dhe i letrarëve që të ketë trimërinë sa të marrë në mbrojtje të tij botimin rishtaz të librave të bëra të rralla e të pagjetëshme dhe të dorëshkrimeve të ruajtura prej një fati shumë të mëshirshëm, por që janë kurdoherë në rrezik të humbjes?..” Është një e vërtetë se sot krijuesit e publicistët, sa më të aftë e të përkushtuar që të jenë për Shqipërinë, janë dhe po aq të varfër dhe të pambrojtur. Do qe ogur i madh për Atdheun, nga më jetikët sot, sikur ata që kanë t’u rrinin afër atyre që krijojnë.
Si shumë figura tonat të shquara, edhe Mit’hat Frashëri burim të fatkeqësive sheh përçarjen e shqiptarëve. Ai i ngrë lart ata si “madhështorë nga liria dhe trimëria » ; megjithatë në përplasjet e vesit me virtytin, i pari e bren më lehtë të dytin nëse i zoti nuk e ushqen atë me mënçuri e flijim. “Tani vdes me ngadalë, cangaca e me një vdekje të hidhur- shkruan ai- tani të bëjnë skllav me veglat e diturisë e të marrin kafshitën e gojës…Për një komb të vogël e të dobët si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështirë e madhe, një rrezik i vërtetë që s’mund ta shikojmë me gjak të ftohtë”. Këtë gjykim e përforcon më tej me një qortim të matur gjithësesi, por me një rëndësi të madhe dhe për ditët e sotme, në gjëndjen e Shqipërisë e të Kosovës veçanërisht:
“Të ligën më të madhe e sjellim vetë duke u bërë veglat e të huajve, e atyre armiqve që na kanë mbështjellë si një rreth prej flake…Mos ju vijë çudi pse quaj veten tonë më të madhin armik!…S’është gjë e mirë që njeriu të shajë veten e tij, po unë s’e shaj, e qortoj. Po që s’e mbrojta unë veten time, asnjeri nuk çan kokën për mua! Kur të jesh i zoti dhe i mirë, ahere gjen edhe miq, dhe mbrojtës!..Ahere dhe armiku druhet e hiqet prej teje, është i shtrënguar të të respektojë e të të nderojë…Kur i ke vënë spatën dhe kazmën themelit të shtëpisë sate, edhe më i miri i miqve të bëhet armik, ahere dhe ai shikon qysh të marrë një copë prej trashëgimit tënd, qysh të këputë ndonjë tra prej shtëpisë sate”!
Reflektorin e qortimit e përqëndron më saktë te psikologji të veçanta të cilëve zëmra u rreh te xhepi e autori i skicon me penë shkrimtari:
Të tillët, “sikur t’i shtrëngosh dhe ca më tepër, do të thonë se mjaft është dhe fshati i tyre, dhe shtëpia me kopështin! Pa u mejtuar të gjorët, që një Shqipëri e cila nuk ka kufijt e saj natyrorë, etnikë e historikë, s’mund të rrojë, s’mund të lulëzojë…Kemi nevojë që çdo shqiptar të bindet se rrojtja e tij dhe interesi i tij janë lidhur dhe të pandarë prej Shqipërisë, sido që të jetë kjo Shqipëri…Kërkojmë armiq të huaj kur ne i kemi në shtëpi”!
Megjithatë Mit’hat Frashëri është fisnik dhe në qortimet e tij. Me ujin e ndotur të magjes ai nuk hedh poshtë dhe foshnjën. Ai ka besim perëndie te njeriu, e nëpër të metat, i këshillon shqiptarët:
“Veç mos kini sy e vështrim vetëm të ligat e të metat tuaja…shikoni dhe anët e mira! Përpiquni të paksoni të parat dhe të shtoni të dytat. Ai që kërkon të ndreqë botën, le të nisë në krye nga vetja dhe nga familja e tij”. Ai këshillon më tej njerëzisht e zyrtarisht:
“Edhe një shqiptar i vetëm, kudo që të jetë e sido që të ndodhet, ka rëndësinë më të madhe, nga shkaku se jemi një komb i vogël, i pakët nga numuri…Edhe kombet më të mëdhenj marrin më të madhin kujdes që gjymtyrët e tyre të ndara nga trupi i madh të mbeten moralisht e kombësisht të lidhura, të mos harrojnë gjuhën e ndjenjat, të mos shuhet në zemër të tyre dashuria e vëndit”!
Duke qënë për sovranitetin e Shqipërisë, ai është në të njejtën kohë për qytetërimin e saj. Ai e thumbon si të larguar në kohë shpirtin vetëm për luftë kur kërkohet punë. E shpreh me humor të bukur gjykimin: “Duam të dridhemi kur fillon lufta dhe të na zërë ethja kur kërcet”, e vazhdon:
“Puna na hyjëson, na bën të pandehim perëndi veten tonë. Na bën që veten ta shohim si hero, si xhind, si demon, si Demiurg, si Perëndia vetë!..Në më thënçin si Arkimedë të rinj, se pika e mbështetjes është paraja, do përgjigjem: Jo vetëm pikë e mbështetjes po dhe maniveli që mund të kthejë botën, s’është veç inteligjenca”.
Si vijimësi logjike mendimesh, vjen dhe gjykimi i Mit’hat Frashërit (e citojmë si të afërt dhe te zgjedhjet e sotme elektorale në Shqipëri plot ethe kolltuku): “Tek ai që është në fuqi vjen dëshira ta quajë pozitën e tij si një të drejtë, një pronë të trashëguar prej gjyshërve dhe të kërkojë të mbahet me pahir, të mos e lëshojë vëndin tek ay që duhet të vijë pas tij”.
Kundër kësaj psikologjie karieristësh histerikë që në të vërtetë vazhdojnë praktikën e shtetit të diktaturës, Mit’hat Frashëri flet që më 1908 në shkrimin “Njeri i Madh – Vashingtoni”: “Amerikanët i dhanë titullin Shpëtonjës i Mëmëdheut…Disa deshën t’i japin kurorën Vashingtonit e ta bënin mbret, po Vashingtoni e shtyti këtë mëndje me ndohtësi, duke qënë se qëllimi i tij kish qënë të lirojë vëndin e tij dhe jo të bëhej mbret! Kur vdiq, u tha për të: I pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari në zemrat e popullit të tij”.
…U end nëpër botë, e ngado ngriti “Shqipëri” edhe atje ku ajo mungonte. Puna e çoi më shumë në Zvicër, e ai shkruan në “Kujtimet” me nderim për vëndin mikpritës e me pikëllim kur krahasonte me të vëndlindjen:
“Zvicrën e kisha gjetur si një copëz të vëndit tim, po sa të qetë, sa të lirë! Sa erë lirie dhe njerëzie frynte në ato male, kur në tanët po endeshin më të shëmtuarat e ngjarjeve!”
Ishte në Gjenevë, e kujton: „Liqeni Leman, një nga më të bukurit e liqeneve të dheut…i butë dhe i qetë si sy i një foshnje që nuk ka bërë kurrë ndonjë faj…Volteri thotë se Liqeni i Lemanit është më i bukuri liqen i dheut! Por dhe një udhëtar anglez që ka parë shumë vënde, thotë se nuk ka parë kurrë një liqen të bukur si ai i Ohrit, pra s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kish qënë në Ohër a në Starovë“!
I fortë si karakter në mbrojtjen e Shqipërisë dhe i butë në ndjenja si njeri i brishtë, Mit’hat Frashëri të kujton bronzin – një shkrirje e bakërit të fortë me kallain e butë. I tillë, ai qe i tingullt në zë dhe i tejdukshëm në shpirt. Mjafton të kujtosh disa reshta nga letrat që i drejtonte mbesës së tij shumë të dashur:
“…E di sa të dua! Ty të kam patur gjithënjë si çupë, se ti më ke dhënë gjithë dashurinë që do më kish dhënë fëmia ime sikur të ma kish falur Zoti…Bëhu e urtë dhe e ëmbël me çdo njeri se ëmbëlsia zbut dhe më të keqin e njerëzve!..Shumë herë një fjalë e vogël shpik një trazim të madh. -Mejtohu pa fol!-është një fjalë që do shkruar me flori!…letra jote më mbushi me gaz, se më kujtoi ditët kur të tundja në djep…Bleta, milingona dhe dallëndyshja duhet të duken përtace përpara një zonje amvisë!..Te librat do gjesh ca orë dhe ca mëndje të ëmbël…Zëmra e një gruaje të vërtetë duhet të jetë si një vesë që njom dhe ngjall lulen, si një melhem që pushon dhëmbjet!..Me rastin që të shkruaj ty, gjej dhe rastin që të derdh tepricën e psherëtimave»…
**
Italia Fashiste sulmoi Shqipërinë (7 prill ‘39). Gjithëshka lëvizi në skemat e gjykuara më parë nga Mit’hat Frashëri e figurat e tjera të shquara si Konica me shokë. Histeritë dhe servilizmat e Fuqive të Mëdha krijuan lojrat e tyre të armëve me dramat e popujve të vegjël e të pambrojtur brënda. Së pari, në themel duhet sqaruar sadopak gjëndja dhe gjykimet mes shqiptarëve sot ndarë në dy fronte, se kush është më fajtor e kush luftëtar i lirisë. Kjo kundërvënie që po zgjatet e thellohet, po krijon një çarje gjithënjë e më të thellë. Në vënd që të shqetsohen për gjëndjen e Atdheut që ka marrë rrokullimën, merren me njëri tjetrin. Si nuk u shkon në mënd që së pari si vëllezër të një gjaku të mbrojnë së pari Shqipërinë, e grindjet me të mira e të meta – kush je ti e kush jam unë – le t’i lënë për në fund. Sigurisht janë dhe kurthet e huaja antishqiptare. E quaj të dobishme të pohoj sadopak mendimin tim brënda grindjeve të dy anëshme : Partizanët janë bij të nënave dhe luftëtarë të lirisë. Gjaku i tyre është i shenjtë, i bukur e i pazevëndësuar, dhe duhet nderuar siç e meritojnë (si zë intim, këtu unë fut dhe vëllain e nënës e vëllain e gruas që ranë dëshmorë si antifashistë partizanë). Ata me shokë u ngritën posa dëgjuan thirrjen e atdheut në ndërgjegjen e tyre. Ata as nuk e dinin se kush i udhëhiqte. As nuk kanë përgjegjësi për lojrat e veçanta që bëheshin nga drejtues të veçantë me emisarët jugosllavë që s’dihet kush i ftoi e pse !…Për më tej, lufta partizane e lidhte Shqipërinë me Koalicionin Antifashist botëror, mënçuri e pamohueshme që luante me fatalitetin…Ana kundërshtare, nacionalistët, siç e treguan dhe në Mukje, qenë për një bashkim vëllazëror shqiptarësh që të bënin luftë të përbashkët kundër pushtuesit, dhe sidomos të kishin në plan Shqipërinë etnike me Kosovë e Camëri. Kjo u kundërshtua prerë nga emisarët sllavë. Ata urdhëruan dhe hoqën dhe ‘shqiponjën’ nga festja e ngulën ‘yllin’. Hymni i parë partizan i Kolë Jakovës kishte « …po i vjen vdekja robërisë/ nga ‘shqiponja’ partizan »… »Se atje (në mal », o shokë kemi folenë/ ne, shqiponja partizan… ». Mit’hat Frashëri nuk u trazua me armët, me sa di unë, si të tjerë që këtu gabuan rëndë. Gjermania nuk mund të fitonte kundër Amerikës, Rusisë e Anglisë bashkë. Kështu lidhja me nazistët, sado shpresa për të fituar Shqipëria me ta, qe një marrëzi që do na kushtonte si komb. Këtu është faji shumë i rëndë i atyre nacionalistëve që hapur a fshehur u bënë aleat me gjermanët gjer duke bashkuar armët në një resht. Nacionalistët larg armëve me pushtuesit mendoj se duhet ta kundërshtonin më prerë e hapur këtë bashkim të kolegëve të tyre të një ideali, (te ky gjykim sigurisht mëndja ime nuk mund të përfshijë universin e Mit’hat Frashërit si mision i rëndësishëm e tepër i trazuar për kohën).
Kjo nuk i shkarkon nga përgjegjësia ata krerë antifashistë që shfaqnin vese e synime egoiste për karierë apo plotsim të urdhërave nga jashtë. Nuk del nga përgjegjësia ndodhia e mundëshme e LNCl që pushtimi nazist të zëvendësohet nga sundimi sllavo-komunist. Më mbetet e pabesueshme dhe e çuditëshme, që tregon fytyrën egoiste, jashtë idealit të pastër të lirisë e të luftës së pastër partizane antifashiste, një Letër që Mehmet Shehu i dërgon Dushan Mugoshës kur ai qe larguar, Letër që flet shumë dhe çdo njeri ta gjykojë vetë :
• « Mehmet Shehu. 2.4.44 Dushan Mugoshës : ‘Na duket se jemi jetimë dhe pa nënë ! Dalëngadalë jemi mësuar të ecim me këmbët tona. Si na ke mësuar ti dhe Partia duke na udhëhequr për dore në fillim, si nëna e mirë që mban për dore fëmijën e mirë i cili premton shumë…
• 22. 4. 44 Me Fiqretin, kur morëm lajmin e largimit, na doli para syve Sala, mësuesi ynë…Po për interesat e Brigadës tënde, kë do lësh pranë Shtabit të Përgjithshëm ? Kujt do ia besosh këtë mision special ?… » Mendoj se kjo Letër është ulërimë dhe çdo lexues e gjykon vetë nga rjedh e ku synonte të arrijë. Terrori komunist, ngjarje e pakundërshtueshme, është një temë tjetër. Mund të themi sadopak, se ai u shfaq në tri pamje, – të vrasësh kundërshtarin e hapur, të vrasësh atë që dyshon si kundërshtar dhe e treta të vrasësh shokët që të rrezikojnë karriken duke i krijuar vetë me fantazi viktimat…

… Që në ditët e para të prillit 1939, formohet në Tiranë një Komitet i Rezistencës, kryesuar nga Mit’hat Frashëri. Ky Komitet u kthye në “Balli Kombëtar”. Komunistët u kujtuan të luftojnë pas dy vjet e gjysëm pushtimi, pikërisht ahere kur iu sulmua mëma e tyre, Rusia! Jo rastësisht te vepra dokumentare “Gjaku i tradhëtuar” Miladin Popoviç pohon: “Komunistët shqiptarë, që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste e deri në nëntor 1941 s’kanë luajtur asnjë rol në lëvizjen e brëndëshme të popullit shqiptar“.
Megjithatë, nacionalistët e ndershëm, ashtu si të parët e tyre që trashëgonin në tërësi, shihnin larg në kohë, dhe thellë në fatin e Shqipërisë. Ata thirrën për një luftë të përbashkët si vëllezër. Për këtë, me nisiativën e Mit’hat Frashërit u thirr një takim i përbashkët, nacionalistë e komunistë; e njohur si Mbledhja e Mukjes, Ajo u bë në një lëndinë ku lulet e ullinjtë qenë dekori i natyrës për vëllazërinë e shqiptarëve. Në Deklaratën e hartuar, me luftën ndaj fashizmit kërkohej dhe Shqipëria etnike. Më 3 gusht 1943 Mit’hat Frashëri i kërkoi Nacional-çlirimtares që me forcat e përbashkëta që kishin aty të sulmohej Kruja, dhe aty të krijohej një Qeveri e Përkohëshme Shqiptare. U bënë dhe disa goditje të përbashkëta si vëllezër në udhën e të parëve kundër armikut, por ato shpejt u ndërprenë: emisarët jugosllavë, të tërbuar nga bashkimi i shqiptarëve për Shqipëri etnike, kundërvepruan ashpër mbi shërbëtorët komunistë. Enver Hoxha e pranoi në fillim, por nën kërcënimin jugosllav, ktheu mëndjen, shkroi kundër-Deklaratën e re ku tradhëtonte kombin shqiptar duke kundërshtuar atë që kishin firmosur me dëshirën e parë të tyre: “…nëse nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më…! Për Komitetin Qendror të Partisë – Shpati” (AQSH. F. 14. dos. 11). Tradhëtia nisi të ecë bashkë me vëllavrasjen. Historiani i njohur i PK Jugosllave, Vladimir Dedier shkruan mes të tjerash:
“Kthesa u bë në Mukje…PK Shqiptare gjatë vitit 1943 filloi të ndikohet nga figurat nacionaliste dhe intelektuale të Shqipërisë…” Autoritetet si M. Frashëri kishin hije të plotë përkushtimi për Shqipërinë. Me porosi të jugosllavëve, krerët komunistë mungesën e autoritetit në fillim do ta zëvëndësonin me shtimin e terrorit, duke vrarë në radhë nacionalistët, e më pas do ia hiqnin me radhë njeri tjetrit kur e gjykonin si kundërshtar me gjak Shqipërie. Mit’hat Frashëri po përjetonte dramën më të madhe në jetën e tij. Si i hutuar nga fijet e ngatërruara të fatit ku qenë nisur komunistët, më pas ai do të shprehej si një orakull tragjik: “Shumë gjëra ndoshta na kanë ardhur si një fatkeqësi e zbritur prej qiellit, ose e buçitur nga zjarri i skëterrës”! Kurse kreu i Luftës NCl vazhdonte zërin e emisarëve në një harmoni: „…Duan të ndajnë Shqipërinë nga Jugosllavia, , kështu ta hajë dreqi vëndin tonë…Do ta mbrojmë këtë aleancë gjer në vdekje…“ Nga ana tjetër, mirë nuk lufton hapur kundër pushtuesin nazist, por dil më hapur kundër atij armiku siç e lufton gjithë bota. Nuk bëhesh mik me të, po shpallu hapur si armik i njerëzimit, pavarësisht se ç’të premton ty si komb! Meclin shkruante mes të tjerash: „LNCl duhet zbutur ‚duke futur aty sa më shumë nacionalistë……Kupi të shërbejë si pikë rreth të cilës do bashkohen tërë nacionalistët që do tërhiqen të luftojnë kundër gjermanëve“.
Trazirë e madhe në krye të dy kampeve. Njëra anë do mbante përgjegjësinë historike për atë që nuk e luftoi si duhet as e kundërshtoi sa duhet pushtuesin , kurse tjetra – përgjegjësi historike qe më pranimin në udhëheqje të emisarëve sllave dhe sidomos braktisjen e idealit të Shqipërisë etnike me Kosovë e Camëri. Koha do t’i gjykonte më saktë e gjakftohtë.
Në përballimin dhe mundjen e fashizmit Mit’hat Frashëri nuk qe vetëm për bashkimin e shqiptarëve, po dhe për bashkëpunim të popujve të Ballkanit, me kusht që secili të qe zot i vëndit të tij. Ai Shqipërinë etnike e kërkonte me referendumin për vetvendosje të trojeve të prera, siç e kish shpallur vetë Rusvelti e Curçilli në Kartën e Atlantikut (po për fat të keq e për pabesi të autorëve të mëdhenj, pasi u ndjenë ngrohtë për vete, “Atlantikun” e fshinë me anë të Jaltës, në vënd që tokën e Jaltës ku do uleshin si të fituar ta pastronin me ujrat e “Atlantikut” të premtuar)!
Mit’hat Frashëri në krye të qëndresës nacionaliste u ndodh brënda një drame tepër të vështirë. Ai qe i bindur nga përvoja dhe historia, se emisarët sllavë vinin që fitoren mbi fashizmin italo-gjerman të na i kthenin në pushtim prej komunizmit sllav; se shqiptarët tërë kohrat kanë ndihmuar dhe u kanë dhënë lirinë fqinjëve, kurse ky afrim i tyre me yllin e kuq që errësonte shqiponjën, kish prapavijë një robëri të re, më të gjatë e më të rrezikshme, siç e tregoi koha. Mit’hat Frashëri me fisnikërinë gjenetike të të parëve bëri përpjekje me një durim mitologjik për të shmangur gjakderdhjen mes vëllezërish (do të thonim një durim dhe shpresë e tepëruar e cila u kushtoi shtrënjtë atyre dhe Shqipërisë). Ai e përcaktoi në mënyrë shkencore e profetike komunizmin si “një epidemi kolere, një sëmundje si tërbimi i qenve e cila prek jo vetëm trupin, por dhe shpirtin e njerëzve”. Koha e vërtetoi se fashizmi dhe komunizmi janë binjakë lindur nga llumi i shoqërisë. Për më tej, komunizmi është më ngjitës gjer në shkallën sa ai edhe duke “vdekur”, riprodhon vetveten. Musolini thoshte se nën këmishën e zezë të fashizmit, kam këmishën e kuqe të komunizmit. Fashizmi erdhi nga sipërfaqja histerike e njerëzimit, si një re breshëri nga lart që bëri një gjëmë e kaloi; kurse komunizmi është një ngricë e hidhur nga poshtë, me pushtet më të gjerë e me gjëmë më të gjatë.
Këtë Mit’hat Frashëri çuditërisht e kish ndjerë me kohë; gjurmët e komunizmit ai i barazonte me shkatërrimin. Dikur pati shkruar:
“Esat Pasha u bë foleja drejt së cilës rodhën gjithë ç’mund të kish të keqe në Shqipëri. Esadistët inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje e rënime; tre vjet më parë se të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit e Musa Qazimit kthyen armët edhe kundër kryetarit e inspironjësit të tyre (Ismail Qemalit)…”
Me ardhjen e sundimit komunist, ai natyrshëm mori udhën e mërgimit. Megjithatë, gjersa mbylli sytë frymëmarrja e tij jetoi me ajrin e Shqipërisë. Kudo që i jepej rasti apo, megjithë shtigjet e mbyllura, rastin ai e krijonte vetë, Mit’hat Frashëri fliste për të vërtetën e Shqipërisë dhe fatit të saj.
Pas Luftës u mblodh Konferenca e Paqes. Më 28 korrik 1946 ai, me ndihmësit e tij Lec Kurti e Vasil Andoni, krerë në Ballin Kombëtar, i dërgoi Memorandumin e njohur ku mes të tjerash ngre me forcë çështjen e Kosovës, për të qënë e lirë dhe e bashkuar me Shqipërinë. Edhe si mërgimtar tragjik, prapë edhe aty ngul këmbë duke u dëshmuar Fuqive të Mëdha se Kosova “përfshin më tej se hapsirën që shtrihet në Lindje nga liqeni i Prespës deri në trojet e Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Prishtinës, Mitrovicës, Jenipazarit, Rozhajës, Plavës, Gucisë, Cemit e Tivarit…”.
Më 14 prill 1945, Sekretarit të Shtetit të SHBA, Eduard Sttetimus i ndriçon të vërtetën kundër shtrembëruesve sllavo-komunistë të historisë: “Në kohën kur Balli Kombëtar e Legaliteti kishin politikën e tyre të zgjuar për të arritur një mirëkuptim paraprak me grekët, një mirëkuptim që bazohej në pranimin e kufirit të 1913-ës si dhe për organizimin e një plebishiti në Kosovë e Dibër pas Luftës, në kohën kur organizatat tona po shtronin rrugën për një bashkëpunim me Greqinë, Partia Komuniste e Shqipërisë masakroi përfaqësuesit e Ballit Kombëtar te partitë revolucionare kombëtare greke”.
Koha e historisë, apo interesat e të Mëdhenjve, ndoshta të penduar për lëshimin e parë kërkuan që bllokut komunist të Moskës t’i krijohej një e çarë. U zgjodh Shqipëria. (Mesa duket, vërtetohet te Shqipëria ajo që thoshte M. Frashëri: “Asgjë në botë nuk bëhet pa ndihmën e viteve”). Nën drejtimin e tij, më 26 gusht 1949 në Paris u shpall formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Kish 5 antarë të Komitetit Ekzekutiv dhe 11 të atij Konsultativ. Për probleme forcimi të tij, u bënë 6 javë bisedime “me miqtë e huaj”.
Më 26 gusht në gazetat amerikane u njoftua: mes të tjerash: “..Në Paris u krijua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili do ta ketë selinë në SHBA.Qëllimi i tij do jetë përfaqësimi i tërë shtresave shqiptare të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie që respekton të drejtat dhe liritë e shtetasve të vet. Në këtë Komitet përfshihen personalitete të shquara shqiptare në sferën shoqërore e politike, dhe Selinë e vet do ta ketë në Nju Jork…kjo lë të kuptohet se Ministria e Jashtme e mbështet këtë përpjekje. Mit’hat Frashëri, udhëheqesi i këtij Grupi pritet të arrijë së shpejti në Amerikë”. Te stema në formë rrethi ndarë në katër kënde shkruhej – V K L SH (Vdekje Komunizmit, liri Shqipërisë). Sigurisht në fshehtësi, ai qe lidhur me figura të caktuara amerikane për misionin sa të rëndësishëm aq dhe të vështirë…Ditën e fundit që do të nisej te qëndra e Operacionit në Itali, , ashtu si Konica më parë, befas u gjënd i vdekur në Hotel Lexington, Manhaten. Ishte e hënë, 3 tetor 1949 ora 9.25 kur ai zuri të përpëlitej me vdekjen e papritur. Me shëndet, gjithmonë kish qënë mirë. (Në një letër që i pati dërguar mbesës së shtrënjtë, shkruan: “Shëndeti ka qënë për mua e vetmja e mirë, e vetmja fuqi që më ka ndihur të duroj pamjen pikëllonjëse të ngjyrave politike”). Mirëpo në mes kish hyrë sigurisht agjentura që nga KGB-ja me helmet e saj të zgjedhura – atak në zëmër!!…I zoti i Hotelit thirrte i shqetësuar, për ta larguar të vdekurin “pa emër”, pasi i largoheshin klientët! Në xhep i gjetën numurin e telefonit të bashkëpunëtorit amerikan për Misionin. Në atë drejtim, pasi e pyetën atë, njohën viktimën! Në këtë ngjarje ka diçka të paqartë: si vallë mbeti i panjohur dhe nuk u njoftua zyrtarisht se kush ishte viktima, kur në krye i ndënji gjersa vdiq, Talat Karagjozi, (në shtyp ai bën dhe përshkrimin e imët të orëve të fundit që vlejnë të kujtohen sado shkurt):
“Ora 12 e drekës, e diel, në Hotel, në shtrat. M’u morën mëntë! S’hëngri drekë… Ora 1.30; fërkon gjoksin, ngrihet, ulet. Nxjerr nga valixhja një kokërr. S’e qetson. Bie…I telefonoj dr. Lacit,- s’qe! Doktorë të huaj nuk deshte. Vjen dr.Laci…Kujtonte tërë shokët: „Tani, biri im,që bëmë atë thirrjen në Radio-Londra, thamë se shqiptarët duhet të jenë të denjë për të qënë shërbestarët e Shqipërisë’! Laci erdhi me z. Ilia Capullari e Nuçi Kota. I bënë injeksion. Vetëm zëmra e fortë i përballonte atë atak! Por iu përsërit. Ka arteriosklerozë të përparuar!..Lajmëroj Dostin – erdhi menjëherë. Qe më mirë, kurajoz! Falënderoi nëpër gjumë doktorin! Fjeti gjer më 7.30 të mëngjezit. Më 8.30 lëviz. Luan këmbën e krahun e majtë…9.10 prapë lëviz. E luaj-nuk flet. Kthehet nga unë, hap sytë, më bën shënjë t’i vete te shtrati; vë dorën e djathtë mbi timen; syhapët mbaroi…2.30 vjen nga Vashingtoni e mbesa, Lule Stefani me burrin…Në Sallë – veshur me rrobat e zeza nga Shqipëria. Flinte!.. Iu vunë 25 kurora. Muzika e Bet’hovenit. Arkivoli me flamur… Vjen Imam Vehbiu nga Detroiti. Nën Hymnin e Flamurit, në varrezat Ferncliff. Flet Xhevat Kallajxhiu, Sejfi Protopapa…». Kështu iku dhe një Njeri i Madh i Shqipërisë. Në shpirt të tij ai nuk deshte ta vajtonin, në hallet që kish Shqipëria koka të mos u ulej sadopak nga hidhërimi, siç e kish lënë amanet të përgjithshëm: „Vajtimi nuk hyn në punë se sjell dëshpërim, fatalizëm! Zgjoni në popull ndjenjën e dinjitetit e të përgjegjësisë së njeriut, të punëve të tij!..Cdo shqiptar sot gjëndet para gjykatores së historisë. Historia po na gjykon“!
Shteti komunist i Tiranës sigurisht bëri festë. Vite me radhë Shqiptari i Madh që u shkri si rrallëkush për Shqipërinë u mbulua me mallkime e fyerje si ‚antishqiptar’(!).. Një Fjalor Enciklopedik e cilëson me epitetet e shëmtuara e të mjerueshme – «bashkëpuntor fashizmi, agjent anglo-amerikan(!)…“ Kujtojmë, bota edhe raste më të rënda gjatë Luftës kundër fashizmit në vëndet e tyre i kaloi si mbi vaj ulliri, duke i krahasuar në gjykim me veprën e tyre të gjatë kombëtare. . Dihet, Gjen. Peten i Francës i hapi krahët Hitlerit, i dha divizione të tëra ushtarësh, krijoi qeverinë e Vichy-t përnaziste, i thirri zyrtarisht popullit që të mos kundërshtonte…Në fund të Luftës, pas një gjyqi prej operete, u dënua me izolim në ishullin „Syri“! Kurse Enciklopedia La Rousse, 1989 e vlerëson më tepër me meritat e kaluara: „…mareshall i Francës dhe burrë politik francez….“ (At Anton Harapi gjatë gjyqit komunist të pushkatimit pëshpëriti i habitur: „Kurse Peteni nuk u pushkatua…“!). Përgjigjen ia dhanë plumbat e komunizmit.
Latinët thoshnin: „Vëndet e ashpër nxjerrin virtyte të mëdha“. Mit’hat Frashëri u ngrit në lartësinë e gjeniut. Jetën e shkurtër, të ndërprerë ai e rriti me vepra të mëdha. Jeta e njeriut ka energji të pashtershme kur ai do dhe çmon të parët e tij të mëdhenj të cilët i mban në shpirt. Që në të ri Mit’hat Frashëri shkroi:
„Sa më shumë të njohim njerëzit e famshëm tanët aq më tepër do kemi respekt dhe dashuri për kombin, aq më të mëdha shënja dhe shëmbulla do na shfaqen që të mund të ndjekim gjurmët e tyre dhe të rrëfehemi djem e nipër të zotë“.
Është radha jonë ndaj Mit’hat Frashërit e njerëzve si Ai, e këtu na rri përpara g

Shkruani nje pergjigje