Fjala si i vetmi realitet i grupimit politik Rilindje

Nga : Vehap KOLA

Rama dhe Veliaj, me ndihmën e konsulentëve të tyre, nuk janë asgjë më shumë se zbatues besnikë të botëkuptimit postmodern mbi “gjërat”. Ata nisen nga premisa e mohimit të fjalëve si pasqyruese të gjërave dhe e bindjes se gjuha në vetvete përbën realitetin: ajo që flitet është e vërtetë, të paktën derisa ajo të përmbyset nga një tjetër ngjarje ligjërimore. Siç e ka thënë edhe Heidegger: “Është pikërisht e folmja vendi ku shfaqet bota’. Këtu zë fill filozofia e marrëdhënies publike të Rilindjes: pretendimi se bota përbëhet nga fjalët dhe jo vetëm pasqyrohet në to.

Adoptimi i perspektivës postmoderne lë të kuptohet se nuk mund të ketë identitet apo realitet jashtë atij që krijohet nga gjuha, sepse gjuha na ofron neve dhe gjërave që shfaqen rreth nesh gjithë substancën që ajo ka. Për Ramën dhe Veliajn, çdo gjë është një tekst i vendosur në një apo më shumë ligjërime, prandaj nuk ka shpëtim nga efektet e gjuhës. Në thelb, Rama dhe Veliaj besojnë se njerëzit nuk janë të aftë të kuptojnë asgjë vetë, për disa arsye.

Së pari, është në besimin e tyre se ligjërimet në të cilat përfshihen njerëzit e zakonshëm i japin formë realitetit të tyre, duke ndikuar mënyrën se si e përdorin gjuhën dhe gjërat rreth të cilave flasin. Kështu, njerëzit flasin rreth aksionit të mbjelljes së pemëve, reformës në drejtësi, vetting-ut, shtetit që mbahet ose jo me taksat tona, pengimit të integrimit nga opozita etj, por nuk flasin shpesh rreth drogës, krimit në pushtet, oligarkisë, blerjes së zgjedhjeve dhe varfërimit të pandërprerë.

Së dyti, folësit, tekstet e folura dhe e folura në tërësi janë të gjitha të formësuara në gjuhë dhe përmes gjuhës. Kësisoj, Rama, Veliaj dhe Partia Socialiste që ata drejtojnë janë përfshirë në një luftë të ashpër me këdo që nxjerr në shesh rrejshmërinë e tezave të propagandës së tyre. Sepse ata janë të bindur që iluzioni që ndërtojnë përmes fjalëve mund të rrëzohet pikërisht përmes shpjegimit të mënyrës se si ndërtohet ai iluzion në mendjet e qytetarëve të zakonshëm. Kështu, realiteti që ata ngrenë thërrmohet dhe asgjësohet. Reagimi i tyre ad hominem ndaj kujtdo që godet themelet e këtij iluzioni është përpjekje për të zhveshur nga autoriteti për të ndërtuar apo rrënuar përmes gjuhës ata që nuk marrin pjesë në projektin e tyre ligjërimor.

Së fundi, kuptimi nuk mund të fiksohet dhe as e vërteta – ato mbeten në rrjedhje ndërsa lëvizin brenda dhe ndërmjet ligjërimeve, duke ndryshuar potencialisht me çdo artikulim të ri. Për këtë arsye, e gjithë oponenca dhe aktivizmi kundërqeveritar relativizohet me anë të pranisë së pandërprerë në media të dy prodhuesve më agresivë të fjalëve në të folmen publike. Rama dhe Veliaj nuk hyjnë në kutinë e zezë të televizorit vetëm përmes dritares së politikës, por edhe përmes oxhakut të babagjyshit bamirës, piktorit, apo dashnorit të gjelbërimit. Ne i shohim Ramën dhe Veliajn të marrin pjesë në debatin publik mbi bamirësinë, të kryejnë vepra bamirësie, të shpërndajnë supë në qendrat ditore etj.

Pushteti dhe komunikimi janë qendrorë për Rama & Veliajn, sepse kushdo që kontrollon ligjërimin mund të bëjë që gjërat që ai dëshiron të perceptohen si ekzistuese, ndërsa ato që vënë në pikëpyetje këtë gjë të mos perceptohen si ekzistuese. Fuqia e fjalëve transferohet drejt atyre që kanë akses ndaj ligjërimit të gjerë ose influencë mbi të, siç janë gazetarët dhe celebritetet. Pushteti prodhon shpërfytyrime komunikimi kur çekuilibrat e pushtetit, të mbështetura edhe nga mosnjohja e gjërave që prodhojnë realitetin, u lejojnë këtyre dy pushtetarëve të përkufizojnë realitetin në të cilin të tjerët duhet të jetojnë, duke krijuar kësisoj mundësinë e shfrytëzimit dhe abuzimit.

Në këtë mënyrë, ligjërimi mbi taksat që u thyejnë kurrizin fukarenjve mbështetet mbi argumente perëndimore, ku rrugët interurbane përdoren kundrejt pagesës, mirëmbajtja e rrugëve realizohet përmes skemave koncensionare, apo qeveritë aplikojnë taksa të larta mbi të ardhurat. Ndërkohë, pas këtyre argumentave fshihen mashtrime të qarta të makinerisë së propagandës Rama-Veliaj. Është e vërtetë që në të gjitha vendet e Europës rrugët interurbane përdoren kundrejt pagesës, por kjo nuk është e gjithë historia. Në Europë, rrugët me pagesë janë ndërtuar nga koncensionari dhe jo nga buxheti i shtetit. Ndërsa në Shqipëri kjo skemë po zbatohet mbi rrugë që janë ndërtuar me financim nga buxheti i shtetit. Mirëpo, retorika dominuese në median e kontrolluar nga pushteti e maskon këtë fakt, duke e thjeshtuar dallimin ndërmjet dy formave të menaxhimit të rrugëve.

Dalja nga shfrytëzimi i imponuar me mjete gjuhësore mund të arrihet përmes vetëdijësimit rreth mënyrës se si gjuha e mishëruar në ligjërim prodhon realitet. Alternativa që na ofron postmodernizmi për t’i shpëtuar tiranisë së gjuhës Rama & Veliaj është bashkimi i forcave dhe pjesëmarrja në ligjërim. Pjesëmarrja në mënyrë reflektive, pra me vetëdijen e efekteve të gjuhës, na bën të mundur ndryshimin e dëshiruar. Për këtë arsye, pjesëmarrja jonë në ligjërimin publik përmes rrjeteve sociale e dobëson dhe shpeshherë e dështon operacionin Rama & Veliaj të krijimit të një perceptimi nga ana e publikut që përbrendëson skllavërimin.

Kohët e fundit, megjithë kontrollin e plotë të Ramës dhe Veliajt mbi median, disa media relativisht të reja të bazuara mbi gazetarinë investigative dhe profesionalizmin kanë iniciuar një model ligjërimi që i kundërvihet me profesionalizëm manipulimit të publikut me bazë fjalën. Investigimi i lidhjeve të funksionarëve të lartë politikë të Partisë Socialiste me organizatat kriminale, rrjetet e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhja e skemave okulte të zhdukjes së parave publike në tendera dhe koncesione, apo pasqyrimi i kritikës ndaj oligarkisë e kanë tronditur themelin e sistemit të sundimit që kanë ngritur Rama dhe Veliaj. Kjo është një provë se realiteti i stisur nga fjala e rreme mund të shembet nga fjala e vërtetë. Në këtë kuptim, mediat e reja kurajoze që nxjerrin në diell sistemin oligarkik të robërimit të shqiptarëve, duke zbuluar emrat e oligarkëve që dirigjojnë këtë proces plaçkitjeje, e kanë bërë detyrën e tyre civile në mënyrën më fisnike. Akti tjetër i domosdoshëm i zbërthimit të ingranazhit skllavërues të oligarkisë nën udhëheqjen e Edi Ramës është që opozita të fillojë të flasë të vërtetën pa dorashka. Derisa kjo të ndodhë, e folmja e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe legjionit të tyre të propagandës do të vazhdojë të ndeshet pabarazisht me disapak mediat profesionale në internet. Në këtë luftë krejt të shproporcionuar përfundimi është i lehtë për t’u parashikuar.

Shkruani nje pergjigje