MONIKA NUK MJAFTON!

Nga : Nebil ÇIKA

Opozita pas dorëzimit të mandateve të deputeteve është futur në rrugën pa kthim të rrëzimit me çdo kusht të kësaj qeverie që, sipas saj dhe shumicës së shqiptarëve, po e çon vendin në katastrofë. Protesta popullore duket gjithashtu se është mjeti i vetëm në dispozicion të saj për bërë politike dhe besoj se i gjithë investimi do të përqendrohet pikërisht këtu. Dihet që baza e opozitës dhe protestës së saj është PD, militantët dhe përkrahësit e saj kontributi i të cilëve ka qënë i dukshëm në të gjitha protesta antiqeveritare.

Por kjo ka koston e saj pasi ata që më së shumti e vuajnë kundërpërgjigjen e qeverisë janë pikërisht këta. Ata arrestohen, dhunohen, mbyten me gaz, pushohen nga puna e megjithatë duket se askush nuk ua mban shënim e vlerëson kontributin e tyre. Shpesh herë duket se u llogaritet si detyrë apo detyrim ti përgjigjen pa kushte thirrjes së PD-së për protesta e aksione të tjera politike. Kam vënë re se shpesh herë drejtuesit harrojnë ta vlerësojnë kontributin e njerëzve të thjeshtë duke ngjallur me apo pa dashje një ndjenjë mosmirënjohje, një fenomen ky i përsëritur në PD. Kjo pa dyshim, përtej motivimit personal e familjar për të protestuar kundër qeverisë, ngjall pakënaqësi e ndonjë herë edhe fyerje tek ata të cilët pa ndonjë synim për përfitime personale politike dalin në rrugë duke rrezikuar jetën e tyre kundër qeverise. Duket se PD po mendon se vetëm aleanca me LSI, ish partnere e qeverisjes në katër vitet e para të saj i mjafton për të rrëzuar Ramen duke lënë shpesh herë pa vlerësuar mbështetësit e saj ideologjik të cilët janë e vetmja shpresë e fitores apo edhe më tej e ekzistencës së saj. Pas protestës së të hënës dëgjuam kryetaren e LSI znj. Kryemadhi të deklarojë e ekzaltuar se në krahun e saj në proteste kishte qënë edhe një komunist, nipi i Nxhmije Hoxhës. Mund tq ketë qenë, por çfarë rëndësi ka kjo?! Në çdo protestë kundër kësaj qeverie, baza e shpirti i tyre kanë qënë dhe ngelen antikomunistët të përndjekurit politikë, pronarët legjitimë, qytetarët e pa implikuar me diktaturën komuniste e të tjerë. Do të shikosh kush e bën protestën, shiko të arrestuarit apo të shpallurit në kërkim nga policia, shumica e të cilëve vijnë nga familjet antikomuniste të të përndjekurave politikë. Por këta Monika nuk i shikon, nuk i shikon dot edhe sikur të dojë, se njeriu shikon atë që do të shikojë dhe në mes të mijëra antikomunistëve pjesë e protestës Monika shikon vetëm një komunist, dhe jo një dosido, por vet nipin e vejushës së diktatorit Nexhmie Hoxha. Bravo i qoftë që shikon vlerëson e bën publik, se ajo dhe partia e saj andej vjen nga Ngeshmeje Hoxha. Problemi ynë, i joni është ajo se çfarë bën apo duhet të bëjë Basha dhe drejtues të tjerë të PD-së. Janë ata që duhet ta shikojnë ta vlerësojnë e ta publikojnë kontributin madhor të antikomunistëve në protestë e në aksionin politik opozitar. Kjo nuk ka ndodhur deri tani dhe kjo përbën problem të madh jo vetëm për njerëzit që po sakrifikojnë në protesta por edhe për PD-në përfitueses më të madhe prej këtyre protestave. Një nga aspektet ku PD po gabon duket të jetë bashkunimi me ata që ajo i konsideron si aleatë. Shikoni takimet me aleatët, në krah të Bashës janë parti parlamentare apo jo që në jetën e tyre poitike më shume kanë qënë kundër PD se sa me të, por mungojnë aleatët historikë e tradicionalë si partitë e Ballit Kombëtar. Legalitetit e të tjera që për shkaqe ideologjike janë aleatë natyralë të PD-së. Kjo krijon një problem të madh me perceptimin e publikut, sidomos militantëve e elektoratit bazë të PD-së, antikomunistët, të cilët në një mënyrë ose tjetrën kanë lidhje historike me këto parti. Ideja se këta nuk kanë ku shkojnë e do të votojnë pa tjetër për PD është një gabim që i ka kushtuar disa herë PD por me sa duket nuk ka vënë ende mend prej këtij gabimi. “Mosmirnjohja” në mënyrë të përsëritur ka bërë që shumë mbështetës të fyer të mos shkojnë fare në zgjedhje gjë që në llogari elektorale kthehet në gjysmë vote kundër. Personalisht nuk jam dakord me këtë praktikë por kurresi nuk mund të fajësoj dot një njeri të pavlerësuar për kontributin e tij pse nuk e jep në pafundësi e pa kushte këtë kontribut. Faji qëndron gjithnjë mbi mosmirënjohësin .
Nuk e di si ia ka bërë llogaritë PD-ja por unë mendoj se vetëm Monika dhe nipi i Nxhmije Hoxhës nuk i mjaftojnë dot për të rrëzuar qeverinë e për më tepër të marrë pushtetin . Ajo që dyshoj por nuk e kuptoj, e për më tepër pranoj dot në gjithë këtë marrëdhënie të pa qartë e të pa drejtë të PD-së me mbështetësit dhe aleatet tradicionalë është fakti se nuk i kushton asgjë që ta bëjë ketë, pra të vlerësojë e tu jetë mirënjohëse së pari njerëzve të saj. Kur nuk e bën ketë dot moralisht e politikisht sot në opozitë, çfarë mund të ndodhë nesër në pushtet?!
Prandaj këmbëngul që: Monika nuk mjafton!!!

Shkruani nje pergjigje