Historia belbëzon

Nga : Edmond TUPJA

Te shumë popuj, madje edhe të vendeve më të zhvilluara, e marta konsiderohet nga besëtytët si ditë terse, sidomos kur ajo bie më datën 13 të muajit. Mirëpo, populli ynë nganjëherë fort i mençur e ka gjetur një mënyrë për t’iu kundërvënë këtij opinioni fatalist: Gjithsesi, pretendon ai, e marta e ka një orë të mbarë.

Të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike, në daçi besojeni, në daçi mos e besoni, por të martën e kaluar, popullit i doli fjala: ajo ditë, pra, më datën 8 të këtij janari të mardhur e të lagësht njëherazi, në Bërrakë, më pak se një çerek ore larg sheshit gungaç “Skënderbej” të kryeqytetit, fare pranë hyrjes së shkollës “Hasan Vogli”, sheshi i vogël ku takohen rrugët “Mine Peza” e “Kongresi i Tiranës” si edhe tërë rrugët rreth e rrotull atij u gdhinë të pastruara si me magji: Kurrë ndonjëherë nuk i kisha parë aq të pastër! Më habiti gjithashtu prania e policëve me uniformë dhe e atyre pa uniformë. Gjithçka shkëlqente, madje edhe harabelat të krijonin përshtypjen se cicërinin gëzueshëm! Papritur, nuk e di pse, në kujtesën time të lashtë u zgjuan tingujt e një kënge të kohës së diktaturës: “Festë të madhe ka sot Shqipëria!”, sigurisht me një ndryshim fare të vogël: “Festë të madhe ka sot Bërraka!”, po Bërraka ime multiraciale, ying e yang, siç do të thuhej e shkruhej në frymën e jogës! Kureshtar sa nuk bëhej më, pyeta Vojsavën që ka një farmaci, Anilën që ka një furrë buke, Lulin, Dylberin, Petron e Idajetin me Irmën që kanë nga një dyqan ushqimesh të thata e zarzavatesh të njoma dhe, o habi e habive, o surprizë e surprizave, a e dini se çfarë më mësuan veshët? Një lajm të mrekullueshëm, të pabesueshëm, të paimagjinueshëm! Kryeministri dora vetë, prej mishi, kockash, gjaku e zëri, pritej të vinte për vizitë. Për t’u bindur përfundimisht, renda e u futa tek ëmbëltorja elegante e Spiros, ku ëmbëlsirat dhe bukët e shumëllojshme janë, sipas meje, të paktën, nga më të mirat jo vetëm në Bërrakë, por, ndoshta edhe në kryeqytet! Të gjithë ma konfirmuan lajmin lumturisht tronditës e troshitës…

Mirëpo, ideja që t’ua komunikoja këtë lajm miqve të mi të vjetër Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti, m’u hallakat e shkalafend në mendje, sepse një tjetër mendim m’u zgjua e më ktheu disa dekada prapa, në kohën e diktaturës komuniste, kur ndërmarrjet dhe kooperativat lajmëroheshin disa ditë përpara se do t’u vinte për vizitë “shoku” Enver ose “shoku” Mehmet apo ndonjë tjetër “shok” anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së etj., etj.! Lajmëroheshin kështu që t’i jepnin realitetit të zymtë shqiptar një lustër demagogjie të neveritshme për t’i treguar botës përmes mediave vendase sa i lumtur ishte populli shqiptar dhe sa shumë interesoheshin udhëheqësit e tij për fatet e atdheut socialist! O Zot! thashë me vete, ndonëse prej kohësh ateist tolerant, por ateist gjithsesi. O Zot, Historia përsëritet! Përsëritet në trajtë show, veçse në mënyrë tragjikomike ose thjesht komike ose, edhe më thjesht, groteske! Befas m’u kujtua thënia e një mendimtari francez, emrin e të cilit mjerisht e kam harruar: Historia nuk përsëritet, ajo belbëzon. Do të isha treguar më pak i ashpër sikur këto vizita të kishin qenë sot spontane e të sinqerta, sikur qeveritarët tanë të lartë e sidomos zoti Kryeministër (si të martën e shkuar) të vinin për dialog “gju më gju” apo, më saktë, “gjuhë më gjuhë” me vegjëlinë e brengosur e të burgosur në mjerimin e vet material e shpirtëror jo në një dekor të rremë festiv, jo sa për t’ua bombarduar atyre sytë dhe sidomos mendjet e stërmunduara me imazhin e të Madhit, e Njëshit, e të Pagabueshmit, e të Perëndishmit (së shpejti të Perëndueshmit?) Kryeministër të Republikës së Rraskapitur të Shqipërisë.

Zoti Rama hyri (A thua pa lajmërim paraprak?) tek ëmbëltorja e lartpërmendur për të biseduar me pronarin e saj, por vetvetiu, më lind pyetja: Përse nuk hyri, pa lajmërim paraprak, edhe te ndonjë dyqan tjetër aty pranë për të parë, bie fjala, listat e klientëve që furnizohen veresie me ushqime në pritje të marrjes së rrogës apo të pensionit të tyre mjeran? Përse nuk hyri, pa lajmërim paraprak, në shkollën “Hasan Vogli” për të parë në çfarë kushtesh mësojnë fëmijët e punojnë mësuesit gjatë këtij dimri të acartë? Përse nuk shkoi, pa lajmërim paraprak, të takonte Bujarin, shitësin e gazetave, e ta dëgjonte si e fiton ai bukën e gojës? Përse nuk shkoi, pa lajmërim paraprak, te ndonjëri prej zanatçinjve të vegjël – rrobaqepës si Mihali, kasapë si Gazi e Berti, këpucarë e tregtarë çikërrimash si Myqeremi me Valin – për të parë si e nxjerrin ata paranë me djersën e ballit dhe me gjakun e shpirtit? Përse nuk trokiti, pa lajmërim paraprak, te dera e ndonjë familjeje në nevojë, e cila nuk ka mundësi financiare të ngrohet e të kujdeset për shëndetin siç duhet apo t’i arsimojë, qoftë edhe modestisht, fëmijët e rritur? Përse, përse?…Përgjigjja e këtyre pyetjeve është fare e thjeshtë: Sepse, në vendin tonë me një qeveri si kjo e zotit Rama, Historia nuk përsëritet, ajo vetëm belbëzon!

Shkruani nje pergjigje