Timokracia e Platonit

Nga : Astrit LULUSHI

Timokraci do të thotë ‘qeverisje me vlerë apo me nder’. Platoni e karakterizon timokracinë si përzierje regjimesh – aristokraci e oligarki. Si në demokracinë e sotme, edhe në kohën e Platonit, sistemet qeverisëse duket se nuk i respektonin rregullat e lojës.

Të vetëquajturit timokratë përbuznin veprimtarinë dhe tregtinë dhe udhëhiqnin me parti a bashkësi. Ashtu si oligarkët, ata tregoheshin të pangopur me pasuri dhe nuk u besonin mendimtarëve që të vendoseshin në pozita pushteti.Në të kundërtën e emrit që mbanin, timokratët kishin prirje për të grumbulluar pasuri në mënyra të dëmshme e korruptive, dhe për t’i fshehur zotërimet e tyre nga publiku. Ata kontrollonin llumin e krimin po aq sa kontrolloheshin prej tyre. Ligjet e tyre mund të imponoheshin dhe zbatoheshin vetëm me forcën e policisë e quajtur ‘policia e shtetit’, sepse, çuditërisht, nuk ishte krijuar për të mbrojtur popullin.Platoni thotë në Republikën e tij, se në këtë lloj regjimi, në përzgjedhjen e zyrtarëve pëlqehet tipi i njeriut të mbizellshëm dhe me mendje të thjeshtë, mediokër. Dhe dihet pse; ky lloj njeriu bëhet besnik dhe shërbëtor i mirë i atij që e ka zgjedhur, dhe kurrë jo ndaj atyre të cilëve duhet t’u shërbejë. Timokracia është pasojë e llogarive të gabuar të klasës qeverisëse të mëparëshme, thotë Platoni, e cila përkrah personat me natyrë inferiore (persona me shpirt të hekurt, dhe jo idealistët me shpirt të artë, mungesa e të cilëve ndihet kaq shumë sot.Në kohën e Platonit, (423-347 pes) qytetet greke qeveriseshin kryesisht nga oligarki ose demokraci. Platoni paraqet një kritikë ndaj këtyre regjimeve – se kushtetutat e tyre kishin lënë pas dore dy virtyte thelbësore për një qytet të përkryer e të drejtë; përkatësisht mençurinë dhe moderimin. Këto e bëjnë njeriun të jetë më pak i dhënë pas parasë, më shumë të fokusuar në përftimin e dijeve dhe ruajtjen e virtyteteve. Kështu, thotë filozofi, duke mësuar se si të respektojë lirinë e tjetrit, njeriu njëkohësisht bëhet i bindur ndaj autoritetit, ndërsa pushtetari bëhet jo agresiv dhe jo përbuzës ndaj atyre që i vijnë për një hall.

Shkruani nje pergjigje