Kërcënimet e historisë

Nga : Ergys MERTIRI

Narrativa historike e paraqitur nëpërmjet ideologjive mesianike mund të bëhet e rrezikshme. Ajo kërcënon të ardhmen duke ndërhyrë në rrjedhën e historisë, për ti dhënë kahjen që ajo dëshiron. Ajo ndërhyn në gjakun tonë duke ndezur tërbimin e ndjeshmërive identitare, kulturore e politike. Ajo na josh me ideale të rreme që thithin energjinë dhe pasionin tonë. Historia mbahet fort midis premtimit dhe kërcënimit. Ajo premton një parajsë imagjinare që i shkund njerëzit drejt revolucioneve të përgjakshme, por ajo edhe kërcënon me ferrin e luftës dhe despotizmit, duke trazuar qetësinë e turmave. Frika dhe joshja janë burimet kryesore të krimeve, individuale apo kolektive dhe një motivacion i fortë për gjithçka të paimagjinueshme në kushte normale.

Në sytë e Edgar Morin-it qytetërimi europian ra në këtë krizë në kulmin e fuqisë së vet. Sipas tij, shenjat ishin dhënë që në fund të shekullin e XIX me përhapjen e skepticizmit dhe relativizmit. Brenda në gjirin e kulturës evropiane, humanizmi, arsyeja, shkenca, ishin bërë objekt shqyrtimesh kritike duke lëvruar pikëpamje që sillnin kriza. Schopenhauer-i, me thirrjet për dorëzim, e më pas Nietzsche, dhanë alarmet e para mbi mbërritjen e papërballueshme të nihilizmit. Shembja vetëvrasëse e Evropës, thotë Morin, përkon me krizën e humanizmit, arsyes dhe progresit: “Në fillim filozofia, mandej edhe vetë shkenca, pikërisht në momentin e triumfit të vet më të shkëlqyeshëm, zbulojnë brishtësinë e parakuptimeve të veta”.

Nihilizmi ushqehet, ndër të tjera, edhe nga vetë konceptimi i historisë si një proces. Mendimtarë si Hegeli dhe Marksi ofrojnë një panoramë ironike mbi realitetin njerëzor, të cilin e përshkruajnë si të paaftë për të njohur forcat impersonale të historisë, të cilat arrijnë një moment kur, në pavarësi nga vetëdija e njerëzve për to, iniciojnë përmbysje kataklizmike të pashmangshme për të dalë në një etapë tjetër më të zhvilluar. Izajah Berlin pikas në shkrimet e tyre një ndjenjë kënaqësie të hidhur teksa përfytyrojnë rënien dhe shkatërrimin e plotë të njerëzve, burra e gra, të përfshirë nga vorbullat e historisë. Ata përshkruajnë, jo pa përbuzje, përpjekjet e njerëzve të rëndomtë për të ndërtuar jetën e tyre të thjeshtë, shtëpitë e tyre, vlerat, kulturën, duke besuar se këto vlera, rendi i tyre social, ekonomik e shoqëror, janë të përhershëm. Por ata, nuk e kuptojnë se një vullkan po bëhet gati të shpërthejë mbi ta për të zhbërë gjithçka që ata kanë, shtëpitë, institucionet, idealet, zakonet, vlerat, duke e çuar njerëzimin drejt një etape të re. Të dy profetët e historisë mbeten duke soditur katastrofën, plot ironi e një përçmim sfidues.

Ky koncept i një historie që ecën sipas një plani kozmik bart, jo vetëm urrejtje, por edhe themelet e një qendrimi përjashtues. Berlin thekson se, sipas filozofisë hegeliane e marksiste, të jesh i mençur do të thotë të kuptosh se ku po shkon bota, për tu rreshtuar në anën e fuqive që çajnë rrugën drejt botës së re. Marksi madje përcakton se hakmarrja e historisë, e cila bën pluhur e hi të gjitha foletë mjerane të thenglave njerëzore, është plotësisht e drejtë, sepse e drejta dhe e padrejta, e mira dhe e keqja përcaktohen nga qëllimi drejt të cilit shkon gjithçka që është krijuar. Gjithçka që ndodhet në anën e arsyes ngadhnjimtare, sipas tij, është e drejtë, ndërsa gjithçka në anën e kundërt është e marrë, e paditur, subjektive, arbitrare dhe e verbër. Madje në qoftëse këta dritëshkurtër e batakçinj guxojnë t’i kundërvihen këtyre forcave të paracaktuara, ata mund të quhen me të drejtë, “reaksionarë, të poshtër, obskurantistë, armiq të ndyrë të interesave themelore dhe të vërtetave të njerëzimit”.

Kemi këtu tharmin e një filozofie të dhunës, e cila, sidomos duke shtuar edhe rolin e veprimit njerëzor në histori dhe revolucionin si instrument determinues drejt hopit vendimtar, siç e gjejmë tek Marksi, i hap derën kriminalitetit, e madje edhe terrorit. Kjo lloj idhujtarie ndaj historisë, e shprehur në termat e Aronit, është dera prej nga revolucionarët shkojnë drejt legjitimimit të dhunës. Sipas tij, qëllimi i amëshuar përligj mjetet e tmerrshme. Duke luftuar në emër të një ideali, ata janë gati të bëjnë gjithfarë kompromisi e të shkelin parimet e tyre. Miti i revolucionit ndërton një urë ndërmjet papajtueshmërisë morale dhe terrorizmit. Aron thotë se ndërgjegjja historike na mëson të respektojmë tjetrin edhe kur e luftojmë, ndërsa adhuruesi i historisë as e sheh dhe as që kërkon të shohë tek tjetri tjetër gjë veç një armiku, i cili duhet zhdukur e përbuzur, sepse nuk është i aftë të dojë e të njohë të mirën. Kjo vjen sepse, për të nuk ka të mirë tjetër përveç asaj të ideologjisë së tij.

***

Historiografia shqiptare dhe mendimi historicist shqiptar është i ngjizur në një truall të tillë ideologjik. Ajo është krijuar si një instrument për legjitimimin e një regjimi dhune me pretendime mesianike, ndaj dhe raporti i saj me pluralitetin është problematik. Edhe sot, pas gati 3 dekadash nga rënia e regjimit, historianët shqiptarë vazhdojnë ta rrëfejnë të kaluarën mbi kategoritë mik-armik, e jo vetëm kaq, por në të njëjtën mënyrë ata gjykojnë edhe kolegët e tyre, të huaj e shqiptarë, që e lexojnë ndryshe historinë e Shqipërisë. Sidomos për tema të nxehta, me ndikim të ndjeshëm mbi realitetin e sotëm shoqëror e politik, si psh. Lufta Nacional Çlirimtare, standardet e vlerësimit të tyre, madje ndërkëmbehen duke ruajtur atë konfigurim që pengon një qendrim të drejtë ndaj të shkuarës së regjimit të kaluar.

Bie fjala, forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar apo ato të Legalitetit, gjykohen me kategori prapavepruese, mbi bazë të faktit se ato na rreshtuan me kampin humbës të luftës së dytë botërore, përkundër forcave partizane që na rreshtuan me kampin fitues, ndonëse kur u bë ky rreshtim (nëse ekziston një i tillë, pasi në realitet ky është një mit i historiografisë komuniste) askush nuk mund ta dinte se kush do ta fitonte luftën. Ndërkaq, forcat partizane nuk gjykohen me të njëjtin standard për faktin se na rreshtuan me bllokun lindor dhe jo atë perëndimor, duke e mbyllur me turp atë histori rivaliteti e tensionesh që merr fund me rënien e murit të Berlinit dhe rrëzimin domino të të gjitha sistemeve komuniste në Europë.

Vetë vlerësimi sipas standardit fitues-humbës, është tregues i një mendësie që nuk operon mbi terma të një gjykimi kontekstual, mbi parimet e neutralitetit moral, apo të një morali universal mbi të drejtën. Përkundrazi, ata gjykojnë sipas një morali instrumental, sipas të cilit, e pafalshme nuk është dhuna, krimi, padrejtësia, por humbja dhe dështimi. E drjeta, sipas tyre, njësoj si në etikën marksiste në raport me forcat impersonale të historisë, është ajo çfarë përcakton fituesi. Ai është gjykatësi suprem i historisë.

Fakti që, një kategori e madhe historianësh shqiptarë, gjykojnë në të njëjtën myrë, si personazhet historike që studiojnë ashtu edhe kolegët e tyre që nuk pajtohen me ta, tregon se ata vetë janë të ngërthyer brenda objektit të tyre të studimit. Pra historia për ta nuk është thjesht një objekt studimor për tu zbardhur me objektivitet, por një fushëbetejë për tu fituar, në funksion të interesave të grupit shoqëror e politik ku vetë ata bëjnë pjesë. Për këtë arsye, jo vetëm ballistët, por edhe historianët që nuk i mbajnë iso linjës zyrtare të sanksionuar prej tyre, janë armiq. Mitet, klishetë, skemat konceptuale mbeten më tej mjetet e shantazhit, të cilat kjo kategori historianësh e intelektualësh i përdor për të ndërsyer publikun ndaj kujtdo që del kundër.

Në kushte të tjera e në një tjetër situatë politike nga kjo që kemi, kjo lloj gjuhe dhe kjo lloj logjike, në mos do të çonte në luftë do të shërbente për mrekulli si instrument legjitimimi për projekte politike kriminale, siç zanten i ka shpërbyer për dekada, një projekti të tillë terrorist si ai i Enver Hoxhës.

Shkruani nje pergjigje