Shtypës e të shtypur

Nga : Astrit LULUSHI

Në diktaturë, mënyra e të shkolluarit bëhej sipas paragjykimeve. Njeriu gjykohej nga biografia, nëse ajo nuk përbëhej nga të afërm e të largët komunistë e pro-komunistë, ju paragjykoheshit si armik i pushtetit “popullor”, më lart në shkollë nuk mund të ngjiteshe, partia-pushtet kishte frikë, nuk mund të edukonte armiqtë e klasës. Dhe pas kësaj njerëzit të shihnin me inat, me urrejtje, ose të largoheshin nga frika e asociimit.

Pushtetarët dhe politikanët e sotëm janë produkt i kësaj shkolle. Sjellja e tyre stonon, lë shumë për të dëshiruar, e jo më lakmuar, në kohën tonë. Ata, që tashmë qeverisin, janë mësuar në shkollat e tyre të jenë foshnjor, të varur, intelektualisht të pandershëm, pasiv dhe mosrespektues ndaj kapaciteteve zhvillimore. “Arma më e fuqishme në duart e shtypësit është mendja e të shtypurve”, thoshte anti-aparteidisti jug-afrikan Steve Biko, sikur të fliste edhe për Shqipërinë nëndiktarurë. 

Në fund të fundit, asnjë sistem nuk është më i përjetshëm sesa perandoria romake – dhe do të vijë fundi kur njerëzit do t’i tradhtojnë idealet dhe aspiratat mbi të cilat kanë ngritur institucionet e tyre. Sepse nëse politikanët nuk e respektojnë ligjin, pse qytetarët duhet t’i respektojnë politikanët? Eshtë edukimi i çdo njeriu që ka dëshirë për dije, sado i thjeshtë a i zakonshëm qoftë, që ofron mbështetjen më të sigurt për ruajtjen e një shkalle të duhur lirie. Pa këto kushte, çdo gjë që ndërtohet është kështjellë në rërë. 

Shkruani nje pergjigje