PËRBINDËSHAT E KOMUNIZMIT QË I REHABILITOI POLITIKA

Shkruan : Desada  METAJ

Nuk e di si është ndjerë gazetari që ka intervistuar sot, Shyqyri Çokun. Madje dyshoj se ka patur ndonjë emocion teksa ka lexuar pyetjet që deputeti-pronari i gazetës i ka diktuar me kujdesin për paraardhësit e sistemit me gjakatar në Europë. Ajo që di me siguri është që pas kësaj interviste, çdo debat për të larguar mbeturinat komuniste apo për të reahabilituar viktimat e komunizmit është e kotë dhe e pashpresë.

Në një vend ku debatet shterpë për dekorimin e ish persektuoreve shndërrohet në show mes atyre që qeverisen dhe vijojnë ende të drejtojnë duke u tallur pacipërisht me dinjitetin e atyre që vuajten dhe u dergjen burgjeve të komunizmit. Nëse Sali Berisha, Edi Rama apo dhe pasuesit e tyre janë kaq të merakosur për dekoratat e ish-persekutoreve, vetëm me një telefonate mund të verifikojnë se sa ish-të përndjekur kanë dekoruar, sa prej tyre kanë dëmshpërblyer dhe se sa kanë bashkëpunuar me ta gjatë kohës kur kanë qeverisur. Të flasësh dhe të akuzosh për milionat e vjedhura nga qeveritë dhe ministrat është një gjë, dhe të bësh show parlamentar me gjakun dhe vuajtjet e atyre që dhe sot janë në ditë të hallit është absolutisht një gjë krejt tjetër dhe krej e patolerueshme. Nuk e di si janë ndjerë sot ata që kanë drejtuar dhe drejtojnë këtë vend, kur kanë lexuar intervistën (apo më mirë deklaraten) e Shyqyri Çokut. Nuk di a i ka vrarë ndopak ndërgjegja që gjatë këtyre ditëve kanë përmendur dhe emrin e At Zef Pllumit, duke numëruar herët që i kanë lexuar librin, apo cituar thëniet e tij. Nuk di a kanë ndjerë ndopak neveri për një sigurims të përshkruar me aq realitet dhe pa mllefe në “Rrno për me tregue” që në mënyrë idilike të flet për 3 fëmijet e tij dhe porositë e gruas.

E vetmja gjë që di me siguri, është që familjet e 92 personave që Çoku i ka marrë në pyetje, internuar apo burgosur me justifimin se “i tillë ishte sistemi”, sot kanë një arsye më shumë për të urryer jo vetëm sistemin që i la jetim, por dhe këto 25 vjet, dëshmi e gjallë e talljes me vuajtjet e komunizmit. Dhe këto 92 familje, janë vetëm maja e një ajsbergu të stërmadh me të vrarë, torturuar, internuar për vite me radhë, që sot enden dhe përdoren paciperisht nga politika për një këst të dëmshpërblimit, që ndoshta nuk do ta gëzojnë kurrë. Sepse në fakt ata që i përdorin vazhdimisht, nuk i hoqën kurrë nga listat e shpërblimeve prokurorët dhe bashkëpuntorët e sigurimit. Ata që kishin mundësi të miratonin ligje për dekomunistifikimin e Shqipërisë, nuk e bënë kurrë. Ata që kishin mundësi të caktonin një ditë dhe një memorial për të kujtuar viktimat e sistemit më të egër në Europë, nuk e bënë kurrë këtë. Arsyet i dinë vetëm ata që e patën këtë mundësi dhe e humbën.

Ndaj sot, askush të mos habitet që bijtë e etërve publikojnë paturpësisht deklarata të persekutorëve, që mbajnë simbole të diktaturës, që janë nostalgjikë deri në neveritje të veglave dhe objekteve të diktatorit. Kam frikë se kjo intervistë është vetëm fillimi. Kam frikë se Aranit Çela do shfaqet nesër në të njejtën gazetë me foto idilike të familjes së tij, dhe të gjithë pas kësaj do themi: “Faji ishte i sistemit”. E deri sa kjo të ndodhë, bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës do të enden në vorbullën e qelbur që politika shqiptare gatoi këto 25 vjet, fajtorët me shpresën se krimet harrohen dhe vuajtësit me brengën se një vend që nuk sheh të shkuarën e pret një e ardhme plot me hajdutë e kusarë.

Shkruani nje pergjigje