Dita e fjongos së zezë – 23 gushti – dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit.

Nga : Maks  RAKIPAJ

…Ndërsa i thureshin lavde demokracisë sonë “të kulluar”, gazetat dhe revistat e kohës mbusheshin me shkrime kundër diktaturave nëpër botë, kundër diktatorit Salazar të Portugalisë, diktaturave në kontinentin amerikan, në Afrikë, në Azi, kundër diktaturës frankiste në Spanjë. U dha edhe lajmi për vdekjen e diktatorit Franko. Në vitin 1978, mbreti i Spanjës, Huan Karlos, firmosi kushtetutën e re demokratike. Gazeta “Zëri i popullit”, nga mesi i vitit 1978, njoftoi se u liruan të gjithë të burgosurit politikë të Spanjës: 400 (katër qint!) Në atë vit unë bashkë me mbi 1000 burra isha në kampin e përqëndrimit në Ballsh, mbi 1000 të tjerë ishin në Spaç, rreth 500 në Burrel, mijra të tjerë të interrnuar. Diktatura frankiste, në një vend me mbi 40 milion banorë, kishte patur vetëm katër qint të burgosur politikë. Në të njëjtën kohë, në Shqipërinë me “demokracinë më të kulluar në botë”, në 2 milion e gjysëm banorë gjendeshin nëpër kampe dhe burgje së paku së paku 2500 të burgosur politikë pa llogaritur të interrnuarit. Raportet flasin vetë. Krimet që janë bërë ndaj këtij populli nuk duhet të harrohen. Rreziku që të përsëriten është i madh. Ata s’e kanë lëshuar asnjëherë pushtetin. Qe një kohë kur vinin dhe na thoshin: “Në emër të popullit je i arrestuar!” Por pati ama dhe do të ketë burra si i paharruari Xhelal Koprencka që do t’u përgjigjen si Ai: -“Jo, ju më arrestoni në emër të armiqve të popullit!” …Pastë gjithnjë sa më pak njerëz që të bindur futin qafën në zgjedhën e diktaturës. Më mirë vdekur se gjallë dhe lidhur.

Shkruani nje pergjigje