Teatri, ky pajtimtar dinak i enveristëve dhe anti-enveristëve!

Nga : Rezart  PALLUQI

Për teatrin është folur aq shumë saqë shumëkush prej jush do të thoshte me tallje: tani u kujtove ti zotrote për të dhënë mendimin tënd? Pastaj cfarë ka mbetur për të thënë ju zotrote?- do të shpërthente dikush tjetër, deri diku me të drejtë. Megjithatë unë do t’ju bezdis ose jo, duke u shprehur rreth fenomenit “Teatër”, lojës propagandistike post-enveriste dhe protagonistëve të saj.
Zakonisht më tërheq më shumë ana psikologjike e një fenomeni. Pa dashur të nënvlerësoj interesat ekonomike të “mafies së betonit” në Shqipëri e akoma më gjerë. Kështu që do t’ju lodhja nëse do të përmendja këtu përfitimet kolosale që do të vjelë ajo firmë shqiptare e cila do të shembë dhe rindërtojë teatrin përkrah 5-6 qiellgërvishësve. Ngaqë këto janë parathënë vazhdimisht këto 6 muajt e fundit. Nuk po përmend këtu as përcudnimin arkiteknotik që do të shkaktonin 6 kullat përreth ndërtesave të tjera të ndërtuara sipas arkitekturës italiane të shekullit të njëzetë. Nuk po ndalem as tek ata aktorë të vjetër dhe me emër të cilët në fillim lehën mjeshtërisht dhe fuqishëm, ndërsa në fund e fashitën lehjen dhe betejën e tyre morale me një grusht florinj kulakësh. Mua ma bren zemrën dhe ndërgjegjen një problem tjetër. Është fakti se dora e fshehtë enveriste që edhe e dirigjon të ashtuquajtën “betejën e teatrit”, arriti që të pajtojë pjellat enveriste, që në aspektin numerik janë shumë herë më të mëdha se sa kategoria anti-enveriste.
Pra në betejën e Teatrit u bashkërenduan edhe enveristët edhe anti-enveristët. Ndodhi një pajtim sa tragjik aq edhe komik. Kjo ndodhi ngaqë anti-enveristëve u shpëtoi fakti ideologjik. Teatri, sic e dimë të gjithë ka qenë një lavatrice stërgjigande ku u shpëla mendja e lirë e kinematografisë shqiptare. Mirëpo ky fakt ose kjo dramë katastrofike u harrua me ose pavetëdije. Nëse pjellat e Teatrit enverist e bënë betejën për të përfituar nëpërmjet metodës enveriste: “ai që leh më shumë lëpin më shumë kocka”, grupi tjetër, ai anti-enverist e bëri të paktën për dy arsye. 1) Sepse u dirigjuan prej mafies së Erion Veliajt me shokë.

Pra, loja kompletohet kur ka pro dhe kundërshtarë. 2) Ndërsa pjesa tjetër anti-komuniste në pamundësi për ta kundërshtuar ballazi helmimin që i bëri Teatri moralit dhe shpirtit shqiptar, pranoi që t’i bashkohet protestës për të mos dalë jasht lojës disidente. Është pak a shumë sikur një ushtari, mbasi i rrëmbejnë pistoletën, e detyrojnë t’i bashkohet luftës, në të kundërtën do ta akuzojnë për tradhëti kombëtare. Teatri duhej prishur fillimisht në shpirtin e shqiptarit dhe pastaj të hidheshim në rrënimin e tij fizik, packa se unë jam kundra shembjes së godinave të tilla. Ato duhet të ruhen si tempujt e trushplarjes diktatoriale, e cilatdo ideologjie qoftë ajo. Rjedhimisht prej zhurmës së “Teatrit” na shkon mendja tek drama e Shekspirit, “Shumë zhurmë për asgjë”. Packa se frytet e betejës së teatrit e pasurojnë titullin gjenial të dramës së Shekspirit, sepse kjo zhurmë e kotë në dramën e Shekspirit krijohet prej daulleve të turmës së cekët, ndërsa këtu ajo u krijua EDHE prej daulleve të disidentëve. Një fund tejet tragjik për këto daulle që në historinë e njerëzimit kanë qenë paralajmërueset më besnike të të gjitha fatkeqësive të njerëzimit ndër shekuj.

Shkruani nje pergjigje