Kur bullin e bën vetë Veliaj

Nga : Ergys  MERTIRI

Personalisht jam bërë objekt bulverizmi nga vetë Kryetari i Bashkisë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, si dhe nga mediat kryesore në shërbim të propagandës së tij. Siç ndodh gjithmonë kur palët në debat nuk interesohen për të vërtetën, e për pasojë as për argumentet që thuhen, jam akuzuar si partiak që kërkoj të sulmoj çdo “punë të mirë” që po bën bashkia dhe qeveria në këtë vend.

E kuptoj, në mungesë argumentesh, njerëz të zhytur këmbë e kokë në llumin e politikës, do ta devijojnë gjithmonë diskutimin nga çështjet tek njerëzit, duke shpifur e akuzuar me të gjithë arsenalin e shëmtisë së tyre. Këtë e bëjnë sepse, duke sulmuar personin që denoncon, ata do të mund të delegjitimojnë vetë çështjet që ai shtron. Së fundi, jam bërë objekt bulverizmi edhe nga nje artist, – të paktën kështu e quan veten. Pas denoncimit që i kam bërë Erjon Isait për sulmet që ai iu ka adresuar kolegëve të tij që protestojnë për teatrin, ai më ka përmendur në një intervistë, duke më konsideruar, gjithashtu si njeri partiak, që e kam sulmuar atë personalisht për shkak se qenkam mërzitur pasi ai ka sulmuar kryetarin e opozitës. Kaq e vështirë është në këtë vend që njeriu të pranojë se ka dhe njerëz të ç’interesuar, që e thonë lirisht atë që mendojnë?

Reagimi im ndaj z. Isai, nuk ka qenë për shkak se ka sulmuar opozitën pasi atë e sulmojnë shumë njerëz në këtë vend dhe kjo është normale. Ky reagim nuk ka qenë as pse z. Isai është socialist dhe e ka shitur fytyrën nëpër fushatat elektorale të rilindjes, të investuar me paratë e oligarkëve, trafikantëve dhe matrapazëve që majmen në prehërin e pushtetit dhe kurrizin e qytetarëve. Është e drejta e gjithkujt të bëhet me cilën forcë politike që do, e madje edhe të bëhet qepaze në mbështetje të një pushteti kriminal si ky. Arsyeja pse unë kam reaguar, është se, nuk e pranoj dot që një aktor, aq më tepër kur ky aktivizohet hapur në mbështetje të qeverisë, të sulmojë kolegët e tij që po mbrojnë me dinjitet një kauzë kaq të drejtë sa kjo e teatrit. Kam reaguar sepse e kam parë të turpshme që një artist, në vend që të mbrojë këtë kauzë, të zgjedh të bëhet ushtar i pazarxhinjve që i kundërvihen asaj. Kaq. Nuk është faji im që z. Isai e ka shitur zanatin e vet. Meqë ra llafi, e uroj z. Isai për detyrën e re! E meriton, pasi ka punuar e është lodhur, duke shërbyer si dekor i propagandës partiake në pushtet. Fundja duke këmbyer artin me drejtorllëkun, ka bërë një zgjedhje të sinqertë!

Shkruani nje pergjigje