Tërheqja nga e keqja

Nga : Astrit  LULUSHI

Qëndrimi i parë i vizitorit në Shqipëri shkakton përzierje ndjenjash, dhe nëse vendos të qëndrojë, atij i duhet të humbasë individualitetin. Më parë ishte një njeri i vetëm, tani është një “parti”.  Pyetjet që i bëhen janë: “A  je socialist apo demokrat, i majtë a i djathtë?” Kjo i shkakton atij hutim; e djathta dhe e majta në Shqipëri, e formuar dhe e përbërë kryesisht nga ish-komunistë, ndryshon rrënjësisht nga koncepti perëndimor. Ky është ndryshimi i thellë që pëson në këto rrethana. Ai ndjehet si një nga bullonat e shumtë të hedhur tej të një mekanizmi të një makinerie të madhe pavlerë.  Ndjenjat e tij për vendin zhgënjehen, dhe mendon: “Kjo nuk është duke ndodhur, jo këtu. Dikur një vend i varfër, i izoluar, i shtypur dhe i ngritë nga ndenja e frikës, sot është i çorganizuar, lënë në mëshirën e fatit, me shpatën varur mbi kokë, a në gojën e ujkut. Njerëzit gjithmonë presin, duke u gënjyer nga një qeveri në tjetër, se shumë shpejt do të shohin ndryshimin.” Rregullat këtu duken gjysmë të çuditshme, të forta e të pafalshme, nëse nuk paguan nëndorë një polic, prokuror e gjykatësi. Njerëzit kanë kulturë, por shumë janë pa edukatë. Blerësi gjithmonë kërkon në mënyrë të vrazhdë dhe tregtari ia kthen në të njejtën mënyrë; të dy janë të rënduar, njëri nga çmimet e larta, tjetri nga taksat. Pavarësia dhe indiferenca e njerëzve dallohet fuqishëm nga sasia e parave. Ka nga ata që kanë shumë, dhe të tjerë të papunë e që rropaten për të fituar diçka. Konkurrenca është shumë e përhapur. Njeriu jeton me shpejtësi, fshihet për të shpërthyer diku tjetër. S’ka dyshim se ky tension largon shumë shqetësime, ndërsa vetëm kur dëgjon se dikush hidhet nga “kulla” e tjetri godet me sopatë dikë tjetër, ndërsa të varfërit hanë veten, si të thuash. Shqetësimi duket se nuk ka shans. Ata që janë mbushur e dhjamur këto vite, duke shkelur mbi të tjerët, japin garanci për sjellje të mirë, ndërsa tërhiqen vazhdimisht drejt së keqes nga forca e grykësisë, që gati sa nuk i mbyt.

Shkruani nje pergjigje