Kush kërkon dhunë në protesta, i shërben vetëm Ramës

Shkruan : Ergys  MERTIRI

Protesta e sotme pati një sërë reagimesh, kryesisht nga disa cinikë që indinjohen pse ajo ishte paqësore dhe shkoi mirë. Ka një prirje në PD, të ushqyer me shejtanllëk nga shumë grupe interesi, për kërkuar një opozitë radikale që djeg e shkatërron objekte duke protestuar. Sipas tyre, PD-ja bëri gabim që i pengoi njerëzit të zbraznin mllefin e tyre ndaj qeverisë. Madje pati nga ata që e konsideruan këtë si shërbim ndaj Ramës, një tradhëti të brendshme të lidershipit të PD-së.

Ka një kategori militantësh në PD që duken si sekt ekzorcist. Se ç’kanë një formulë magjike që e dijnë vetëm ata, me të cilën pretendojnë ta rrëzojnë Ramën brenda ditës! Siç thotë shumica prej tyre, ai rrëzohet vetëm me protesta radikale të dhunshme. Po të thyesh disa xhama, po të sulmosh ndonjë institucion, po ti vësh zjarrin ndonjë zyre apo të bësh ndonjë polic për spital, Rama trembet dhe ikën vetë! Nuk di se si janë krijuar këto lloj fantazish, ndonëse e kuptoj kush i ushqen, por di të them se kjo prirje për të radikalizuar aksionin opozitar në veprime të dhunshme është gjëja më e gabuar që mund të bëjë një opozitë.

E para njëherë, në shumicën e tyre në këtë vend, njerëzit nuk janë militantë partish, por qytetarë që, mbi të gjitha, duan qetësi dhe siguri, megjithëse Rama ua ka vështirësuar jetën sa s’mban më. Në shumicën dërrmuese njerëzit nuk duan të shohin tym e flak në mes të Tiranës dhe mbi të gjitha, nuk duan të shohin një opozitë që djeg e shkatërron vendin për hir të luftës së saj politike. E kam urryer Edi Ramën kur i vuri zjarrin bulevardit në 21 Janar dhe nuk ka sesi të mos kem të njëjtin reagim edhe sot.

E dyta, sado goma, makina apo zyra të djegësh, sado xhama të thyesh, asnjë Kryeministër nuk ikën me këto mjete. Përkundrazi, kështu vetëm sa i jep legjitimitet qeverisë, duke justifikuar gjithçka që ajo bën.

E treta, ky lloj radikalizimi e transferon vëmendjen e publikut dhe ndërkombëtarëve nga zullumet e qeverisë, tek dhuna e opozitës, duke i dhënë zullumqarëve në pushtet mundësitë për t’ia hedhur situatës.

E katërta, kjo lloj politike sjell vetëm izolim të opozitës nga faktori ndërkombëtar, nga opinionin publik etj. si dhe konsumim të kotë të energjive në angazhime që nuk sjellin asnjë të mirë.

E pra, ka një kategori demokratësh që bën autogol në portë të vet dhe e shet për gol. Kjo lloj politike i del përpara plumbit që, në fakt, po shkon drejt qeverisë duke kërkuar më shumë therorizimin e vetes sesa fitoren. Pikërisht në momentin që topi ka ngecur në anën e pushtetit, kjo lloj politike kërkon që opozita ta marrë vetë protagonizmin duke e kthyer gjithë vëmendjen nga vetja. Kjo është pikërisht ajo çfarë do të dëshironte Rama. Disa njerëz në PD kanë mbetur akoma në 97-n dhe nuk e kuptojnë dot sesa ujë ka rrjedhur që atëherë. Por do të ishte fatkeqësi nëse këta zëra do të gjejnë përkrahje në atë parti. Natyrisht, opozitës i duhet të bëjë protesta, por jo ta përqendrojë këtu të gjithë aksionin opozitar dhe jo të shkojë drejt dhunë si instrument politik.

Në kushtet ku ndodhemi, kur qeveria po shndërrohet në një kërcënim kombëtar, kemi nevojë të kemi një opozitë serioze, si e vetmja mundësi për ti bërë presion apo për ta rrëzuar këtë qeveri. Por, një opozitë aventureske si ajo çfarë propozohet nga ata që nuk kanë çfarë humbin më në politikë, do të ishte një pengmarrje që do ta linte vendin pa një rival ndaj pushtetit. Në këto kushte, Rama do të bëhej mbret e do qendronte në fron sa ti dojë qefi.

Shkruani nje pergjigje