Lajmi Shqip » Blog Archive » Hipokrizi e politikë - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Hipokrizi e politikë

Nga : Astrit  LULUSHI

Hipokrizia nuk është e mirë, është gënjeshtër me emër tjetër; mashtrim, lajkë, shpifje, pretendim, që jeton me lavdi të huazuar. Njerëzit që shkojnë në kishë a xhami, por nuk besojnë në Zot; njerëzit të cilët janë vegjetarianë, por veshin këpucë e xhaketa lëkure; ata janë të angazhuar në hipokrizi, ose sillen ndryshe nga ajo që thonë se besojnë.Feja e dënon hipokrizinë.
Por në politikë ndodh ndryshe. Ndonjë edhe mund të thotë se politika është e vlefshme, por meqenëse është e lidhur pashmangshmërisht me hipokrizinë, gënjeshtra nuk duhet të jetë e gjitha e keqe. Njerëzit pranojnë më lehtë atë që duket se është sesa atë që është, thotë Makiaveli tek Princi. Nisur nga parimi i mbijetesës së më të fortit (Seleksionimi Natyror), duket se njerëzit evoluojnë për të luajtur lojën e jetës sipas mënyrës makiaveliane. Të tjerë thonë se mënyra më e mirë për të qenë i drejtë është që të jesh i drejtë. Por meqenëse është shumë më e vështirë të jesh i drejtë se sa të dukesh i drejtë, njeriu për lehtësi shpesh zgjedh si duket dhe jo si është. Kështu, njeriu mbushet me fuqi e pushtet që në fakt nuk i takon. Dhe nga puna e ndikimi i tij, shtrembërimi i realitetit zmadhohet. Aq më tepër që pushteti dhe privilegji vetë e përkrahin shtrembërimin.

Hipokrizia ka qenë prej kohësh në vemendje të psikologëve. Karl Jung thoshte se hipokritët nuk janë në dijeni të hijes së natyrës së tyre. Çdo individ ka nevojë për ndryshim, përmbysje, ripërtërritje, por jo duke i detyruar të tjerët nën maskën hipokrite të dashurisë ose ndjenjës së përgjegjësisë ose eufemizmave të tjera. Nëse njerëzit edukohen për të parë qartë hijen e natyrës së tyre, mund të shpresohet se ata gjithashtu do të mësojnë të kuptojnë dhe t’i duan më shumë të tjerët. Më pak hipokrizi dhe pak më shumë vetëdije mund të kenë rezultate të mira. Sepse njeriu është i prirur për të fajsuar tjetrin për gabimet dhe padrejtësitë e veta. Benjamin Franklin thoshte se hipokrizia është vetë-mashtrim. Kur mbron një vendim a një post, njeriu hipokrit përpiqet të krijojë prova të rreme. Dhe, kur kërkohet të japë dëshmi, ai përpiqet të kërkojë dhe interpretojë “prova” që konfirmojnë atë që tashmë beson. Për më tepër, njerëzit priren të mendojnë shumë për veten e tyre, duke theksuar pikat e forta dhe arritjet, dhe duke anashkaluar dobësitë dhe dështimet e veta. Studime të ndryshme kanë provuar se rregullat morale të njeriut çojnë në dënimin e pabesisë, ndërsa rregullat e çiftëzimit e nxisin një person ta kryejë atë. Fuqia i zmadhon këto efekte. Njeriu me pushtet, ka më shumë gjasa të kryej pabesi, duke sfiduar kështu besimin e tjetrit.

Shkruani nje pergjigje