Nuk e kisha n’men

Nga : Indrit  VOKSHI

I kuptoj ata të cilëve zhvillimet jodemokratike në shtet e nëpër parti, s’iu bëjnë aspak përshtypje. Se duhet të kesh një referencë demokratike në tru, që ta gjykosh përmes saj ngjarjen dhe të të duket skandaloze. Këta nuk e kanë. Duhet të kesh kulturë demokratike. Ky është një vend pa kulturë politike demokratike. E vetmja kulturë këtu, është kultivuar në koprativa dhe organizata lagjesh, ku linçohej i ndryshmi dhe bëhej thirrje për të shtrënguar rradhët rreth partisë dhe udhëheqësit të saj, sepse armiku, i ndryshmi, ishte pas ferre, gati për të sulmuar dhe për të sjellë fundin e botës. Ky mentalitet predominon edhe sot. U trashëgua, ngaqë në 25 vite nuk iu dha kundërhelmi. Nuk pati jetë dhe hapsirë ku të zhvillohej mendimi demokratik që do ta shfronzonte kulturën e koprativave e të ngjitej vetë në fron. Nuk ndodhi. As shkollat, as media, nuk i shërbyen farkëtimit tek mendjet e breznive të kësaj kulture. Kombet, begatohen përmes respektit për punën, si të vetën, si të tjetrit. Respektit të sinqert për jetën, respektit për mendimin. Respektit dhe njohjes së të drejtës së tjetrit për iniciativë. Respektit për konkurimin. Këta, mendimin, konkurencën, punën, iniciativën, guxojnë t’i luftojnë dhe, nuk duan ta kuptojnë se po i luftove këto, s’ka begatim, s’ka ekonomi dhe s’ka asgjë për mbarë, sepse këto janë shinat. Nuk ecën treni po ia prishe shinat. Këta prishin shinat e na thonë se me ta treni do ecë më mirë. Dhe luftën ndaj ktyne këta e justifikojnë, me një nevojë të madhe dhe urgjente për të luftuar armikun. Tipike e regjimeve totalitare; s’kemi kohë të respektojmë mendimin, konkurencën, lirinë, punën, meritën, na lejohet t’i shkelim ato, sepse kemi armikun para dere. Ndaj t’i harrojmë këto, të mblidhemi rreth udhëheqjes, të luftojmë armikun njëherë, pastaj, shohim e bëjmë. Dhe armiku nuk zhduket kurrë; po u zhduk, del tjetri, po nuk doli tjetri, shpikim një të ri vetë. Ketë aplikoi Never Hoxha. Nuk ofrojnë pra, kundërhelm. Është njëlloj sikur dikë ta ketë pickuar gjarpri dhe ti, të përpiqesh ta shpëtosh atë duke e mjekuar me helm gjarpri, jo me kundërhelm. Të arsyetosh se gjarprit i duhet dhënë përgjigjje po me gjarpër. Kush e pëson? Trupi i pickuar. Që ha dy herë helm. Dhe ky trup i pickuar nga gjarpri diktatorial është Shqipëria.

Shkruani nje pergjigje