Kotësia e mosplanifikimit

Shkruan : Vehap  KOLA

Një hidrocentral (HEC) i vogël, i ndërtuar mbi një kontratë konçesionare 35-vjeçare të dhënë nga qeveria në vitin 2008 kishte përllogaritur të rikuperonte investimin brenda një periudhe 5-vjeçare nga dita e nisjes së prodhimit të energjisë. Kjo periudhë e kthimit të investimit mbështetej në një çmim relativisht të lartë me të cilin KESH detyrohej ta blinte energjinë nga HEC-et e vegjël sipas një vendimi të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Por, qeveria ndryshoi dhe ndryshoi edhe politika e energjisë. Tashmë, ERE e ka ulur këtë çmim me 40% dhe leverdisshmëria financiare e ndërtimit të HEC-it është kërcënuar në mënyrë serioze. Plani i Biznesit që konsulentët kishin hartuar nuk tregonte më pamjen e vërtetë të biznesit.

Me rritjen e paparashikueshmërisë së tregjeve, sjelljes konsumatore, legjislacionit, politikave të qeverive, apo rezultateve të kërkimit shkencor, janë shtuar edhe zërat që shpallin kotësinë e planifikimit. Një mjedis në ndryshim të shpejtë dhe të papërfytyrueshëm e bën të pavlefshme çdo përpjekje për të përcaktuar trajektoren e ardhshme afatshkurtër dhe afatgjatë të një sipërmarrjeje apo projekti. Mos do të thotë kjo që kompanitë duhet t’ia lënë vendimet instiktit të momentit dhe të shpresojnë që rezultati i këtyre vendimeve të jetë efiçenca dhe legjitimiteti?

Gjeneral Colin Powell ka thënë: “Asnjë plan nuk mbijeton pas takimit me armikun”. Por, asnjë gjeneral me sadopak inteligjencë nuk do të kishte hyrë në fushën e betejës pa një plan. Planifikimi serioz bëhet më i rëndësishëm në një mjedis të trazuar, qoftë edhe përmes planesh që nuk zgjasin. Planifikimi dhe parashikimi i sjelljes së mjedisit i ndihmon menaxherët dhe sipërmarrësit që të paraprijnë dhe të jenë të përgatitur për t’iu përgjigjur ndryshimeve. Mungesa e planifikimit ka më shumë kuptim në një mjedis të qendrueshëm, të parashikueshëm. Organizatat që kanë mjedise të paqendrueshme shpeshherë krijojnë një departament të veçantë planifikimi. Në mjedise të paqendrueshme planifikimi dhe parashikimi mjedisor bëhet faktekisht më i rëndësishëm si një mënyrë për të mbajtur organizatën të karikuar për një përgjigje të koordinuar, të shpejtë.

Intensifikimi i veprimtarisë se planifikimit, dhe jo braktisja, është zgjidhja. Si shembull, një njësi e rregullt ushtarake ka një planifikim më pak intensive se një njësi e forcave speciale. Fakti që misionet e forcave speciale të ushtrisë janë më të paparashikuara, nuk do të thotë se planifikimi i misionit është i pavlerë. Përkundrazi, planifikimi duhet të jetë më i hollësishëm dhe të parashikojë disa skenare të mundshme. Përveç planifikimit të veprimtarisë së zakonshme të biznesit, në periudha pasigurie dhe mjedise komplekse, planifikimi duhet të shtrihet drejt inkurajimit të të mësuarit, adaptimit të vazhdueshëm dhe inovacionit. Parashikimet afatgjata nuk janë të nevojshme nëse mjedisi pas pesë vitesh do të jetë njësoj si sot, por pikërisht nëse pritet që ai të  ndryshojë. Për të mënaxhuar ndryshimin nevojitet që kompania të ketë një plan: plani i menaxhimit të ndryshimit, plani i menaxhimit të riskut, plani i emergjencës, plani i kërkimit dhe inovacionit, etj.

Pra, planet mund të jenë të zgjeruara dhe të parashikojnë skenarë të ndryshëm për mundësitë e ndryshme në mjedis. Përmes ndërtimit të skenarëve, menaxherët dhe konsulentët marrin në konsideratë efektet e ndryshimeve të mundshme. Skenarët janë si historitë që ofrojnë pamje alternative dhe të gjalla të mënyrës se si do të duket e ardhmja dhe se si do të përgjigjen menaxherët e kompanisë. Për shembull, Shell Oil prej shumë kohësh përdor ndërtimin e skenarëve dhe është një ndër liderët e përgjigjes së shpejtë ndaj ndryshimeve masive që kompani të tjera kanë dështuar t’i perceptojnë derisa ishte shumë vonë. Prandaj, që të zhvilloni aftësinë e biznesit tuaj për t’iu përgjigjur shpejt ndryshimeve (edhe të papriturave), bëni plane. Por mos u ndalni këtu: bëni plane edhe për për ndryshuar planet. Planifikoni ndryshimin!

Shkruani nje pergjigje