Njerëzit pa trashëgimi janë lehtësisht të bindur

Nga : Erald  KAPRI

‘Njerëzit pa trashëgimi janë lehtësisht të bindur’ është një shprehje e thënë nga Karl Maksi. Në fakt është profetike. Në vendet më pak të qytetëruara, si i yni, diktatura zuri vend, vrau e preu dhe këputi fillin e trashëgimisë dhe vlerave të shoqërisë.

Këtë postulat e hasa në një nga shënimet e Uinston Çërçillit tek ai flet rëndësinë e së kaluarës por dhe kujtesës si çështje kulture. Kjo më erdhi ndërmend kur lexoja qëndrimet e Pëllumb Xhufit ndaj Kampit të Tepelenës dhe ndonjë studiuesi tjetër. Nuk kam dëshirë të merrem me Xhufin por me fenomenin që ai përfaqëson, që duhet thënë është shqetësues. E për tu kthyer sërish tek Çërçilli, ai thoshte se një nga shenjat e një shoqërie të fortë është zelli me të cilin kalon kultura nga një brez në tjetrin. Sipas tij, kjo kulturë është mishërimi i gjithçkaje që njerëzit e asaj shoqërie i kanë të dashur: besimi i saj fetar, heronjtë e saj. Dhe kur kjo nuk ndodh, atëherë e drejta i takon thënies së Karl Marksit. Në këtë pikë vrisja mendjen se si i mishëron fenomeni Xhufi këto vlera, besimin fetar, lirinë apo cilët janë heronjtë e tij.

Ajo që xhufët nuk kuptojnë ose që djallëzisht nuk duan ta kuptojnë, është se mësimi i së kaluarës shërben për diçka tjetër. Kur flasim për rëndësinë e të kaluarës, shumica e njerëzve besojnë se na shërben për të kujtuar ç’ka ndodhur në histori. Por ky nuk është qëllimi i memories, i së shkuarës, apo i asaj ç’ka ndodhur në të kaluarën. Qëllimi thelbësor është që nga e kaluara të nxjerrim mësime të cilat garantojnë të ardhmen. Ndaj, kur flasim për krimet e diktaturës, kur flasim për humbjen e lirisë në vendin tonë, nuk thjeshtë bëjmë një apologji, por i kujtojmë shoqërisë së sa kollaj mund të humbasësh lirinë, sa kollaj është ngritja e një diktature dhe se sa fort duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë. Kur lexojmë dëshmitë nga e kaluara për dhunën në kampin e Telelenës, burgjet apo kampet e internimit, qëllimi është formësimi i ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare se kjo mund të ndodhë sërish.

Së dyti, është çështja e kulturës së kujtesës. Është e qartë se nuk e kemi këtë kulturë. Ndërtimi i kësaj kulture i shërben një qëllimi që ka shoqëria sot dhe që duhet ta ketë. Sot ndokush mund të thotë që e tashmja është e mbushur me pamundësitë e ditës, me varfërinë, papunësinë, mungesën e shpresës. Kjo është mëse e vërtetë por në çdo brez kjo ka qënë tema e ditës por ama kurdoherë çdo brez ka proklamuar një qëllim fisnik që shoqëria duhet të çojë përpara. Gjetja e kësaj urtësie, e këtij qëllimi për t’i dhënë kuptim të tashmes, gjendet tek vlerat e së kaluarës që kemi trashëguar. Pikërisht këtu mund tu ofrosh njerëzve vlerat fisnike, që ti japin kuptim ekzistencës së tyre e të mos korruptohemi nga e tashmja e varfër. Nëse kultura shqiptare vijon të mos e bëjë këtë, të mos ti shërbejë vlerave fisnike, atëherë do jemi një shoqëri e vdekur, pa qëllim, pa vlera, por vetëm të sunduar e të plaçkitur. E nëse duam vërtet që kjo të mos ndodhë, të injorojmë xhufët e të ngrihemi si shoqëri për të përqafuar vlerat fisnike si liria, toleranca, reagimi ndaj së keqes, dhe besimit se ky vend bëhet.

Shkruani nje pergjigje