Shoqëria civile nuk është më e mirë se politika

Shkruan : Ergys  MERTIRI

Protesta për Rrugën e Kombit duhet të jetë dhe të mbetet e qytetarëve pa dallim bindjeje politike. Të gjithë ata që e duan këtë vend, të gjithë ata që janë të kundër kësaj paudhësie dhe të gjitha paudhësive të kësaj qeverie, qofshin në politikë apo jashtë, saj duhet ta mbështesin atë. Rama duhet të tërhiqet, madje edhe të zhduket sa parë dhe kjo iu shërben të gjithëve, përfshi këtu edhe vetë socialistët.

Megjithatë, vërej se disa aktivistë nga shoqëria civile e kanë kuptuar keq apartiakizimin e protestës. Një protestë që nuk bëhet palë e ndonjë partie politike nuk ka arsye përse të jetë kundër të gjitha palëve. Depolitizimi i një proteste nuk nënkupton kundërvënie të barabartë ndaj të gjithë forcave politike. Përndryshe, kjo formë e apartiakizimin është një instrument politik në shërbim të një prej palëve, asaj që duhet të mbajë peshën e fajit. Protesta duhet të adresohet tek një fajtor i vetëm: Edi Rama. Është ai që ua ka vendosur qytetarëve këtë barrë dhe është ai që ka tërhequr indinjatën e të gjithëve. Nëse shoqëria civile mundohet ta shpërndajë indinjatën tek e gjithë klasa politike, jo vetëm që bën diçka të padrejtë, por i shërben pikërisht fajtorit. Duke i fajsuar të gjithë fiton vetëm fajtori i vërtetë.

Nëse kjo protestë do të shndërrohet në një spektakël që godet të gjithë dhe asnjë, ajo bëhet e dështuar dhe i shërben vetëm mbijetesës së fajtorit në detyrë. Për këtë arsye, shoqëria civile duhet të heqë dorë nga retorika e përfshirjes së të gjithëve në një thes, pasi kështu vetëm tradhëton kauzën që pretendon se po mbron. Po të jetë për të drejtë morale për të përfaqësuar qytetarët, nuk është vetëm politika ajo që nuk ka fytyrë për këtë, është edhe shoqëria civile. Shoqëria civile deri më sot ka qenë po aq e përlyer me pisllëqet që bëhen në këtë vend, sa dhe qeveritë ndaj ajo nuk ka asnjë kredibilitet moral për të qenë përfaqësuese. Për këtë arsye, protesta duhet të mbetet e të gjithëve dhe e askujt në veçanti. Ajo duhet të mbetet zëri qytetar që konteston poshtëristë që pushteti po bën ditë për ditë në kurriz të tyre.

Shkruani nje pergjigje