Këmbëzbathur të la nata, zengjin të gjeti dita

Nga : Dr. Ndriçim  MEHMETI

Nuk është ndonjë rrëfenjë dosido, është historia e madhërisë e treguar prej vetë atij. Dikur zograf e kalemxhi, i hypi të bëhej, derven, kajmekan a mytesarif. Madje shikonte plot lakmi postin e vezirit dhe pse jo të të parit të miletit të tij. Do duhet pak kohë derisa të arrinte por ja vlente. Fundja ai kishte vite që nuk punonte. U enda në gjithë sininë e Evropës, e madje deri në Kinën e largët, por më shumë për përvojë sesa isha i pashpresë. Kur më erdhi radha që të kthehem andej nga ku kisha ikur si qen i rrahur, nuk ja bëra dysh fjalën mirëbërësit tim që i hangar kokën, por vrapova ti hyp pamporit të parë që gjeta dhe vrik të mbërrij në atdhe.

Rrugës kisha vetëm një mendim: Si të arrija të bëhesha i pasur dhe i fuqishëm?

Do ta filloja butë-butë. Në fillim si mytesarif i kryeqendrës e më pas shkallët do t;i ngjisja me shpejtësi, të panjohur më parë. Po për të arritur deri tek ajo fuqi e madhe që të jep karrigia, duhet të bëja para. Si do t’i bëja. Ja që siç thotë populli, puna të mëson vetë. Me një palë brekushe, të blera tek pazari “Pleshti”, me një unazë të sajuar sermi nga ato që shesin detarët e Afrikës, dilte sokak më sokak duke bërë thirrje për punë dhe qetësi. Kinse ishte e gjithë kjo, se zabitët që më shoqëronin, u linin në dorë nga një fletushkë tyxharëve, bakallëve, ustallarëve e deri tek lustraxhinjtë, që ishte shuma që duhet të paguanin për mua, të parin e qytetit. Të pasurve ju shkrep të bënin saraje gjigande në mes të qyteti, po unë na rrafsh ja u bëra. Pa më dhënë qesen e rëndë të floririt dhe të ndihmonin që të ngrihesh sa më lart në pushtet, opingën do të merrnin. Në pak muaj parja rrodhi lum. Se nga më vinte as vetë nuk merrja vesh: Irade për ndërtimin e sarajeve, irade për pastrimin e gjirizeve, irade për pastrimin e detit. Xhelep për koshat e fiqve, lakrat, floririn dhe sermin, lëkurën, kuajt që livadhisin me karrot e tyre, qentë e sallahanës, kafshët e padisiplinuar dhe të varfrit që lypin kur ka punë sa të duash. Nuk kaloi më shumë se dy vjet dhe tani po kishte ardhur koha të shikoja më larg. Por po më pëlqente puna e mytesarifit. Vërtet duket sikur kishte shumë telashe, por verdhushkat vinin pa hesap dhe nami si njeri i dorës së fortë u përhap anembanë. Që ta justifikoja sa më shumë fitimin përmes vjedhjes zyrtare, më erdhi në mend një ide gjeniale. Të ngjyros qytetin sipas shijeve të mija. Në fillim më ndihmoi bojaxhiu që rrinte kundruall zyrës time të madhe. Tek e dëgjoja që bërtiste “hajde llustra boja”, e skicova menjëherë planin tim. Si fillim dërgova njeriun të preferuar për këto punë Ali Aganë dhe i thashë, “merre me vete lustraxhiun me gjithë aletet e tij e ma sill në holl, ta takoj”. I ziu llustraxhi kur pa Ali aganë me gjithë zabitët që e rrethuan, u tremb pir nuk kishte nga ja mbante. Ali Aga i pëshpëriti urdhrin e mytesarifit dhe e mori prej leckash e drejt e tek holli. Mytesarifi u tha: “Ma hiqni këtë koqe nga sytë dhe hapeni pak sëndukun e vogël që ka me vete. I shikoni bojërat që ka? Me këto në të mëngjër do lyeni pjesën e poshtërme të qytetit, me këto në të djathtë anën e majtë të qytetit dhe ç’të mbetet mexhlisin para zyrës time. E morët vesh e morëm thuaj. Tani më sillni ata bojaxhinj që të bëjëm hesapet sesa fitojmë nga kjo punë”. Puna ishte e paqme dhe fitmet po ashtu. Pastaj i erdhi siraja, sarajeve, lëndinave, vaporëve që vinin vërdallë nëpër dete, duhet të paguanin xhelepin më të madh. Për të mos rënë shumë në sy, gjatë gjithë këtyre viteve, ndjenja në një kthinë të përshtatur disi si shtëpi. Njerëzit më shikonin çdo mëngjes e çdo natë dhe mendonin me vete “o është i marrë, o ka mbetur trokë i ziu”. Nuk ishte as njëra e as tjetra, mendoja unë me vete. Një ditë do të shikoni sa pamje do të kenë sarajet e mia, në sa vende do të bredh, e mexhitet që do të më japi njerëzia e puna si pari vendit, nuk do t’i nxë as hangari i vaporit tren.

Prandaj mendova, tani është radha ime, të bënem drejtuesi i Divanit dhe të vë nën zap gjithë njerëzinë.

Në fillim do të sikteris paraardhësin tim në krye të Divanit, atë që më bëri njeri. Mirëbërësi im, u bë fodull, flitej se pinte nga mëngjesi në mbrëmje, shteti ishte lëshuar fare e njerëzia po vuanin nga uria. Unë u bëra gati për të marrë në dorë frenat e Divanit. Dola kaza më kaza, e nahije më nahije, e mejdan më mejdan, pa tellall se vetë u bëra i tillë dhe bërtisja “Popull, ky njeri po ju merr në qafë. Është i sojit tim po nuk kemi çe duam. Unë jam i ndershëm, njeriu që rri pranë jush edhe halleve tuaja. Më bëni të parin e fisit dhe unë do të vë rregull e disiplinë, punë dhe bukë për të gjithë, karvanët do të lëviznin lirshëm e kusarinë do ta zhduk, njerëzia do të bëjnë tregti, e begatia do të mbulojë sininë tënë”. Nuk e besoja, po mileti e hëngri këtë gënjeshtër të madhe, si të vërtetë. U çuan e më mbajtën në krah e më çuan drejt e në krye të Divanit. Tani më erdhi zogu në dorë mendova. Dhe nuk humba kohë. Fillova të fitoj nga të mundja, nga ndërtimi i një ure të shkatërruar, e deri tek streha e fakirëve që hanin një pajto trahana në tre vakte. Tregtar, shitës, furrtarë, qoftexhinj, e deri tek bakallët e famshëm të pëlhurave të mëndafshit, shalleve e gëzofeve prej lëkure tigri e jaguari, filluan të heqin para për mua. Ndërtova pa mund e pa djersë, sarajin më të madhe më të çuditshëm në një çiflig shumë pranë qytetit. Udhëtoja në karroca me perde floriri e dru të zgjedhur ahu e lisi. Këpucët, kostumet, kollaret e deri tek benevrekët, i merrnja me porosi nga perëndimi, por nuk mbaj mend të kem paguar njëherë. Me pak fjalë bëra pasuri e vazhdoj të bëj sa një Zot e di. Ja mbylla gojën të gjithë kalemxhinjve me ndonjë kockë që jua hedh dhe e lëpijnë një vit të tërë. Tani le të guxojnë të thonë se: Këmbëzbathur më la nata e zengjin më gjeti dita. I plas të gjithë në hapsane një nga një, e vetë do të bëjë pallë sa të më dojë qejfi. Në fund të fundit vetëm më ngritën në krah e më çuan në krye të Dovletit.

Shkruani nje pergjigje