Gratë vdesin shumë herët në media!

Shkruan : Ergys  MERTIRI

Seksizmi është bërë herë pas here objekt debatesh në opinionin publik. Ai gjendet i përhapur kudo, por paradoksalisht, në nivelin e tij më banal, ai shfaqet në media, gjë për të cilën flitet shumë pak. Mjafton një vështrim në faqet e para të gazetave e portaleve për të konstatuar se mentaliteti që mbizotëron nuk e vlerëson gruan për asnjë vlerë përveç sekusalitetit. Një mentalitet që nuk i ndan njerëzit në burra dhe gra, por në burra dhe femra.

Gratë thuajse nuk ekzistojnë në media. Përkundrazi, janë femrat ato që ngopin syrin e publikut në portale, gazeta e televizione. Gruaja për median kërkohet vetëm si femër. Kjo e bën praninë e tyre publike kaq afatshkurtër dhe moshën e “pensionit” shumë të afërt. Ato dalin menjëherë nga skena, sapo rrudhat në fytyrë iu bëhen të pambulueshme nga grimierët, apo kur kilet e tepërta të peshës trupore fillojnë dhe bëhen të dukshme. Me një shikim të shpejtë të një gazete çfarëdo, apo me një zamping të rastësishëm në televizor, nga imazhet e mbledhura do të konstatonim lehtësisht se burrat në media nuk janë aspak të pashëm. Jemi mësuar me imazhe burrash qerosë, barkderrë, por që pozojnë përgjithësisht si njerëz të mençur, të aftë apo me pushtet. Ata janë objekt i vëmendjes për shkak të veprimtarisë së tyre shoqërore, kulturore e politike. Ndërsa paraqitjet e grave, mbushin masivisht rubrikat rozë, në pozicionin e modeles, balerinës, këngëtares, spikeres… një armatë e tërë figurinash që vlerësohen, për asgjë tjetër përveç efekteve që shkaktojnë në gjendrat hormonale mashkullore të publikut.

Imazhet e burrave rëndojnë shtrëngueshëm kollaresh e kostumesh, ndërsa ato të grave shpërthejnë dekolterash, minifundesh e rrobabanjosh. Ekrani është kryesisht një plazh vere për gratë dhe një tribunë oratorie për burrat. Këta të fundit vlerësohen kryesisht për atë çfarë bëjnë, ndryshe nga gratë, të cilat vlerësohen më shumë për atë çfarë janë fizikisht. Ato janë përgjithësisht dekor, stoli, orendi e mjediseve ku gjërat bëhen nga burrat. Pra gratë në media janë më shumë një objekt në funksion të kërkesës apo orekseve mashkullore. Shikimi nuk është gjë tjetër vetëm se prekje në distancë, e në këtë kuptim, gruaja shndërrohet një objekt që ofrohet si mish për masat, në një marrëdhënie orgjitike të medias me publikun. E gjithë kjo përbën një panormë të përditshme seksizmi ku vlera e njeriut degjeneron në raporte përmasash. Duke i kthyer gratë në një zgjatim të interesave dhe nevojave mashkullore, moderniteti nuk i ka çliruar aspak ato, ndonëse një gamë e madhe lirishë dhe të drejtash, të arritura më shumë për shkak të një sërë rrethanash që kanë të bëjnë me individualizimin e shoqërive të sotme, krijojnë iluzionin e lirisë. Por, në qoftë se ka kuptim barazia për një shoqëri moderne, ajo duhet të jetë e tillë fillimisht në raport me dinjitetin njerëzor.

E keqja është se shoqatat dhe aktivistët feministë në Shqipëri, ndryshe nga sa ndodh në shumë vende të botës, nuk e kanë në fokus këtë. Shumica e tyre janë përqendruar për t’i parë problemet në traditën tonë kulturore (e cila në fakt, vlen fillimisht të studiohet dhe vlerësohet objektivisht e kontekstualisht, për kohën kur ka funksionuar), pa u shqetësuar për çfarë po sjell modernizimi dhe sidomos, kultura e konsumit dhe spektaklit. Shoqatat e grave në Shqipëri shqetësohen për diskriminimin e grave në familje dhe jo në botën e konsumit. Për rrjedhojë, edhe lufta e tyre ka qenë më shumë kundër familjes sesa shfrytëzimit komercial të imazhit dhe dinjitetit të saj. Kjo ka bërë që emancipimi të jetë më shumë një proces i gjatë i ndërrimit të shfrytëzuesve, sesa një proces çlirimi për gruan.

Shkruani nje pergjigje