Nipi i Mbretit Zog – përgjigje Pezës: E vërteta e “flirtit” të Enverit me Geraldinën

“Mitomani” dhe “fyerje ndaj figurës së Mbretëreshës Geraldinë”. Kështu e ka konsideruar provokimin e radhës të Alfred Pezës, nipi i Mbretit Zog, Skënder Zogu. Përmes një statusi në Facebook, Zogu i është përgjigjur autorit të romanit “Sarah”, i cili gjatë një bisede mbi librin, do të thoshte ndër të tjera se Enver Hoxha, jo vetëm që donte të fejohej me një nga princeshat, motrat e Mbretit, por edhe ka flirtuar me vetë Mbretëreshën Geraldinë, duke e konsideruar këtë si rrugën më të shkurtër për t’i tërhequr vëmendjen Zogut I.

Sipas Skënder Zogut, të gjitha sa thotë Peza janë përralla dhe se një njeri si Enver Hoxha, nuk kishte asnjë gjasë t’i qasej familjes mbretërore. “Libri krejt përralla dhe me shumë iluzione. Turp për një shkrimtar që ofendon figurën e naltë të Mbretneshës Geraldinë dhe e ul veten tue i dhanë një ‘rëndësi’ figurës s’Enverit. Nuk ka asnjë të vërtetë. Enveri nuk e ka pa me sy mbretneshën. Aj ishte një njeri pa kulturë dhe pa karakter. Nuk ka pasur lidhje aspak me familjen mbretnore…”. Zogu i tërheq vëmendjen shkrimtarit, edhe për ca përkime vitesh. “Njoftim për autorin: a e dini ju se Enveri kur u kthye nga Parisi në Tiranë, në 1936, ishte 28-vjeçar, pa një diplomë kualifikimi? Më shpjegoni si n’atë moshë ai do të kishte mundësi me hy në Pallatin Mbretnor… Mitomania!!!”, shton ai. Edhe më herët, menjëherë pas daljes së librit, nipi i Mbretit Zog deklaroi se s’kishte asgjë të vërtetë në pretendimet e Pezës se Enver Hoxha do të fejohej me motrën e Mbretit, Princeshën Maxhide, pikërisht kur Italia fashiste mësyu në Shqipëri. Pushtimi i Shqipërisë prishi planet e Enverit.

FLIRTI ME MBRETËRESHËN

Alfred Peza ka vendosur të mos e lerë “rehat” familjen mbretërore e t’ia prishë gjakun herë pas here me nga një deklaratë. Pas historisë së fantazuar për marrëdhënien dashurore të Mbretit Zog me Sara Blloshmin, nga edhe ka marrë titullin romani i tij “Sarah”; pas pretendimit se Enver Hoxha do të fejohej me Maxhide Zogun; bën një tjetër deklaratë, ndoshta edhe më të fortë se dy të parat. Sipas tij, Enver Hoxha ka flirtuar me Mbretëreshën Geraldinë. Mbi figurën e Sara Blloshmit, Alfred Peza ka ngritur një roman të tërë. Pas një jete plot aventura e pasion, nga fundi i romanit, gjatë një bisede me vetë Mbretin Zog, tashmë në ekzil, rrëfehet kalvari i saj gjatë diktaturës komuniste, deri në largimin nga Shqipëria.

Ish-kreu i Arkivave të Ministrisë së Brendshme, studiuesi Kastriot Dervishi, deklaron se për Sarën nuk ka pasur asnjë dosje të Sigurimit të Shtetit që të dëshmojë përndjekjen e saj, por një fashikull me informacione jo shumë interesante. Duke publikuar një leje qëndrimi të Sarës, Dervishi thotë: “Ky është dokumenti i përdorur për banim të përkohshëm në Shqipëri të Sarah Robinsonit, e cila dikur mbante mbiemrat “Serdar” të vajzërisë dhe “Blloshmi” nga martesa e parë me Selaudin Blloshmin. Siç edhe shihet, dokumenti lëshohej nga ushtria dhe në pjesën qendrore të tij, përveç gjuhës shqipe, është edhe “Një nga njerëzit që shihej në shoqërinë e saj ishte Enver Hoxha… Të gjithë ambiciozët e kësaj bote, e nisin nga fustanet rrugën e tyre drejt majës dhe është e pashmangshme që edhe Enver Hoxha të ketë flirtuar me Sarah Blloshmin, ashtu siç thuhet që ka flirtuar edhe me një nga princeshat. Ashtu siç do të flirtonte edhe me Mbretëreshën vetë më prapa. Arsyeja? Vetëm e vetëm që t’i fitonte zemrën Mbretit Zog, për të arritur ambicien dhe synimin e tij”, do të shprehej Peza gjatë një bisede për romanin. Sipas tij, “në mendjen e ambiciozit shkon gjithçka dhe flirti me Mbretëreshën është rruga më e shkurtër për të fituar vëmendjen e Mbretit”.

Shkruani nje pergjigje