Gjana kundër Spahos: Votimi me detyrim, luks i panevojshëm për kontekstin shqiptar

Kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Sulejman Gjana,ka analizuar se pse nuk mund të aplikohet modeli i votimit me detyrim në vendin tonë. Në analizën e tij, Gjana ka pohuar se votimi me detyrim është një model interesant dhe që ka rezultate për shkak të disa faktorëve si politikë apo etnikë. “Votimi me detyrim është një model interesant që funksionon dhe jep rezultat në disa vende të Europës. Disa shtete konsiderojnë votimin si një detyrë qytetare që i kalon kufijtë e thjeshtë të së drejtës së votimit. Por në ato vende kjo detyrë qytetare lidhet me disa faktorë politikë, etnikë dhe shoqërorë që kanë specifikat e tyre dhe ky detyrim është sanksionuar në kushtetutat dhe ligjet e atyre vendeve për të garantuar stabilitetin e shteteve dhe institucioneve përkatëse dhe jo për arsye konjukturale”, deklaroi ai. Por sipas Gjanës sa i përket kontekstit shqiptar, do jetë një proces i vështirë për t’u implementuar për shkak të numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë. “Por në kontekstin shqiptar besoj se do të jetë e vështirë për ta implementuar për shkak se një pjesë e madhe e popullit jeton jashtë shtetit ku nuk mund të votojnë, por edhe sepse eksperiencat e votimeve të mëparshme kanë treguar se në zonat rurale votimi paraqet akoma probleme serioze”, u shpreh Gjana. Gjithashtu, ai nënvizoi se votimi me detyrim nënkupton edhe sanksione për qytetarët që nuk përmbushin detyrën dhe PD nuk ka parashikuar  një sanksion. “Votimi me detyrim nënkupton edhe sanksione për qytetarët që nuk e përmbushin detyrën dhe duhet të dimë se çfarë sanksione parashikon PD për këto raste. Për shembull, në disa shtete vendosen gjoba të kripura por ka raste ku u heqin edhe të drejtën e votimit qytetarëve që nuk përmbushin obligimin e tyre”, vijoi Gjana. Ndërkohë, ai theksoi se propozimi i PD nuk do të harrohet shumë shpejtë dhe se votimi me detyrim është një luks i panevojshëm. Personalisht, dyshoj se propozimi i PD për votim me detyrim do të harrohet shumë shpejt nga vet PD pasi besoj se e kanë bërë këtë propozim me të njëjtën bindje sikurse para pak muajsh kishin shpallur se nuk hyjnë në zgjedhje nëse nuk implementohet votimi elektronik. Për më tepër, mendoj se sistemi dhe kodi aktual paraqesin probleme më të rëndësishme që duhen trajtuar në mënyrë urgjente dhe se votimi me detyrim është një luks i panevojshëm për momentin”, nënvizoi Gjana.

Shkruani nje pergjigje