Përse?

Nga : Maks  RAKIPAJ

Pas zgjedhjeve në Shqipëri gjendja është njësoj, dmth e rëndë. Asnjë ndryshim për mirë. Tashmë edhe më optimisti është pesimist. Kam kohë që vras mendjen përse ndodh kjo. Dhe vetëm te ne. Përse? Pas asaj që rëndom quhet Katowica ndodhën ndryshime rrënjësore në ish kampin socialist. Hynë në Evropë të gjithë shtetet ish-komuniste. Të gjithë, përveç Sërbisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Së fundi po flitet për një Treg të Përbashkët Ballkanik për këta shtete, një lloj Jugosllavie e re. Përse? Kudo në ish kampin socialist u krye dekomunistizimi i shoqërisë. Ne sapo zgjodhëm kryekuvendar Gramoz Ruçin. Në Rumani para ca kohësh u arrestua një ish gardian burgu politik 90 vjeçar. Te ne janë dekoruar kryegjykatës e gjykatës, hetues a janë bërë avokatë dhe noterë dhe notojnë në pasuri. Te ne u quajtën ‘bashkëvuajtës’ dhe bashkëfajtorë’. Përse? Në Bullgari pretendenti i fronit mbretëror u zgjodh kryeministër i vendit; pas kësaj Bullgaria hyri në Evropën e Bashkuar. Tek ne Leka Zogu II u përzu në vitin ’94 dhe u kërcënua me jetë dhe me burg më vitin ’97. Princin simpatik Leka junior e kanë punësuar dhe e kanë “nën hyqëm”. Masakra që ndodhi dhe vazhdon pambarimisht me pronat vetëm në Shqipëri ndodhi. Dhe jemi këtu ku jemi. Përse? Me naivitet fëminor mendonim në fillim të viteve ’90 se pak vite duheshin që vendi të përparonte dhe të bëhej një Zvicër e vogël. U bë në të vërtetë për pinjollët e ish-bllokut. Shpëtim për popullin e thjeshtë mbeti vetëm mërgimi. Përse? Në shtyp kam lexuar që kryeministri Rama paska 2 qint milion euro nëpër bankat off-shore, që presidenti Meta zotëron miniera ari në Afrikë etj; që kryeopozitari Basha paguaka vetëm për qëndrimin në port në jahtit të vet luksoz 200 mijë euro në vit. Na qeverisin njerëz që duhej të kalbeshin burgjeve. Përse? …”Epo këta voton populli! – thonë shumë. Të tjerë që hiqen më të fisëm nga shumica fillojnë e shajnë ‘ky popull muti janë shqiptarët’; ‘nuk ndihen shqipatrët, duruan turkun 500 vjet’ e të tjera broçkulla si këto. Popujt janë njësoj kudo. Kanë qënë nën diktaturë edhe popuj të tjerë, gjermanë, italianë etj., nën perandorinë turke nuk qemë vetëm ne; bullgarët e rumunët i çliroi Rusia, grekët inglizi me frëngun e gjermanin me gjakun e suliotëve shqiptarë. Kurse Shqipërinë e shqyen në 4-5 shtete. Dhe mos thoni që nuk luftuan shqiptarët ato vite. Por nuk fituam. Përse? Sepse fatet e popujve vendosen në tryezat diplomatike të Fuqive Të Mëdha. Ato vendosën në vitin 1878, 1912-13. Vendosën edhe në konferencat e paqes kur u nda torta pas Luftës II, kur na caktuan vendin në kampin lindor dhe shefat e zbulimeve perëndimore talleshin me gjakun e djemve shqiptarë të kompanisë 4000 sikur gjoja ato donin të përmbysnin regjimin komunist. Kjo është historia me dy fjalë. Çka iku e dimë. Ç’ka vendosur Reagan-Gorbaçov nuk e dimë. Çdo të vendosë Trump-Putin po ashtu. Por si tha ai në atë barcoletën: “nga era që ndjej, më duket se nuk do bjerë shi, por mut.”

Shkruani nje pergjigje