Midis Irene Papasi-it dhe Kadaresë

Nga :  Ilir  LEVONJA

1) Ka kohë që në internet, sidomos në webet shqiptare, qarkullon një nga intervistat e aktores së njohur greke Irene Papas apo Irena Lejlekut. Ku midis të tjerave ajo ka deklaruar se është shqiptare. Vajza e një burri shqiptar dhe e një nëne epirote. Dhe ku sipas aktores, ndofta një ndjesi fiksimi normal për një të moshuar gati sa një shekull, nuk ka dëshirë që të mbyll sytë pa e pohuar këtë me gojën e saj. Dhe herë më herë kjo intervistë, shfaqet, përhapet e komentohet me kaq ekzaltim sikur të kemi zbuluar ndonjë kontinent tjetër. Ndodh kështu edhe me një intervistë të ish ministrit të jashtëm Pangalos, ku edhe ai deklaron se është arvanitas. Dhe ne se ç’na kap një qejf kolektiv aq sa besojmë si fëmija se me siguri pas Papasit apo Pangallosit do dali edhe ndonjë shqiptar tjetër në vendet e botës. Mundësisht ndonjë nga ata që janë të mëdhenj për njerëzimin. Nuk reshtim s’u mburruri që ky është shqiptar. Siç e kemi bërë dhe e bëjmë edhe me Ataturkun, reformatorin e Turqisë. Apo me plot emra të tjerë nga rajoni. Për ne kaq ka rëndësi. Se si e thotë, për çfarë e thotë iksi apo ypsiloni. Ne nuk na duhet fare. As që na intereson konteksti. Përshembull, Papas mund ta ketë thënë me mendjen që t’i shërbejë sado pak afrimit mes vendeve a popujve. Kurse ne shqiptarët themi që jo, e bën që t’ia dhjesi grekëve. Një lloj inati paranojik… që nuk ka mendje ta shpjegoj. Ndofta nga kjo paranoje duket sikur nuk durojmë dot kur dikush del e thotë se nëna e Skënderbeut është me prejardhje sllave. Madje nisim një rrëmujë, të cilën e quajmë debat. Kur në të vërtete është një spot publicitar i llojit shqiptar. Ku marrin pjesë të gjithë. Dhe askush nuk ia gjen fillin lëmshit të radhës.

2) Megjithatë midis të thënës së Irene Papasit, Pangallosit, a ndonjë tjetri. Dhe horisë shqiptare në përgjithësi…, ta dini nuk ka asgjë të përbashkët. Dhe prisheni këtë vetmbushje qejfi, këtë ngasje kolektive pse dikush thotë se ka prejardhje shqiptare. Bëni zgjedhjen e duhur. Mburrjen e duhur. E thonë se janë të lire ta thonë. Kaq. Një njeri që lind diku, që rritet e formohet aty. I përket asaj kulture dhe admirimit të atij populli që e çoi aty ku është. Të tjerat janë pjesë e shout të jetës së një njeriu të famshëm që i bën sfidë çdo sistemi. Kështu edhe me Irenën, një këngëtare dhe aktore, një vajzë Helene nga Korinthi, me bindje komuniste. Ashtu si e shumta e brezit të saj, në ato kohë. nuk e ka për gjë të kujtojë prejardhjen e babait. Por kjo nuk ka përse na bëj kaq shumë krenar. Në fund të fundit, ajo që është, Penelopa… a, gruaja tipike greke. E bëri Greqia, nuk e bëri Shqipëria. Dhe Zoti e paska dashur që e lindi dhe e rriti aty. Se po të kishte qëlluar të lindte në Shqipëri. Me siguri do kishte pasur fatin e të rinjëve komunist si Petro Marko, Qemal Stafa a Liri Belishova. Ose ndonjë aktore e dorës së dytë për shkak të biografisë së keqe. E thonë në emër të dashurisë që njeriu ta dojë njeriun, jo ta sundojë. Jo për superioritet rracash. Por në emër të dashurisë. Ndërkaq është kaq paradoksale pasi nga ana tjetër shqyhemi të denigrojmë figurat tona. Edhe ato të gjalla, me përmasa miti, aq sa çdo vend do i kishte për nder për arritjet e tyre. Figurat tona, që i bëri Shqipëria jonë. Po e theksoj Shqipëria, jo regjimet apo sistemet. Ashtu si Greqia Irene Lejlekun. Por ne jemi të verbër në këtë drejtim. Ndërkohë që bota mburret që jetojnë në shekullin e tyre. E bën me Gabriel Garsia Markezin. E bën me Ismail Kadarenë.

3) Në vjeshtën e vitit 2016, kuvendi i Shqipërisë miratoi përfundimisht të ashtuqujturin Autoriteti i Hapjeve të Dosjeve. Apo siç na pëlqen ne ta thërrasim rëndom si, Komisjoni i dosjeve të Sigurimit.të Shtetit. Kjo u bë fakt pas një pune prej disa vitesh. Dhe si të thuash u vulos me emërimin në krye të një zonje të re. Në grupin e punës u tha se po futeshin figura me integritet të pa cënuar. Si nga të përndjekurit, partitë politike dhe qeveria. Por pa opozitën. Opozita bojkotoi me preteksin e sojit që i duhet të kundërshtoj. Pasi çdo ligj, çdo nismë, çdo reformë është e mirë vetëm kur bëhet nga unë. Një kulturë tashmë bajate tek ne. Kjo është një nga kokëfortësitë klasike opozitare ndaj të gjitha reformat e deritanishme në vendin tone, janë gjysmake. Plot erëra koridoresh ku mundësia e abuzimit është sa dita. Shto pastaj edhe atë pa personalitetin e ligjzbatuesit shqiptar, që shitet për një dopio e dy qofte. Dhe si rrjedhoj me efekte shtrëmbane duke zgjatur përjetësisht tranzicionin. Megjithëse plot tetë vite në pushtet, PD-ja nuk iu qas fare një reforme të tillë. Edhe pse mbante brenda vetes një masë të madhe nga shtresat e përndjekura.
Shumë nga shqiptarët besuan se më në fund ligji do dominonte tek ne. Por nuk po ndodh. Madje po bëhet tejet i përdorshëm. Sa nuk është fare e lehtë të kuptohet, se këta anëtarë duhet t’i kenë gati kuotat për letra, dokumente, a të tjera gjëra të kësaj natyre. Thjesht për zhurmë dhe shantazhe a bërje pis të ndonjë figure. Siç po ndodh në rastin konkret me letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në lidhje me të motrën.

4) Unë nuk kam për qëllim t’i dal në mbrojtje Kadaresë. Nuk ka nevojë asfare ai për një të tillë. Biles të gjithë ne shqiptarët bëjmë mire të heqim dorë nga këmbëngulja bajate se kush ka të drejtë. Nga solidarizimi në masë me zhurma të tilla si a ka qënë apo jo pederast Enveri? Çfarë ndodhi me jugosllavët. Çfarë me komunistët dhe çfarë me ballistët. Pasi po harrojmë enkas të tashmen. Demokracinë dhe funksionin e saj social. Merremi me të shkuarën me një inat shtazarak aq sa nuk ngopemi ta shohim njëri-tjetrin përtokë. Duam diçka më shumë. Një kënaqësi ekstazë krejt kafshërore. Bëjmë mire të heqim dorë dhe nga ajo tjetra, të më shkoj e imja. Të bëhet si them unë. Vetëm shqiptarët gëzojnë kur nuk merr Kadare Nobelin. Dhe kjo është (më vjen keq ta them)…, kënaqësi kafshërore. Eshtë krenaria jonë. Prej vendit tonë. Si zog i rrugëve të botës që jam. E gjej kudo ku shkoj. Dhe në një kantier pa fund, siç edhe janë këto libraritë e njerëzimit, të gjesh një shqiptar të madh nuk ka asnjë diskutim që është krenari. Po këtë zor se e kuptojnë mëndje që shohin vetëm Opinionin dhe dëgjojnë dënglat e Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës. Zor se e kuptojnë ata që nuk shohin më tutje se hunda e tyre. Dhe janë robër të një kohe të marrë peng. Robër të një lloj mendësie që Irene Papasi ua dhjeu grekëve, tha që është shqiptare. Robër të intrigave nga dosjet e një sistemi që dje i ndau e i futi në një luftë klasash, kurse sot po i sundon me të kaluarën. Nuk ka asgjë më fërgëlluese se sa kur shikon në një metro, një vajzë të re a një mesoburr që lexon Prillin e thyer. Te flasin me superlative. Atë e ka shkruar një gjeni nga gjaku ynë. Nga vendi ynë. Nga ai vend i vuajtur prej mendjesh të nxehta. Që rrinë e rrinë merren me heronjtë sikur t’i kenë marrë prej dore. Nga njëra anë e shajnë Enverin, nga ana tjetër shqyhen të të shqyejnë me metodat e tij. Boll u mburrët me Irenën. Mburruni siç u ka hije me shqiptarin e vërtetë.

Shkruani nje pergjigje