UNË DHE ATDHEU.

Nga : Agim  XHAFKA

Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika,lodhjen,shpenzimet se dua të gjendem mes njerëzve të mij,të gjakut a shok e miq. 
Shkoj te varrezat,te prindërit,bëj muhabet të gjatë me ta se kam bindjen që më dëgjojnë,rri me gocën,nipin,mbesën,të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh,acarohesh,grindesh,sëmuresh,tërbohesh e mund të shkosh në djall. Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them as e mendoj. Por veten e dua,e dua shumë,edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mij,por për atdheun e sotëm kurrë. Kjo Shqipëri nuk është e imja,ma kanë vjedhur e më kerkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar,se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë,jo atyre të zhvilluara,e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave e shigjeta në Shqiperi po i drejtohet hënës. Kryqyteti si një kapanon i madh ku prodhon sëmundje e tret njerëz.  Plazhet pa drita,ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicionieri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit,e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë,bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh ,ku ka veç qenër se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.

Në këto kushte unë,i pëmallur për vendin,por i gjendur në grackën e tij,i thërras mendjes e iki me vrap kudo,veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri,vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet,shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati,arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime. Unë e dua veten,e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del,se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon,nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi,nxjerr dufin,trishtimin,inatin,por nuk qëndroj. Iki..

Shkruani nje pergjigje