Përsëri me Visarin?

Nga : Maksim  RAKIPAJ

E sulmuan djathtas e majtas kur pranoi të bëhej ministër kulture në qeverinë Berisha tre muajt e fundit të asaj qeverie. E mbështeta në vendimin që mori, sepse kam qënë shok burgu me të dhe ja njoh integritetin moral. Nuk kam qënë dakord me Visarin kur u shpreh kundër grevës së ish të burgosurve ato kohë dhe jam shprehur haptaz qysh atëhere pro asaj greve. Më në fund një ish i burgosur politik ministër, qe nder edhe për ne, jo vetëm përfitim vetiak për Visarin.
U rindez lufta kundër Visarit kur u emërua ambasador në shtetin e Vatikanit nga qeveria Rama. Presidenti nuk e miratoi, sepse nuk e lanë ta miratonte, gjithsesi kryeministri e dërgoi në Vatikan, si të ngarkuar me punë, një shkallë më poshtë se ambasadori, meqë nuk pati pëlqimin e xhikes së radhës. E shqyen, e nëmën Visarin, e çkishëroi ish partia e tij, si shërbëtor të Ramës. E mallkuan edhe ata që e patën quajtur shërbëtor të Berishës. E lënduan rëndë, pa pyetur se pati humbur në një aksident mizor birin e vetëm, Atjonin e tij të shtrenjtë, të shenjtë…goditja më e rëndë që mund të pësojë një baba. Por ATA nuk pyesin nëse shkel parimet. Parimet??? Ata që për zot njohin vetëm paranë dhe për hir të saj puthen edhe me djallin? Këto ditë përsëri luftë kundër Visarit. Guxoi të sulmonte presidentin për emërimin e Xhafajt si ministër i brendshëm, ndjehej mllefi i vet për mos emërimin si ambasador në Vatikan. E sulmoi edhe një miku im në FB, me të drejtë, kur sulmon presidentin duhet sulmuar edhe kryeministri që e propozoi. Kjo qe një lëvizje jo diplomatike e Visarit. Askush nuk është i përsosur. Por nuk mbaron këtu. Ai që më 20 shkurt 1991 donte të rivendoste në shesh përmendoren e krimnelit Hoxha dhe tani e kemi si president ndjehet i cënuar pas miratimit prej tij ministër i brendshëm të një ish hetuesi kriminel të komunizmit. Dhe na tregoi me “fakte” që Visari paskësh qënë spiun në burg. Një sms të një farë P.V. se në vitet 82-83 Visari paska punuar në administratën e burgut. Të qe kështu Visari nuk do të qe Visar Zhiti që kam njohur unë dhe qindra të tjerë në Spaç dhe Qaf-Bar, që e dimë se Visari në burg ka punuar vetëm në minierë. Kur u lirua e dërguan në fabrikën e tullave në Lushnjë puntor krahu. Prandaj qe miku dhe vëllai im në kohën e burgut. Prandaj e kam për nder ta kem ende shok të mirë.…Si në ato kohë, kur ai qe ende në burg dhe unë sapo u lirova vizitën e parë e bëra në shtëpinë e tij në Lushnjë, tek të paharruarit Hekuran dhe Resmije, te Shpëtimi, Ilirjani dhe Arbëreshja. Sepse unë shokët e mirë nuk i harroj kurrë.

Shkruani nje pergjigje