Diana Çuli, mos dil më në publik!

Shkruan : Ilir  HASHORVA

Përmes Agron Tufës, i cili nuk la të zhvillohej një shfaqje letrare organizuar nga Ministria e Kulturës, kushtuar Diana Çulit, kësaj gruaje që ka dhënë ndihmesën e vet në vrasje njerëzish, u bë e para protestë publike ndaj një figure, përfaqësuese e shumë figurave të tjera, që i shërbyen me mish e me shpirt regjimit komunist, madje segmenteve më kriminale të tij dhe sot, në pas komunizëm, kërkojnë të jenë përsëri në qendër të vëmendjes, në krye të shoqërisë dhe politikës, të përfitojnë prej tyre dhe të japin mësime morali, kulture, lirie e demokracie. Për moslejimin e këtij imoraliteti, Agron Tufa dhe njerëzit që e ndihmuan meritojnë çdo mbështetje dhe lëvdim.
Mbas kësaj ngjarjeje, televizioni Top Channel organizoi një bisedë me Diana Çulin dhe dy mbështetëse të saj dhe me Agron Tufën dhe dy mbështetës të tij. Arrita të ndiqja pjesën e dytë të atij programi dhe pashë, atë që shihet rrallë: fytyra engjëllore që i dilnin përkrah krimit dhe imoralitetit. Mbrojtja e krimit prej tyre do të thoshte pjesëmarrje e tyre në krim. Diana Çulit iu kërkua nga hetuesia politike e kohës një recensë për poetin Genc Leka, recensë që u paraqit si provë fajësie në gjyqin që iu bë atij dhe poetit tjetër Vilson Blloshmi, gjyq që i dënoi të dy me vdekje në vitin 1977. Ndaj kritikave që iu bënë, Diana Çuli, së bashku me mbështetëset e saj, u justifikuan duke thënë pak a shumë se recensa që kërkoi hetuesi për poetin Genc Leka ishte një detyre shtetërore dhe Diana duhej ta kryente; se Diana u gjend para dilemës ta bënte apo të mos e bënte recensën dhe se, po të mos e bënte, mund të kishte pasoja, të humbte punën dhe karrierën si shkrimtare ndërsa, nga ana tjetër, po të mos e bënte Diana, do ta bënte dikush tjetër; se recensa e Dianës nuk e çoi në plumb Genc Lekën, sepse Genc Leka kishte edhe akuza të vjedhjes dhe sabotimit; sepse nuk ishte dënuar njeri me vdekje për shkak të shkrimeve; se kritika letrare ideologjike i ishin bërë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe këta nuk ishin dënuar me vdekje; se Diana ishte një punonjëse e re në redaksinë e gazetës “Drita” dhe atmosfera e asaj periudhe ishte tepër e frikshme e të tjera si këto.
“Erdhi hetuesi në zyrë, – thotë Diana, – dhe më tha për të bërë një analizë të poezive. Ishte detyrim ligjor për ta bërë”. Dhe Diana iu bind detyrimit ligjor.

Në gjyqet që iu bënë kriminelëve nazistë mbas lufte, ata e deklaruan veten të pafajshëm. Pse? Sepse vetëm kishin zbatuar urdhrat dhe zbatimi i urdhrave, sipas tyre, ishte meritë dhe jo krim. Njeriu gjatë jetës së tij merr urdhra nga jashtë, por merr edhe urdhra nga brenda. Ai duhet të zbatojë vetëm ato urdhra nga jashtë të cilat nuk bien ndesh me urdhrat e brendshme, me urdhrat e ndërgjegjes. Për Dianën, urdhrat e hetuesisë politike komuniste nuk binin ndesh me ndërgjegjen e saj. Gandi thoshte “Mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë sa dhe bashkëpunimi me të mirën.” Por a e kuptonte Diana se po bashkëpunonte me të keqen? Nuk e besoj. Duhet thënë që në fillim se regjimi komunist nuk shkonte ashtu kot, kapte një njeri dhe e detyronte të thoshte apo të bënte atë që donte ai. Ai i zgjidhte njerëzit dhe zgjidhte ata që kishte siguri se do ta mbështesnin, dhe Diana dukej se ishte e përshtatshme, se ajo jo vetëm do ta kryente detyrën që i ngarkohej, por do ta kryente ashtu siç do të ishte më mirë për hetuesin. Nuk është e vërtetë se nuk mund të kundërshtoje në komunizëm një detyrë që ta kërkonte partia shtet, siç thotë Diana. Ka plot raste të njerëzve që u janë shmangur detyrave të vëna nga partia dhe organet e saj, natyrisht jo ashtu hapët, por me mënyra të tërthorta, sepse partisë nuk i prishej ndonjë punë e madhe po të mos e kryente dikush punën e saj. Kishte plot të tjerë që mezi pritnin ta bënin atë punë, madje, me entuziazëm.

Diana vazhdon shfajësimin: “Nëse nuk bëja unë, do ta bënte dikush tjetër.”Në Talmund jepet ky tregim: Një person u urdhërua nga guvernatori i një krahine për të vrarë një person tjetër dhe u kërcënua se, në qoftë se nuk do të kryente ai atë vrasje, do të vritej nga guvernatori dhe detyrën e tij do ta kryente dikush tjetër. Ai shkoi e u këshillua me rabinin e tij për mënyrën se si të vepronte. Rabini i tha: “Le ta vrasë atë dikush tjetër, le të të vrasë ty guvernatori, ti nuk duhet të vrasësh.” Justifikuesit e Dianës thonë se poetët nuk i vrau Diana Çuli me recensën e saj, sepse ata kishin edhe akuzën e vjedhjes dhe sabotimit. Në të vërtetë, ata nuk i vrau as recensa e Diana Çulit dhe as akuza e vjedhjes dhe sabotimit. Ata i vrau regjimi kriminal komunist. Kur ai regjim të kishte vënë në shënjestër për të të goditur, të vishte njëqind akuza të pavërteta. Edhe atyre poetëve u vuri akuzën e vjedhjes dhe sabotimit dhe atë të poezive jo socialiste. Por kjo nuk ndryshon asgjë për Dianën, ajo e dha kontributin e vet në atë vrasje. Diana thotë se ishte e trembur nga atmosfera politike e asaj periudhe, se ishte një redaktore e re e gazetës “Drita” dhe se po mos të bënte ashtu siç iu kërkua, mund të humbte vendin e punës. Asnjë justifikim moral, asnjë keqardhje, asnjë pendesë. Të tjerë, mbështetës të saj, jo vetëm përsërisin justifikimet e Dianës, por thonë se gjëra të ngjashme kanë bërë edhe shkrimtarë të tjerë. Pra, kur një të keqe e bëjnë edhe të tjerë, ti nuk mban përgjegjësi për të keqen tënde, përgjegjësia shpërndahet.

Justifikimi se kritika u ishin bërë nga kolegët e tyre shkrimtarë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe ata nuk ishin dënuar me vdekje, pra kritikat letrare nuk ishin vdekjeprurëse, nuk qëndron. Ka një ndryshim të madh këtu. Ndërsa këtyre shkrimtarëve kritikën ua kërkoi ta bënin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Diana Çulit kritikën ia kërkoi hetuesia politike. Regjimi komunist, ashtu siç përkëdhelte një lukuni shkrimtarësh dhe poetësh që i bënin atë punë që as i ati i Diana Çulit, si oficer sigurimi, nuk ia bënte dot, ashtu dënonte tepër rëndë edhe ata pak shkrimtarë a poetë që mendonte se i kishte kundër. Mbrojtëset e Dianës thonë se Diana ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë. Diana vetë nuk e thotë këtë dhe këtu ajo tregohet më e ndershme se mbrojtëset e saj. Por ne mund të themi: përse të mos mendojmë se ajo jo vetëm nuk ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë, por e mirëpriti, se ajo e ka parë detyrën që po i ngarkohej si një nder, si një besim që tregonte partia ndaj saj, si një mundësi për autopromovim dhe, mbase, e ka vënë edhe në ato që në ato kohë quheshin autobiografi, me të cilën njerëzit mburreshin kur shkruanin se si e kishin ndihmuar pushtetin popullor. Mbështetësit e Diana Çulit habiten me njerëz që i sulen një shkrimtareje, një “zonje të letrave”, duke nënkuptuar se shkrimtarët dhe poetët na qenkan një racë në vete, një racë me gjak blu gjë, që po të analizohet si duhet, del krejt ndryshe. Në gazetën “Telegraf” të datës 25 maj 2011, jepen këto kujtime të ish-hetuesit të kohës së komunizmit Dilaver Bengasi mbi hetuesinë që bëri ai ndaj një prej të paktëve shkrimtarë jokonformistë e disident shqiptarë, ndaj Kasem Trebeshinës:
Pyetje: “Çfarë ndodhi gjatë arrestimit të tij?
Përgjigje: Asgjë. Ne shkuam tek shtëpia e tij pranë ekspozitës “Shqipëria sot,” dhe i njoftuam vendimin. Pastaj gjatë seancave hetimore unë e kuptova se kisha të bëja me një kolos dhe gjithashtu me një njeri të pafajshëm. Dhe për këtë gjë kërkova disa herë në bazë të dispozitave dhe hapësirave ligjore ta lironim. Por pati disa reaksione nga shkrimtarët.
Pyetje: Çfarë reaksionesh?
Përgjigje: Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo e rrezikonte problemin.
Pyetje: Çfarë thoshin shkrimtarët?
Përgjigje: Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për probleme të librave.
Pyetje: Sa ishte numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës?
Përgjigje: Jashtëzakonisht shumë. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, i cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve dhe e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë.
Diana thotë se vrasjen e dy poetëve e mori vesh në vitin 1994. Unë e besoj plotësisht. Me çfarë indiference kishte nënshkruar ajo verdiktin e saj për poetët! As nuk u interesua të merrte vesh se si kishte ndikuar recensa e saj në dënimin e tyre. E ç’rëndësi kishte për të se ç’u kishte ndodhur reaksionarëve, kulakëve, armiqve të klasës? Për të, ata ishin insekte. A mund të mbajë në mendjen një njeri se kishte shkelur një insekt?
Diana nuk është e vetme në kësi punësh, madje nuk është edhe më fajtorja. Ka plot me mëkate më të rënda se të Dianës, por Diana u bë objekt sulmesh sepse donte të ishte person publik me rëndësi në një kohë që komunizmi kishte rënë, duke harruar se ç’kishte bërë në atë kohë, apo duke e konsideruar atë si një gjë të normale: u bë deputete në Kuvendin e Shqipërisë nga partia e Skënder Gjinushit, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e shoqërisë civile, anëtare jurish për çmime të kulturës. Të gjitha këto e nxorën në pah dhe e bënë tabelë qitjeje. Shokë e shoqe të Diana Çulit duhet të ulin kokën e të mos lëshojnë më hije në këtë tokë, por njerëz të tillë as që kuptojnë se ç’kanë bërë.
Mbështetësit e Diana Çulit në atë emision kërkuan që të hapeshin dosjet, se, me demek, në dosje Diana do të dilte e pafajshme. Dosjen e Dianës, mbështetësit e saj e kishin të gjallë para syve, por nuk u pëlqente, e donin dosjen në letër. Çfarë hipokrizie!
Mua më duket se fajet e Dianës janë më të mëdha sot, se atëherë. Ajo nuk shpreh asnjë lloj pendese dhe nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, ajo vetëm përpiqet të justifikojë veprimin imoral të saj. Ajo thotë: “Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk e quaj veten përgjegjëse. Unë nuk e ndjej veten aspak fajtore për akuzat.”
Rregulli i parë i moralit: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët.”
Rregulli i dytë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty.”
Rregulli i tretë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty, por bëja plot dashuri.”
Diana Çuli nuk futet dot te rregulli i parë, te më i lehti. Ajo është krejt jashtë.
Diana Çuli, je fajtore, mos dil më në publik, shiko punët e familjes tënde!
Dhe tashti, më në fund, krahasoni, ju, të dashur lexues, që lexuat këto reshta, këtë shoqe, Diana Çulin, prodhim socialist-komunist, që për karrierë ndihmoi të çonte drejt vdekjes një person tjetër pa e çarë fare kokën, me zonjën prodhim socialist-demokrat, Musine Kokalrin, që sakrifikoi gjithë jetën për parimet e saj, që u ngrit mbi veten, që u përpoq ta bënte këtë Shqipëri një vend më të mirë për të gjithë, që u përpoq të jepte një shembull morali për meskinët, edhe për Diana Çulin (edhe pse në kohën e saj nuk u lejua njeri që ta njihte), që njerëzit të shihnin sot njëri tjetrin me dashuri dhe respekt dhe jo me keqdashje dhe urrejtje!

Shkruani nje pergjigje