Rënia e Metës si fund i tranzicionit

Shkruan : Brendon  KOTORRI

Si një prej lojtarëve më të palodhur të politikës shqiptare të tranzicionit, Ilir Meta nuk resht asnjëherë së surprizuari, e pikërisht duke mos surprizuar. Pas shkarkimit të Ministrit të drejtësisë prej Kryeministrit, dhe debateve që nxiti ky gjest, edhe Meta u detyrua që të dilte dhe të fliste përpara kamerave. Në një kohë, kur publiku ka nevojë të kuptojë se çfarë po ndodh realisht mes PS dhe LSI që ka sjellë problemet e fundit institucionale, Meta deklaroi se i rëndësishëm është stabiliteti i Shqipërisë dhe marrëdhëniet në rajon.

Metës i kanë mbaruar fjalët

Niklas Luhmann thotë në “Teoria e Shoqërisë” se “Gjuha si medium komunikimi është transhendentale”. Kjo do të thotë se gjuha dhe për pasojë oratoria nuk mund të vetëgjenerohet nga brenda njeriut, ajo zbret nga lart si dhuratë. Nëse e vëzhgojmë oratorinë Metiane nën këtë dritë, do të mjaftonte vetëm të masnim numrin e fjalëve që ai përdor. Jo vetëm ato që përdor aktualisht por edhe ato që ka përdorur që prej kohës kur nisi të merrte pjesë në hapësirën publike. Shumësia e fjalëve nuk e kalon dot nivelin për t’u klasifikuar si komunikim politik. Treqind fjalët gjithsej që Meta zotëron në fjalorin e tij politik, vijnë e ndërkëmbehen brenda stabilitetit, dialogut, qetësisë, pozitivitetit, bashkëpunimit, zhvillimi, demokracia, solidariteti. Shenjues bosh të cilat në politikë janë të barabarta me shumësinë e fjalëve që mëson një fëmijë 4 vjeçar, buka, uji, shokët, mami, babi, qeni, zogu, kapela, deti. Prandaj, edhe i vetëdijshëm për këtë pamundësi të vetën, Ilir Meta ka thirrur gjithnjë në ndihmë mediat e lira (në kuptimin që kushtojnë lirë për t’u blerë), për ta shfaqur atë si politikan të madh.

Metës i kanë mbaruar mediat

Në fillimet e viteve 90, mjaftonte të të ftonin në TVSH, apo të të dilte emir në gazetë, dhe ekzaltimi ishte i pamatshëm. Meta u bë kryeministër pikërisht në pikën e kthimit nga kjo situatë, në atë të pluralizmit mediatik të TV të reja private. Karriera e tij politike me LSI haste vështirësi në hapat e para pasi edhe TV ishin të polarizuar pranë Nanos, ose Berishës. Që të luante në të njëjtin nivel, LSI do duhej të kishte gjithashtu në mos mediat, të paktën gazetarët e vet. Sot, në kohën e portaleve çdo gjë që ndodh në lidhje me LSI, qoftë edhe shakatë e fatosëve në kampin e Jalës në verë, është lajm i parë në disa portale. Kjo mënyrë e influencimit të publikut është fare e thjeshtë, ngase 1 portal në Shqipëri mund ta menaxhojë pa problem një gazetar i vjetër që shërben pikërisht si tellall i atij politikani që paguan më shumë dhe merr në punë 2-3 studentë. Mirëpo me kalimin e kohës, edhe këto portale on-line po e humbin atë fare pak influencë që kishin nga 3 ose 4 vite më parë. Kjo për shkak se publiku është vetedukuar që t’i braktisë ato portale që dallohen se janë shërbestare të politikanit që paguan më shumë.

Metës i kanë mbaruar figurat

Që prej kohës së marrëveshjes së 2009-ës me Berishën, Ilir Metës i janë larguar një e nga një të gjitha ato figura politike që e prishën pazarin me të, dhe që ai me aq mund i  kishte grumbulluar kur themeloi partinë. Që nga largimi i ministrit Dritan Prifti, e deri tek Ylli Manjani, LSI ka pësuar një sërë lëvizjesh ngjitje-zbritje në poste kabineti qeveritar. Megjithëse LSI është përpjekur të promovojë shumë të rinj pragmatistë që janë afruar në parti prej frymës së përgjithshme se “në LSI rregullohesh me shkollë e me punë e me pozitë”, ende kjo parti nuk ka mundur të prodhojë ndonjë profesionist që është po aq i aftë në profesionin e vet jashtë politikës sa ç’ është edhe brenda LSI-së. Kësisoj, ngushtësia profesionale e figurave politike të LSI, na ka prodhuar ministra të jashtëm si Panariti apo ministra drejtësie sot si Petrit Vasili.

Metës i kanë mbaruar aleatët

Pas akuzave më të egra politike ndaj kryeministrit Fatos Nano, Meta bëri divorcin me PS-në në vitin 20014. Ai më pas themeloi me bashkëshorten, partinë e tij. LSI. Pas 4 vitesh në opozitë ndaj mandatit të parë e të vetmit të suksesshëm të Berishës, Meta e kishte shpallur publikisht Berishën si armikun e vet më të madh, duke realizuar kundër kabinetit të tij edhe sulmin fizik me thyerje vazosh në sallën e parlamentit që sot e quan të shenjtë, duke realizuar edhe grevën ndaj ndryshimeve kushtetuese për kodin electoral. Pas mitingjeve të shumta agresive në gjuhë, Meta deklaroi disa herë, qartë dhe pastër se nuk do të kishte kurrë një aleancë me Berishën. Fill pas zgjedhjeve të 2009, ai e shpalli veten hero kombëtar dhe tha se aleancën qeverisëse me Berishën e kishte bërë vetëm për hir të kombit. Në SHBA, në garën presidenciale 2012, në zgjedhjet brenda partisë, një përgjigje kaq qesharake ad absurdum e ka dhënë edhe kandidati Newt Gingrich. Gingrich e pyet një qytetar në një takim të hapur se përse ai e konsideronte veten modelin e konservatorit kur ishte divorcuara nga tri gra, dhe të tria herët divorci kishte ardhur si pasojë e tradhtisë bashkëshortore pikërisht nga ana e tij. Gingrich u përgjigj shkurt dhe qartë: “Që kur jam futur në politikë unë nuk mendoj për asgjë tjetër veçse për Amerikën, dhe gjithçka bëj, e bëj për Amerikën”. Pas ngjarjeve para dhe pas 21 janarit, akuzat e ndërsjella me dikur mikun e tij Edi Rama, ishin aq të ashpra saqë dikush mund të mendonte fare lehtë se njëri prej të dyve do ta eliminonte tjetrin edhe fizikisht. Por jo. Ai është Ilir Meta. Më 1 prill 2013, doli e iu tha shqiptarëve se sërish për hir të kombit, do të shkonte në koalicion me Ramën. Sot pasi e kanë kuptuar që të dy se nuk mund të rrinë në të njëjtin kotec, Meta nuk ka nga t’ia mbajë. Nuk ka më as një aleat të vetëm të fuqishëm, i cili mund ta mbajë ende gjallë duke e lënë t’i thithë gjakun.

Metës i ka mbaruar afati

Largimi i Nanos nga politika aktive dhe largimi i Berishës nga kryesia e PD, janë shenja të dukshme të zhvillimit të dhunshëm por të domosdoshëm të politikës sonë. Largimi i Metës nga roli i përcaktuesit të vetëm të qeverisjes, do të jetë edhe fundi i tranzicionit politik në Shqipëri. Ka një skenar të mundshëm se si kjo mund të ndodhë, vetëdijesimi i popullit se nuk duhet të votojë më as atë që e frikëson dhe kërcënon dhe as atë që e paguan dhe e poshtëron. Nëse largojmë këto dy metoda përmes rezistencës së njerëzve, atëherë Ilir Meta dhe LSI do të duhet të garojë me figura profesionistësh dhe me ideologji. Pra do të humbte, dhe partia e tij do të zbriste tek 2 karrige në parlament. Robert Dahl teoricien i Poliarkisë, thotë se vota ideologjike mund të realizohet vetëm prej të kuptuarit e përndritur të votuesit. Që do të thotë se vota e informuar do të sillte polarizimin ideologjik të votuesit. Nëse kjo ndodh dhe Meta e humbet rolin e vet si përcaktues i vetëm, atëherë ai do t’i bashkohet Nanos dhe Berishës për të shënuar kështu fundin e një tranzicioni politik dhe fillimin e një politike të re. Politikës ideologjike. Largimi i Nanos nga skena politike, dhe zvetënimi i Berishës, e bën Metën pronarin e fundit të një partie. Politika ideologjike tashmë i ka treguar filizat e vet edhe në Shqipëri, mirëpo filizi do ujitur. Rama në vitin 2009 tentoi pragmatizmin e rrugës së tretë me “përtej të majtës dhe të djathtës”. Nuk ia doli. Në 2013-ën provoi tezën më socialiste pas komunizmit. Rilindje (taksë progresive, barazi, shtet të fortë). Lulzim Basha gjithashtu po përpiqet të shpallë një djathtizëm në PD-në e tij të re. Rama eci përpara me ideologji. Është kurioze nëse do t’i ecë ideologjia edhe Bashës. Një gjë është e sigurt, më shpejtë se kaq Meta nuk ecën dot.

Shkruani nje pergjigje