Politika: Aktrim në fushën e vuajtjes së njerëzve?!

Nga : Indrit  VOKSHI

Më dekurajojnë këta që e konceptojnë politikën si aktrim në fushën e vuajtjes së njerëzve. Kush ua qan hallet më mirë njerëzve, do fitojë. Të duket sikur po ndjek ndonjë dramë tek Teatri Kombëtar. Politika nuk është qarje hallesh. Eshtë zgjidhje, nëpërmjet ligjeve të reja që do miratosh dhe zbatimit të atyre ligjeve që ekzistojnë.

A do zhvillohemi apo jo? Nëse po, duhet programi. Programi, kjo fjala që e ka humbur vlerën ngaqë është abuzuar aq shumë me të, saqë tani edhe po ta kesh vërtetë, zor se ta besojnë se e ke. Programi paguhet, se është dokument strategjik qeverisjeje. Do paguash ekonomistët, juristët dhe ekspertët e ndryshëm.

Duhet ta masësh shkencërisht se sa mund të performojë ekonomia në kushtet ku është (sa para do të marrësh prej qytetarëve dhe ku do t’i shpenzosh) dhe, do t’iu thuash qytetarëve, kaq para do t’iu marr, kaq do t’i çoj për administratën, kaq për rendin e ushtrinë, kaq për arsimin, kaq për shëndetësinë, kaq për pyjet e ujërat etj.

Duhet të përqëndrohesh në vendet e punës, nëpërmjet lirisë së tregut për zhvillimin e burimeve materiale e njerëzore që rrjedhimisht do të ndikojnë në tregti/shërbime. E si rezultat do fitohen më shumë para dhe, qytetari do mundet të blejë shërbime më cilësore, sepse ka me çfarë i blen. (Të kesh filozofinë se paratë iu përkasin njerëzve, jo qeverisë)

Jo t’ia këpusësh, 200.000 vende pune. Mandej del tjetri thotë 300.000, a thua se është ankand ku besimi i qytetarit blihet nga ai që ofron më shumë vende pune para fushatës, pa e pasur idenë sa premisa ka ekonomia. Kjo e dëmton vendin psikologjikisht, ngase thyen besimin e njerëzve tek politika e shteti. Zbatimi i programit shmang pabesinë dhe rrit besimin se vendi ka shpresë për të dalë nga gremina.

Qytetarët e dinë se çfarë mund të presin prej teje, sepse e kanë të shkruar në program atë që t’i do bësh. Në të kundërt je në kaos, krizë besimi, depresion. Pak a shumë kjo është politika. Tako sa të duash plaka e pleq trotuareve e dil në foto, nuk quhet politikë. Quhet tentativë për të marrë vlerë prej halleve të tjetrit. Politikë quhet kur ke programin. (Programin konservator, që të mos keqkuptohemi).

Shkruani nje pergjigje